Qorrsokaku

23 Shkurt 2016 - 07:40 - Flaka Surroi      

Kosova tash më shumë se kurrë qan për një Anton Çetta – një njeri neutral e patriot që ia deshi të mirën popullit të vet dhe luftoi kundër një relikti të shëmtuar kanunor. Dhe ia doli. Në mungesë të tij, nuk mbetet shumë pos të improvizohet zgjidhja nëpërmjet asaj që supozohet se është faktor unifikues

A e man n'men, a e man? Udhën deri ktu qysh kemi ardhë! 

A e man n'men, a e man? A e man n'men kush jemi kânë?
A e man n'men, a e man ti, venin tând?
A e man n'men, a e man, a e man n'men ç'farë jete kemi bâ?
A e man n'men, a e man? O send s'kem pasë, po jena dashtë
A e man n'men, a e man? Vajin e fmijëve, n'men a e man?
A e man n'men, kur kemi thânë: "A ka nji Zot, Zot që na del krahë?
A e man n'men, a e man? A e man n’men atë kohë venin tând?
A e man n’men, a e man? Kur u hap qielli engjujt me i pa
E Kush kish thanë, Kush kish thanë..... që n'kët ditë kemi me ardhë

S’pata si ndryshe me ia nis zgafelles së sotme, pos që (me leje) t’i citoj vargjet e këngës më të re të grupit “Troja”. Të po atyre rokerëve që na e kënduan Amanetin e Clownit para gjashtë a sa vjetësh, e që na i lanë në kujtesë të përhershme edhe këto vargje:

...Kush janë këta njerz që s'janë shkollue
Nuk kanë msue që njeri nuk bân shpinë e vet me vjedh
...
Shumë kanë kushtue rrenat e tyne
Janë tu m`çu atje ku veten nuk muj mâ me gjet
Edhe sa vjet duhet me shkue
Me i duru kta njerz që krejt forcën ma kanë marr
Janë kta njerz që trunin ma kanë la
Janë kta njerz që vet nuk muj me i nal

E besoj se nuk ka gjuhë më të thjeshtë se kjo për ta përshkruar derexhenë në të cilën ka rënë Kosova e pasluftës, e posaçërisht nga koha qëkur është shpallur e pavarur. Ajo vazhdon të sundohet nga njerëzit që nuk kanë mësuar se “shpinë e vet s’bân m’e vjedhë” dhe nga ata që me aq lehtësi “nuk e majnë n’men” se çfarë ka qenë Kosova posaçërisht kur krisi lufta, e kur ndodhën i gjithë ai shkatërrim, e gjithë ato vrasje e ai dëbim. Këta janë të njëjtët që “nuk e majnë n’men” se hala ka familje që nuk e dinë se në cilën varrezë masive do t’u gjenden eshtrat e njerëzve të tyre. Janë të njëjtët që të vetmen gjë “që e majnë n’men” është si me ia zgjat vetes jetën në pushtet, mundësisht përjetë.

Plani i dështuar

Nuk ishte fare çudi pra se përse, dy ditë para protestës më masive që është mbajtur në Prishtinë që nga lufta, doli Policia me një kumtesë që nxiste frikë për ta parandaluar daljen në masë të njerëzve në protestë. Tha, me shumë siguri, se në protestë planifikohej përdorimi i armëve të rrezikshme, përfshirë edhe armët e zjarrit. Kështu, në të njëjtën kohë, paralajmëronte se Policia do të ishte e gatshme t’i përdorte armët e veta për ta mbrojtur Qeverinë.

Pas parakalimit të vakët të forcave të policisë dhe të atyre të sigurisë, qyteti nisi të mbushej flamuj kuqezi, që barteshin prej njerëzve që e kishin bërë nijet të shkonin te Skënderbeu, me gjithë panikun të cilin mëtonte ta cyste Policia. Tashmë, nga ora dy, ende pa u nisur masa nga Biblioteka Kombëtare, sheshi ishte mbushur deri te “Bozhuri”. Më vonë, pasoi një seri e gjatë fjalimesh të mërzitshme dhe pa ndonjë porosi shumë të qartë. Pati një ndërhyrje të policisë, për t’i hapur rrugë një kamioni shuuumë të madh, që ka mundur të cilësohej si provokim, porse në të cilin nuk ranë protestuesit. Dhe ndodhi gafa e parë: ajo e Dardan Molliqajt, që i barazoi me përkrahësit e Zajednicës të gjithë ata që e festuan Ditën e Pavarësisë. Dhe ra në provim, nga i cili nuk mund ta shpëtonte më vonë as njëri nga zëdhënësit e VV-së, që u mundua të shpjegonte se “Molliqaj u ishte referuar atyre që ishin prezentë në parakalim”, pra të gjithë politikanët minus opozita.

Nuk vonoi shumë, ndodhi edhe gafa e dytë, dhe kjo më skandaloze, më ofenduese dhe me peshë më të madhe politike: “Kishin dërguar mesazhe, na pritni sot në Prishtinë, na pritni në Qeveri. Ne ishim këtu, 20 metra distancë me ta. Nuk erdhën. Kësaj radhe kishim vendosur mos t’i presim me kafe, por t’ua japim përgjigjen e merituar. E si u larguan? Me bisht nën shalë, si qyqarë”. Autori i kësaj deklarate fyese qe kryeministri i Jashtëm, i cili dukej mjaft i shqetësuar, për shkak se protesta nuk kishte qenë e dhunshme. Nuk i kishte dhënë hapësirë as atij e as shefit të vet nominal që ta kritikonin opozitën për dhunën dhe për manipulimin me masat. Në vend të kësaj, dolën kërcënime të hapura, së pari nga Mustafa, i cili tha se edhe partitë në pushtet mund t’i nxjerrin njerëzit në rrugë, duke ftuar kështu për luftë qytetare. E më pas Thaçi, i cili nuk sqaroi se me çfarë do t’i priste ata që do të hynin në Qeveri: kanë mundur të jenë lule, apo mbase edhe të jetë qumësht. Por fytyra e tij kërcënuese ka mundur të nënkuptonte policinë dhe po ato armë zjarri që kjo e fundit i kishte paralajmëruar në protestë.

Në vend se të mos prononcoheshin fare në një konferencë, e cila u thirr një orë para se të përfundonte protesta, që të dy dolën për t’iu drejtuar popullit me tone kërcënuese, duke treguar se nuk e kanë seriozisht kur flasin për dialogun. Ç’është e vërteta, Thaçi kërkoi falje dje, porse kërkimfalja e tij nuk është e sinqertë, sepse qëllimin e vërtetë të tij ia zbulon fjalia “na pritni sot në Prishtinë”. Po qe se, siç thotë, u është drejtuar tre liderëve të tri partive opozitare, ata janë gjithmonë në Prishtinë dhe nuk kanë pasur prej nga të vijnë.

“Cirkuz demokracia”

Në këtë ambient, ku opozita u nda e kënaqur, por nuk diti ta shfrytëzojë momentumin për t’i artikuluar qartë kërkesat apo deklamimin e vet, dhe pushteti mbeti i frustruar me mungesën e dhunës, u caktua seanca e parë e Kuvendit për sesionin pranveror. Dhe, natyrisht, ashtu siç edhe u prit, pati përpjekje të pareshtura të opozitës për t’i ndaluar punimet. Ajo që nuk u prit, dhe që qe gjëja më e shëmtuar, ishte okupimi i sallës së Kuvendit nga policët të veshur në rroba civile dhe me gaz-maska në fytyrë dhe veprimi i tyre për t’i nxjerrë jashtë deputetët opozitarë, duke i bartur thuajse ishin thasë qepësh a patatesh. Pasoi veprimi i të uniformuarve dhe arrestimi madje i nëntë deputetëve nga 18 sa u suspenduan dje.

Kështu, Kuvendi nisi miratimin maratonik të kush e di sa ligjeve në një seancë që zhvillon punën pa opozitën, për të cilën nuk mund të thuhet bash se i ka bojkotuar punimet. Po ai Kuvend që ka gjashtë muaj gati se nuk funksionon, përderisa deputetët paguhen për punën që nuk e bëjnë, apo mbase mendojnë se e bëjnë, duke e sjellë Kosovën në një qorrsokak të errët prej nga nuk dihet se si do të dilet.

Tashmë është e qartë që palët janë më se të konfrontuara dhe se askush nuk do të dijë për rezon. Njërën palë që e udhëheq inati, dhe me asnjë kusht nuk do që të pranojë se ka gabuar me dy marrëveshjet ndërkombëtare që e shkaktuan krizën më të thellë politike, që e ka përjetuar Kosova, dhe palën tjetër, që gjithashtu e udhëheq inati dhe që tash insiston se rrugëdalja e vetme janë zgjedhjet e jashtëzakonshme, ani që edhe po të organizoheshin tash, do të organizoheshin me të njëjtin ligj të keq zgjedhor, çfarë i ka udhëhequr zgjedhjet që nga Pavarësia.

Nuk është fare larg mendsh që në ditët në vijim të kemi trazira, tashmë vërtet të dhunshme, në ditën kur të vendoset që të zgjidhet kryetari i shtetit “brenda afateve kushtetuese dhe ligjore”. Kjo, për shkak se kandidati i vetëm që po i bën vetes fushatë është Thaçi, kurse atë, pos që e kundërshton opozita, e kundërshtojnë edhe shumë e shumë të tjerë, që në të shohin faktorin jo të unifikimit, por të përçarjes. Dhe fajtorin kryesor për situatën e rëndë të cilën e jeton Kosova e varfërisë, e papunësisë dhe e paperspektivës.

Tunel me a pa dritë?

Situatës së krijuar dje, nuk i ndihmon fare deklarata absolutisht jodiplomatike e ambasadorit amerikan. Piskama e tij teksa thoshte se ndihet i neveritur me opozitën, çon ujë në mullirin e koalicionit qeveritar, nxitësit të të gjithë problemit me të cilin ballafaqohemi sot. Tashmë, publikisht, disa ambasadorë kanë deklaruar se nuk do të përzihen dhe se këtë lëmsh duhet ta zgjidhin vetë shqiptarët, porse nuk janë të rralla vizitat e tyre në Kuvend, e besa as deklaratat si kjo e djeshmja e amerikanit. Në fund, prapë zgjidhja do të vijë prej tyre, se zor është të besohet se do të ketë fuqi tjetër që do të mund t’i bëjë bashkë palët e konfrontuara.

Kosova tash më shumë se kurrë qan për një Anton Çetta – një njeri neutral e patriot që ia deshi të mirën popullit të vet dhe luftoi kundër një relikti të shëmtuar kanunor. Dhe ia doli. Në mungesë të tij, nuk mbetet shumë pos të improvizohet zgjidhja nëpërmjet asaj që supozohet se është faktor unifikues: kryetares Jahjaga. Kryetares, e cila nuk u prononcua për ngjarjet e djeshme – dhe nuk shprehu mendim po qe se arrestimi i deputetëve gjatë kryerjes së detyrave të punës i shërben demokratizimit të mëtejmë të Kosovës.

Në vend se të bëjë thirrje kot për mbledhje tek ajo, për të pirë ujë e kafe e për të dalë në fotografi, do të duhej ta përpilonte një plan për dalje nga kriza. Natyrisht, duke i ditur kapacitetet e saj, kjo do t’u qasej miqve për këshilla, përkatësisht për përpilimin e propozimit që do të duhej të përmbante veprime dhe data konkrete. Kryetarja do të duhej të ishte ajo që do t’i mblidhte të gjithë për t’u thënë se gjërat kështu nuk mund të ecin tutje, sepse demokracia është duke çaluar dhe shumë bile; se problemet nuk do të zhduken po qe se i mbyllim sytë e nuk merremi me to dhe se më nuk do të ketë NATO për të bombarduar këdo në mënyrë që të na shpëtojë nga situata në të cilën jemi.

E besoj se edhe për të huajt e akredituar në Kosovë, kjo do të ishte zgjidhje ideale, sepse kështu do të ruhej stabiliteti dhe që vendimi eventual për zgjedhje të parakohshme do të rridhte nga Jahjaga, por me të cilin do të pajtoheshin të gjithë, ashtu që askush nuk do të mund të thoshte se është fitues. Kompromisi i mundshëm do të ishte moratoriumi në raport me çështje problematike (demarkacioni, AKS), ndryshimi i Kushtetutës dhe përcaktimi i zgjedhjes së kryetarit me votën e popullit, ndryshimi i Ligjit zgjedhor, dhe marrëveshja për zgjedhje të parakohshme. Dhe e gjithë kjo për një afat prej tre muajsh, ku ushtrues detyre kryetari do të ishte kryeparlamentari, për shkak se ashtu e përcakton Kushtetuta.

Është gjë që bëhet, vetëm nëse ka vullnet. Dhe trysni ndërkombëtare, natyrisht.

Është mbase shansi i fundit për të majt n’men, se sa shumë vuajtëm për t’u bërë me shtet, se sa vjet kemi ëndërruar, kemi besuar e Zotit i jemi lutë që dielli me dalë. Vitet që shkuan nuk kthehen më, ama dielli dikur duhet me dalë.

[email protected] 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...