1 Shtator 2015 - 08:17 - Flaka Surroi
Dhe autonomia u bë. Edhe më keq seç kishte mundur të imagjinohej. Është një hap para Republika Srpskas në Kosovë, që është shumë lehtë e realizueshme, për shkak se statutin e Zajednicës do ta përpilojë një trup, i cili sefte del në sipërfaqe, e që të mos jetë përmendur më parë, as në atë që quhet marrëveshje kornizë. E meqë tashmë u mësuam me negociatorët “e aftë” kosovarë, hapi i ardhshëm do të jetë delegimi i autorizimeve nëpërmjet ministrive me akte nënligjore a memorandume; krijimi i një realiteti të ri juridik dhe për pasojë edhe ndryshim i Kushtetutës, i cili tashmë më shumë i ngjason një djathi zviceran sesa një akti suprem.
Rezultati i nënshkrimit dëshpërues të 25 gushtit është nisja e negociatave të plota dhe pa kushtëzime të BE-së me Serbinë për anëtarësimin e kësaj të fundit në Unionin Evropian. S’ka më as kapitull 35, që supozohej se ishte kapitulli i kushtëzimit me Kosovën. Së paku jo në formën çfarë ishte. Procesi mund t’i zgjasë Serbisë dhjetë vjet. Punë e madhe, bile e di sagllam se do të anëtarësohet me të drejta të plota. Aq sa mund ta bllokojë anëtarësimin e largët të Kosovës në BE, kur të dojë.
Për Kosovën, është liberalizimi i vizave. Punë e madhe – edhe ashtu gjysma e Kosovës nuk mund të udhëtojë se as pasaporta nuk ka. E ata që udhëtojnë pa pasaporta e pa viza nuk do të kenë interes t’u përmbahen rregullave të liberalizimit, sepse ata do të duan të gjejnë punë dhe të mos kthehen më këtu, ku përditë e më shumë ka shpresa më pak. Nuk ka pranim në bllok nga pesëshja evropiane që ka mbetur pa na e pranuar shtetësinë; nuk do të ketë investime të majme, por vetëm ndonjë sa për të na qitur hi syve; nuk do të ketë përkrahje të shoqërisë civile për ta luftuar këtë qeverisje injorante, arrogante dhe imponuese: për shkak se më shumë u konvenon të kenë njerëz të këtillë që pranojnë gjithçka veç të mbesin në pushtet. Nëse do të nisin ndonjëherë negociatat për anëtarësim, ato neve do të na zgjasin 20 vjet. Kaq kaçik kemi treguar se kemi. Sa më shumë shkuarje në Bruksel, aq më shumë mëditje. Substanca e negociatave është irelevante.
Bisedat teknike
Federalizimin e Kosovës na e sollën bakshish një sërë politikanësh që rrenën e kanë në përshkrim të vendit të punës dhe për fat të keq, tipar të personalitetit. Rrena e parë, më e madhja, ka qenë se më 8 mars 2011, Tahiri po e niste dialogun teknik me Stefanoviqin. Mbase ka qenë teknik, aq sa për të caktuar madhësitë e rrumbullakëve në bluzën e Tahirit apo të diellit të buzëqeshur në kravatën e Cooperit. Për serbët ka qenë me rëndësi takimi, pavarësisht se si do të quhej, për ta fituar statusin e kandidatit, të cilin e fituan, përderisa ne mbetëm me premtimin e MSA-së dhe, qëllojani: të liberalizimit të vizave, natyrisht.
Gjithmonë Tahiri e më pas Thaçi, e shumë më vonë Mustafa – sa herë kanë thënë “kurrë” nuk do të ndodhë kjo apo ajo, apo kjo do të ndodhë kështu apo ashtu, në fakt na kanë treguar se duhej pritur të kundërtën. Kurrë nuk do të bisedohet për veriun; kurrë nuk do të bisedohet për rrymën; kurrë nuk do të bisedohet për postën, vetëm për kodin; kurrë nuk do të bisedohet për punët e brendshme të Kosovës..., për të gjitha është biseduar, përfshirë edhe urën mbi Ibër, që përnjëherë u bë temë bisedimi në Bruksel – si prioritet, për të cilin “Fjolla” Tahiri do të mund të krekoset se do ta zgjidhë, porse ende nuk e di se edhe sa herë do ta ndërrojë datën, dhe edhe sa herë do t’i fajësojë të tjerët se përse s’mund të kalohet andej ende...
Dhe sa herë është thënë se dialogu do të vazhdojë, Serbisë i është premtuar perspektiva evropiane, e neve, qëllojani sërish: liberalizimi i vizave, pra.
Biznesi teknik
Na thanë se të gjitha përpjekjet që po i bënin ishin që të normalizoheshin raportet me Serbinë dhe që të integroheshin serbët në jetën dhe institucionet e Kosovës. Dhe çka bënë: pushtetin ia dorëzuan krejt një trupi që e formojnë katër komuna, të cilave do t’u bashkohen edhe krejt komunat e tjera serbe që duan. Për më tepër, ua lënë në dorë kontrollin e të hyrave doganore në pikëkalimet kufitare, për serbët pika administrative në Jarinjë e Bërnjak. Pra, ata paratë në xhep – qoftë prej doganimit, qoftë prej kontrabandës, të cilën e kanë kultivuar me vjet edhe ata, e edhe këta të pushtetit.
Na premtuan investime të jashtme, dhe tash do ta ndërtojmë rrugën deri në Merdar, atë pjesë që e kanë vjedhur në tenderin e kaluar 400 milionësh që doli 1 miliardësh, sepse rruga u krye në Besi, bajagi kilometra larg kufirit. Porse frikësohem se do ta ndërtojmë rrugën për t’u shëtitur llapjanët, sepse Serbia do ta zgjerojë magjistralen e Ibrit, përderisa ne ua lehtësojmë rrugën për në Durrës. Malli do të kalojë nga veriu dhe paratë do të arkëtohen vetëm në veri. Dhe do të mbesin në veri, të integruara. Serbët do të shkojnë në Durrës; durrsakët do t’i gostitin, e ne do të mbesim në rend të dytë, sepse jemi shumë patriotë... Nëpër plazhe do të kthehet muzika popullore serbe, mu ashtu siç ka qenë edhe pas luftës në Kosovë. Dhe serbët nuk do të paguajnë sigurimin e as nuk do të pajisjen me targa provë.
E patëm në dorë një sistem të madh të distribuimit të rrymës dhe vendosëm që t’ua falim turqve për 26 milionë euro. Natyrisht, kjo falje nuk ndodhi pa bakshishin që iu dha atyre që e vendosën këtë punë – thonë 30 milionë, por shumë vështirë e dëshmueshme. Ama shumë e besueshme. Veriu qysh atëherë qe përjashtuar nga fushëveprimi i distributorit të ri. Po get qenka planifikuar prej kohësh kjo punë – pse të mos besohet se edhe për këtë distribuim do të ketë bakshish që do t’u shkojë atyre që e vendosin këtë hesap. Bile këtu e kanë pasur më lehtë, s’është dashur as të shkojnë nëpër simulimin e një procesi tenderues. TVSH-ja e kësaj rryme me siguri do të përfundojë në arkat e veriut.
I kemi dy kompani të telefonisë mobile në Kosovë, një publike, një private. Të tretën e kemi derivat të së parës me një marrëveshje të pabesueshme, ku ai që investon i merr veç 25%. Këto dy të parat plasin duke i reklamuar shërbimet me internet të shpejtë 3G e LTE. E në fakt, në të dyja rastet, në të dyja kompanitë, ky shërbim më shumë nuk bën sesa që bën, për një arsye shumë të thjeshtë: se rregullatori i telekomunikacionit nuk u jep frekuenca të mjaftueshme. Ama këto frekuenca tash, me gjasë, pa pasur nevojë të paguajë për to, do t’i marrë telefonia “veç për veriun”, telefonia serbe me kapital norvegjez, që së shpejti do të bëhet telefonia e tretë mobile në KS. Me gjasa shumë që ta dominojë tregun për shkak të kapacitetit tashmë të dëshmuar. Themelimi i operatorit privat nuk kaloi pa hetime për korrupsion; PTK-ja pat me iu shit dikujt të panjohur për pak para. Tenderi është anuluar dhe ka shumë gjasë që të panjohurit t’i marrin 50 milionë dëmshpërblim për dështimin e procesit. Se me kë do t’i ndajnë, nëse i ndajnë, këta miliona, mbase do ta marrim vesh dikur. E në bazë të këtij mësimi, nuk është larg mendsh që edhe telefonia serbe të hyjë në Kosovë me një bakshish nën sqetull...
Tash hallin e kam se si do të ndahen “Trepça” dhe Gazivoda/Ujmani..., a thua çfarë është marrëveshja e biznesit të ndërsjellë të negociatorëve. Mbase do të shkojnë në sistemin e koncesionimit, sikurse kanë bërë me Aeroportin: që për 100 milionë investime brenda 20 vjetësh ta bllokojnë komplet tregun ajror, asisoj që t’i japin përparësi kryesisht kompanisë ajrore turke, ashtu që për të udhëtuar në Perëndim, medoemos duhet shkuar një herë në Lindje. Kush e di me çfarë varianti do të dalin, për të na dëshmuar përfundimisht që çështja e pronës publike në Kosovë është punë private e atyre që manipulojnë me të. Punë private e atyre që e kanë mjelë e mjelë atë me vite të tëra në emër të prosperitetit të Kosovës.
***
Tash po e kuptoj politikën e fejsbukut të inauguruar nga ish-kryeministri e përqafuar nga të gjithë të tjerët. Po e kuptoj se vendimmarrja politike për ta është më pak e rëndësishme sesa postimet në FB. Po mahnitem me kohën që e kanë për të shikuar komente e për të shkruar reagime e komente thuajse bëhet fjalë për një lojë, ku secili do të paraqitet më arrogant, më ofendues dhe më i paaftë për të kontrolluar emocionet e çastit. Po e kuptoj se e gjithë kjo që ka ndodhur, i gjithë ky proces “negociator” plus “teknik”, në fakt duket të jetë vetëm një shfaqje për të gjithë publikun: aty ku krejt janë të mirë, dhe krejt janë të këqij; ku krejt janë humbës dhe krejt janë fitues. Duket se krejt marrëveshjet e vërteta dhe të rëndësishme janë kryer para Brukselit – aty ku shtrëngohen duart për ujdinë ty kaq, mu qekaq, sepse krejt një ditë do të mbërrijmë në Evropë dhe se kjo është perspektiva jonë. Ani që në këtë çast dhe për shumë vjet, shtegtimi do të jetë me ritëm asimetrik, sepse Serbia do të na lërë prapa dhe për shumë gjëra me gishta në gojë...
Evropa do të bëjë çmos që katër kryeministrat t’i fusë në histori si njerëz që bënë hapat “drejt pajtimit”, si njerëz që e arritën normalizimin, e që s’ka rëndësi që me këtë e gjymtuan një Kosovë ende të pazhvilluar dhe të paforcuar. Mbase do t’i konsiderojë edhe si njerëz që i vunë bazat për ta kthyer faqen e historisë, ndonëse asnjë herë të vetme këta njerëz nuk u morën me fatin e të pagjeturve, dhe kurrë, asnjëherë, nuk e patën kthimin e mbetjeve mortore të tyre kusht apo prioritet bisedash...
Për Evropën është krejt njësoj, për shkak se dëshmon se ka njëfarë fuqie ndërmjetësimi. Nga ana tjetër, ajo nuk do t’i jetojë pasojat e këtyre aranzhimeve, sepse zgjidhjen e ka në duart e veta. Nëse krijohet masa e re e azilkërkuesve nga Kosova, ata do t’i kthejë sërish prapa, edhe më të varfër seç kanë dalë.
Ato pasoja do t’i jetojmë ne: të heshturit, të humburit, dhe shumë të dëshpëruarit...
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...