Puçi i (pa)suksesshëm i Kushtetueses

29 Gusht 2014 - 08:26 - Flaka Surroi      

Duket se llogaria nuk u ka dalë bash krejt mirë atyre që e kanë dirigjuar procesin në Kushtetuese. Mbase lajmi më i mirë për Kosovën në muajt në vijim do të jetë fakti se nuk do të ketë Gjykatë Kushtetuese – sepse rifunksionalizimi i saj do të varet nga vullneti dhe veprimi i institucionit më të lartë të pushtetit, të cilin ajo e suspendoi veç pse mundi

Dje u bë publik aktgjykimi i Gjykatës Kushtuese në lidhje me kontestin të cilin e ngriti PDK-ja për konstituimin e Kuvendit të ri dhe të udhëheqjes së tij. Me vendim me shumicë votash, Gjykata Kushtetuese vendosi, pos ta shpallë zgjedhjen e Mustafës kundërkushtetuese dhe ta anulojë pjesën e dytë të seancës konstitutive, që:

  1. Te ne, nuk ekziston shumica parlamentare, po veç ajo elektorale;
  2. Te ne, Kuvendi konsiderohet funksional vetëm pas dhënies së betimit të deputetëve dhe zgjedhjes së kryetarit dhe kryesisë së tij;
  3. Te ne, kur të zgjidhet kryetari i Kuvendit në seancën e përsëritur, krejt deputetët duhet me qenë në sallë
  4. Nuk ka arsye kushtetuese të shkohet në zgjedhje të reja, porse mund të ketë arsye procedurale...

Para se ta merrte këtë vendim, Gjykata Kushtetuese, fillimisht, e suspendoi punën e Kuvendit të Kosovës, institucionit që e ka themeluar me Kushtetutë dhe detyrat e të cilit i ka përcaktuar me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese. Përderisa është praktikë që masat e përkohshme aplikohen te rastet e vendimeve apo edhe të ligjeve të kontestuara, ato nuk do të duhej të keqpërdoreshin për ta suspenduar madje organin më të lartë të pushtetit. E besoj se ky do të ketë qenë rast i paprecedent në parlamentarizmin madje edhe mesatarisht të avancuar në botë.
Pas paraqitjes së njërit nga autorët e Kushtetutës (njëkohësisht njërit nga nënkryetarët e PDK-së) në Interaktiv të hënën mbrëma, Arsim Bajrami, vendimi i djeshëm nuk doli të jetë fare befasi. Paraqitja e tij ishte paralajmërim i qartë i asaj që do të bëhej publike, e përcjellë nga arroganca e ngadhënjimtarit që është i vetëdijshëm se nuk mund të fitojë pa bërë hile. Dhe hilja, edhe kësaj radhe, u gjet e fshehur te Gjykata Kushtetuese, e cila ka vendosur qysh ka vendosur, pa zgjidhur asgjë. Përkundrazi. Vetëm sa ia ka dalë ta ngatërrojë punën edhe më.

Vendimin e djeshëm e kontestoi, duket i vetmi njeri i arsyeshëm, në mesin e atyre që edhe kësaj radhe na i qepën rrobat sipas kutit të PDK-së. Gjykatësi amerikan, Carolan, në letrën e vet na e dëftoi një gjë të frikshme: “[se Gjykata është] përpjekur gabimisht që t’u përgjigjet pyetjeve për të cilat Gjykata Kushtetuese nuk ka kompetencë të përgjigjet. Duke vepruar në këtë mënyrë, janë nxjerrë përfundimet e gabuara në lidhje me faktet e rastit, me ligjin e zbatueshëm dhe me Rregulloren e punës të Kuvendit të Republikës së Kosovës”

Dhe kjo fjali flet më se një mijë fjalë.

Çka tash?

Kushtetuesja e ka udhëzuar që Kuvendi ta zgjidhë vetë çështjen e zgjedhjes së kryekuvendarit. Rregullorja e Kuvendit nuk parasheh se çfarë ndodh nëse “shumica”(qysh e interpreton Kushtetuesja), nuk ia del ta zgjedhë kandidatin e vet. Nga ana tjetër, sipas vendimit të Kushtetueses, Kuvendi nuk konsiderohet funksional nëse nuk e ka kryetarin dhe kryesinë e vet.

Kjo do të thotë dy gjëra. Një: nëse PDK-ja insiston në zgjedhjen e kandidatit të vet, e pjesa tjetër e Kuvendit refuzon ta votojë, nuk do të ketë nen Rregulloreje në bazë të të cilit do të bëhej zgjedhja në raund të dytë. Pra, kështu e gjithë Kosova do të hynte në qorrsokak. Dy: krejt deputetët e tjerë do të vendosin ta votojnë kandidatin e PDK-së për kryetar parlamenti, për shkak se kështu do të vinin te pika ku mund ta zgjedhin Qeverinë që do ta qesë PDK-në në opozitë. Njëkohësisht, do ta njoftojnë kryeparlamentarin nga radhët e PDK-së se mandati nuk do të mund t’i zgjasë shumë.
Qorrsokaku i konvenon PDK-së, sepse kështu ende do ta mbajë jo veç ekzekutivin nën kontroll. I konvenon edhe fitorja e kandidatit të vet, vetëm për satisfaksionin për ta dëshmuar “fitoren”. PDK-së i konvenojnë posaçërisht, zgjedhjet e reja.

Të gjithë të tjerëve u konvenon që ta votojnë kandidatin e PDK-së, ashtu që t’i hyjnë procedurës së: zgjedhjes së Qeverisë; ndryshimit të Rregullores së Punës së Kuvendit, dhe, zëvendësimit të kryetarit të Kuvendit, pas miratimit të Rregullores së re. Kjo për shkak se Rregullorja aktuale nuk ia mundëson Bllokut që ta ndërmarrë këtë gjë të nesërmen pas zgjedhjes, sepse sipas nenit 14.3., kryetarin e ri mund ta propozojë vetëm partia që e ka emëruar kandidatin e mëparshëm.
Pra, votimi i kandidatit të PDK-së, sado i palogjikshëm dhe i padrejtë sipas interpretimit të të gjithë të tjerëve që nuk janë GJK dhe PDK, megjithatë do ta shpinte përpara procesin e themelimit të institucioneve legjislative dhe ekzekutive.

Ndihmesa

Paradoksalisht, procesin e ndryshimit të Rregullores së Kuvendit (për të cilën nevojitet shumica e kualifikuar prej dy të tretave të deputetëve) do ta mundësojë Gjykata Kushtetuese. Kjo, ngase GJK-ja do të jetë jofunksionale që nga 1 shtatori 2014. Pra, pas formimit të komisioneve, do të mund të punohet në amendamentimin e Rregullores, kësaj radhe me shumë më shumë seriozitet dhe precizitet, ashtu që të eliminohen krejt dubiozat që i ka shkaktuar Gjykata Kushtetuese me interpretimet partiake e politike që ua ka bërë dispozitave procedurale të Kuvendit.

Duket se llogaria nuk u ka dalë bash krejt mirë atyre që e kanë dirigjuar procesin në Kushtetuese. Fati në këtë situatë është se Gjykata Kushtetuese do të bëhet jofunksionale që nga 1 shtatori 2014 dhe nuk do të ketë mundësi të gjykojë për asnjë gjë për shkak se do t’i mungojnë madje katër gjykatës. Dhe çfarëdo tentative që gjykatësve të huaj t’u zgjatet mandati jashtë kornizës së ndryshimit të Kushtetutës (siç ma komentoi si mundësi para disa ditësh një diplomate e akredituar në Kosovë) do të jetë shembulli më eklatant i shkeljes së Kushtetutës dhe i shmangies së sundimit të ligjit. Pra, do të jetë punë e kësaj legjislature të tregohet tamam ashtu siç do të duhej të ishte: trup që punon në interes të popullit.

Pra, shumica prej 83 votash do të duhej të mjaftonte për t’i bërë të gjitha ndryshimet e domosdoshme për të zgjedhur një Qeveri, e cila nuk do të mund të kontestohet deri në funksionalizimin e Gjykatës Kushtetuese; për të ndryshuar Rregulloren e Punës (e cila gjithashtu nuk mund të kontestohet) e për të vepruar sipas saj dhe për t’i bërë ndryshimet e nevojshme kushtetuese, të domosdoshme për avancimin edhe të procesit zgjedhor në Kosovë.
Mbase lajmi më i mirë për Kosovën në muajt në vijim do të jetë fakti se nuk do të ketë Gjykatë Kushtetuese – sepse rifunksionalizimi i saj do të varet nga vullneti dhe veprimi i institucionit më të lartë të pushtetit, të cilin ajo e suspendoi veç pse mundi.
U mbetet deputetëve që puçin e Kushtetueses ta bëjnë që të dështojë.

[email protected]
©KOHA.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...