Ç’liri e medias është kjo?

27 Shkurt 2016 - 09:46 - Adriatik Kelmendi      

Bëhet fjalë për një manipulim shumë të sofistikuar të lirisë së mediave, kur ka media dhe gazetarë të lirë, por kur dikush kujdeset që zëri i tyre të mos dëgjohet; ose se gazetarët mund të sulmohen e kërcënohen dhe askush nuk do të bëjë asgjë për të gjetur autorët e krimit. E gjitha kjo në mënyrë që organizatat mediale dhe gazetarët e guximshëm të fillojnë e t’ia shtrojnë vetvetes pyetjen: A ia vlen?

NUK MUND të anashkalojmë zhvillimin e teknologjisë e faktorë të tjerë në këta 10 vjetët e fundit dhe përdorimin e saj kundër lirisë së medias dhe të shpërndarjes së barabartë të përmbajtjes mediatike.

Më lejoni të jem i qartë që në fillim: Unë konsideroj veten një gazetar që gëzon lirinë e të shprehurit dhe të shkruarit për çdo gjë që dua, që mund të kritikoj këdo që mendoj se e ka gabim, qoftë ajo Qeveria, opozita apo grupet e tjera të interesit. Kjo vlen edhe për organizatën mediatike ku punoj, Grupin KOHA. Rrallë dikush zgjedh të na kontaktojë për të parandaluar të botohet diçka, ose të na telefonojë pasi që ajo të jetë botuar.

Gjithashtu, unë thellësisht besoj se mediat në Kosovë gëzojnë më shumë liri sesa, për shembull, mediat në Shqipëri, Serbi, Mal të Zi apo Maqedoni.
Parlamenti ka miratuar shumë ligje për të mbrojtur mjedisin e medias, siç është ai për dekriminalizimin e shpifjes dhe fyerjes, Ligjin për mbrojtjen e burimeve të gazetarëve dhe shumë të tjerë.
Dhe, në sipërfaqe, çdo gjë do të duket pothuajse e përsosur.

Por, dy shembuj që do të jap tani tregojnë dobësinë e sistemit, dhe faktin se si sistemi krijon hapësirë për kurdisje të situatave, të cilat shkojnë në favor të parandalimit të shpërndarjes së lirë të përmbajtjes kritike të mediave dhe dekurajimit të gazetarëve dhe opinionistëve kritikë në punën që bëjnë.

KTV, TELEVIZIONI i Grupit KOHA, ku punoj, është një ndërmarrje private. Së bashku me një tjetër televizion privat dhe transmetuesin publik RTK, jemi vetëm tri media televizive me frekuenca kombëtare në Kosovë.

Megjithatë, me ndryshimin e shpejtë të teknologjisë, siç po ndodh edhe në vendet e tjera, edhe në Kosovë rreth 60% e njerëzve shikojnë kanalet televizive nëpërmjet platformave kabllore.
Rreth katër vjet më parë, duke marrë si shkas “disa keqkuptime për bashkëpunim” me operatorin kryesor kabllor, ky i fundit zgjodhi për ta lëvizur kanalin tonë televiziv nga numri 3 në numrin 83 të renditjes lineare. Kjo mund të kuptohet qartazi si një hap me qëllim të zhdukjes së këtij ekrani nga shtëpitë e njerëzve.

Përveç të qenit një nga kanalet më të shikuara në vend, dhe me siguri kanali televiziv më me ndikim dhe më kritik, operatori kabllor zgjodhi lehtësisht për të na vënë në një numër të parëndësishëm në listë. Ju mund të thoni se me siguri ka pasur reagime nga institucionet dhe organizatat e mediave, apo jo?

Po, edhe kishte. Por, siç thoni ju këtu në Mal të Zi "Svaka çuda tri dana" (çdo çudi zgjat tri ditë), asgjë nuk ka ndodhur, dhe ne edhe sot e kësaj dite vazhdojmë të jemi në atë numër rendor. Me siguri ka shumë grupe të interesit, parti politike dhe institucione qeveritare që janë shumë të lumtura në qoftë se zëri ynë do të jetë i humbur diku dhe me mundësi që të dëgjohet sa më rrallë.

Askush nuk e ngriti më këtë çështje; nuk u iniciua asnjë rregullore për të siguruar që operatorët kabllorë nuk mund të përdorin monopolin e tyre në treg me qëllim të parandalimit të përhapjes së përmbajtjes nga një televizion kombëtar, ose diçka e ngjashme.
A është kjo liria e medias?
Mesazhi është shumë i qartë: Ju mund të kritikoni çdo gjë dhe këdo që ju dëshironi, por ne do të sigurohemi që askush të mos ju shohë e të mos ju dëgjojë. Sa e ulët është kjo?!

SHEMBULLI TJETËR është edhe më personal.
Siç mund ta dinë kolegët e mi nga Kosova dhe disa nga rajoni, unë jam në mesin e atyre gazetarëve dhe komentatorëve politikë fatlumë me mundësi bukur të mëdha të shprehjes dhe shpërndarjes së punës e mendimit. Jam autor i një prej programeve televizive më të shikuara dhe më me ndikim në vend, “Rubikon”, i cili emetohet tri herë në javë në primetime. Shkruaj kolumnen e përjavshme në gazetën më të madhe“KOHA Ditore”, jam mysafir i rregullt në programe të ndryshme, si dhe kam rreth 100 mijë ndjekës kombinuar bashkë në llogaritë në “Facebook” e “Twitter”.

Siç potencova edhe në fillim, konsideroj se kam lirinë për të shkruar dhe kritikuar këdo, si qeverinë ashtu edhe opozitën, dhe rrallë ndodh që dikush drejtpërdrejt të mundohet të ndikojë në qëndrimet e mia. Ose, së paku ashtu mendoja...

Ndodhi rreth 10 ditë më parë: Së bashku me gruan dhe dy fëmijët u ulëm në veturë dhe e vërejta që vetura nuk po lëviz. Dola jashtë për të parë nëse diçka po pengon rrotat për të lëvizur dhe pashë që të katër gomat ishin të shpërthyera me thikë. Dhe, ju lutem, ta keni parasysh që po flasim për një parking privat në garazh të mbyllur në ndërtesën ku jetoj. Dikush qartë deshi të lërë porosi: “Kujdes, ne e dimë ku jeton dhe asgjë nuk mund të na ndalë!”.

Ky u bë lajmi i ditës. Të gjitha mediat e raportuan sulmin. Policia po merrej me rastin. Pati deklarata publike që dënuan sulmin dhe më inkurajuan që të vazhdoj punën time, duke filluar nga presidentja e shtetit, ambasadorët e SHBA-së, Britanisë së Madhe e OSBE-së, shoqatat e gazetarëve e shumë kolegë të profesionit. Mora telefonatë nga vetë kryeministri, nga ministri i Drejtësisë dhe shumë deputetë dhe zyrtarë të tjerë publikë. Dhe unë me të vërtetë falënderoj secilin prej tyre.

Megjithatë, 4 ditë pas incidentit, marr një telefonatë nga Policia duke thënë se ata ende nuk kanë mundur të merrnin videoincizimet nga kamerat në garazh për shkak se – keni vëmendjen! – ata nuk kanë një USB! Imagjinojeni! Ditën tjetër më marrin prapë në telefon për të më thanë se tashmë e kanë gjetur një USB, por nuk po mund të bien në kontakt me kompaninë që mirëmban kamerat! Përfundimisht, një javë pas incidentit, policia arrin të marrë regjistrimet dhe më nuk kam dëgjuar asgjë prej tyre.

CILI ËSHTË morali i këtyre tregimeve?

Besoj se ne duhet të jemi të vetëdijshëm se Qeveria, udhëheqësit institucionalë dhe politikë janë përgjegjës për funksionimin e sistemit të shtetit. Ne mund t’i kemi të gjitha ligjet e nevojshme që garantojnë lirinë e mediave dhe lirinë e shprehjes, por mund të gjendemi përballë këtyre situatave paradoksale e tragjikomike, meqë sistemi nuk funksionon.

Për mua, ky është një manipulim shumë i sofistikuar i lirisë së mediave, ku, pra, ka media dhe gazetarë të lirë, por ku dikush kujdeset që zëri i tyre të mos dëgjohet; ose se gazetarët mund të sulmohen e kërcënohen dhe askush nuk do të bëjë asgjë për të gjetur autorët e krimit.

E gjitha kjo në mënyrë që organizatat mediale dhe gazetarët e guximshëm të fillojnë e t’ia shtrojnë vetvetes pyetjen: A ia vlen?

(Bazuar në fjalën e mbajtur nga autori në konferencën "Liria e shprehjes dhe llogaridhënia e medias" organizuar nga Këshilli i Evropës dhe Parlamenti malazias në Budvë të Malit të Zi)

[email protected]
Twitter: @adriatikk

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...