13 Dhjetor 2016 - 07:59 - Flaka Surroi
Edhe një javë plot kokëdhembje dhe me tema që përherë do të na mbajnë të zënë duke na e shterur krejt energjinë, ani që të gjitha këto probleme kanë qenë të evitueshme po të ishin menaxhuar si duhet. Pasi na i krisën nja pesë shuplaka me raportin për arsimin, na erdhi lajmi se Ministria e Shëndetësisë, megadështimi kronik i këtij vendi, është në gjendje t’i shpenzojë madje 2 milionë euro për të blerë dorëza për një përdorim, në vend se t’i shpenzojë 80 mijë euro. Për kapak, nisëm të kuptonim se po jetojmë në një ambient të tejndotur, për të cilin ministria përkatëse nuk çan kokën, sepse prioritet e ka ngritjen e një muri dymetërsh në veri të Mitrovicës, i cili thuajse është mbjellë e askush s’e kishte parë tek rritej...
Tronditje për vajtim
Prej kohësh kemi folur e përsëritur se si na është degraduar sistemi i arsimit me hiperinflacionin e shkollave private, e në veçanti të atyre të nivelit sipëror. Porse askush, pos ndonjë zëri të vetmuar, si ai i një ndër ekspertët e rrallë të mirëfilltë që i kemi në fushën e arsimit, Dukagjin Pupovci, nuk ishte dëgjuar tek fliste me autoritet për analfabetizmin real dhe atë funksional prej të cilëve lëngon shoqëria kosovare.
Vërejtja e thënë sa e sa herë se nuk mund të pretendohet të kihet cilësi në arsim përderisa një njeri i mban 17 lëndë, apo kur të njëjtët profesorë ligjërojnë në pesë institucione të shkollimit të lartë njëkohësisht, me këmbëngulje hidhej poshtë nga zyrtarët shtetërorë. Kritikuesit ishin ata që akuzoheshin se po ua kanë inat arritjeve të kësaj nomenklature politike dhe se në fakt nuk po e kuptonin se mbushja e Kosovës me turli institucioni arsimor në fakt i sillte këtij vendi përparim.
Dhe doli PISA e ua rrëzoi teoritë atyre që me vetëdije të plotë dhe për interesa shumë të qarta politike e kanë sjellë punën që Kosova të rangohet e treta prej fundit për nga cilësia në arsim, e të kuptojmë se fëmijët tanë nuk dinë as lexim, as matematikë e as shkencë. E si të dinë, kur ata e fitojnë nxënien nga mësimdhënës (pa i përfshirë këtu të gjithë) që i prodhojnë profesorët që gradat e tyre shkencore i fitojnë me favore e me botime punimesh që nuk kanë lidhje me profesionin e tyre në revista fiktive. Apo më mirë thënë në revista mashtruese.
Është për të vajtuar kur e kupton se 17 vjet pas luftës, këta breza kanë më pak nxënie se të gjithë ata fëmijë që ishin përfshirë në sistemin paralel të shkollimit gjatë periudhës së aparteidit në Kosovë. Është për të vajtuar kur e kupton se pjesa më e madhe e parave të destinuara për arsimin kanë shkuar për rrogat që janë rritur si rezultat i premtimeve zgjedhore për vota; kanë shkuar në blerjen e librave shkollorë, që me ligj duhet t’iu jepen falas nxënësve, por prej të cilëve jo pak janë me përmbajtje skandaloze; dhe kanë shkuar për ndërtimin e shkollave me çmime stratosferike, e të cilave u mungojnë mjetet elementare për funksionim si duhet. Ah, edhe të mos harroj, shumë miliona janë shpenzuar për objektin e Ministrisë së Arsimit, që tash është shndërruar në monumentin e turpit të Kosovës.
Është e pabesueshme se si këta “ekspertë” politikë, që i akomoduan krejt pulenët e tyre partiakë nëpër poste e pozita dhe të cilëve ua mundësuan fitimin e gradave akademike (ani që nuk janë në gjendje ta thonë një fjali të vetme vetë dhe pa gabime, se për shkrim të mos flasim) e krijuan këtë qark vicioz nga i cili do të na duhen me vite të dalim. Është e pabesueshme se si kur del një raport i këtij lloji, reagimi i vetëm të jetë i ministrit: “është rezultat i pritur”. Po nëse qenka i pritur, çka kërkon pra në atë pozitë? Po të ishte ndier i turpëruar do të jepte dorëheqjen menjëherë. Po ky ministër ndien po aq turp sa ish-shefi i vet nominal që e ka vendosur në atë post, i cili nga pozita e demagogut heq përgjegjësinë nga vetja, edhe pse për gati dhjetë vjet njerëzit e tij e kanë udhëhequr këtë dikaster.
Se sa e kanë parë këtë punë më parë si biznes sesa si shtyllë të zhvillimit të shtetit e dëshmon hapja e panumërt e universiteteve që s’janë universitete, dhe një tender i moçëm nga 2009-a për pajisjen e shkollave me kompjuterë, kur Ministria desh ia fali nja 25 milionë euro një firme të afërt me pushtetin. Fatmirësisht, mashtrimi u ndal. Fatkeqësisht, më kush nuk u nis me i pajis shkollat me kompjuterë – së paku jo kaq në masë.
Peticioni pothuajse kaloi
E kur jemi te masa, megjithatë nënshkrimet e mbi 24 mijë vetave u shqyrtuan në mbledhjen e Komisionit përkatës të Parlamentit. Peticioni për seancë parlamentare për ta shqyrtuar rastin e Astrit Deharit me gjasë doli i suksesshëm, sado që kishte të tillë që e kontestonin vërtetësinë e nënshkrimeve (sipas stilit të Thaçit – sepse ata si i shohin nënshkrimet e dinë se a janë nënshkrimet autentike apo jo), dhe duket se mbledhja do të mbahet më datën 13 dhjetor. Po, si do t’ia bëjnë ata deputetë që kishin pasur të planifikuar një udhëtim studimor në Suedi hiç s’po e di – dhe bash po më dhimbsen, se nëse nuk shkojnë do të mbesin pa mëditje. Se jo që do të mësojnë ndonjë gjë. Ta kujtojmë, ne jemi Kosova e PISA-s, e treta më e keqja nga 70 shtete të testuara.
E se ka motiv shtesë që rasti i Astritit të shqyrtohet e dëshmon edhe informata e dalë dje në KTV, sipas së cilës Shërbimi Korrektues i Kosovës ka mbi një vit që udhëhiqet në mënyrë joligjore – mandati i kryesuesit është zgjatur pa bazë ligjore, që atë në fakt e bën ilegal dhe uzurpator të postit. A nuk do të ishte kjo vepër penale e tija, që do të duhej të ngërthente përgjegjësinë “komanduese” të nënkryetarit të Qeverisë Kuçi dhe ministres Hoxha? Në një shtet normal ashtu do të ishte. Në Kosovë kjo është se si vepron ligji. Sa më shumë që ta shkelësh, aq më ligjor je.
Se çka do të dalë nga debati, një Zot e di. Me siguri do të ketë akuza dhe të shara – kjo do të ishte e pritshme. Por aq e pritshme do të ishte që kokat esëll të profesionistëve juridikë të dilnin me propozim konkret se si të sigurohet që rasti Dehari të përfundojë me një hetim të pavarur që do t’i hiqte dilemat. Ajo që dihet është se sa më shumë që të zvarritet kjo punë, aq më të mëdha do të jenë gjasat për zhdukjen e provave.
Muskulatura e ligjit
E Qeverisë së Kosovës iu desh një fotografi e publikuar në “Interaktiv” dhe zhurma e madhe e gazetarëve që raportonin nga terreni si provë se në Mitrovicë po ngrihej një mur në pjesën veriore të qytetit. Ndaj deklaratës nënçmuese të kryetarit të Mitrovicës së Veriut se “muri po ndërtohej për të siguruar izolim zëri”, reagoi kryeministri Mustafa, duke thënë se nuk do t’i përdorte muskujt për ta zgjidhur çështjen, porse do ta zbatonte ligjin. Sa për muskuj tashmë e kemi parë se ata nuk i ka, kur kishte zgjedhur të shkonte në veri javën e shkuar “nëpër rrugët e Kosovës”, prandaj kjo pjesë e deklaratës është shumë legjitime. E sa i përket ligjit, nuk e di cilin ligj do ta zbatojë, kur as Ministria e tij e Mjedisit, as “Fjolla” Tahiri e askush nga rrethi i tij i ngushtë nuk e dinë madje nëse ky mur ka qenë i përfshirë në njërën prej marrëveshjeve shoshë të Brukselit.
Dje doli Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit dhe i ndërpreu punët, vetëm sa për të parë sesi muri po shkurtohej për 60 centimetra, pasi u mor përgjigjja nga Kocijançiç në Bruksel se ky mur në fakt nuk është mur, por bëhet fjalë për shkallë, veç që ne ende nuk i kemi parë. Shumë përgjigje kreative, s’ka fjalë.
E s’po kam tjetër çka me thënë veç që mirë po na e bëjnë, kur lejojmë që në Bruksel të na përfaqësojë Tahiri dhe kur kemi lejuar që pushtetarët tanë të qesin nënshkrime në marrëveshje katastrofale për Kosovën, duke lëshuar pe në secilën gjë që Serbia ua qet në tavolinë.
Ashtu siç ia kemi lejuar vetes me na rrejt shtatë vjet të plota për punë të liberalizimit të vizave, e që deri tash të mos kemi kuptuar se demarkacionin e kishim pranuar vetë si kusht. Në këtë kontekst, kush na ka faj neve që nuk jemi në gjendje që as një marrëveshje demarkacioni ta kryejmë pa telashe – sepse e kemi një pushtet arrogant që nuk pranon se mund të gabojë dhe se ka harruar se punët ekzistenciale të këtij vendi nuk janë punë qejfi personal, por punë e të gjithëve që duhet të pyeten së paku për mendim.
Por t’i kthehemi Ministrisë së Mjedisit. Para disa ditësh në FB e shtrova një pyetje publike: A e di kush si e ka emrin ministri i Mjedisit? Përgjigjet që i mora ishin të larmishme dhe jo fort përkrahëse për këtë njeri, ama vetëm një nga komentuesit e dinte emrin. E pse nuk dihet emri i këtij ministri? Për shkak se kurrë nuk e kemi dëgjuar tek flet për ndonjë problem mjedisor. Me gjasë, për shkak se nuk di – sepse fundja ai është vetëm një eksponent partiak i cili është akomoduar në post ministror.
Pyetja u shtrua pasi prej ditësh kemi nisur ta publikojmë matjen e nivelit të ndotjes së qytetit në KOHA.net, që për çdo ditë punë arrin nivele alarmante, me tendencë rënieje gjatë ditëve të fundjavës. Që tregon për një indikator shumë të rëndësishëm: se ndotjen në qytet e shkaktojnë edhe kush e di sa mijëra vetura që qarkullojnë nëpër të. Me sa di, e mund ta kem gabim, Kosova ka rreth 400 mijë vetura. Nëse supozojmë se në Prishtinë gjatë ditëve të javës qarkullojmë bile nja 150 mijë vetura, pyetja vijuese është: sa prej tyre i plotësojnë standardet dhe nuk prodhojnë ndotje kaq të madhe? Unë nuk e di më shumë sesa që po shoh: nëse në ditët e javës ndotja është 150-195 mikrogramë për metër kub, për fundjavë ajo është ndërmjet 35 e 85 mmk.
Po Ministria çka bën? “E ka shtuar gatishmërinë për marrjen e masave”, thonë zyrtarët e saj. Që me fjalë të tjera do të thotë se po rrinë dhe po këqyrin seri. Në fakt, po e zbatojnë ligjin.
* * *
Pikërisht zbatimi i këtillë i ligjeve po bën që pothuajse një muaj të dëgjojmë nga ambasadorët e akredituar në Kosovë se korrupsioni është e keqja më e madhe që e ka kapluar këtë vend. Dhe pikërisht korrupsioni dhe krimi i organizuar do të na e pamundësojnë liberalizimin edhe vitin që vjen.
Me kot janë organizimet e javëve kundër korrupsionit; me kot janë konferencat; me kot janë strategjitë për të cilat janë shpenzuar miliona dhe shumë për kot janë këshillat kombëtarë për luftimin e korrupsionit, kur ata udhëhiqen nga njeriu gjatë pushtetit të të cilit Kosova është bërë super e korruptuar dhe e udhëhequr nga krimi i organizuar. Nëse e kanë përnjëmend luftimin, atëherë këtu vërtet duhen muskujt.
Po ç’ti bëjmë kur analfabetë jemi e muskuj s’kemi as për t’i zbatuar ligjet që i miratojmë vetë. Thuajse ligjet i miratojmë për shkak se ashtu na thonë miqtë ndërkombëtarë, e jo pse na nevojiten për të futur rend në këtë kaos.
Por kur ta mendosh hollë e hollë, si mund të zbatosh ligj nëse nuk di ta lexosh, kur ai të duket tekst shkencor i avancuar dhe kur matematikën e vetme që e kupton është ajo e tenderëve...
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...