Një dëshirë e thjeshtë

10 Qershor 2014 - 08:53 - Flaka Surroi      

Dhjetori i vjetëm e dëshmoi se ky vend di të ndryshojë kur populli këtë vërtet e ndien dhe do. Zgjedhjet e shkuara treguan se ushtrimi i fuqisë së sovranit me lehtësi ia tregon vendin zaptuesit, kurse vota e mbrojtur e solli shpresën se gjërat janë nisur kahut të duhur. Voto, mos u anko!

Fushata zgjedhore u mbyll ashtu siç nuk e paramendoi askush – me ndërprerjen e aktiviteteve zgjedhore për shkak të një shpërthimi që mori jetë në termocentralin “Kosova A”. U zhvillua ashtu siç shumë pak veta prognozuan – me shumë pak “kunxha” të ndërsjellë, me dhunë gati hiç, me shkeljet e rëndomta “fushatore” (jo posteri, jo billbordi, jo veturat zyrtare, jo shërbyesit civilë, dërgimi i sms-ve, shkelja e privatësisë...), dhe me risinë bile të përmendjes së programeve zgjedhore të partive me fokusimin në çështje ekonomike. Sa u përket premtimeve, shumëçka e parealizueshme, përfshirë edhe premtimin e pathënë për të na çuar në Hënë me raketë, po tashmë jemi mësuar me të tilla përralla, pra nuk na lënë përshtypje.

Por, megjithatë, kësaj radhe ishte ndryshe – nuk mund të thuhet se këto zgjedhje kanë favoritë të qartë për fitore, pavarësisht një sërë sondazhesh të minutës së fundit që nuk ia mbushin syrin askujt. Mund të thuhet se ka shpresë; shpresë të madhe se gjërat tash e mbas do të jenë ashtu siç e kemi merituar, e jo siç i kemi jetuar.

Mst: Pas së dielës

Dhjetori i vitit të shkuar na dëshmoi se ky vend di të ndryshojë në çastin kur populli ndien se duhet dhe do që kjo të ndodhë. Dhe ndryshimi nisi me daljen më të shtuar të votuesve në balotazhin e vjetëm dhe me mbrojtjen e votës me gjithë fuqinë që e lejojnë mjetet paqësore. Ndryshimi solli edhe të bindurit se ushtrimi i fuqisë së sovranit shumë lehtë ia tregon vendin zaptuesit të jetëve tona dhe se gjërat më në fund mund të kenë hyrë shtegut të duhur, ashtu që në kohën sa më të shkurtër të mundur të arrihet realizimi i të jetuarit me dinjitet.

E jeta me dinjitet do të thotë se ky popull, për fillim, do të duhej të dinte sa numëron ashtu që më pas të shikonte se në çfarë parametrash financiarë jeton, për të ditur më pas se çka do të duhej bërë që të mos vazhdojë të jetë më populli më i varfër dhe më i prapambetur që ka Evropa, për fat të keq, në të gjitha aspektet. Shumë do të ndihmonte të dinim se këto zgjedhje do të sjellin një ndryshim më rrënjësor sesa ato komunalet e herës së shkuar – se mentaliteti i pushtetarëve do të mund të ndryshonte (edhe pse sinqerisht, është shumë më lehtë të ndërtohet diçka nga e para sesa të riparohet një diçka që e ka rrënjën e sëmurë), apo se edhe shansin për të sunduar do ta merrnin njerëzit me duar të pastra apo njerëz që askujt borxh nuk i kanë gjë.

Para gjashtë muajsh e pata shkruar në këtë vend se fuqia e votës na lejonte të gjithëve që ta ëndërronim të hënën ideale – ditën e nesërme pas zgjedhjeve, ku nuk do të pendoheshim se përse votuam. Përkundrazi. Unë fuqimisht vazhdoj të besoj se pjesën më të madhe të fajit se pse jemi katandisur kështu e kemi vetë, për shkak se votimin e kemi konsideruar gjë të parëndësishme, për të cilën nuk ia vlente të prishej kafeja e së dielës. Dhe vazhdoj të insistoj se, pos që është obligim qytetar, është borxh që e kemi edhe ndaj vetes – që të dalim të votojmë, paj qoftë edhe për ta prishur votën, vetëm për të mos ua lënë hajnave të votave të ta vjedhin. Sepse vota është e secilit prej nesh – dhe nuk duhet lejuar tjetërsimin.

Dua të besoj se e diela do të përfundojë me qetësi dhe me fitoren e popullit që do të dijë të zgjedhë atë që është më e mira për shumicën (natyrisht, se nuk mund të ketë kënaqësi për të gjithë njësoj). Dua shumë të besoj se KQZ-ja do të dalë me rezultate preliminare me kohë dhe se partitë do të dëshmojnë qytetari, duke i pranuar ato dhe duke i mbajtur nën kontroll militantët në rast se rezultatet do të ishin në kundërshtim me pritjet – natyrisht përherë duke shpresuar se nuk do të ketë keqpërdorime dhe vjedhje e mashtrime

E hëna ideale do të ishte ajo që do t’i hapte rrugë certifikimit të zgjedhjeve brenda një kohe shumë të shkurtër dhe e cila do të na tregonte se Kosovës nuk i duhen 15 a 21 ditë për t’i numëruar më pak se një milion vota; do të ishte ideale po qe se do të na sillte mjaft qartë përgjigjen se çfarë koalicioni do të na udhëheqë dhe cila do të jetë fuqia e opozitës në legjislaturën e ardhshme. Do të ishte ideale po qe se do t’u hapte shteg njerëzve që pos ndershmërisë kanë edhe dije dhe vendosmëri që ta nxjerrin Kosovën prej amullisë. E hëna ideale do të ishte ajo, e cila do ta na sillte ndjenjën e krenarisë së qytetarisë së përmbushur, e gëzimit të të jetuarit në vendin tënd, të cilin nuk ke pse ta braktisësh, sepse edhe këtu mund t’i realizosh ëndrrat, duke nisur nga të jetuarit me dinjitet.

Mst: Të vdesësh me dinjitet

Nuk ka dyshim se atë që e shkrova më lart është dëshira e shumicës absolute të kosovarëve – që janë ngopur me jetë të rëndë dhe të paperspektivë. Por java që e lëmë pas na tregoi se janë, për fat të keq, edhe shumë të tillë që duan të vdesin me dinjitet, e që të mos përdoren për motive as të fushatës e as të politikës.

I tillë ishte rasti i djaloshit pesëmbëdhjetëvjeçar nga Peja, jeta e të cilit u shua, mbase më herët sesa ka mundur, për shkak të ngatërresave dhe gabimeve burokratike të dikastereve ekzekutivë që duket se e luajnë lojën e “telefonave të prishur”. Një fond që u themelua enkas për qëllime të fushatës, duke e dëshmuar në gjithë shëmtinë e vet dështimin 15-vjeçar të ndërtimit të një sistemi shëndetësor cilësor, të qëndrueshëm dhe të pakorruptuar, nuk doli të materializohej me kohë dhe pacienti vdiq ende pa dalë nga spitali për t’u trajtuar jashtë shtetit.

Keqpërdorimi i këtyre personave që, për fat të keq, varen nga mëshira e një grupi njerëzish që me vendime administrative vendosin nëse mund të vazhdosh të jetosh ose jo, ka qenë dhe përherë do të jetë një nga gjërat më neveritëse që politika mund t’ia bëjë popullit të vet. Dhe keqpërdorimi nuk nënkupton vetëm përdorimin e shifrave për të treguar se sa shumë kujdeset shteti për popullin e vet, duke mos i ndërtuar kapacitete në shtëpi. Ai nënkupton edhe keqpërdorimet që absolutisht nuk përjashtohen sa herë që dikush dërgohet për shërim jashtë vendit – kryesisht në Turqi.

Populli shëndetlig nuk ka shumë gjasa jetese të shëndoshë e mbase as mbijetese. Po kjo nuk do të thotë se këtë duhet ta bëjë gjithnjë nën mëshirën e të padijshmit apo të pandjeshmit – sepse njësoj siç kërkon dinjitet për të jetuar, dinjitetshëm do të shuhet. Me respekt. E ky, nuk blihet.

Mst: Blofi i bojkotit

Ata të cilët nuk tregojnë të kenë dinjitet prej kohësh janë ata që janë mësuar të ankohen dhe qajnë për çdo ditë të lume për jetën e tyre të keqe nën presionin shqiptar. Jo që kanë qenë më ndryshe përpara, porse ka 15 vjet të freskëta që thonë se janë të diskriminuar, përderisa madje edhe dokumentet tona juridike e parashohin dhe garantojnë diskriminimin pozitiv që ua ka siguruar një status të veçantë në Republikën e Kosovës.

Është minoriteti serb ai, i cili i mësuar të shantazhojë prej kohësh, iu rrek teknikës së njëjtë në këto dhjetë ditët e fundit. Fillimisht, duke e bojkotuar komplet fushatën zgjedhore – asnjëra parti nuk pati çfarë t’u thoshte përkrahësve të tyre, duke ua lehtësuar gazetarëve punën në terren, meqë s’kishin çfarë të raportonin. Më pas erdhi kërcënimi nga veriu – nuk votojmë me dokumente ku figuron edhe stema e edhe emërtimi “Republika e Kosovës”, që ishin hequr në zgjedhjet komunale me vendim politik dhe në kundërshtim me ligjin.

Po mirë, nëse nuk duan të votojnë, të mos votojnë. Vendet e garantuara i kanë, votuan s’votuan, dikush do t’i zërë ato ulëse dhe përfaqësimi i tyre në Kuvendin e Kosovës do të jetë dhjetëfish më i madh sesa i shqiptarëve në Kuvendin e Serbisë.

Kësaj radhe kërcënimi duket të mos u ketë pirë shumë ujë – për dy arsye: një, për shkak se Evropa ka qenë e zënë me zgjedhjet e veta parlamentare dhe jo fort e disponuar të merret edhe me një nga vargu i kërkesave të të llastuarve, dhe dy, për shkak se serbët nga jugu ia kanë parë hairin dhe ndier lezetin pushtetit e vështirë do të hiqnin dorë nga kjo për hir të patriotizmit të veriorëve. Për ta bëhet edhe më mirë – pa veriorët, i zënë të gjitha vendet e rezervuara në Kuvend dhe plus bëhen ministra, se ashtu e parasheh Kushtetuta.

Në fund, do të dalin të votojnë të gjithë, se kështu janë udhëzimet që vijnë nga Beogradi, për shkak se numri i votuesve serbë është tepër i madh, në shpërputhje me numrin e votuesve shqiptarë, e që është pasojë e absurdit që askush nuk lodhet ta shpjegojë qe tre vjet – se kemi më shumë votues, sesa popullsi. Sa më shumë serbë dalin në votim, aq më të mëdha gjasat për të pasur më shumë vende në Kuvend, posaçërisht nëse numri i shqiptarëve që votojnë është më i vogël.

Prandaj, të dielën pos që duhet votuar për të përzgjedhurit që na kanë bindur me program, a me simpati, a me çfarëdo që u shkon ndërmend, duhet ta kemi në mendje se duhet votuar për një Kuvend të ri, që shpresojmë se nuk mund të jetë më i keq se Qirkuzi i shkuar. Duhet votuar një Parlament që e ka fuqinë për të vendosur edhe për regjistrimin e ri të popullsisë, por çka është më me rëndësi, do ta votojë edhe Qeverinë e re... e besa mbas dy vjetësh, edhe kryetarin e shtetit...

Dhjetori i shkuar më bindi se të ëndërrosh nuk bën zarar. Dhe që është mirë të besosh në ëndrrat e tua..., dhe që është mirë që të luftosh për plotësimin e dëshirës, posaçërisht kur ajo varet edhe nga ti.

Dil voto, mos u anko!

[email protected]
© KOHA Ditore

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...