2 Qershor 2015 - 08:11 - Flaka Surroi
E gjithë java na shkoi duke u marrë me të kaluarën, si simbolin që e karakterizon të tashmen. Në kontekstin e asaj që ndodhi, nuk del të jetë e ndritshme, për shkak se e ka mbuluar reja e dyshimit, e dhunës, e frikës. Që të tri ngjarjet kryesore u lidhën me disa pjesëtarë të UÇK-së, të asaj që përherë e ka gëzuar simpatinë e masës. Por edhe të asaj që ka prodhuar individë që jo rrallë herë janë shikuar si shkaku i shumicës së problemeve të cilat i jeton Kosova. Dhe marrja me të kaluarën, UÇK-në dhe të ardhmen do të vazhdojë, përderisa do të ekzistojë Gjykata Speciale që herët e vonë, do të na imponohet për shkak se në krye të shtetit, ka shumë kohë, janë ata që kanë shërbyer si bazë për krijimin e saj.
Kumanova
Ngjarja e Kumanovës nuk ra nga rendi i ditës as kësaj jave – një, për arsye të varrimit të tetë të vrarëve në Varrezat e Dëshmorëve të Prishtinës dhe dy, për shkak të zbulimit të një sërë informatash të Policisë dhe Inteligjencës së Kosovës që dëftuan për skemën e organizimit të incidentit me porosi dhe për para të majme. Dhe përderisa e para zgjoi polemika se nëse është dashur të organizohej varrimi aty apo jo, kjo e dyta zgjoi kërshërinë dhe një far lloj shqetësimi në mesin e diplomatëve të huaj, paksa të obsesionuar me çështjen e kredibilitetit të këtyre raporteve, të cilat megjithatë u dëshmuan valide, falë përgjimit që u ishin bërë disa nga pjesëmarrësve të rrëmujës në Kumanovë.
Sipas raporteve, doli se bartësit e aksionit kishin qenë katër nga të vrarët, të cilëve, thuhej u ishin premtuar apo edhe paguar 2 milionë euro për të shkaktuar incident me të cilin do të shmangej vëmendja nga pakënaqësitë politike që po manifestoheshin në kryeqytetin e Maqedonisë. Paratë do të vinin nga shërbimi sekret i shtetit fqinj – e se kush do t’ia shihte hairin incidentit, ishte pak a shumë lehtë e kuptueshme: ata që e kontrollojnë pushtetin dhe biznesin.
Për pjesëmarrësit e tjerë, u tha se ishin paraqitur vullnetarë – duke mos ditur saktësisht se me çfarë premtimesh a fjalësh ishin joshur të shkonin atje. Porse përgjimet dëshmuan se disa syresh kishin marrë porosi nga familjarët që ankoheshin për skamje, dhe se ata nuk e kishin ditur se aksioni do të ishte inskenim. Dhe mungesa e kësaj informate u kushtoi me jetë, pasi situata doli jashtë kontrollit.
Sido që të jetë, e gjithë ngjarja flet keq jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin, të mësuar me sundimin e ligjit të të fortit; me mungesën e perspektivës dhe me mungesë pune të ndershme që do të ofronte prosperitet. Flet për degradimin e një shoqërie që bazën e zhvillimit e mendon te krimi, pavarësisht çmimit që duhet paguar dhe te pushteti i dhunshëm që sjell para. Flet për një ngecje që do të na marrë shumë kohë për ta tejkaluar.
Rasti Drenica
Po lajmi që e shënoi javën përfundimisht ishte aktgjykim i shpallur për rastet Drenica I dhe II – ku ish-komandanti i UÇK-së dhe njëri nga komandantët rajonalë u dënuan me shumë vjet burgim për vrasje dhe torturë. Ka qenë njëri nga proceset që kanë zgjatur shumë, edhe për shkak të faktit se duhej përkthyer procesin në anglishte, sepse rasti u nis dhe u përfundua në shkallën e parë nga EULEX-i.
U bënë gjithsej 65 vjet burgim, prej të cilave madje 14 për “Sulltanin”, të cilit mbase ende i ruhet vendi i ambasadorit në Shqipëri – ngase vendimi ende nuk është i plotfuqishëm.
Qysh edhe ishte e pritur, aktgjykimi shkaktoi reagimin e menjëhershëm të OVL-së që së pari e bllokoi rrugën Prishtinë - Pejë te Komorani, e më pas edhe u organizua për të dalë në protestë në Prishtinë të nesërmen, ku pos këtij vendimi gjyqësor do të protestohej edhe kundër Gjykatës Speciale. Gjithashtu ishte pritur edhe reagimi i partive politike, posaçërisht atyre të krahut të luftës, që sado diplomatikisht të mbështjellë,megjithatë shfaqën indinjatën për dënimet e ashpra që i morën 11 ish-ushtarë të UÇK-së. Por, ai i cili nuk u dëshmua fare diplomat ishte Kryeministri i Jashtëm, i cili si anëtar i ekzekutivit shprehu mospajtimin me vendimin e gjyqësorit, duke e cenuar kështu pavarësinë e njërit pushtet, që së paku në Kushtetutë figuron si i mëvetësishëm. Dhe nuk vonuan zërat që këtë e shpallën përzierje kompetencash dhe ushtrim presioni.
Sido që të jetë, dhe pa hyrë fare në vlerësimin e fajësisë ose jo të të dënuarve për krimet e pretenduara, megjithatë u shfaq një situatë që nga aspekti logjik është e pakapshme, dhe që shërbeu për dënimin e Sami Lushtakut me 12 vjet burgim. Sipas aktgjykimit, “...duke vepruar në mënyrë brutale, (Lushtaku) i mori jetën me dashje një mashkulli të paidentifikuar që flet shqip, rreth moshës 40-vjeçare, në atë mënyrë që i ka vënë në kokë pistoletën e tipit TT, gjersa mashkulli i kishte duart të lidhura dhe ruhej nga dy ushtarë të paidentifikuar të UÇK-së dhe pastaj ka shkrepur tri të shtëna në kokën e mashkullit dhe me këtë ka shkaktuar vdekjen e tij, në një lokacion të pacaktuar ndërmjet fshatrave Galicë dhe Dubovc, në një datë të pacaktuar në shtator të vitit 1998 dhe ky veprim klasifikohet si vrasje”.
Vrasja mund të ketë ndodhur, porse problemi në proces është se nuk është përcaktuar as identiteti i viktimës e as vendndodhja e eshtrave të viktimës së vrarë. Dihet arma e vrasjes, pra pistoleta TT, por kjo s’ka mundur të vërtetohet te viktima, sepse i vrari nuk është gjetur. Dhe larg çfarëdo intence për ta mbrojtur Lushtakun, për të cilin kemi raportuar se mund të jetë i përfshirë në skandale korrupsioni në KEK, në terminalin doganor në Han të Elezit, edhe në procesin e privatizimit ndër të tjera, megjithatë aktgjykimi i tillë lë shumë hapësirë për komente dhe bie ndesh me atë që penalistët dikur ia kishin mësuar brezit tim në fakultet.
Dhe gjithashtu larg intencës për të thënë se krimet e luftës nuk duhet të gjykohen, megjithatë duhet ta them se për Kosovën janë të një rëndësie kyç edhe vrasjet e pasluftës si dhe krimi i organizuar që na ka gllabëruar e në të cilin kanë qenë apo edhe janë të përfshirë zyrtarët e lartë të partisë dhe të institucioneve pjesë e të cilave ka qenë edhe Lushtaku.
Mbetet të shihet se si do të zhvillohet tutje procedura në Gjykatën e Apelit, ndërkohë që Selimi dhe Lushtaku duhet të mbesin në burg deri në vendimin e ardhshëm.
Specialja
Mbase edhe ky aktgjykim do t’ia ketë prishur hesapet PDK-së në mbledhjen e djeshme plenare të Kuvendit ku duhej votuar amendamenti i Kushtetutës që do të duhej t’ia ndizte dritën e gjelbër votimit për themelimin e Gjykatës Speciale – sepse kësaj radhe Lushtaku nuk mund të vinte në Kuvend për “t’i bindur” deputetët që të votojnë pro, siç e kishte bërë tashmë njëherë.
Duket se mungesa e fuqisë për t’i bindur deputetët që ta votonin Gjykatën Speciale e obligoi shefin e shefave që të kërkojë shtyrjen e seancës për kohë të pacaktuar me këtë argumentim: “Në mungesë të materialev’ për të cilat vlerësojmë se duhet të debatojmë, dhe me qëllim që deputetëve t’u krijohet, afrohet mundësia për t’parë se çka kem me votu, meqë draft-ligji pritet t’na vie prej Brukseli, duhet të përkthehet në gjuhë dhe duhet t’u ofrohet deputetëve, ne propozojmë që kjo seancë të shtyhet deri sa t’i kem materialet e nevojshme për t’i analizu”.
Deklarata e Grabovcit përshkruan qyqarllëkun e partisë së cilës i takon, në raport me situatën e krijuar pas nxjerrjes së Raportit Marti, ku shumica e të apostrofuarve i takojnë pikërisht partisë së tij. Për të hequr përgjegjësinë, thotë se ligji është shkruar në Bruksel (pra po na imponohet) kurse për t’i bërë favor Kosovës, “këta e vlerësojnë” se duhet ta shqyrtojnë materialin, ani që ky as që ka qenë në rend të ditës dje.
Fajin për Gjykatën Speciale e ka menaxhimi jashtëzakonisht i keq i situatës nga pikërisht kjo parti dhe shefi i kësaj partie në kohën kur ka qenë kryeministër – sepse e gjithë kjo ka mundur të jetë zgjidhur ndryshe dhe pa e prekur fare sovranitetin e Kosovës. Për shkak të qyqarllëkut të tyre, Kosova do të jetë shteti i vetëm i dalë nga ish-Jugosllavia për të cilin do të themelohet një gjyq për ta gjykuar vetëm një etni: shqiptarët.
Revolucioni spanjoll
Dhe përderisa në Kosovë veç sa fundosemi më thellë në të kaluarën e paspastruar, në anën tjetër të kontinentit, në njërin nga shtetet që ende nuk na ka njohur, Spanjë, ndodh kthesa më e madhe demokratike që nga vdekja e Francos. Zgjedhjet e fundit lokale e thyen shabllonin e garës për pushtet ndërmjet vetëm dy partive, konservatorëve dhe socialistëve, duke e sjellë në pushtet një subjekt të tretë të dalë nga rruga.
Lëvizja qytetare që organizoi “kapjen e rrugëve” gjatë krizës së madhe financiare para katër vjetësh, nxori nga gjiri vet një sërë liderësh të rinj, të pasprovuar në politikë, por me vizion shumë të qartë se çfarë duan t’i ofrojnë popullit e që nuk është hajni, mashtrim e depresion.
Përfaqësuesja e tyre u bë kryetare e Barcelonës; një tjetër, ish-gjyqtare 71 vjeçe mund të bëhet kryetare e Madridit nëse e votojnë socialistët në asamble dhe disa të rinj të tjerë janë bërë kyç për formimin e qeverive në Andaluzi dhe në ndonjë rajon tjetër, madje edhe duke vënë kushte.
Të gjithë këta e kanë të përbashkët urrejtjen ndaj rrenave, arrogancës të pushtetmbajtësve, pasurimit të pakontrolluar nëpërmjet skemave bankare dhe vjedhjes me tenderë komunalë e rajonalë. Janë njerëz me përgatitje të mirë profesionale por edhe jetësore: shumë gjatë kanë jetuar të shtypur dhe tash janë shndërruar në vox populli, me fuqi vendimmarrëse.
Duke e parë degradimin e shtetit me kastën e injorantëve që mendojnë vetëm për veten dhe për veturat e shtëpitë e shtrenjta që do t’i blejnë e ndërtojnë, nuk kam si t’i ik lakmisë që po më kaplon, tek i shikoj spanjollët e revolucionarizuar. Atyre që kanë besuar se ndryshimi është i mundshëm – aq sa lëvizjen e tyre e kanë quajtur “Podemos” (Mundemi).
Edhe në Kosovë ka njerëz me përgatitje të mirë profesionale por, edhe jetësore. Edhe kosovarët ka shumë vjet që jetojnë të shtypur, porse që kanë vullnet që gjërat t’i ndërrojnë, së pari në gjyqësi që duhet ta bëjë spastrimin e llumit shoqëror, e më pas në qeverisje.
Edhe ne Podemos. Koha ka ardhë moti.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...