Të paide, të pashpresë

28 Tetor 2014 - 08:48 - Flaka Surroi      

... rrëfimi për impasin, UEFA-n alias Nasradin Hoxha, dhe një opozitë që ka nisur t’ia hajë vetes veshët

Sado shterpe që mund të jetë treguar java, kjo, megjithatë, ia doli t’i regjistrojë dy subjekte që u veçuan për nga veprimet e tyre skandaloze: kryetarja Jahjaga dhe, natyrisht, UEFA.

Arsyeja se përse, megjithatë, Jahjaga zë vendin e parë në rangimin e turpeve të javës është për shkak se me veprimet, përkatësisht me mosveprimet e saja karshi kërkesave të minoriteteve dhe të Bllokut, e sjell krizën në qorrsokakun e projektuar nga PDK-ja, ku rolin fillestar, e tash edhe gati kryesor, e ka pasur dhe e ka vetë Jahjaga.

Nga ana tjetër UEFA, me vendimin puro politik në lidhje me ndeshjen Serbi-Shqipëri, që nga dje mund të quhet Nasradin Hoxha – sepse na e dëshmoi në vepër maksimën e tij: “Mos bëj si bëj unë, por çfarë të them unë”.

Me fjalë të tjera, UEFA i thotë “jo racizmit”, por vepron në favor të tij. Për më tepër, me vendimin e vet për dënimin e Shqipërisë (lexo Kosovës), më parë sesa dënimin e Serbisë, e legjitimoi fashizmin si taktikë që shpërblehet.

Në ligën e dytë të skandaleve këtë javë na doli Blloku – që me fjalët e veta, më parë sesa me veprimet, po e dëshmon se PDK-ja është duke e thyer, dhe se është duke ia fituar lojën. Për shkak se krerët e Bllokut kanë dëshmuar se pos ambicieve për të pasur poste, nuk kanë absolutisht as idenë më të vogël se si të ecin përpara dhe si ta shterin të drejtën e propozimit që e ka PDK-ja për kryetar Kuvendi.

E lëre që nuk e kanë idenë, porse duket se janë edhe duke i humbur shpresat. E me këtë, janë duke ua humbur shpresat edhe atyre që besonin në ndryshime të skenës politike, ku PDK-ja do të mbetej në opozitë.

Kush na ka faj?

Kosova është e këtillë çfarë është, për shkak se e ka një popull që hesht atëherë kur nuk duhet. Të paktë kanë qenë ata që në kohën kur u arrit marrëveshja për zgjedhjen e saj kryetare të Kosovës e kishin quajtur atë marrëveshje kundërkushtetuese.

Shumica ishte çuar në përkrahje të zgjidhjes së atij ngërçi të kotë politik, për shkak se ashtu e kishin ideuar miqtë tanë ndërkombëtarë. Dhe “duhej dëgjuar Amerikën”. Edhe nëse ky dëgjim do të na kushtonte me zgjedhjen e një personi inkompetent për ta kryer detyrën e shefit të shtetit.

Pasojat e një marrëveshjeje kaq absurde po na reflektohen në krizën më të thellë politike që e ka përjetuar Kosova, për shkak se me apo pa vetëdije, dhe gjithsesi me propozimin e miqve tanë ndërkombëtarë, Jahjaga e nisi një proces në Gjykatën Kushtetuese, duke shtruar një sërë pyetjesh të cilave është dashur t’iu përgjigjej vetë, e me të cilin nisi ortekun që ka sjellë bllokimin total të shtetit.

Refuzimi i saj që ta përcjellë kërkesën e deputetëve minoritarë e më pas edhe të përfaqësuesve të Bllokut, minus Vetëvendosja, në Gjykatën Kushtetuese, për të marrë sqarimin në pikën 127 të aktgjykimit të GJK-së, shkon përtej skandalit. Tregon për mosgatishmërinë e plotë për t’u përpjekur që t’i gjendet një zgjidhje situatës së cilës i ka kontribuuar shumë (bile tepër) dhe insiston në fuqinë e saj prej “lehtësueseje” të bisedave ndërmjet partive politike.

Për shkak se e di se nuk guxon ta bëjë asnjë hap krye më vete, pa lejen e shefit të Qeverisë dhe të Partisë, i cili duket se po ia del që ta bindë se e ka përkrahjen e miqve ndërkombëtarë. Për shkak se ky ka qenë shumë i mirë në dhënien e koncesioneve në negociatat me Serbinë.

Përpjekja nëpërmjet termeve si “impasi i krijuar” (demek ngërçi) tregon vetëm se dikush është duke ia përgatitur përgjigjet me shkrim, asisoj që ta zvarritë këtë punë për aq sa do t’i nevojitet Thaçit që ta bëjë edhe më lëmsh Bllokun, i cili është në zgrip të ngërçit vetjak.

E ne? Ne nuk kemi merituar më mirë. Kemi lejuar që të paaftët të na udhëheqin. Kemi lejuar që të na imponohen marioneta si zgjidhje. Kemi heshtur atëherë kur është dashur t’i tregonim dhëmbët. Po të kishim qenë kaq të zëshëm me vjedhjet e votave dhe zgjedhjen e akorduar të zyrtarëve që e përfaqësojnë veten më parë se popullin, siç bëmë pas dronit, e posaçërisht pas vendimit skandaloz të UEFA-s, sa më ndryshe do t’i kishim punët.

Katastrofa kushtetuese

Gjykata Kushtetuese e Kosovës me vite është dalluar për nga miratimi i vendimeve politike që nuk kanë lidhje me ndonjë bazë juridike. Për pasojë, na i kanë shkarkuar dy kryetarë; ia kanë zgjatur vetes mandatet me shkresa manipuluese; janë shndërruar në gjykatë të shkallës së katërt, ua kanë zgjatur lirinë personave të cilëve u është vërtetuar fajësia në gjyq; e kanë bllokuar një Kuvend të tërë.

Te kjo e fundit, sa më shumë po kalon koha, aq më tepër po bindem se pos që e kanë bërë për interesa të ngushta politike të PDK-së, e kanë bërë edhe për vete: për shkak se Kuvendi ashtu si i emëron, ashtu edhe i shkarkon.

Pra, duke ditur se tre gjyqtarë janë aty në kundërshtim me Kushtetutën dhe duke e ditur se kryetari i GJK-së vazhdon të japë deklarata politike edhe pse e ka të ndaluar me ligj – sa më shumë të zgjasë mosfunksionalizimi i Kuvendit, aq më rahat do të jenë ata. Dhe aq më shumë kohë do të kenë për t’ia rehatuar vetes karrierën e ardhshme pasgjyqësore.

E se sa është politike Gjykata Kushtetuese e dëshmon situata rreth formimit të Qeverisë dhe rreth zgjedhjes së kryeparlamentarit. Përderisa te rasti i parë mundësinë ia ka dhënë partisë që ka më shumë vota të fituara (ani që nuk e ka shumicën parlamentare).

Porse, ka paraparë se nëse kjo parti dështon t’i mbledhë votat, atëherë ia lë në diskrecion kryetares që këtë mundësi t’ia ofrojë dikujt që mund t’i ketë votat. Te rasti i dytë nuk ia njeh diskrecionin shumicës së deputetëve që ta propozojnë kandidatin e vet, kur partia së cilës ia ka falur të drejtën e propozimit nuk ia del ta votojë njeriun e vet.

E pse e ka bërë këtë? Sepse ka mundur; sepse ka ditur se kështu e favorizon PDK-në; sepse kështu i ka dhënë mundësi kësaj partie t’i shantazhojë të tjerët.

E ka bërë, për shkak se Kushtetuesja çuditërisht vepron në kundërshtim me logjikën juridike dhe jep “zgjidhje” të përkohshme, që e “zgjidhin” një problem momental, porse e krijojnë një edhe më të madh në të ardhmen, kur vendimi shndërrohet në dispozitë obliguese. Pra, bën edhe kështu, e bën edhe ashtu. Varësisht nga nevoja.

Duket se UEFA është inspiruar nga GJKK-ja kur kishte vendosur ta regjistronte ndeshjen në favor të Serbisë 3:0, e që më pas Serbisë t’ia marrë pikët, e ta detyrojë t’i luajë vetëm dy lojërat e ardhshme pa publik. Për dënimin në para për të dyja federatat as që po flas – sepse ai është relevant vetëm sa për të vërtetuar se xhelati dhe viktima janë njësoj fajtorë. Kështu e thotë Nasradin UEFA Hoxha.

E tmerrshmja e kësaj është se UEFA nuk është marrë fare, apo është marrë fare pak me gjithë atë mllef racist e fashist që kanë shpërfaqur shikuesit në tribuna kundër lojtarëve shqiptarë, prej të cilëve shtatë dihej se janë kosovarë.

Për UEFA-n mbase është dashur të sakatoheshin nja tre a katër lojtarë shqiptarë e që Serbia të dënohej me nja katër ndeshje pa publik; në rast se do të vriteshin nja dy a tre shqiptarë, atëherë mbase dënimi do të rritej në gjashtë ndeshje, përderisa pikët natyrisht se do t’i takonin Serbisë.

Po çka ka lidhje nëse vritet ndonjë shqiptar; çka ka lidhje nëse dikush kërkon që shqiptarëve t’iu pritet fyti; çka ka lidhje nëse edhe i rrahin, edhe i gjuajnë me karrige, edhe i kontrollojnë si mafiozët më të mëdhenj – ani që në çantë bartin vetëm brekë dhe dresa. Ata janë vetëm shqiptarë. “Armiq” të përbetuar të serbëve. Popull i vockël që kurrë nuk diti të imponohej dhe që lojën e paslojës nuk diti ta luante mirë.

Në vend se shqiptarët të alarmonin të gjitha diplomacitë botërore për racizmin aq hapur të ekspozuar në Beograd, e të kërkohej shqyrtimi nëse Evropa do të duhej të pranonte për anëtar një shtet që nuk e lufton fashizmin e vet, por përkundrazi e ushqen, u vetëkënaqëm duke spekuluar se kush ishte ideatori i fluturakes. Në vend se të bëhej zhurmë e madhe për këtë punë, shqiptarët heshtën, duke ua lënë mundësinë serbëve që t’iu qasen gogolëve të tyre të preferuar: rusëve.

Dhe natyrisht, për Evropën, e në këtë rast edhe për UEFA-n, si të përmendet Rusia, duhet qepuar shqiptarëve. Kosovës mundësisht më shumë, se në sytë e tyre nuk jemi as shtet, as send, por vetëm një mjet i mirë për t’ia hapur rrugën Serbisë drejt Evropës.

Sepse qashtu thotë edhe shoqja e ngushtë e HTH, Ashton, e cila duke e lënë postin në të cilin ia doli të na bëjë çirak, na la amanet që ta vazhdojmë dialogun me Serbinë. Sipas kushteve të saj, natyrisht. Për të mirën e Serbisë.

Mjeshtër i përçarjes

Dhe do të jetë, natyrisht në interes të Evropës dhe të Serbisë që, asgjë të mos ndryshojë në skenën politike kosovare dhe që bisedimet të vazhdojnë ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit. Sepse Thaçi është treguar i gatshëm të vazhdojë me negociata pa kushte, pa idenë as më të vogël se ku do të na shpjerë ky proces.

Por ky s’është i vetmi që nuk ka ide. Ata që njësoj s’kanë treguar ndonjë ide janë pjesëtarët e Bllokut, të cilët janë bërë tepër bajat me mbledhjet që i mbajnë. Nuk e di se çfarë po mbledhin. Nuk e di as çfarë po vendosin.

Porse po e shoh se çdo ditë që po kalon, po e rrit hendekun, ndaç ideologjik ndaç praktik ndërmjet atyre që do të duhej t’i qisnin PDK-në dhe Thaçin në opozitë. Për më tepër, çdo ditë që kalon e gjërat vendnumërojnë, rrit disonancën, posaçërisht në radhët e atyre që llogarisin të bëhen me pushtet nga rendi i dytë, si zgjidhje kompromisi.

Sa më shumë po kalon koha, aq më të mëdha janë dyshimet se PDK-ja ia ka dalë t’i infiltrojë SHIK-at e vet edhe nëpër partitë e Bllokut, që përfundimisht do të kenë detyrë t’ia prishin hesapin Bllokut për zgjedhjen e Haradinajt kryeministër, nëse ia dalin disi të merren vesh që të zgjidhet kryeparlamentari nga radhët e PDK-së.

Dhe sa më shumë të zgjasë zvarritja e zgjedhjes së institucioneve, aq më e madhe është frika se do të rritet hendeku ndërmjet LAN-it dhe VV-së, për shkak se ky është një bashkim jo fort i natyrshëm, sado që ka për qëllim ta luftojë një të keqe të madhe. Çarja që ka nisur me disa deklarata sa pa lidhje aq edhe të nxjerra prej kontekstit (për Ligën e hajnave tu Kosovës) ka gjasë që të përfundojë me copëtim që do të çojë ujë në mullirin e PDK-së. Se, në vazhdofshin kështu, ndokush i Bllokut në fund do t’i bashkohet PDK-së, duke i shkelur “parimet” e do ta formojë një Qeveri të brishtë afatshkurtër.

Ose do të bëhen pikë e pesë e do të detyrohemi të shkojmë në zgjedhje..., duke e ditur se rreziku më i madh do të jetë mosdalja masive në emër të ndëshkimit për paaftësinë e treguar qe sa muaj.

E kur nuk dalim në zgjedhje, dihet kush fiton: ai që i vjedh votat edhe të të vdekurve.

[email protected]
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...