1 Mars 2016 - 07:34 - Flaka Surroi
Para tri ditësh e kisha bërë një postim në FB drejtuar deputetëve të LDK-së, që e kishin në duar çelësin për (mos)zgjedhjen e Thaçit kryetar të Kosovës. Tash, pas epilogut të votimit, ku nuk ka asnjë dyshim të vetëm që zgjedhjes së tij i kanë kontribuuar si votat e deputetëve të LDK-së, ashtu edhe prezenca e tyre për t’ia siguruar kuorumin e nevojshëm. Po e ndaj me ju atë që kisha shkruar:
“Deputetët e LDK-së që do ta votojnë Thaçin kryetar (duke ditur se çelësin që të mos ndodhë kjo e kanë ata) do të dëshmojnë që:
1. Janë të pakurriz;
2. Janë të shantazhuar, sepse dikush ua di sekretet;
3. Janë të frikësuar, sepse dikush i ka kërcënuar;
4. Janë oportunistë, sepse ua kanë premtuar ndonjë post ja këtu, ja jashtë;
5. Janë të pasinqertë, sepse nuk u besojnë as akuzave të veta kundër SHIK-ut, me të cilin kanë lidhur koalicion;
6. E kanë kujtesën e shkurtër;
7. Dashurinë për Kosovën e kanë frazë;
8. Nuk kanë ndërgjegje;
9. Nuk janë të gatshëm t’i sakrifikojnë pozitën dhe kolltukun;
10. I besojnë përrallës se Gjarpnit i zihet besë.
A do të gjenden 11 deputetë që nuk do të donin të identifikoheshin me pikat 1-10?”
Njëmbëdhjetë deputetë nuk u gjetën. Në fakt, supozohet se shtatë syresh i anuluan fletëvotimet, duke e shprehur kështu “protestën” kundër atij, të cilit ia mundësuan zgjedhjen me vetë prezencën e tyre në sallë. Tash, mbas seancës së zgjedhjes do të thuhet se kanë qenë të kërcënuar dhe të shantazhuar; se kanë qenë nën presion të madh të shefit të partisë së tyre, të cilit nuk iu deshën më shumë se tre sekonda për t’u çuar në çastin kur Thaçi ia ngrehu vetullat, duke i dhënë sinjal se duhej të ndërhynte që t’i bindte; do të thonë se e kanë kryer obligimin kushtetues me pjesëmarrje në seancë.
Atë që kanë bërë me veprimin e tyre është se e kanë fuqizuar edhe më shumë njeriun me të cilin u betuan e përbetuan se kurrë nuk do të lidhnin koalicion, dhe njëkohësisht e kanë devalvuar veten dhe partinë e tyre aq shumë, saqë hiç nuk është çudi që në zgjedhjet e ardhshme të vijnë në situatë që të lidhin koalicione me parti të vogla për ta kaluar pragun elektoral.
LDK-ja, katalizatori i PDK-së
Ngritja e PDK-së në skenën politike të Kosovës u bë falë LDK-së dhe gjithnjë LDK-së. Do t’i kujtoni zgjedhjet e para të vitit 2001. LDK-ja fitoi, porse s’pati shumicë absolute. E meqë s’merreshin vesh se si tutje, intervenuan të huajt, dhe e krijuan koalicionin LDK-PDK-AAK. LDK-ja ishte e interesuar vetëm për postin e kryetarit, rezervuar për Rugovën, ia dhanë Kryeministrinë PDK-së, por të huajt që nuk e lejuan Thaçin të bëhej kryeministër, s’mundën t’ia shuanin ndikimin që kishte brenda subjektit të vet politik.
Më 2004, LDK-ja e hidhëroi keq Thaçin kur lidhi koalicion me AAK-në, sërish duke e ruajtur kolltukun e kryetarit për Rugovën. Me zgjedhjen e Haradinajt kryeministër, ia rritën inatin aq shumë, saqë ky u organizua për të mbledhur këshilltarë nga e gjithë bota për t’i ndihmuar që të “reformohej”. Ndërroi imazhin e partisë, imazhin e vet personal, dhe e organizoi një ushtri të tërë hajnash të votave që e sollën në pushtet.
Më 2007, fitoi PDK-ja por s’pati shumicë. Për hir të “stabilitetit”, LDK-ja, duke e ruajtur kolltukun e kryetarit për Sejdiun, ia dha shumicën absolute për t’u vendosur në pushtet, ani që kishte shumë ankesa për vjedhje votash. Për hir të “procesit për statusin”, LDK-ja heshti dhe pranoi madje që Deklaratën e Pavarësisë ta lexonte Thaçi. Dhe kur Thaçi i plotësoi dëshirat imediate dhe më nuk kishte nevojë për LDK-në, ia shpalli kryetarin kundërkushtetues dhe e shpartalloi LDK-në, duke ndikuar në çarjen që kësaj të fundit i ndodhi në “Kuvendin e karrigeve”.
Më 2010 e qiti LDK-në opozitë dhe nuk u ndal së përsërituri se kjo është një parti humbëse, së cilës i ka kaluar koha. I vodhi votat, LDK-ja heshti. LDK-ja kalkuloi. LDK-ja ia lejoi atij nisjen e negociatave në Bruksel pa vërejtje; ia votoi Marrëveshjen e prillit si ligj. Heshti para shkeljes së Kushtetutës kur u emëruan tre gjyqtarët e huaj ndërkombëtarë. Ia lejoi akaparimin e të gjitha bordeve; e lejoi të kontrabandonte ligjet ashtu siç ia merrte mendja Thaçit. E luajti rolin e opozitës kukull.
Më 2014, LDK-ja u betua e përbetua se kurrë s’do të lidhte koalicion me PDK-në. Dhe në çastin kur mundte ta çonte këtë në opozitë, e braktisi VLAN-in dhe lidhi koalicion me të, duke ia premtuar vendin e kryetarit të shtetit. Kjo, në këmbim për postin e kryeministrit për Mustafën, të cilin ka shumë gjasa ta humbë në muajt në vijim, ngase vetë PDK-ja do të mund ta prishte koalicionin, që në çastin kur kryesimin e partisë ta marrë Kadri Veseli. Dhe dje, me votat e deputetëve të saj që prej vitesh e kishin shpallur PDK-në parti të SHIK-ut vrastar, LDK-ja e bëri Thaçin kryetar. Njeriun, i cili mund të përfaqësojë gjithçka, porse kurrë unitetin e popullit.
Heronjtë dhe frikacakët
Pesë ishin deputetët e LDK-së që nuk erdhën në seancë fare: Vjosa Osmani, Adem Salihaj, Shpejtim Bulliqi, Anton Quni dhe Hatim Baxhaku – dhe këta pa dyshim do të flenë rehat, se askush nuk do të mund t’i akuzojë për asgjë.
Të tjerët që hynë në seancë, me gjithë qëndrimin “antagonist” kundër Thaçit, atij ia siguruan atë që i nevojitej: fillimisht kuorumin, e më pas edhe votat e nevojshme për ta shpallur kryetar. Mbase do t’i brejë bile pak ndërgjegjja, që në këtë ndërmarrje u bënë bashkë me Lista Srpskan, që është fitimtarja më e madhe nga e gjithë ngjarja e djeshme. Me vetëdije të plotë dhe pavarësisht çfarëdo presioni që do t’u jetë bërë, dëshmuan se janë oportunistë politikë dhe se më parë e shesin Kosovën sesa që e humbin kolltukun, beneficionet dhe rehatinë e “përfaqësuesit të sovranit”.
E për Srpskan, dy rundet e para e dëshmuan se sa të rëndësishëm ishin për Thaçin, po qe se pahiri do t’u zgjohej ndërgjegjja deputetëve të LDK-së – fletëvotimet jovalide ishin tyret (me gjasë, 10 prej 27-ve në rrethin e parë dhe 10 prej 15-ve në të dytin). Prandaj asnjë befasi që Veseli të jetë “zhdukur” ndërmjet votimit të dytë dhe të tretë, dhe fare e rastësishme pauza e zgjatur pas votimit të dytë. Nuk do të ishte fare larg mendsh të besohet për një takim të Veselit me, për shembull Gjuriqin, me të cilin një ditë më herët është takuar Thaçi, për ta goditur pazarin përfundimtar: 10 vota serbe për Zajednicën dhe ndoshta edhe mosthemelimin e ushtrisë, të cilën aq shumë e kundërshtojnë serbët.
Deputetët e LDK-së, gojën plot patriotizëm, befasi e krenari, do ta bartin në ndërgjegje federalizimin e Kosovës, kur Thaçi, nga kolltuku i kryetarit do t’ia çojë vetullat Mustafës sërish dhe do ta detyrojë që ta votojnë Statutin e AKS-së. Natyrisht, kjo nëse dikur u kujtohet se edhe kanë mundur të kishin pak ndërgjegje.
Pas votimit të djeshëm, më nuk kanë të drejtë morale të flasin as për SHIK-un, as për vrasjet politike, as për hajninë, as për filozofinë rugoviane, me të cilën na kanë lodhë kokën, as për nepotizëm, e as për parime, sepse dëshmuan se janë të pasinqertë dhe të pakurriz. Dhe sikur të mos mjaftonte, Gjarpri ua dha edhe një kafshim për natë të mirë: lulet që ia dhuroi Flora Brovina, ajo që nuk lejonte mbajtjen e mbledhjeve të Kuvendit gjatë krizës së 2014-s, ky ia dhuroi Teuta Rugovës. Në shenjë falënderimi që votën ia dha e bija e atij të cilin ky e kishte shpallur armik të përbetuar.
Me votimin e djeshëm kanë treguar se u mungon integriteti. Të njëjtin integritet që ia kanë humbur partisë së tyre, të cilën e kanë deklasuar vetë, me shkurtpamësinë dhe kalkulimet e tyre politike.
Hapi i ardhshëm
Ekziston vetëm edhe një mundësi që do ta kontestonte zgjedhjen e Thaçit – dhe kjo do të ishte ngritja e çështjes procedurale para Gjykatës Kushtetuese.
Përderisa nuk e di nëse është kompetencë e Gjykatës Kushtetuese të vendosë mbi kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e prezencës dhe veprimit policor gjatë seancës së Kuvendit, megjithatë dikush do të duhej të merrej me këtë punë. Kontrollet e rrepta policore asnjëherë nuk e parandaluan futjen e bombolave të gazit në Kuvend. Që të bën të dyshosh se kjo të jetë bërë me qëllim, ashtu që të përdorej dhuna për përjashtimin e opozitës nga salla. Tërheqja zvarrë e deputetëve është mbase pasqyrimi më real i dëshirës së mbajtjes së pushtetit me aparatin e dhunës. Dalja e policisë speciale, vendosja e snajperëve nëpër ndërtesat përreth dhe zbrazja e rrugëve përreth ndërtesës së Kuvendit, kanë pasur për qëllim kryesisht frikësimin. Por edhe, dorën në zemër, mbrojtjen e ndërtesës së Kuvendit kur nisi hedhja e molotovëve, me gjasë në shenjë revanshi për përjashtimin e përfaqësuesve të opozitës.
Por gjithsesi, është kompetencë e Gjykatës që të merret me zbatimin e aktgjykimit të vet, me të cilin e kishte rrëzuar Pacollin. Fillimisht, në asnjë rund votimesh nuk kishte 120 deputetë prezentë në sallë, siç e kërkon aktgjykimi. Dhe nuk kishte kumtesë nga kryetari i Kuvendit se sa prej deputetëve mungonin me leje tijën. Më pas, mbetet shumë diskutabile çështja e kuorumit të votave dhe vlefshmërisë së votave të anuluara. Po qe se udhëzimi i Kushtetueses është që fletëvotimi duhet të jetë për njërin ose kandidatin tjetër, kurse fletëvotimi është i anuluar, a i bie kjo se kuorumi i votimit nuk është përmbushur, ngase në rundin e parë kishte madje 27 fletëvotime të pavlefshme.
Kushtetuesja futet në aksion po qe se deputetët e opozitës e çojnë lëndën atje. Por edhe nëse e çojnë, votimi partiak i gjyqtareve të GJK-së, të cilit i kontribuoi me të madhe edhe LDK-ja, e zbeh mundësinë e rrëzimit edhe të Thaçit nga posti i kryetarit, për punë procedurale. Sidoqoftë, ia vlen të provohet, edhe nëse me këtë dëshmohet sërish, se falë votave të LDK-së, Kosova ka një GJK që nxjerr aktgjykime sipas interesave partiake.
* * *
Dje LDK-ja zgjodhi Thaçin kryetar të Kosovës. Ia dha një flakaresh të madh sa s’dihet Kosovës, të cilën ky me udhëheqjen e tij tetëvjeçare e ka katandisur në gjendjen në të cilën është. Kosovës, të cilën e ka bërë shtetin më të korruptuar, më të pazhvilluar dhe me më së paku perspektivë në Evropë. Vetes ia dha një autogol njësoj të madh sa s’dihet, i cili do ta qesë në ligën e dytë. Nga e cila nuk do të mund të kthehet përderisa i ka deputetët dhe udhëheqësit që i përkasin ndonjërës nga pikat 1 deri 10.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...