16 Qershor 2015 - 08:11 - Flaka Surroi
Mbase lajmi i javës, në të cilën që nga e hëna nisën kremtet e shumëllojshme të çlirimit të Kosovës më 1999, erdhi nga Turqia. Pas 13 vjetësh, Erdogani e humbi shumicën absolute dhe kështu iu prishën planet për ndryshimin e Kushtetutës, që do ta shndërronte sistemin politik të vendit në një sistem presidencial.
Pjesëmarrja masive prej 86% të votuesve, ia solli humbjen e madje 10% të votave partisë së Erdoganit krahasuar me zgjedhjet paraprake. Madje mund të ndodhë që për herë të parë pas gjithë këtyre vjetëve, partia e tij të dalë në opozitë, po qe se opozita e copëtuar aktuale bashkohet për ta krijuar shumicën solide për udhëheqje të shtetit.
I pari për ta fituar të drejtën e krijimit të koalicionit qeveritar e ka kryeministri në dorëheqje Davutoglu. Por nëse s’mundet, atëherë logjikisht radha i shkon koalicionit që mundet. Ose, në situatë kur nuk do ta lëshojë pushtetin nga dora, do të duhej t’i qasej interpretimit të Kushtetutës – e këtu mbase Erdogani do t’i drejtohet kardashit të tij këtu, që t’ia huazojë për një kohë kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës si ekspert të jashtëm: ai garant e gjen zgjidhjen.
Nga këto zgjedhje Kosova mund t’i mësojë dy gjëra. Një, se ndryshimi është i mundur kur pjesëmarrja e votuesve është e lartë dhe dy, ai është i mundur kur ka një fuqi politike (HDP - Partia Popullore Demokratike) që mund t’i bëjë bashkë shumë orientime politike e ato t’i shkrijë në një: në interesin e përgjithshëm të popullit, pavarësisht dallimeve.
Boletini pa Gardë
Larg arritjes së këtij bashkimi rreth interesit të qytetarit, pavarësisht orientimeve politike, është Kosova sot, 16 vjet pas çlirimit. E udhëhequr ç’prej atëherë nga kasta e njerëzve që e kanë shndërruar pushtetin në çështje personale, Kosova në vend se të ecte përpara me gjithë atë energji pozitive që kishte të akumuluar qysh në qershor të 1999-s, ka shkuar prapa e më prapa. Aq sa shtetësia e saj e brishtë do të mund të shpartallohet me një puhizë.
Në krizë të thellë ekonomike, në mungesë të zbatimit të ligjit, me gjyqësi të komprometuar e me papërgjegjësi politike – kështu e priti Kosova këtë përvjetor çlirimi. E priti me raporte skandaloze për shpenzimin e parasë publike për udhëtime zyrtare dhe me ndarjen e madje 50 mijë eurove për ceremoninë e rivarrimit të eshtrave të Isa Boletinit.
Me një lëvizje fantastike për ta shmangur vëmendjen nga problemet reale me të cilat ballafaqohet ky vend, Qeveria vendosi që ta niste shtegtimin disaditësh të eshtrave të Boletinit prej një vendi në tjetrin. Dhe nuk u gjet formë tjetër, pos që ato të barteshin në kamionë të FSK-së, që paradoksalisht nxitën kujtimin e bartjes së kufomave shqiptare nga policia serbe nga lufta e fundit.
Për më keq, dhe këtu kërkoj falje nga familjarët që me siguri kanë emocione të tjera për këtë ngjarje, ma kujtuan një parakalim dhe shëtitje të shëmtuar që e kishin organizuar pulenët e Millosheviqit ndërmjet 1988-s dhe 1989-s, me eshtrat e Car Llazarit. Se çfarë deshën të dëshmonin me këtë, nuk e di. Ajo që u pa në fund ishte se FSK-ja u desh të merrej me këtë punë logjistike, për shkak se ka pasur vendim politik që Boletini të mos varrosej me nderimin e Gardës së FSK-së. Shëtitja e eshtrave të Boletinit mbase do të duhej të ketë treguar se ai është i të gjithë neve, e prandaj është dashur të bartej kështu, në këtë formë dhe prej një ane në tjetrën. Por përfundimisht, gjatë lëvizjes së eshtrave të tij, kush në institucione nuk u mor me asgjë tjetër. E kishin një alibi shumë të fortë.
“Mendoj për ty”
Alibinë tjetër këtyre institucioneve ua dha edhe varja e disa mijëra fustaneve në terrenin e stadiumit të qytetit të Prishtinës. Nuk e vë në dyshim qëllimin e mirë për t’ia rikujtuar një populli me kujtesë të shkurtër një ngjarje tejet të shëmtuar, të cilën e përjetuan gratë në luftën e Kosovës 1998-1999. Megjithatë, janë institucionet e kësaj Kosove të pasluftës ato që në Kuvendin e Kosovës më 2013 kishin refuzuar ta votonin Ligjin për të drejtat e grave të dhunuara gjatë luftës.
Ishte po ai Kuvend i Kosovës që mezi u denjua që t’i fuste gratë e dhunuara në Ligjin për kategoritë e dala nga lufta, duke i lënë ministrisë përkatëse kohë që ta formonte një komision që do ta bënte përcaktimin e atyre që do të mund të ishin “përfituese” të këtij ligji. Nuk e di nëse një komision i tillë është krijuar – po të ishte ashtu me siguri do të përmendej me pompozitet diku në ndonjë konferencë të kotë. E nëse është krijuar, jam disi e bindur që ai komision nuk i ka të përcaktuara as kriteret e verifikimit, e nuk e ka as idenë se cili do të jetë implikimi buxhetor për këtë kategori. Dhe dyshoj shumë që dikush do të jetë ndalur të mendojë seriozisht se sa shumë dëm do t’u shkaktohet atyre grave që tash gojarisht, para dikujt të huaj, do të duhet ta rrëfejnë tmerrin e përjetuar atëherë. Për ta rijetuar poshtërimin më të madh që do të kenë përjetuar në jetë.
Në vend të “Mendoj për ty” është dashur të ishte “Veproj për ty”. Ama me vepra përnjëmend. A nuk ka mundur Ministria e Drejtësisë të koordinonte një ekip avokatësh që do të ngrinin padi kundër kriminelëve të luftës dhe vetë shtetit të Serbisë, për dhe në emër të këtyre viktimave? A nuk ka mundur kjo procedurë ta lehtësonte edhe identifikimin e viktimave që për shumë arsye ngurrojnë të paraqiten? A nuk kanë mundur institucionet të krijojnë një ekip ekspertësh që do t’u jepnin përkrahje psikologjike? A nuk kanë mundur institucionet ta bënin një fushatë vetëdijesuese edhe nëpër terren e nëpër media të drejtuar nga burrat, që në fund të fundit, janë penguesit kryesorë që të flitet haptazi edhe për këtë krim, meqë dihet se dhunuesit janë vetë burrat.
S’ka dyshim se instalacioni është mbuluar medialisht nga mediumet ndërkombëtare – dhe kjo është mirë, sepse bota duhet ta dijë se ky krim ka ndodhur në Kosovë. Se viktimat janë këtu dhe se kriminelët enden të lirë. Por, këto gra vazhdojnë të mos kenë mbrojtje të përnjëmendshme institucionale dhe ligjore. E këtu, burrat e Kosovës kanë ra në provim. E këtyre burrave asnjë instalacion nuk do t’ua zgjojë ndërgjegjen.
Përmendore gjinore
E se burrave kosovarë u mungon ndërgjegjja dhe i sundon hipokrizia e dëshmoi më së miri kryeministri nominal me rastin e përurimit të përmendores “Heroinat”, dedikuar grave për sakrificën e treguar gjatë luftës. Ja çfarë tha në fjalimin e tij: “...ky memorial nxit të gjitha femrat pa dallim që të mos ngurrojnë aspak, por të bëhen luftëtare të pareshtura për realizimin e së drejtës së tyre legjitime për të qenë jo vetëm të barabarta, por edhe të respektuara në shoqëri, për të qenë në ballë të proceseve dhe për t’iu paraprirë këtyre proceseve. Vetëm kështu Kosova do ta ketë një të ardhme të lirë, një të ardhme më të dinjitetshme, në gjirin e familjes së madhe demokratike euroatlantike”. Tek e dëgjoja deklaratën e tij m’u kujtua Kuvendi zgjedhor i LDK-së i para një kohe. E eliminoi një grua, Donika Gërvallën, duke ia anuluar zgjedhjen në Degën e Gjermanisë dhe duke ia ndaluar hyrjen në punimet e Kuvendit. E eliminoi tjetrën, Vjosa Osmani, e cila paraqiste rrezik të madh për t’ia zënë karrigen, dhe duke e shkelur Statutin e partisë e zgjodhi veten kryetar me aklamacion. Për çfarë barazie dhe respektimi në shoqëri flet kryeministri, kur ai i pari nuk lejon barazinë e as që tregon respekt për gratë që i ka në parti. Mbase beson se gratë do ta arrijnë barazinë, të cilën e shkelin burrat, atëherë kur të bëhemi pjesë e proceseve euroatlantike – që i bie, me këtë ritëm, pas pesëdhjetë vjetësh.
Porse edhe gratë e kanë pjesën e vet të fajit në këtë segregacion dhe diskriminim, e dëshmon vetë memoriali. Cila është nevoja të veçohen heronjtë sipas gjinisë? Qysh u bë që askujt nuk iu kujtua ta ndërtonte një memorial për të gjithë ata që sakrifikuan për këtë çka kemi sot, e ku do të ishin të përfshirë të gjithë, gra, burra, fëmijë. Përse të veçohen gratë nga burrat, nëse e kemi parë gjatë luftës, se të gjithë kanë luftuar në një formë a tjetër. E kemi parë edhe gjatë historisë se lufta për një të ardhme më të mirë është bërë edhe me dije, e edhe me punë, dhe jo vetëm të burrave. Me këtë memorial do t’ua japim edhe një alibi burrave për të na shitur kopalla, për të folur një gjë, e për të vepruar të kundërtën: ja ku e keni memorialin, boll e keni.
Tash veç ka mbetur që të ngrihen edhe dy përmendore për sakrificën e fëmijëve – një për djemtë dhe një për vajzat, dhe që kështu të kompletohet absurdi i ndasive, të cilat në vend se të luftohen, ushqehen me vetëdëshirë.
Pa flamur shtetëror
Dhe ishte vetë dëshira e udhëheqësve të Prishtinës që Ditën e Çlirimit ta shënojnë me flamurin kombëtar, por pa flamurin shtetëror. Thuajse po e festonim ditën e çlirimit të Shqipërisë e jo të Kosovës.
Përderisa flamuri i Kosovës mund të mos jetë më i bukuri në botë, mund të mos jetë votuar nga deputetët e Kuvendit, e definitivisht nuk ka qenë zgjedhja e popullit, megjithatë është flamuri që për herë të parë e ka paraqitur Republikën e Kosovës në një ngjarje të madhe sportive, Lojërat Evropiane në Baku. Sado që “Vetëvendosja” flet dhe lufton për bashkimin kombëtar, ka jo pak njerëz që mund të mos pajtohen madje edhe me idenë. Të tillë ka që jetojnë në Prishtinë dhe që të gjithë janë shtetas të Republikës së Kosovës, stemën e së cilës e mbajnë madje edhe në letërnjoftimet që i lëshon Komuna e Prishtinës, nën udhëheqjen e “Vetëvendosjes”.
E meqë çështja e ndryshimit të rregullimit shtetëror të Kosovës nuk do të duhej të ishte çështje ekskluzive as e Thaçit, as e Lista Srpskas, pra as e “Vetëvendosjes”, dhe përderisa kjo është Republika e Kosovës, flamuri i Kosovës do të duhej të valonte edhe në Prishtinë. Se fundja, edhe Prishtina, edhe Kosova u çliruan më 12 qershor 1999. Dhe kështu do të duhej të ishte deri në ndonjë referendum që do ta vendoste fatin e mëtejmë të shtetit tonë. Shtetit, i cili dje në formën më të vobektë e festoi lirinë e vet.
Mëkat për gjithë ata muzikantë të talentuar të Filarmonisë që u detyruan të ekzekutonin vepra serioze për njerëz joseriozë, që as pas 16 vjetësh nuk ua kanë siguruar një shtëpi me sallë koncertale, e ku njerëzit do të shkonin për t’i dëgjuar pse duan, e jo pse detyrohen.
* * *
E pas gjithë kësaj, më mbetet të shpresoj se ndoshta në përvjetorin e ardhshëm të çlirimit edhe Kosova do të bëhet me HDP-në e vet. E ndoshta po pshtojmë.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...