Misioni i kryeministrit të tretë

20 Janar 2015 - 08:29 - Flaka Surroi      

Rrëfimi për shkeljen arrogante të dinjitetit karshi indiferencës së pabesueshme

Ka mjaftuar një ditë e vetme, e një vizite që ngjall neveri, e të na rrotullohet lukthi. Ministri i informimit i Millosheviqit në vitin 1999 erdhi me gjithë arrogancën që ka, për të na treguar se Kosova është djep i Serbisë dhe se në raport me Serbinë, Kosova vazhdon të jetë krahinë e saj dhe se me këmbëngulje dhe me Kushtetutë vazhdon të quhet “Kosovo i Metohija”.

Vuçiqi erdhi i përcjellë madje nga gjashtë ministra të Serbisë, me veturat me targa të Beogradit, dhe nën përcjellje të fuqishme policore të Kosovës, ia doli të shëtiste një pjesë të konsiderueshme të territorit kosovar, të cilin natyrisht e quajti Serbi.

E se si u përjetua e gjithë kjo në mesin tonë, e besoj se më së miri e përshkruajnë postimet që i kanë shkruar disa nga miqtë e mi në FB.

“Njëri nga tre kryeministrat e Kosovës në vizitë një pjese të territorit”

Këtë e kishte shkruar miku im, Imeri, në murin e tij. Dhe, siç u zhvilluan gjërat atë ditë, dhe siç po na zhvillohen gjërat dita më ditë, duket se komenti thumbues i tij është i vërtetë. Sepse Kosova ka nominalisht një kryeministër, më pas e ka një kryeministër të jashtëm dhe përfundimisht e ka kryeministrin serb, i cili pavarësisht të gjithave, hyn e del nga Kosova, sikur të ishte kjo bahçja e babës.

Dhe sa është bahçe e babës, e vërteton edhe deklarata e tij se nuk ka përse të takohet me Mustafën në Kosovë dhe se takimin me të do ta mbajë në Bruksel në shkurt. Apo edhe kjo tjetra, të cilën ua drejtoi tre ministrave serbë në Qeverinë e Kosovës, të cilëve u tha sa duhet të punojnë për interes të popullit (serb, natyrisht): “Nëse i kanë marrë funksionet për t’u pasuruar, atëherë le t’i lënë ato”. Kështu, me këtë deklaratë, zbuloi dy gjetje interesante: që paska emëruar për ministra serbë në Qeverinë e Kosovës njerëz që në esencë qenkan hajna dhe se apriori konstaton se në Qeverinë e Kosovës nuk punohet për të mirën e popullit, por për interesat personale...

“Kur do të dalë një politikan serb para qytetarëve e që të mos shfaqë fashizëm e racizëm?”

Kështu e shkroi Shpend G., dhe vërtet na bëri të mendonim se kur kemi dëgjuar bile një deklaratë të sinqertë nga ndonjëri zyrtar i Serbisë që ka shkelur Kosovën në 15-16 vjetët e fundit. Dhe zor se mund të gjendet një i tillë. Prandaj edhe Vuçiqi nuk ishte përjashtimi, edhe pse gjatë gjithë kohës thoshte se kishte ardhur me porosi paqeje në Kosovë. Sa ironike, apo jo?

“Shqiptarët që u munduan të më provokonin, më shanë dhe ma shkelmuan veturën, mbase kanë menduar se këmba është më e fortë se vetura, e shpresoj se nuk u kanë dhembur këmbët. Jam krenar për sjelljen e popullit serb, të civilizuar... Atyre që janë munduar të më provokojnë, do t’u fal libra ashtu që të mësohen se çfarë është mirësjellja”.

Pra, mbase tash e kemi të qartë se ato çfarë i ka thënë Jabllanoviqi nuk kanë qenë fjalët e tij, por përsëritje e udhëzimeve që ia ka dhënë shefi i tij: janë publikim i një dogme me të cilën janë ushqyer serbët (për të qenë korrekte, ka pasur edhe përjashtime në mesin e tyre, ata që kanë pasur mendimin e tyre të cilin e kanë mbrojtur) me dekada të tëra. Se serbët janë popull hyjnor, kurse të gjithë të tjerët janë inferiorë. Natyrisht, duke qenë shqiptarët ata që zënë vendin e parë në ranglistën e popujve të pacivilizuar, të pamirësjellshëm, të paarsimuar...

“Ndoshta nuk i shkon mendja Qeverisë së Serbisë me e bâ ndonjë paradë ushtarake në Kosovë, se këta tanët me i ndalë jo kurrë”

Kështu tha miku im Rushit R. Dhe, në fakt, duket se kështu është. Edhe pse kryeministri Mustafa po thotë se Vuçiqi ka kërkuar leje, kurse institucionet e Kosovës ia kanë miratuar atë, megjithatë duket se ai ka hyrë në Kosovë në bazë të një kërkese që Qeveria serbe rregullisht ia drejton Brukselit, e që ky më pas ia përcjell EULEX-it, që t’ua krijojë zyrtarëve serbë kushtet e sigurisë dhe t’ua përcjellë eskortën nëpër Kosovë.

E se nuk ka as popull që do të dilte t’ia bllokonte rrugën atij që kthehet në vendin e krimit, e dëshmoi po ajo ditë. Mbase disa dhjetëra njerëz kishin dalë, dhe normal që nuk kanë mundur ta bllokonin rrugën, për shkak se eskorta kishte qenë një prej atyre specialeve. Madje në Shtërpcë e Graçanicë e kishin pritur me flamuj e simbole shtetërore serbe, përderisa në asnjë vend të vetëm nuk u pa bile as edhe një flamur i vockël i Kosovës.

E se futja e këtillë në Kosovë i shërben ushqimit të arrogancës së tij, e dëshmoi edhe fakti se kur u pyet nëse do t’i kërkojë Serbia falje Kosovës për krimet që i kishte kryer gjatë luftës së fundit, në anglishte u përgjigj se nuk donte që t’u jepte përgjigje pyetjeve joserioze. Pa koment.


“Ku ishin veteranët e UÇK-së sot gjatë vizitës së zyrtarëve të Serbisë? Me siguri të zënë me Rektorin”

E shkroi Ilir K.

Dhe pas edhe një deklarate ofenduese, pra se nuk do t’u përgjigjej pyetjeve joserioze, siç është kërkimfalja për krimet e Serbisë në Kosovë, Vuçiq e tha edhe këtë: “Në Kosovë lindin më së shumti fëmijë në Serbi. Ky është djepi ynë dhe askush nuk do të na ndalë që fëmijët të vazhdojnë të lindin në Kosovë... Pra të gjitha gjërat duhet t’i zgjidhim në mënyrë paqësore, porse kurrë nuk do të pranojmë që kushdo ta rrënojë krenarinë serbe”.

E krenari serbe është të shkelësh e ofendosh mbi të gjithë të tjerët që nuk janë sikur ata dhe të cilët janë viktimizuar nga serbët me vite të tëra. Viktimë e të cilëve kanë qenë shqiptarët. Dhe të cilët i patën marrë armët në dorë për të mbijetuar. E disa prej të cilëve më pas krijuan pasuri në emër të kësaj lufte. E të cilët më pas krijuan edhe shoqata, të cilat aktivizohen sa herë që ka ndonjë telashe politike, si instrumenti më i fuqishëm i kërcënimit kur duhen mbrojtur veprimet e kryeministrit të jashtëm. Kur duhen mbrojtur pozitat që ofrojnë edhe regjistrim në fakultet pa i plotësuar kushtet bazike mësimore.

“Për me ia qitë vulën, pranon në Qeveri njerëz që e quajnë Kosovën ‘Kosovo i Metohija’, ndërsa ata që janë për bashkim kombëtar i quan ‘faqezinj’”

E tha, ndër të tjera, Faton S.

Për më tepër, mban në Qeveri për zëvendës njeriun, i cili e quan Kosovën Serbi, dhe mbase Graçanicën qendër të botës, për shkak se aty ka gjetur vend statuja e mbretit mesjetar serb, Milutin. Dhe askujt vërr nuk i bën as syri. Dhe askush nuk merret as me këtë skandal, por lehtë kalon nëpër arsyetimin e Stojanoviqit se “kjo është një deklaratë populiste”, demek të cilën e ha pazari për t’i ushqyer egot nacionaliste.

Absolutisht askush nuk u gjet në mesin e zyrtarëve politikë (pos ministrit të Diasporës, të cilit iu mbyll goja dhe mikrofoni, për shkak se “Qeveria nuk është Parlament” - pra aty s’ka me folë, veç me ngu) të kërkojë përgjegjësinë e tre zyrtarëve të lartë të Qeverisë së Kosovës që e përcollën gjithë ditën e lume Vuçiqin nëpër lokalitetet serbe. Bashkimi i dhunshëm i territoreve të një shteti me tjetrin është i ndaluar me Kushtetutën. Në të kaluarën ata që bile e kanë menduar këtë punë, e kanë qenë shqiptarë, kanë mbaruar në burg me vite të tëra. Këta të sotmit, të cilët e bëjnë këtë punë, e që janë serbë, e meritojnë shkarkimin – bash për shkak se kanë fuqinë qeverisëse në një shtet të cilin nuk e njohin.

A vërtet i besuat kur thoshte se nuk di gjë për luftën dhe masakrat në Kosovë?

Këtë po e shkruaj unë, dhe i falënderohem Xhemës dhe ekipit të KTV-së që ia zbuluan rrenën Jabllanoviqit. Thjesht dhe qartë, thënë në TV Mir më 2013.

“Ne në zgjedhjet e Kosovës dalim si njerëz seriozë dhe me përgjegjësi, si njerëz që të parët kemi dalë në barrikada, unë s’mund ta them për vete, sepse nuk e kam pasur mundësinë, por ne në radhët tona kemi njerëz që të parët kanë dalë në luftime për ta mbrojtur shtetin e Serbisë në Koshare, në Gorozhub e në Morinë”.

Tri vendet që i përmend Jabllanoviqi janë fshatra kufitare, ku nuk ka pasur e as nuk ka popullatë serbe. Përderisa i ka mësuar këto fshatra, nuk e ka pasur të vështirë ta mësojë së paku emrin e Gjakovës, ani se thotë se është njoftuar me nocionin e qytetit vetëm pas luftës. Po rren. Dhe pos që po rren, e ka ofenduar një popull të tërë, dhe për këtë duhet të shkarkohet.

Dhe a përnjëmend besoni se marrëveshja e Brukselit është e mirë për Kosovën?

“Lista Serbe është krijuar me qëllimin e vetëm që është formimi i Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë dhe Metohi... Lista Serbe është krijuar me vetëm një qëllim – mbajtjen e Serbisë në Kosovë, mbajtjen e institucioneve të Serbisë, pa të cilat nuk funksionon populli dhe kjo ka të bëjë me arsimin sipas planprogramit të Serbisë, shëndetësinë dhe mirëqenien sociale. Ne jemi të interesuar t’i tregojmë popullit tonë që sistemi i drejtësisë pas zgjedhjeve nuk do të jetë sistem i drejtësisë i Republikës së Kosovës. Mund të ketë ndonjë dokument, ku shkruan Republika e Kosovës, por duhet ta pranojmë se Kodi Penal i Republikës së Serbisë me atë të Republikës së Kosovës është pothuajse i njëjtë dhe i shkruar nga Brukseli dhe BE-ja”.

Jabllanoviqi nuk ka mundur ta shpjegojë më qartë se kaq. Nuk ka mundur të na i hapte sytë më shumë se me këto fjalë që thjesht tregojnë se nënshkrimi që ia ka vënë Thaçi dokumentit në Bruksel çon kah copëtimi i Kosovës dhe humbja e sovranitetit të territoreve të banuara me serbë. E nëse kjo nuk mjafton, mbase këtë që e tha Vuçiqi, do të mjaftojë: “Qeveria e Serbisë nuk ju ka harruar. Kemi ndërmend që në Pasjan, sikurse në Graçanicë dhe në Mitrovicën e Kosovës, t’i hapim zyrat tona”. Dhe kështu do ta marrin kontrollin mbi pushtetin lokal, e prej aty edhe kontrollin në Kuvend.

Për shkak se ashtu kanë vendosur ata të cilët nuk e kanë pasur idenë se çfarë po bënin në Bruksel. Për shkak se u kanë bërë sa e sa koncesione atyre të cilëve as që u bie ndërmend t’u kërkojnë falje familjarëve që për kujtim të vetëm kanë lapidarët sikur ky që gjendet në varrezat e Gjakovës: “Dëshirat tuaja për shkollë, malli për liri dhe vullneti për jetë u shkruan me gjak në eshtrat shkrumb e hi”.

[email protected]

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...