Ngulfatja e qëllimshme

22 Prill 2014 - 09:02 - Flaka Surroi      

Mungesa e parasë në qarkullim, premtimet marramendëse demagogjike dhe lodhja me procese politike, që nuk u dihet as fillimi e as fundi, synojnë zgjedhjet e parakohshme, që nëse këndellemi mund ta votojmë ndërrimin e së keqes, me një diçka më pak të keqe

Do të ketë qenë tashmë një vdekje e paralajmëruar e atij që e kishte qëndisur kronikën e saj. Kjo javë u mbyll me shuarjen e shkrimtarit fantastik kolumbian Gabriel García Márquez, tashmë në moshë të shtyrë dhe me mendjen e grabitur nga Alzheimeri. Na ka lënë një pasuri të madhe tregimesh, romanesh e kronikash; një stil të papërsëritshëm të të shkruarit të periudhave të gjata, me thurjen e fjalëve të bukura që burojnë nga fjalori shumë i pasur i spanjishtes; një humor shumë të bukur dhe popullor. Dhe, kjo është e bukura e librave: pavarësisht kohës, pluhurit, lagështisë, ato mbijetojnë për të na sjellë dhe për ta admiruar artin dhe mjeshtërinë si të Gabos.

Dhe këtë bukuri librat e ndajnë me gazetat – ngase janë ato që do të na e kujtojnë tash apo dikur në të ardhmen kronologjinë e deklaratave e veprimeve që sollën deri te ngjarjet e caktuara. Do ta kujtojnë shënimin e secilit përvjetor që do të na e kujtojë dyndjen e dhunshme të të pashpresëve, e që gjetën prehje prej bamirësve që vetë jetonin në gjithë atë fukarallëk. Do ta kujtojnë edhe secilën deklaratë kontradiktore edhe të kryeministrit e edhe të diplomatëve të huaj vendimmarrës në Kosovë për atë se çfarë është e mirë e çfarë jo për popullin dhe shtetin. Do ta kujtojnë se sa lezet është kur nuk ka fushatë para fushate, për shkak se nuk ka rrena e demagogji. Së paku jo të rangut të lartë.

Sepse duket se pos papërgjegjësisë, injorimit dhe mosndëshkimit, edhe së paku dy karakteristika të tjera të të sunduarit në Kosovë janë rrena (apo siç do ta quante “më butë” kryeparlamentari, gënjeshtra) dhe demagogjia. Rrena për shkak se cilido premtim që është dhënë në të kaluarën e nuk është përmbushur me automatizëm shndërrohet në gënjeshtër. Demagogji, për shkak se “zgjidhja” e krejt problemeve sociale mëtohet të arrihet nja një muaj e gjysmë a dy para zgjedhjeve..., natyrisht me qëllimin e realizimit e dëshirës së flaktë që quhet pushtet.

Po shqiptarët e Maqedonisë?

Mirë që u shënua 15-vjetori i dëbimit të kosovarëve për në Shqipëri. Mirë që u pasqyrua përmasa biblike e ndjekjes së shqiptarëve përtej Bjeshkëve të Nemuna, siç e pati projektuar Shesheli, ideologu dhe mësuesi i fituesit të zgjedhjeve në Serbi, kryeministrit të ardhshëm serb, Vuçiq. Mirë që iu shpreh falënderim i posaçëm njeriut, i cili atëbotë e udhëhiqte Qeverinë e Shqipërisë, Pandeli Majko (atëherë vetëm 31 vjeç), e që pati mençurinë dhe vendosmërinë për t’i ndalur 400 mijë shqiptarët nga Kosova që vërshuan gjithandej, për shkak se nuk i kanë dashur në tokën që u dha jetë.

Nuk e di nëse këtë manifestim do ta kenë përcjellë edhe diplomatët e huaj, si dhe emisarët e zyrtarëve të lartë evropianë që këto ditë nuk shohin asgjë tjetër pos Tribunalit dhe gjetjes së kushtëzimeve të reja për t’i lidhur kosovarët për vendin e vet të paperspektivë. Do të duhej ta kishin parë – sepse mbase do të mbërrinin ta kapnin bile një grimë të atij pikëllimi që shkakton dëbimi nga shtëpia jote nën kërcënimin e dhunës dhe vrasjes. Mbase do të kuptonin se edhe ky ka qenë krim lufte dhe se si i tillë është dashur të gjykohej. Por jo në gjykatë speciale të krijuar vetëm për kriminelët e pretenduar serbë, por në një gjykatë që do të merrej me krime lufte dhe krime të lidhura për luftën të kryera nga kriminelët, pa veçuar ngjyrë, etni, emër.

Por, edhe kësaj radhe, siç ndodh ama bash çdo vit, mbeti i pashënuar nikoqirllëku i shqiptarëve të Maqedonisë, të cilin pa kurrfarë rezerve na e ofruan të gjithë neve që mbaruam përtej atij kufiri, të transportuar në trenat e etiketuar “vetëm për shqiptarë”, si të ishim në Afrikë të Jugut.

Njerëzit e parë që u ishin drejtuar të dëbuarve që ecnim nëpër terrin e Bllacës, sikur të ishim pula të verbra, kishin qenë shqiptarët nga fshatrat përreth, që na e tërhiqnin vëmendjen që të mos dilnim jashtë binarëve dhe të kapeshim rend për dore, ngase mund të humbnim në mesin e atyre 50 mijë të shkretëve që ishin bërë krejt lloç – duke iu përshtatur emrit të vendbanimit të tyre të ri. Ishin shqiptarët Maqedonisë ata që kishin formuar “zinxhirin transportues” shumëkilometërsh për t’i ushqyer të dëbuarit që kishin mbetur të ngujuar nëpër veturat e tyre nga Glloboçica, për shkak se Maqedonia refuzonte ta hapte kufirin, nga frika se po i ndërronte struktura e popullsisë. Kishin qenë shqiptarët e Maqedonisë ata, të cilët i hapën shtëpitë e tyre në Tetovë, Strugë, Gostivar, Kërçovë, Dibër, Shkup, e ngado kishte bile nga një shqiptar që donte të ndihmonte..., ishin ata të cilët na ofruan krejt çka patën, që të ndiheshim më pak të poshtëruar, sepse s’mund të ktheheshim në shtëpi.

Nuk mbaj mend që të jetë shkuar bile një herë, në emër të institucioneve të Kosovës, për t’iu falënderuar të gjithë atyre njerëzve bujarë që na dolën në ndihmë dhe na mbajtën atëherë kur edhe Maqedonia donte të na dëbonte për në Turqi a Shqipëri, a kudo që të mundte, sepse edhe për maqedonasit ishim njësoj të papranueshëm sikurse edhe për serbët.

Është turp për ne që të mos e shprehim bile një herë respektin për të gjitha ata njerëz që na nderuan dhe na shpëtuan nga harresa. Është turp për ne që t’i harrojmë të mirat që na u dhanë e na u bënë, sepse fundja nuk na e kanë pasur borxh dhe kanë mundur të na injoronin, ashtu siç pak a shumë ua bëmë ne kur krisi lufta në Maqedoni më 2001.

Sado modest do të mund të ishte falënderimi im për gjithë atë kujdes, e shpreh atë me gjithë zemër – sepse kurrë nuk do ta harroj përkushtimin e atyre njerëzve në Jazhincë e Bllacë, për t’i mbajtur gjallë si jetët ashtu edhe shpresat e atyre që tashmë dukej se i kishin humbur krejt të tjerat. Këta, në fakt, ishin heronjtë që na mundësuan të ktheheshim në shtëpi. Shnosh e mirë.

Pas rrogave, rryma

Shnosh e mirë vazhdojnë të jenë kolltukxhinjtë e Qeverisë dhe të Kuvendit – të cilëve nuk u prishet rehatia as atëherë kur duhet marrë vendime që nuk na bëjnë mirë. Na e tjerrën punën e reformës zgjedhore tre vjet. Me qëllim, natyrisht. Mandej, e kaluan njëfarë ligji për shkak se krejt të huajt na thoshin – s’ka zgjedhje pa reformë zgjedhore. Ama, ligjin e kaluan me njëfarë klauzole – që ai do të niste të zbatuari tek në ato zgjedhjet e tjera, se tash nuk ka kohë për përgatitjet në bazë të tij. Prandaj, tash po del që zgjedhjet mund të ecin edhe pa reformë zgjedhore; edhe pa i sqaruar shumë dilema që lidhen për to; edhe pa spastrimin e listave nga gjithë ata njerëz që nuk janë gjallë e votojnë. Krejt këto mund të ecin me kusht që Kuvendi e voton miratimin e themelimit të Tribunalit për krime të luftës. Dhe nuk ka kush të çohet e thotë një fjalë kundër gjithë kësaj hajgareje, sepse gjithkujt po i konvenon me e mbajt postin edhe ndonjë muaj..., gjitha ato privilegje nuk lëshohen për ta mbrojtur një parim. S’ka nevojë.

Se pse i japim vetes autogol, as ajo nuk është punë për të cilën duhet të brengoset as Qeveria e as Kuvendi. Se përderisa e para është duke krijuar bazën ligjore të cilën duhet ta miratojë Kuvendi për themelimin e Tribunalit, e dyta ballafaqohet për herë të parë me problemin serioz të lazdrimit të minoriteteve dhe futjes së kushteve për votimin e ligjeve që janë të rëndësisë jetike. E derisa Qeveria me shumë mburrje argumenton se si baza juridike e gjykimeve do të jetë kosovare (d.m.th. ligjet e Kosovës) dhe se shumica e prokurorëve dhe e gjykatësve do të jenë kosovarë të ndihmuar nga të huajt, njëkohësisht vazhdon fushatën e sigurimit të votave për zgjedhjet e qershorit. Kuvendi ndërkohë rri, se kryesisht nuk ka kuorum.

Vendimi i fundit i Qeverisë kishte të bënte me faljen e borxheve që rastet sociale (50 mijë familje me rreth 200 mijë shfrytëzues) kanë për rrymë. Bëhet fjalë për 38 milionë euro, kurse argumenti prapa këtij vendimi ishte se kërkesën e kishte parashtruar Bordi a menaxhmenti i KEK-ut..., krejt njësoj është. Çka ndodh me këtë vendim dhe pse është kaq i padrejtë.

E para, natyrisht se Bordit të KEK-ut i konvenon t’i marrë 38 milionë përnjëherë, e ta shpërndajë një pjesë të atyre parave te rrogat punëtorëve që janë rritur sipas premtimeve politike. Sa lodhen me ra në fesat me popullatën më të prekur nga ekonomia e vdekur e Kosovës, i marrin paratë e gatshme dhe i shlyejnë borxhet, thuajse nuk janë. E dyta, me këtë vendim mbeten jashtë skemës së ndihmës edhe shumë e shumë njerëz të tjerë që janë raste sociale, për shkak se ky shtet i bën të tillë. Ky vendim nuk i përfshin pensionistët, të cilët njësoj nuk mund të mbijetojnë me paratë që i marrin, e nuk i përfshin as gjithë ata të tjerët që konsiderohen pjesë e popullatës së varfër që ka Kosova, e që e mbërrin shkallën prej 30%, prej të cilëve 12% janë skajshmërisht të varfër. E treta, me këtë vendim Qeveria e bën gabimin e njëjtë sikurse e kishte bërë Kouchneri menjëherë pas luftës: na pati liruar prej pagesave do muaj të mirë, dhe na e instaloi praktikën e mospagesës: hajt se shteti i paguan. E katërta, a e ka sqaruar kush me kë kanë mbetur obligimet për t’i mbledhur borxhet – këto para a do të shkojnë te KEK-u apo te KEDS-i, nuk e kam të qartë. Sepse si në shumë punë të tjera që bëhen në emër të Kosovës, për detaje nuk duhet pyetur..., ato janë punë e atij që do ta mbajë pushtetin me çdo kusht.

Ashtu siç mbeti punë e tija dhe e Qeverisë së tij kontrata me “Bechtel-Enkan”, e nënshkruar qe katër vjet, e detajet e së cilës nuk i pamë kurrë në publik. Për të qenë korrekte, jo vetëm e Qeverisë, por edhe e ish-emisarit diplomatik amerikan, Dell, që tash ka gjetur punë mu në këtë kompani. Dhe pavarësisht arsyetimeve që mund të jepen rreth rregullave të punësimit pas pensionimit të diplomatëve amerikanë, një angazhim aktiv dhe lukrativ i këtillë flet për gjithçka, veç për etikë jo. Dhe, natyrisht, ngjall shumë, shumë dyshime mbi ndikimin që ka mundur të kishte ky diplomat në lidhjen e kontratës më të shtrenjtë në historinë e Kosovës bashkëkohore, që as nuk ka sjellë zhvillim ekonomik, as nuk na e ka rritur vëllimin e eksportit, e as nuk i ka krijuar 5 mijë vende të reja pune.

Kosova kurrë nuk ka pasur më pak para në qarkullim sesa në tremujorin e parë të sivjetmë. Ngulfatja që kjo Qeveri ia ka bërë ekonomisë thuajse është e qëllimshme. Thuajse do që të gjithë ta përkrahin idenë e zgjedhjeve të parakohshme, për shkak se dihet që në çastin kur të shpallet data e mbajtjes së tyre, Kosova do të vërshohet me paratë që tani mungojnë – se të gjitha këto premtime për rritje pagash, për falje borxhesh, për investime kapitale, duhet të mbulohen bile pjesërisht. Dhe posa të kryhen ato, sërish do t’i kthehemi të vjetrës dhe do të mbetemi pa para, për shkak se ato do të shkojnë te rruga tjetër, te struja dhe të autogoli i quajtur Tribunal..., pos nëse këndellemi dhe në zgjedhje e votojmë ndërrimin e së keqes, me një diçka më pak të keqe.

[email protected]

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...