Normaliteti i anormales

26 Maj 2015 - 08:11 - Flaka Surroi      

Po bëhet përherë e më vështirë të përkufizohet se çfarë është, e çfarë jo sjellje normale në këtë shoqëri që ka filluar ta humbë aftësinë për t’i çmuar vlerat, për shkak se është ngufatur nga antivlerat

Fjalori i gjuhës shqipe e përkufizon fjalën “normal(e)” edhe kështu: 1. që është ose bëhet në përputhje me zhvillimin e rregullt të gjërave; i zakonshëm...

Për antonim e njeh fjalën anormal(e).

Kur merr e shikon krejt gjërat që ndodhin në Kosovë që nga paslufta, e posaçërisht në këtë decenien e fundit, del se ajo që ka qenë dikur normale është bërë anormale, dhe anasjelltas. Dhe, po bëhet përherë e më vështirë të përkufizohet se çfarë është, e çfarë jo sjellje normale në këtë shoqëri që ka filluar ta humbë aftësinë për t’i çmuar vlerat, për shkak se është ngufatur nga antivlerat..., e aq më parë kur ata që i përcaktojnë vlerat e së sotmes janë shkatërruesit e normave shoqërore që vlejnë për t’i përkufizuar ato.

1. Jabllanoviq

Ka qenë një ministër që qysh në veprimin e tij të parë politik, si zyrtar i ekzekutivit, kishte zgjedhur të fliste sikur të ishte në kafe ose i ulur para televizorit – duke derdhur vrer i ofendoi nënat gjakovare duke i quajtur egërsira. Me gjasë e ka bërë atë me bindjen e plotë se do të kalonte i pandëshkuar, për shkak se te ne është normale që çka do që vjen nga serbët, e posaçërisht nga politikanët serbë, të kalohet në heshtje..., për hir të normalizimit të raporteve dhe të integrimit të tyre në shoqërinë kosovare.

Po askush s’e priti reagimin e popullsisë që në numra jo pak të vegjël doli për t’ia kërkuar dorëheqjen apo edhe shkarkimin. Ky i fundit ndodhi, pas trysnisë së jashtëzakonshme. Dhe, më pas, e gjitha u hesht. Deri në ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria e Gjakovës ndaj tij për nxitje të urrejtjes. Dhe siç është normale, ky veprim mori kundërpërgjigjen e menjëhershme nga ish-ministri: tha diçka si “s’e kam ndërmend me shku në Gjakovë”. Normal që nuk shkoi. Për shkak se e ka ditur se askush nuk do ta dërgonte policinë që ta shoqëronte për të dhënë deklaratë. Për shkak se e di, ngase është normale këtu, që lëndët të enden nga njëra në anën tjetër dhe të mbesin të papërfunduara. Tash, rasti i tij ka shkuar në Prokurorinë Speciale, dhe normal, do të dalë ndonjë presion politik që të qitet në harresë për një kohë, se na i turbullon planet për Specialen e FAK-un, e kush e di çka tjetër.

2. Kushtetuesja

E planet e kësaj nomenklature politike kurrë nuk i ka turbulluar Kushtetuesja. Sa herë që është dashur ta bënte një mishmash për të rrëzuar Qeveri a për të na futur në kriza të thella politike, gjithmonë në rezervë të parë ka qenë Gjykata Kushtetuese, e cila edhe me shkelje të Kushtetutës ka marrë vendime. Bile, ka marrë vendime edhe pa kuorum dhe ka nxjerrë dokumente të nënshkruara me dyshim të thellë se dikush aty ka kryer vepër penale me atë rast.

Dhe ky dyshim, i denoncuar nga Avokati i Popullit dhe në hetime nga Prokuroria Speciale, ka pasur ta sillte kryetarin e Kushtetueses para Gjykatës themelore në procedurën hetimore. Po normal, kjo nuk ndodhi, ngase kryetari i Gjykatës, që ka shërbyer edhe si gjykatë joligjore dhe jokushtetuese e instancës së katërt, do të ketë mundur t’ia organizonte vetes një shqyrtim dhe të konstatonte se si i janë shkelur të drejtat e njeriut, po t’i ishte mohuar e drejta që të thirrej në imunitet. Imunitet të cilin ia ka hequr kryetarit, kryeministrit e deputetëve – por jo edhe vetes. Nuk do të çuditesha, po qe se tash e bën një interpretim shtesë, në të cilin do të thuhej se ai që ka ushtruar postin e kryetarit të Kushtetueses i vazhdon imuniteti deri në vdekje...

As ai e as gjyqtarja tjetër e dyshuar për falsifikim të një vendimi nuk u paraqitën para gjykatësit, duke e ditur se kryetarja e shtetit, normal, nuk do t’ua hiqte imunitetin me shkarkimin e tyre eventual. Sepse, nuk do ta merrte përgjegjësinë për të vendosur nëse kanë bërë shkelje të rënda të detyrave të tyre të punës. Ngase, sa herë që duhet marrë përgjegjësinë për të vendosur, normal, i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për interpretim.

Dhe pavarësisht kësaj, ani që nën hetime, gjykatësja e dyshuar u zgjodh kryetare e Kushtetueses, që do ta zëvendësojë Hasanin brenda një muaji. Në kushte normale, dikush që është nën hetime zor se do të mund të zgjidhej në ndonjë pozitë udhëheqëse. Në kushtet e Kosovës nuk është fare problem kjo punë. Përkundrazi. Thuajse është bërë normë. E kush më mirë se gjysma e kandidatëve të PDK-së për zgjedhjet e kaluara komunale për ta dëshmuar këtë praktikë. E edhe atë tjetrën: se mund të jesh i dënuar, të qëndrosh në paraburgim dhe njëkohësisht të mbash post ekzekutiv.

3. Isa Boletini

E poste ekzekutive mbajnë edhe dy kryeministra: njëri përnjëmend i Shqipërisë e edhe tjetri përnjëmend i Kosovës, veçse është kryeministër i Jashtëm. Dhe, meqë të dy sillen thuajse janë pronarë të pushtetit absolut, kanë vendosur së bashku që ta bëjnë rivarrimin e eshtrave të Isa Boletinit në Vlorë. Aty ku historia tregon se ky kurrë s’ia kishte dalë të mbërrinte me kohë për ta shpallur Pavarësinë.

Por, kjo nuk bëhet për shkak se vërtet besojnë se nëse do ta varrosin atje, do ta lajnë borxhin që shqiptarët kanë me të. Bëhet për shkak se fshati i tij i lindjes, Boletini, gjendet nja dhjetë kilometra larg Mitrovicës, porse territorialisht bie nën administrimin e Zveçanit. Dhe, s’ka lidhje që është tërësisht i banuar me shqiptarë, është truall që tash i takon Zajednicës, falë marrëveshjes “historike”. Për pasojë, çfarëdo shndërrimi eventual i vendlindjes së Isë Boletinit në vend pelegrinazhi është shprehimisht i ndaluar, për shkak se aty afër kullës së tij është edhe një manastir që ortodoksët e kanë për qejfi dhe s’bën as të shikohet, e lërë më të vizitohet. Normal, se qashtu duhet.

Po hajde krejt këto që u përmendën, më bie ndërmend një pyetje e thjeshtë: a nuk është puna e eshtrave të tij çështje në rend të parë të familjes, e më pas mbase edhe e komplet qeverive të të dyja shteteve. Apo edhe të shefave të të dy qeverive. Sado që ky i yni është i Jashtëm, megjithatë, e ka një shef nominal – e me sa dimë, Mustafa, normal, nuk ka qenë i përfshirë në vendimin e rivarrimit të eshtrave.

4. Doktorët dhe “doktorat”

Po të kishte qenë përkushtimi patriotik kaq i madh i kryeministrit të Jashtëm (kur ka qenë kryeministër tamam) për shëndetësinë në Kosovë sa është për eshtrat e Boletinit, me siguri se shumë më ndryshe i kishim pasur punët. Në dy mandatet e tij si shef Qeverie, ajo që është dëshmuar normale ka qenë seria e skandaleve në shëndetësi, përfshirë edhe “rahatimin” e Dajës së Shefit të Shefave në krye të QKUK-së, që tash e ka një emër tjetër, por që në fund i bie të jetë gati e njëjta gjë. Nejse, ndër gjërat që mbetën pa u zgjidhur ende është puna publike dhe private e mjekëve – se a duhet punuar edhe kty edhe atu, apo që të vazhdohet në letër vetëm këtu (apo kty) ashtu që pacientët të referohen aty (apo atu).

Edhe pse kanë kaluar shumë vjet qëkur u shua aktiviteti i shumë ambulancave të SHHB “Nëna Tereze”, nëpër shtëpi private, duket se inercia e një praktike që kishte qenë shpëtimtare në kohën kur kjo u imponua si rrugëdalje e vetme, nuk u shua as me miratimin e ligjeve, që normal, nuk gjejnë zbatim si duhet në praktikë.

Kështu, vetëm gjatë një jave u zbuluan dy raste të ordinimit ilegal nëpër shtëpi private. Njëri rast në Gjilan – ku një njeri që thotë se është diplomuar në Beograd, porse që nuk ka diplomë për ta dëshmuar, sepse “nuk mund të shkojë atje për ta marrë, sepse është i përndjekur politik” – ka ofruar shërbimet e të gjitha llojeve: prej gjinekologjisë deri te pediatria. Aty Inspektorati ka intervenuar, porse rasti ka mbetur në pritje të procedurës. Për sa kohë, koha do ta dëshmojë.

Rasti tjetër është i një çifti bashkëshortor që ka kryer operacione në një shtëpi private në Prishtinë. Normalja në këtë rast është se mjeku është i punësuar në QKUK, në një spital privat të zemrës, dhe plus ka “ordinancë kirurgjikale” të veten në bodrumin e shtëpisë. E pazakonta, për të mos thënë anormalja, është se ky, së bashku me bashkëshorten anesteziologe, janë arrestuar. Se çfarë do të ndodhë me ta, edhe këtu koha do ta tregojë.

Nëse do të veprohet sikur në shumë raste të tjera, rastet do të zvarriten me vite nëpër gjykata. Mbase nuk do të ndërmerret asnjë masë e përkohshme për t’ua pezulluar veprimtarinë deri në marrjen e vendimit përfundimtar, e as nuk do t’iu mbyllen minispitalet polifunksionale, përderisa pacientët e çorientuar do të vazhdojnë t’i paguajnë shërbimet që ua ofrojnë këta “samaritanë”. Kjo do të ishte normale, sipas kuteve të pushtetit. Sepse do të mund të dëshmonin se drejtësia mund të jetë e ngadalshme, porse, megjithatë, ekziston. E normale do të ishte që edhe pas përfundimit të procedurës hetimore e gjyqësore këta të ankoheshin në Gjykatën Kushtetuese e që komplet procesi të përmbyllej pas pesë vjetësh.

* * *
Kur Kosova nisi shtegtimin për t’u pavarësuar, të gjithë e kemi ditur se ai nuk do të ishte i lehtë dhe ndërtimi i shtetit me përgjegjësi dhe llogaridhënie do të ishte i vështirë. Dhe kjo ka qenë normale.

Por, se do të vinim në situatën ku normal bëhet shkatërrimi i një gjëje të bukur falë injorantëve që mendojnë se pushteti u është dhuruar për të bërë çfarëdo që u bie ndërmend për t’i akomoduar qejfet vetjake -- këtë zor se e kemi parafytyruar.

Zor se do të kishim imagjinuar se anormalja në Kosovën e sotme do të ishte respektimi i ligjit, rendit dhe shtetit. Krejt të tjerat e bëjnë normalen.

[email protected]

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...