25 Gusht 2015 - 08:22 - Flaka Surroi
Nja dhjetë ditë pasi që kishte ndodhur masakra në Prekaz, dhe pas heqjes së ndalesës që na e kishin imponuar nga UNICEF-i për të dalë në terren, takimi i parë me popullatën e zhvendosur na ndodhi në Dubovc të Vushtrrisë. Një fshat relativisht i vogël, vetë kryesisht në skamje, kishte strehuar njerëz dyfish më shumë seç kishte popullatë.
Në njërën nga shtëpitë më të mëdha të fshatit ishin vendosur 64 veta, vetëm gra e fëmijë. Edhe pse dielli vezullonte e qielli ishte i pastër, megjithatë ende ishte mesi i marsit, dhe dinte të mërdhinte sa herë hyhej në hije. Shtëpitë e vjetruara dominoheshin nga odat, që tash në vend të burrave, meseleve dhe duhanit, ishin mbushur përplot dyshekë sfungjeri, aty-këtu ndonjë djep i huazuar dhe një rend plakash e të rejash që i kalonin ditët duke iu falënderuar Zotit që kishin shpëtuar gjallë, por me sytë e kthyer nga jugu, nga rruga që do t’i çonte prapa në shtëpi.
Në Prekazin prej nga kishin dalë gati të pashpirt. U kishin mbijetuar tri ditëve gjuajtjeje e bombardimesh artilerie qoftë nëpër bodrume, qoftë nëpër shkurre, derisa nuk i kishin gjetur vetes udhërrëfyesin për në shpëtim.
E kena ditë që ka me krisë. Boll jena pas bo gati, bile fëmija me na pshtue. Krejt e kena ditë që duhet me ndejt nëpër podruma, nëse vinë policia. Se vinë edhe ushtria, nuk na e ka marrë mendja, e nuk e kena besue që kishin me jau mëshu shpijave qashtu, pa dhimtë. Tek kur i kena pa llamarinat tek i nxunën hymjet dhe daljet n‘katun, e pamë që kishin ardhë me na vra. Do llamarina të verdha u nalën përballë shpijave të Jasharëve, ato t’mavitat rrishin skajeve, të gatshme me gjue sit t’jau bojshin shenjë.
Dhe s’vonun shumë dhe nisën krismat, prej gjithkahi..., kush me automatika e pishtola, e kush me bume..., n’ato llamarinat u dhezën dhe ia nisën me kris direkt e napër shpija. Ma s’pari në kat t’tretë; e manej n’dytin; e manej mureve t‘jashtit që me mbrri te përdhesja. E kishin bo njet mos me lon ko t’gjallë, ja m’i shti krejt naper podruma e m’i nxon për s’gjalli.
Na ishim kon ma me nafakë. Burrat na çuen napër podruma. Na than që si t’bohet puna me ikë prej katuni, m’u largu n’drejtim ja t’Vërmicës, ja t’Galicës, se po get anej s’kish pas milici. S’e dimë as vet sa kena nejt qashtu, me ton k’ta fmijë. Këta kajshin p’i tute, e p’i uni. Na kishim marrë sene me vete, do tamël, e do ujë, po shumë gjin ishim, e duke ham m’i majt veten, ham m’i shukat fmijën që mos me na hi edhe neve me bume.
Po munesh me paramenu qysh o me kon me nejt n’terr, e mos me pasë as ujë për m’i la fmijën me pelena t’mushta, e mos me ditë edhe sa kohë duhet me nejt qaty, e me pshtue. E mos me ditë bile a ki me pshtue.
Na pshtuem qashtu që kur jon pas nal krismat, se u bo e madhe ton ajo luftë, jena pas dalë napër shkurre. Po get milicia e kish bo njet me na lonë me dalë. E na hala se dishim se ç’a kish ndodh te Jasharët. Na merrke mendja që jon vra gjin, ama që e vrajnë krejt fisin e kena marrë vesh kur jena ardh qetu. U tubuem në dalje të fshatit po s’dishim kah me ia majt. Tybe, kur jena shku n’kojshi ja jena shku me kerre, ja me traktora, e knej rrugë s’kish.
Po nafaka që na qëlloi kjo halla, e qashtu pak napër dritë e pak napër terr, na pruni beli deri n’Dubovc. E shyqyr mbërrimë, se mo s’kishim ç’a ju bojna fëmijëve. Falimnerës prej ktyne që na dhanë shtrojë e mblojë e ushqim. Asnji dakik s’na lon m’u mërzit. Ishalla Zoti jau bon kabull.
Kështu ma kishte rrëfyer një grua në të tridhjetat e vonshme; kishte qenë pak e plotë, kishte të veshur një xhaketë dimri burrash dhe i kishte flokët e kuqe kaçurrela. Të palyera, natyrale. Përderisa fliste, dhoma përplot nuse të reja, që kishin bile nga një fëmijë ngrykë, dëgjonte me vëmendje dhe gjithë kohën, si të ishin kor i orkestruar, pohonin me kokë pas secilit përshkrim.
Në çastin kur u përmend halla, të gjithave, në të njëjtën kohë, u shkoi buza në gaz. Ishte detaj që nxiste kureshtje, prandaj edhe në fund iu ktheva hallës me pyetjen se si kishte ditur ajo ta gjente rrugën. Buzëqeshi dhe i zbuloi nja tre-katër dhëmbë të mbetur në pjesën e përparme të gojës:
Eeee, moj bij, edhe unë jam kon e re dikur. Na s’jena dalë napër kafe...
E gjithë dhoma shpërtheu në gaz, dhe unë as që u përpoqa ta ndal qeshjen. Lëre anash që kishte shumë sens për humor, dhe e kënaqte audiencën e improvizuar nga zori me rrëfimet e jetës, ajo në fakt kishte qenë heroina e vërtetë e këtij rrëfimi: ia kishte dalë, që në moshë të shtyrë, ishte diku nga të shtatëdhjetat, t’i shpëtonte jo vetëm ato me të cilat ndante konak, por edhe nja dy a treqind të tjerë që kishin qenë me fat që ajo dikur kishte qenë e re.
* * *
Dubovcit do t’i kthehesha edhe njëherë nga fundi i prillit, mbase fillimi i majit, për të parë nëse popullata tashmë ishte kthyer në vendin ku ishin vrarë 54 anëtarë të një familjeje e fisi. Me shtëpitë e shkatërruara, disa syresh nuk kishin ku të ktheheshin. Ndër to edhe flokëkuqja kaçurrele, së bashku me tre apo katër fëmijët, që tash ishte vendosur në një shtëpi tjetër, tepër të ftohtë, edhe në pranverë. Pas kësaj do të kaloja edhe nja tri apo katër herë, si rutë për ta shmangur postbllokun e policisë, porse nuk do të mund ta takoja më, për shkak se kishim “orë policore” dhe duhej të ktheheshim në Prishtinë para territ.
* * *
Në fund të tetorit të po atij viti, pata kënaqësinë që ta përcillja në terren ambasadoren e vullnetit të mirë të UNICEF-it, miken tonë të madhe, Vanessa Redgrave. Ajo kishte ardhur me vetiniciativë, dhe në kundërshtim me sugjerimin gati të imponuar nga zyra e UNICEF-it në Beograd, për të parë luftën në Kosovë. Atëherë ishte kohë armëpushimi, falë marrëveshjes Millosheviq-Holbrooke, prandaj edhe lëvizja nëpër terren ishte më e lehtë.
Vendosa ta çoja nëpër fshatrat e Malishevës dhe të Rahovecit. Natyrshëm për ekipin tonë, rruga duhej të kalonte nëpër Pagarushë. Aty, vetëm një muaj më parë, kishte pasur mbi 40 mijë veta, të ikur nga fshatrat përreth që po shkatërroheshin e digjeshin pa mëshirë. Kampi i shumë çadrave nga najloni ishte shtrirë bri përroit që e çan fshatin në gjysmë dhe ndjenja e solidaritetit ishte e jashtëzakonshme. Askush s’pyeste prej nga je. Të gjithë pyesnin: A je mirë, a mos ke nevojë gjë?
Kur mbërritëm aty me Vanessën, i gjetëm nja gjashtë a shtatë çadra të improvizuara, në fushë, gati në kufi me Dobërdolanin e Suharekës. U afruam për t’i takuar dhe për t’i pyetur se përse ende rrinin aty, kur shumica e njerëzve tashmë kishin dalë nga Pagarusha. Gruaja e rrethuar me ca fëmijë po i bënte “punët e shtëpisë”, e kërrusur dhe me shpinë të kthyer nga ne.
Kur i fola, u drejtua dhe u kthye nga ne. Buzëqeshja na i kaploi fytyrën e saj dhe timen. Ishte flokëkuqja kaçurrele. Ende me një xhaketë burrash, por shumë më e dobët seç e mbaja mend.
Unë ty po t’njoh. Ti ki pas ardh n’Dubovc me na pa si ka pas krisë lufta. Shyqyr koke gjallë.
Nuk patëm kohë që të më rrëfente se si u bë që nga Prekazi të mbaronte në Pagarushë me fëmijët e vet. Se deri aty është dashur të kaloheshin një copë tokë shumë e madhe dhe shumë-shumë postblloqe policore. Fakti se ende ishte në Pagarushë tregonte se nuk kishte ku të kthehej. Por me rëndësi qe se ishte gjallë, së basku me fëmijët. E edhe se burri i saj ushtar, ishte në front, ani që në armëpushim. Me rëndësi që edhe ai ishte gjallë.
* * *
Tash, pas 17 vjetësh, nuk e di se çfarë ka ndodhur me flokëkuqen e as me familjen e saj. Uroj të jenë shëndosh e gjallë, e që ngadalë t’i kenë mbyllur plagët që ua shkaktoi lufta. Në luftë do ta kenë kaluar një vit duke u endur si nomadë nga njëra anë në tjetrën, për shkak se u mohohej me dhunë e drejta për të jetuar të qetë në shtëpinë e vet me familje.
Dhe, jo rastësisht, m’u kujtua rrëfimi i flokëkuqes, kur e pashë dje pamjen më të shëmtuar të javës që erdhi nga shteti fqinj, Maqedonia. Për mua ishin shumë të bezdisshme pamjet e policisë së armatosur deri në dhëmbë dhe të pajisur me autoblinda, jelekë antiplumb, dhe me gaz lotsjellës që u suleshin me mijëra njerëzve që përpiqeshin të kalonin nga Greqia në Maqedoni, për t’u nisur rrugës për në Perëndim.
M’u kujtua me shpejtësi të dritës se si ishin sjellë autoritetet maqedonase edhe ndaj të dëbuarve nga Kosova – i shikonin thuajse ishin diçka infektuese që duhej spërkatur për t’i shfarosur. Atëherë patën luajtur në kartën e mungesës së kapaciteteve për t’u marrë me gjithë ata njerëz, sepse thoshin, jemi shtet i varfër dhe me pak kaçik. Në emër të shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë i erdhën milionat nga jashtë. Shumë miliona, prej të cilëve më së paku hairin ua panë vetë shqiptarët.
Nuk e kam as dyshimin më të vogël se janë duke luajtur në kartën e njëjtë edhe tash. Duan të sigurohen se bashkësia ndërkombëtare do t’u japë para për të krijuar kampe transitore dhe që brenda pak muajsh t’i “heqin qafesh” këta që po ua prishin strukturën...
...e njerëzit që i bëjnë autoritetet aty nuk e kanë as idenë se çfarë do të thotë të jesh i dëbuar, i pashtëpi, i pashpresë dhe i padëshiruar në tokë të huaj. Se askush me mend në kokë nuk çohet ta lërë shtëpinë e vet pa pasur zor të madh e nevojë mbijetese.
E për t’i kuptuar të ikurit, nuk do të thotë se duhet ta jetosh atë përvojë. Duhet të kesh pak njerëzi.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...