13 Maj 2014 - 08:18 - Flaka Surroi
Dhe ndodhi ajo që po e paralajmëronte ka tre muaj kryeministri: ra Kuvendi në vend se të binte Qeveria, për të shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare. U caktua data 8 qershor 2014 dhe u ngjall ambienti politik – thuajse është zgjidhur nga zinxhirët që e kishin mbajtur të ngufatur me vite të tëra.
Kështu, të enjten ia nisi, jozyrtarisht, fushata zgjedhore e të gjithë të tjerëve që nuk janë kryeministri dhe PDK-ja (këta të fundit i kanë hyrë kësaj punë që nga Viti i Ri). Dhe nuk ka dyshim se fushatë do të ketë deri më 8 qershor, kur thjesht shpresoj, për të mirën e shëndetit mendor të shumicës së kosovarëve, se do t’i vijë fundi qeverisjes më të keqe të imagjinueshme që ka pasur Kosova. Që e ka bërë Kosovën një vend të paperspektivë. Qe ka bërë që ajo të kaplohet nga varfëria, papunësia, krimi, korrupsioni, rajonalizmi, ngecja zhvillimore, shoqërore, kulturore, arsimore...
Nuk po e mohoj sa shumë do të doja që të më përsëritej ëndrra e plotësuar nga zgjedhjet komunale – që populli të zgjohet, e që ta dënojë me votë atë dhe gjithë përcjellësit e tij që na kanë katandisur kështu, sepse përfundimisht kemi merituar shumë më mirë se këtë që e jetojmë sot.
Marioneta
Një sërë takimesh të “lehtësuara” nga ambasadorja amerikane në lidhje me votimin e FAK-ut dhe vendeve të rezervuara për minoritetet dështuan. Për pasojë, duke u përpjekur për t’ia lënë njëra tjetrës fajin, partitë më në fund vendosën të heqin dorë nga humbja e kohës dhe u morën vesh se ishte më lehtë të rrëzohej Qirkuzi, sesa të rrëzohej Qeveria për të dytën herë brenda më pak se katër vjetësh me automocion votëbesimi.
Nuk e di se kush u dërgoj mesazh serbëve dhe minoriteteve të tjera që të mos bënin më zhurmë për vendet e rezervuara/garantuara, meqë Kushtetuta tashmë e parasheh votën mbrojtëse për pakicat, porse ata nuk paraqitën problem as për sigurimin e kuorumit e as për votimin e vetëshkarkimit të Kuvendit.
Ajo që megjithatë la shijen më të keqe të mundshme ishte mbledhja e cila u mbajt te Jahjaga të mërkurën, “për konsultime” u tha, dhe ku u vendos që të shkohej në zgjedhje të parakohshme. Në mbledhje ishin prezentë tre kryetarë dhe një nënkryetare e partive parlamentare, porse munguan “Vetëvendosja” dhe përfaqësuesit e partive parlamentare të minoriteteve. I pyetur për sqarim pas mbledhjes, kryekëshilltari i kryetares deklaroi sesi “mbledhjen nuk e kishte thirrur ajo, porse ajo ishte mbajtur me nismën e këtyre katër partive” (sic!).
Për një temë kaq të rëndësishme, e cila ndikon drejtpërsëdrejti në interesat e të gjithë qytetarëve, nuk mund të ketë asnjë parti a grup partish që mund t’ia diktojë agjendën kryetarit të shtetit. Posaçërisht jo nëse një veprim i këtillë paraqet diskriminim. E hiç se hiç nëse një veprim i këtillë është në kundërshtim me përshkrimin e detyrës kryesore të shefit të shtetit – të jetë jo vetëm simbol, por edhe faktor i unitetit. Mospërfshirja e gjysmës së përfaqësuesve parlamentarë në këtë mbledhje po e jep porosinë shumë të qartë: se kjo kryetare është vetëm një marionetë në duart e politikanëve dhe të partive që ia diktojnë edhe formën, edhe kohën e të vepruarit.
Nëse vërtet ka dashur ta dëshmojë fuqinë e unitetit është dashur t’u thoshte këtyre katër partive se nuk do ta mbante mbledhjen pa i ftuar edhe të tjerët. Dhe, vetëm nëse ata do të refuzonin të vinin në mbledhje, atëherë do të mund ta mbante pa ta. Do të ishte Osumë mirë që të mos na dilet më me demante e lëvdata sesi me këtë veprim kryetarja e ka shpëtuar Kosovën nga kriza politike. Sepse tepër shpesh e kemi thënë se nuk ka se si hyn Kosova në krizë, sepse ka shumë, shumë vjet që nuk del prej saj.
Syretat e Qirkuzit
Nuk pati si ndryshe të shuhej legjislatura më e keqe që kemi pasur që nga fundi i luftës – me vetëshuarje. Kjo ndryshe i bie vetëvrasje, por jo një që kryhet për punë nderi, por me të cilin veprim vërtetohet turpi, të cilin e kanë personalizuar shumica e anëtarëve absolutisht të pandërgjegjshëm të Qirkuzit. Të atillë kanë qenë, saqë nuk u dit nëse janë pozitë a opozitë, sepse gjatë gjithë kohës funksionuan në bazë të udhëzimeve të bosave partiakë. Natyrisht sikur çdo rregull që e ka përjashtimin e vet, edhe këtu të gjithë deputetët e “Vetëvendosjes” dhe aty- këtu ndonjë deputete e LDK-së treguan se së paku i lexonin tekstet ligjore të cilat i votonin, dhe se mbronin parimin aty ku kishte presion për të votuar ndryshe.
Sido që të jetë, Kosova fatzezë nuk ka mundur të kishte përvojë më të keqe sesa që Kuvendi i kaluar t’i përbëhej prej përfaqësuesve partish që kanë vjedhur vota me kile. Nuk ka pasur fat më të keq se të udhëhiqej nga një parti që, pos që kishte vjedhur vota, tashmë i kishte shfrytëzuar tre vjet të mirë për t’ia shkatërruar substancën ekonomike dhe shoqërore shtetit të njomë, që assesi të çohet në këmbët e veta. Nuk ka mundur të kalonte më keq sesa të shihte sesi vendimet më të rëndësishme për të ardhmen politike të vendit kontrabandoheshin pa debat, por me imponim, dhe si votoheshin nga njerëzit që kurrë nuk dëshmuan të kishin ego për ta mbrojtur parimin e jo shefin.
Dhe në seancën lamtumire, e bënë edhe një gjest të turpshëm, por aq normal për ta – u rreshtuan, u zgërdhinë, e u hallakatën për të bërë foto në sallën e Kuvendit, e u ngutën ca - ca për t’i postuar në Fejsbuk – duke e bërë këtë të arriturën më të madhe që kanë bërë gjatë këtij mandati. Njerëzit më të fotografuar, të cilët i kemi pasur në televizor çdo javë të lume; më të privilegjuarit me gjithë ato beneficione që nuk iu dolën boll kurrë, më të papërgjegjshmit për gjithë dëmin që na e kanë shkaktuar me vendimet e tyre, të cilin më së shpeshti e arsyetonin me: “Është punë e keqe, por duhet votuar” – këta ishin anëtarët e Qirkuzit. Anëtarët e trupit që më së paku i mbrojti interesat e sovranit, sepse shumë syresh ishin të zënë duke e mbrojtur veten nga akuzat për krime e vjedhje.
“Fushatimi”
Ende pa u ditur saktësisht data e zgjedhjeve dhe kohëzgjatja e fushatës, ajo ia nisi me deklarata, shpalosje programesh politike, kalimesh të aktivistëve partiakë e të shoqërisë civile nga një parti në tjetrën a një institucion në parti, me konferenca për shtyp dhe me aktivizimin e makinerisë propaganduese ngado dhe pa zgjedhur fort mjete.
Skandaloze, pa dyshim, ishte deklarata e Hashim Thaçit në lidhje me FAK-un. Fillimisht tha se “Kuvendi që nuk mund ta votojë ushtrinë e vet nuk e meriton të funksionojë”, e më pas tha: “Kosova nuk ka nevojë për FAK-un, se tashmë e ka ushtrinë e vet”. Thjesht – në çastin kur i dështoi ideja për t’iu shpallur krijues i Ushtrisë së Kosovës që quhet FAK, ia hodhi fajin institucionit me të cilin ka manipuluar tre vjet e gjysmë pandërprerë. Pra, institucionit që ka mundur ta dëgjonte dhe ka mundur t’ia siguronte votat e nevojshme. E kur e pa se LDK-ja ishte ajo e cila vendosi kësaj radhe të mos ia përkrahte nismat e vendimet që kanë të bëjnë me dialogun, minoritetet dhe të ngjashme, doli për të thënë se s’ka nevojë për FAK, se Kosova tashmë e ka FSK-në. Kështu dëshmoi se i gjithë muhabeti për FAK-un kishte qenë një farsë elektorale që ka gjasë do t’ia shkaktojë një humbje substanciale votash.
Pas shpalljes së datës, doli në të gjitha televizionet për të na folur 8 minuta dhe për të na treguar sa është i mirë, i bukur, i mençur dhe punëtor. Dhe se sa shumë na do dhe se sa shumë sukses na uron në zgjedhjet e ardhshme – në të cilat na fton të marrim pjesë në numër sa më të madh. Por, harroi të na sqarojë nëse do t’i kemi edhe sivjet 1,7 milionë votues në 1,6 milionë banorë. Nuk u dëshmua i sinqertë për të na treguar se kishte insistuar që data e zgjedhjeve të jetë 8 qershori, për shkak të gjasave të vogla që kanë njerëzit nga diaspora për të ardhur e për të votuar, dhe për shkak se votimit me postë nuk është se i besohet shumë. Harroi të na thoshte se edhe ai vetë është njëri nga fajtorët se përse nuk ka pasur reformë zgjedhore dhe përse duhet t’i frikësohemi faktit se në listat zgjedhore mund të ketë ende me qindra e mijëra njerëz të vdekur, të cilët magjistarët e partisë së tij do t’i nxisin të votojnë...
Partitë e tjera, me më pak mundësi logjistike, për shkak se nuk mund t’i keqpërdorin mjetet zyrtare siç bëjnë kryeministri dhe ministrat e tij, janë përqendruar nëpër konferenca për shtyp dhe mbledhje me aktive e degë, për të folur për projektet e së ardhmes dhe për të premtuar gjithçka – përfshirë edhe gjëra që nuk mund të realizohen. Por as këta nuk janë të sinqertë kur dalin të flasin, sepse nuk tregojnë se përse nuk e votuan reformën zgjedhore; nuk tregojnë se a i bren ndërgjegjja bile pak për faktin se e kanë votuar atë marrëveshje të keqe me Serbinë, e Ligjin e amnistisë, e Ligjin e përgjimeve elektronike..., e plot gjëra të tjera, për të cilat nuk i kanë fajet vetëm Thaçi dhe partia e tij, por edhe shefat e partive të tyre... Por, “fushatimi” këtë e ka..., dhe duhet duruar gjithë muajin.
Zgjedhjet komunale na mësuan një mësim shumë të dobishëm: se kur ka mbrojtje të votës ndërrimet janë të mundshme. E janë të mundshme për shkak se njerëzit janë ngopur nga rrenat, mashtrimet, hajnitë, vrasjet dhe krejt të këqijat që mbesin të pandëshkuara, për shkak se mosndëshkimi është ideologjia e këtij pushteti, e për pasojë edhe e këtij shteti.
Mbase ky është rasti më i mirë për një ndryshim radikal, ku Qirkuzi më nuk do ta meritojë këtë epitet. Për një ndryshim që do të bëjë që Kuvendi do ta udhëzojë dhe mbikëqyrë Qeverinë e jo e kundërta. Për një ndryshim ku në krye të Kosovës do të vijnë njerëz me duart e pastra dhe pa hipoteka.
© KOHA Ditore
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...