23 Gusht 2016 - 08:16 - Flaka Surroi
Para 40 vjetësh ishte mbajtur Olimpiada e vetme, të cilën e pata përcjellë prej fillimit deri në fund. Madje jo rrallë isha e detyruar që garat t’i përcillja në televizorë me teknikën bardhezi, sepse nuk kishin mbërritur të gjithë të blinin ndonjë Gorenje, Iskra a EI plot ngjyra...
Në Montreal, qe një gjimnaste rumune, Nadia Comaneci, e cila i zaptoi zemrat e të gjithëve. U bë heroina e neve fëmijëve të asaj kohe: dhe jo vetëm se i kishte fituar tri medalje të arta atëbotë. Porse kishte qenë e para, e cila i kishte fituar dhjetëshen e pastër për ushtrimin që e kishte bërë pa hile. Pa pasur kurrfarë lidhjeje me shtetin e saj, e as me të, më kaplonte një emocion i pashpjegueshëm sa herë që hipte në podium për ta marrë medaljen. E mendoja me vete, çfarë do të ishte emocioni po qe se dikush, nga ky vend i vogël, të cilit i takojmë, do të stolisej ndonjëherë me medalje të artë.
Tash, pas katërdhjetë vjetësh, po të them se të dielën e kaluar sa nuk më lëshoi zemra teksa të shihja mbi tatami, duke e mundur me shumë mend e taktikë italianen. Frymëmarrja m’u ndal për një çast teksa ta vendosnin medaljen rreth qafës, e të mos të të tregoj se si u mbusha krenari kur u intonua himni i Kosovës teksa ngrihej flamuri shtetëror.
Ti arrite në Olimpiadë me meritat e tua. Po me të njëjtat merita e fitove të artën. U bëre jo vetëm heroina e fëmijëve të sotëm, por edhe të gjithë neve, të cilët në ty duhet të gjejmë frymëzimin për ta bërë këtë Kosovë të mjerë shtet, të cilin të gjithë e kemi ëndërruar.
Sonte, tek parakaloje me autobus këtu, pranë “zgafelles” sime, më ktheve katërdhjetë vjet pas. Ma plotësove dëshirën që e kam ruajtur ç’prej atëherë: ma dhe kënaqësinë me dalë me të përshëndetë e me të brohoritë: “Të lumtë kampione”!
“Kampionët” e krimit dhe të banalitetit
Kjo më lart qe letra e falënderimit, që ia shkrova Majlindës, pasi kishte parakaluar nga Panagjyri të dielën e shkuar. Qe emocion që, ndër të rrallat herë, bëri që ta përballoja më lehtë ndjenjën e pështirë që ma krijon të jetuarit në Kosovën e Klanit Pronto. Duke e ditur se edhe kjo javë, sikurse të gjitha të tjerat, në dhjetë vjetët e fundit, do të ishte reprizë edhe më e keqe e shfaqjeve të gërditshme që na i ofrojnë politikanët tanë për çdo ditë të lume.
Përgjimet e kësaj jave e zbuluan njërin nga shefat e klanit bash të tillë çfarë shfaqet sot: kameleon, i cili përdor ton të butë kur u flet deputetëve, apo kur i drejtohet opinionit, përderisa atje prapa në hije, ku ndihet më së miri, vendos dhe urdhëron se kë duhet vendosur ku, qoftë edhe pa ndonjë arsye tjetër, që nuk është sigurimi “se njeri i duhur është në vend të duhur”.
Kadri Veseli, alias Mr. Kty, në kohën e përgjimeve as që ka qenë anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës. E, megjithatë, kishte aq ndikim sa për t’i “sugjeruar” operativcit të Klanit Pronto që t’ia rehatonte dikë të vetin në një ndërmarrje publike apo ta votonte ose jo një ligj; kurse ky, për të mos lënë asnjë dyshim në besnikërinë e tij ndaj partisë dhe shefave t’i thoshte: “Ti i merr vendimet, unë i zbatoj”.
Pra, njeriu, i cili nuk është në parti, nuk është në Kuvend e nuk është as në Qeveri, ka ndikim aq të madh në politikën e përditshme, saqë mund të vendosë nëse duhet votuar apo jo një ligj. Nëse s’është pjesë e asnjë strukture shtetërore, atëherë pjesëtar i cilës strukturë është që ka kaq shumë ndikim? Përgjimi e jep përgjigjen: ky është ai njeri që e mban marionetën në dorë, sikur në posterin e filmit The Godfather (Kumbara), dhe i lëviz të gjitha fijet qysh ia merr mendja. Marionetën tjetër e mban ai tjetri, të cilit të gjithë i referohen si “i madhi” apo edhe “Hasha”. Dhe e gjithë kjo “për të mirën e popullit”.
Kështu, pas këtyre paraqitjeve, veç sa për të na qitur pak hi syve, Grabovci del me një deklaratë që është sa patetike, aq edhe shkarje frojdiane: “Nuk dua që ta mundoj më shumë popullin”. Me demek, po e pranon se krejt çka ka bërë deri tash, e paska bërë me vetëdijen se po e mundonte popullin. E ka ditur se me lëvizjet e tij andej-këndej dhe me servilizmin e pashoq ndaj bosave të tij, e paska munduar popullin shumë, sepse që të gjitha që i ka bërë, i ka bërë në dëm të popullit.
Jam e sigurt se nuk e ka menduar kështu kur e ka thënë këtë. E besoj se ka menduar se kur ta thotë këtë do të shpërfaqet si patrioti që pretendon se është. Se ja, për të treguar ndërgjegje, jep dorëheqjen nga posti i shefit të Grupit parlamentar. Porse kurrsesi nuk i bie ndërmend të japë dorëheqje nga posti i deputetit, madje as të tërhiqet krejt nga politika. Se qe shef i GP-së apo jo, Grabovci do të vazhdojë me makinacionet e veta në Kuvend. Nuk do të na duhet shumë kohë për të parë se si do të sillet vërdallë sallës së seancave plenare kur do të shkojë për t’i “bindur” kolegët deputetë se duhet ta votojnë demarkacionin.
Ato që kemi dëgjuar ditëve të fundit na e kanë dhënë edhe përgjigjen se për çfarë soji njerëzish bëhet fjalë. Kjo, nëse kemi pasur ndonjëherë ndonjë dyshim. Me gjuhën skajshmërisht banale, ku Grabovci e Lushtaku bëjnë gara se kush më shumë po i shan nënën dikujt që nuk u shkon për shtati, njëkohësisht i zgjidhin akomodimet se kush do të shkojë ku dhe cilit do t’ia shohin më shumë hairin kur ta kenë vendosur në vendin e synuar. Është paraqitje me gjasë e një pjese të fjalorit neveritës, të cilin e përdorin në komunikim privat dhe prapa kuluareve. Dhe teksa po i shkruaj këta rreshta, po mund ta paramendoj se sa shpesh i zë lemza nënat e gjithë atyre të cilët soji i këtyre nuk i ka për qejfi.
Gjuha e tillë reflekton bashibozukllëkun e njerëzve të pacipë, arrogantë dhe të paetikë, që u kanë dhënë vetes të drejtën për të na i udhëhequr jetët. Ani pse jo pak njerëz, kurrë nuk ua dhamë votën. Atë thjesht e vodhën.
Kafexhinjtë
Por nuk na e vodhën vetëm votën. Na i vodhën edhe ëndrrat, edhe shtetin, edhe ardhmërinë.
Pra, kjo kastë, që ka ardhur në pushtet me vota të vjedhura, dhe e cila është mbajtur në pushtet falë manipulimit shumë lehtë me qëndrimet e përfaqësuesve ndërkombëtarë, që përherë kanë qenë më të kënaqur me Kosovën e fundosur, përderisa ka stabilitet e nuk ka trazira, e ka shkatërruar Kosovën sistematikisht me ndërhyrje të politikës në secilën pore të jetës.
E kemi ditur që nga fillimi, dhe që nga fillimi jemi ankuar. Ama ankesat tona kanë qenë përherë më të zëshme nëpër shtëpi e kafehane, sesa aty ku është dashur të shprehet mospajtimi me këtë punë: në rrugë dhe në vota.
Sa më shumë kalon koha, aq më shumë çuditem me pasivitetin e popullatës ndaj së keqes që na ka kapluar. Nuk ka nevojë të dëgjohen përgjimet për të kuptuar se Kosova nuk e ka asnjë segment të vetëm që funksionon mirë pos krimit të organizuar. Nuk ka nevojë të dëgjohet asnjëra bisedë për të kuptuar se në krim të organizuar mund të marrin pjesë dhjetëra, qindra e ndoshta e mijëra njerëz, por jo edhe miliona njerëz. Nuk ka nevojë askush të na tregojë se edhe policia është zaptuar, e edhe gjyqësia – dhe se prej tyre nuk mund të presim shumë përderisa shefat e tyre janë në krye të institucioneve shtetërore. Por, askush nuk ka nevojë të na tregojë se të gjithë ata janë pjesë e këtij populli dhe se vetëm populli mund të jetë ai që mund ta sjellë ndryshimin në këtë vend.
Po të kishte qenë Kosova shtet normal, Kuvendi do të duhej të shpërbëhej tash, menjëherë, për shkak se në krye të vetin e ka njeriun që pa qenë asnjë faktor politik, e ka fuqinë e faktorit vendimmarrës. Fuqinë e lojtarit të shahut që mund të bëjë hile edhe me figurat, por edhe me kronometrin. Po të ishte shtet normal, nuk do të lejohej të fyhej nga ai që krejt këtë të zezë e ka zier herë nga pozita e shefit të opozitës, herë nga karrigia e kryeministrit e tash edhe nga kolltuku i kryetarit. Të fyhej nga demagogjia neveritëse, e cila e karakterizon: “nëse ka hapësirë për veprimin e gjyqësisë, ajo le ta thotë fjalën”. Gjyqësisë të cilën vetë e ka ndërtuar asisoj që atë të mos e prekë kurrë e përjetë në këtë vend. Po të kishte qenë vend normal, partneri i vogël i koalicionit qeveritar do të tërhiqej, ashtu që të mos identifikohet me të keqen më të madhe të këtij vendi: Klanin Pronto. Po të ishte vend normal, do të duhej shkuar në zgjedhje të reja, e të ndëshkoheshin me vota të gjithë këta që qe 17 vjet luajnë hajgare (për të mos e përdorur fjalorin e tyre), me këtë vend.
E në kushtet kur ky vend nuk tregohet normal, mbetet vetëm protesta e qetë dhe kreative ajo që do të duhej ta sillte ndryshimin. Por, protesta në Prishtinën gati gjysmëmilionëshe, që nuk mund t’i mbledhë as 100 protestues, nuk do të na çojë larg. Do t’na e shndërrojë protestën në korzon e dikurshme kur bënim rrathë prej Teatrit deri te Grandi, përderisa atyre do t’ua japë kënaqësinë për të na quajtur kush e di me çfarë emrash “përkëdhelës”, të cilët me gjasë dikur do t’i zbulojmë në ndonjë përgjim të ri.
Ulja në tarracat e restoranteve të Prishtinës, teksa e shikojnë parakalimin e protestuesve stoikë, duke pirë kafe, nuk do ta zgjidhë problemin e kësaj shoqërie. Indiferenca ndaj një organizimi spontan nga njerëzit që nuk janë anëtarë partish politike dhe që nuk ftojnë për dhunë, është e tmerrshme. Tash ka shumë më shumë kuptim ironizimi dhe kërcënimi që na e bënin pjesëtarët e UÇK-së, kur i takoja në terren: “Ju atje në Prishtinë po pini makiato, e na po luftojmë. Hajt se keni me pa ju kur të kryhet lufta”. Dallimi midis atij kërcënimi dhe ftesës për bashkim në protestë, kundër atyre që na e kanë nxirë jetën në Kosovë, është se ftesa e qytetarëve nuk përmban kërcënim. Protesta nuk organizohet për punë hakmarrjeje ndaj askujt. Është thjesht shprehje e revoltës, për shkak se ne, me pasivitetin tonë, kemi lejuar që të na shkelin të gjithëve kështu siç na kanë dërrmuar. Dhe është ftesë për të gjithë ata që ndihen të shkelur, për të dalë e për ta shprehur pakënaqësinë e tyre, qetë dhe me dinjitet.
* * *
“Me kafe, me kafe nuk ka shtet”, është brohoritur dje në protestë. Dhe kjo porosi u është drejtuar atyre që nuk ka çka nuk thonë për pushtetin, por kur vjen puna me dalë në protestë thonë: “Hajt more, 20 veta kanë me u mbledhë, pse me shku?”, ose “Qe dal në protestë, cili prej jush ka me u ba kryeministër?”, ose “Hajt more, s’kam çka dal, se si me mua si pa mua, send s’ndryshon”.
Jo, valla. Asnjë send nuk mund të ndryshojë nëse nuk ka vullnet. E nuk mund të presim që të këqijtë do të bëhen përnjëherë të mirë, se kjo që e jetojmë nuk është përrallë. Pa presion publik, asnjë send nuk do të ndryshojë, kurse këta, në emrin tonë, do të vazhdojnë të na manipulojnë me penjtë e marionetës së Kumbarës.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...