3 Tetor 2015 - 08:51 - Adriatik Kelmendi
NË RRËMUJËN E përgjithshme të kërkesave, ultimatumeve e kundërshtimeve, së paku disa nga figurat liderë të tri partive opozitare e kanë elaboruar më qartë. Ideja është përafërsisht e këtillë: meqë nuk ka mundësi që të bëhet referendum për marrëveshjet e Brukselit dhe demarkacionin me Malin e Zi, atëherë t’i përdorim zgjedhjet si një tregues se kujt i besojnë më tepër qytetarët – koalicionit qeveritar, apo tri partive opozitare.
Sidoqoftë, ndonëse mund të konsiderohet si një qëndrim të artikuluar dhe parimor mbi këto dy çështje, “Vetëvendosje!”, AAK dhe NISMA (VAN) duhet ta dinë se qytetarët që kanë vërejtje në punën e qeverisë, kanë vërejtje edhe shumë më të mëdha për shumë fusha të tjera, sesa vetëm tkurrja e oponencës në dialogun e Brukselit ose demarkacionin.
Këto të dyja janë shumë problematike, kanë kundërshtinë e gjerë të popullatës shqiptare të vendit, por nuk janë të vetmet brenga të qytetarëve.
POR PËR TË MARRË përkrahjen e opozitës së përgjithshme publike ndaj Qeverisë, opozita partiake parlamentare duhet të tregojë se e ka seriozisht.
E para, episodi i LVAN-it i vitit të kaluar e ka dëmtuar jo pak kredibilitetin e bashkimeve të këtilla të subjekteve opozitare, meqë nuk po vlerësohen si të sinqerta, por si ad hoc bashkime për poste individuale, ose imponim agjendash ideologjike.
Qytetarët ende e kanë shumë të freskët edhe marrëveshjen për ndarje postesh ndërmjet LDK-së, AAK-së dhe NISMA-s një ditë pas zgjedhjeve nacionale të qershorit të kaluar. Pastaj e kujtojnë se u deshën disa muaj për të arritur një marrëveshje disapikëshe të këtyre të triave me “Vetëvendosjen!”, të cilën marrëveshje edhe ashtu të gjithë e interpretonin siç iu shkonte më tepër për shtat. Dhe se për gjashtë muaj nuk ia dolën të na prezantojnë një program të përbashkët qeverisës.
E dyta, që të tria partitë që sot e përbëjnë VAN-in, kanë komuna me të cilat udhëheqin. Mirëpo, qeverisja e kryetarëve të AAK-së dhe të NISMA-s nuk është se u ka dëshmuar qytetarëve ndonjë farë ndryshimi të madh pozitiv krahasuar me komunat që qeverisen nga kryetarë të PDK-së, ose LDK-së. Një kontrast në këtë aspekt mund të shihet në qeverisjen e “Vetëvendosjes!” në Prishtinë, si arritjen më të madhe luftimin e korrupsionit.
Por vetëm ndalja e një të keqeje, në vetvete, nuk do të duhej të ishte domosdoshmërisht krenaria më e madhe e një qeverisjeje komunale. Në fund të fundit qytetarët do të jenë jashtëzakonisht falënderues për ndaljen e një të keqeje, por kjo nënkupton vetëm arritjen në një pikë zero – nevoja reale është që të ndërtohet e mira, dhe në këtë aspekt “Vetëvendosje!” po ecën si mbi këmbë të drunjta, tash kur po afrohen dy vjet qeverisjeje.
PËR TA THYER skepticizmin qytetar dhe parë si një alternativë serioze, VAN-i do duhej urgjentisht t’i bëjë së paku këta hapa:
Të krijojë qeverinë në hije. Kjo do të mundësonte ofrimin e zgjidhjeve/projekteve/ideve alternative të çështjeve të Qeverisë. Do të diheshin individët të cilët mund të udhëhiqnin me resorët dhe të njëjtët në ekspertizë e menaxhim do të mund të krahasoheshin me individët që sot
drejtojnë resorët qeveritarë, si dhe do të hiqnin dilemën se në fund opozita do të prishej për çështje postesh.
Të prezantohet program i qartë qeveritar për mandat 4-vjeçar. Në këtë fushë ishte ndoshta edhe dështimi më i madh i LVAN-it dhe kjo nuk duhet përsëritur. Në qoftë se VAN do të thotë se ndryshojnë prej LVAN-it, nuk duhet t’i përsërisin gabimet e njëjta. Këtu do duhej përfshirë edhe çështjet që nuk janë shumë të popullarizuara në Kosovë, por kanë mbështetje konsensuale nga të gjitha shtetet aleate të Perëndimit, siç janë negociatat me Serbinë, krimet e supozuara të luftës, trajtimi i komuniteteve pakicë.
Të prezantohet lista zgjedhore e përbashkët opozitare, e përbërë jo vetëm me emra partiakë, por me synim të mbledhjes të sa më shumë individëve të angazhuar që sot janë jashtë politikës, e të cilët mund ta sjellin aspektin e gjithëpërfshirjes për ndryshimin. Vetëm ky do të mund të ishte shansi që qytetarët të vazhdojnë të kthejnë besimin në ndryshimin i cili mund të vijë nëpërmjet të subjekteve aktuale politike, meqë opozita ndaj kësaj qeverie është shumë më e madhe se ç’është e përfaqësuar aktualisht në partitë opozitare.
Me qeverisjen e diskutueshme nëpër komuna, bashkë me hapat improvizues, të pakoordinuar e stihikë që i kemi parë nga VAN-i deri më sot, pakkush do ta konsiderojë opozitën shumë më të përgjegjshme se sa pushtetin e papërgjegjshëm që e kemi.
Twitter: @adriatikk
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...