25 Dhjetor 2016 - 08:00 - Flaka Surroi
Kur për herë të tretë m’u dha rasti të shkoja në Pagarushë, ishte vera e 1998-s. Me të arritur afër shkollës, aty shumë afër lëndinës së fshatit, sytë m’i morën nja 40 mijë njerëz që ishin grumbulluar në kërkim të shpëtimit. Ishin larguar nga dhuna e policisë serbe që sistematikisht shkatërronte fshatrat e Suharekës.
Nuk e di nëse ka qenë rezistenca e trurit tim ndaj së keqes ajo që bëri ta përjetoja njërin nga çastet më të çuditshme në jetë. Para vetes kisha pleq, gra, fëmijë nën çadra të najlonit, që po rrinin të rrethuar nga gjelbërimi dhe drunjtë që u bënin hije, në një qetësi tmerruese ogurzezë. Me një çast i mbylla sytë, thuajse kërkoja prehje. I rëndë ishte përjetimi i të qenit dëshmitare e poshtërimit që i bëhej popullatës së pambrojtur. Dhe sikur në film, pa pra nisën të më vinin tingujt e parë të një kënge të cilën e kisha dëgjuar si fëmijë dhe të cilën e doja pa masë, sepse babai im e këndonte shumë bukur. Por s’ishte zëri i babit ai që e dëgjoja. Ende symbyllur shihja se si para meje shpalosej një orkestër e tërë simfonike e një kor i madh, që të gjithë në hije, e në mesin e tyre një grua e bukur, sygjelbër, me tesha kombëtare e flokë të zinj, e ndriçuar nga drita, tek këndonte: “Një lule që m’ka çil tash”.
Përnjëherë pashë se si gjelbërimi bëhej më intensiv dhe si e gjithë fusha mbushej me lule, simbole të një jete më të bukur. Tash e di se ai reagim i çastit, ajo ndjenjë mbarësie për të cilën kisha pasur aq shumë nevojë, ndodhi për shkak se kjo po ngjante në vendlindjen e zonjës Nexhmije Pagarusha.
Pagarusha i shpëtoi 40 mijë njerëz, të cilët dikur iu kthyen vendeve të veta. Por, përfundimisht, Pagarusha do të mbahet mend përherë si vendi që Kosovës ia fali artisten muzikore më të madhe që ka pasur ndonjëherë.
* * *
E lindur para 83 vjetësh, zonja Nexhmije Pagarusha, apo teta Nexhmije, për mua dhe të gjithë fëmijët e lagjes në të cilën kishim jetuar, ka lënë pas vetes një opus të pashlyeshëm interpretimesh të këngëve kryesisht popullore dhe zbavitëse.
Duke iu falënderuar babait, mësuesit Vesel, teta Nexhmije mori rrugën e suksesit që në moshë të hershme. Si 15-vjeçare i këndoi këngët e para live në Radio-Prishtinë, sepse atëherë ato nuk incizoheshin. Më 1950 do të shkonte në Beograd në një konkurs, ku, pasi e këndoi këngën shkodrane “Dashnor t’u bana”, i hyri rrugës së afirmimit. Si nxënëse e gjimnazit të Prishtinës kishte zbuluar se interpretimet që ua bënte këngëve, në fakt e pasqyronin ndjenjën që ato ia ngjallnin. Siç e thotë edhe vetë – shumë herë i është përshtatur këngës e tekstit – për t’ia dhënë atë timbër autentik që e ka veçuar përherë.
Karrierën e zonjës Nexhmije Pagarusha do ta vuloste Rexho Mulliqi. Me të, Nexhi, siç e thërrasin kryesisht koleget më të reja të profesionit, do të interpretonte për herë të parë ariet operistike të Betovenit, Verdit e Puçinit të përkthyera në shqip, në një koncert të rrallë të këtij lloji në Kosovë, dhe i cili për fat të keq nuk u regjistrua në shirit. Me të do ta realizonte poemën që e ka aq për zemër, “Për ata”, dhe më pas do t’i interpretonte edhe këngët e vjetra popullore, të cilat Rexho Mulliqi i kishte aranzhuar për orkestër simfonike e kor. Ende, dhe po e besoj përjetë, do të tingëllojnë madhërisht dhe do të të shkaktojnë rrëqethje kombinimi i harkorëve klasikë me çiftelinë, përcjellë nga tingulli delikat i oboas, prezentë në të gjitha përpunimet dhe kompozimet e kompozitorit gjenial që u shua shumë herët.
Në vitet ‘60 të shekullit të kaluar, Nexhmije Pagarusha do t’i futej teatrit dhe filmit dhe do të dëshmonte se edhe aty kishte talent të lindur. Porse këtë drejtim të artit do ta linte pas, meqë tashmë fama e saj prej këngëtareje kishte nisur t’i kalonte kufijtë e shtetit.
Më 1968 u shkrua nergut për të kënga e cila do ta identifikojë përgjithmonë. “Baresha” u interpretua sërish me përcjellje të orkestrës simfonike dhe në të shkëlqeu deri në pafund zëri i saj prej sopranoje, në veçanti në fund të këngës, të cilin zë më kot përpiqeshim ta imitonim ne fëmijët e lagjes.
* * *
Tetën Nexhmije të rinisë së saj e mbaja mend tashmë me nofkën Bilbili i Kosovës. Sado absurde që ishte t’ia shpjegoje një fëmije se njeriu mund të ishte figurativisht edhe bilbil, këtë nuk do ta kuptoja derisa do ta dëgjoja më 1970 tek e këndonte njërën nga këngët më të bukura zbavitëse në Akordet e Kosovës. Kompozuar nga Severin Kajtazi, me tekst të Jusuf Gërvallës, do ta interpretonte “Kaptinën e fundit të romanit”, me të cilën edhe e fitoi festivalin. Por nuk ishte kënga e bukur ajo që më la mbresë. Ishte amplituda e zërit të saj dhe kalimi kaq i lehtë nga alti në soprano pa fije mundi. Një virtyt që gjendet rrallë. Një cilësi që nuk e ka gjithkush.
Në kohën kur familjet kosovare u bënë me vetura, do ta shihja tetën Nexhmije duke e ngarë Fiat 1300-in pa fije problemi, teksa përherë do të dilte nga banesa e veshur shik, sipas modës së kohës, me këpucë me taka, ani që trotuaret nuk na i kishin shtruar me asfalt deri pas 1974-s. Vetë paraqitja e saj impononte një lloj adhurimi dhe respekti. Dashurinë e ngjallte afërsia e saj dhe përshëndetja që na e bënte, pavarësisht se ne ishim carrokët e mëhallës, shumë më të rinj se ajo.
***
Nexhmije Pagarushën do ta mbaj në mend edhe si artisten e cila ka gëzuar një respekt të jashtëzakonshëm nga kolegët e ansamblit “Shota”, soliste e të cilit kishte qenë me vite. Një koncert, derisa mami kishte qenë drejtoreshë e “Shotës”, ishte mbajtur në Dibër, mbase diku nga viti 1975. Të gjithë e dinin se prezenca e saj do të ishte njëri nga çelësat e suksesit. Dhe teksa i këndonte këngët e parapara në program, me një çast do ta ftonte talentin e ri, Bashkim Paçuku, që t’i bashkohej këngës. Me zemërgjerësi u shndërrua në ndrikullën e tij, duke ia hapur kështu shtegun e suksesit.
Teta Nexhmije,
Jeni bërë me shumë epitete e tituj gjatë jetës suaj dhe karrierës pothuajse 40-vjeçare. Herët u tërhoqët nga muzika dhe na latë pa i shijuar zërin dhe interpretimin tuaj të veçantë.
Ju quajtën Bilbili i Kosovës, Mbretëreshë e këngës shqipe; primadonë e melosit popullor; fyti i kristaltë; Ima Sumak shqiptare.
Por një njeri që rrezaton mirësi e ngrohtësi, me shpirt kaq të pasur dhe me ndjenjë të theksuar të dashurisë ndaj të tjerëve, që moti mban titullin e Këngëtares më të madhe kosovare. Dhe nuk kam dyshim se dikur, vendet e tjera do t’i identifikojnë këngëtaret e tyre si Nexhmije Pagarusha e filan kombi.
Ne jemi me shumë fat që ju kemi. Ju faleminderit për të gjithë veprën që na e keni lënë pas! Është art që nuk vdes kurrë.
© KOHA Ditore
Shkëputur nga fjalimi i lexuar në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve vjetore për gazetari dhe letërsi “Rexhai Surroi”, ku Nexhmije Pagarusha u nderua me shpërblimin për vepër jetësore
Folegjenda: Nexhmije Pagarusha duke pranuar shpërblimin “Rexhai Surroi” për vepër jetësore
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...