Sillemi në rreth

21 Korrik 2015 - 08:14 - Flaka Surroi      

Përherë na del një temë e kotë apo ndonjë që i jepet konotacion më serioz dhe na bën t’iu shmangemi gjërave përnjëmend jetike, sikurse është mirëqenia jonë. I kemi aq keq punët, sa së shpejti do të na thonë edhe neve se “jemi trokë si Greqia”. Po Greqinë ka kush e nxjerr në sipërfaqe. Po neve kush na nxjerr?

Derisa po ndodhte shënimi i 20-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, në Kosovë po ndodhte një operacion policor që kishte për qëllim ndalimin e një sulmi të pretenduar terrorist, ai i helmimit të Liqenit të Badovcit me një shishe helm që herë u gjet e herë nuk u gjet në çantën e njërit nga të arrestuarit. Ndërkohë, derisa po ndodhte mbështetja për muri e Greqisë për të pranuar masa edhe më radikale të kursimit, Kosovën po e vizitonin një vistër politikanësh me misionin e qartë për t’i bindur kosovarët se Specialja duhet votuar.

E këto udhëtime kanë mundur t’i kursenin, sepse ka mjaftuar që vetëm kryeministri i Jashtëm të ftohej diku, e t’i komunikoheshin pasojat e mosvotimit të kësaj Gjykate, ngase çelësi, që prej fillimit, është në duart e tij. Dhe përderisa kryetarja e shtetit po përjetonte kulmin e karrierës së vet politike, me audiencë te mbretëresha britanike, përcjellë megjithatë nga gafa protokollare e përkuljes, në Podujevë po niste aksioni dyjavor i synetisë masive falë bashkëpunimit të Komunës, Bashkësisë Islame dhe mjekëve turq. Megjithatë, paska edhe më zi se Panagjyri.

Krimineli kthehet në vendin e krimit

S’kam se si të mos e filloj zgafellen e kësaj jave me atë që ndodhi në Srebrenicë të dielën e shkuar. Pa kërkuar falje në emër të popullit të vet, eksponentët e të cilit ishin fajtorët e gjenocidit më të madh në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore, plus duke ditur se vetë tri javë para masakrës kishte thënë tekstualisht: “Po e vratë një serb, ne do t’i vrasim 100 myslimanë”, Vuçiqi shkoi në Srebrenicë dhe u bë hero i Perëndimit.

Familjarët e pakënaqur, së paku kjo ishte bindja, hodhën gjësende mbi të, duke i treguar se nuk e kishte vendin aty. E evakuuan shpejt për në Beograd, ku më pas mbajti një konferencë për shtyp, ku nuk la pa i përmend edhe shqiptarët, dhe më në fund e përfundoi duke thënë se ende e mbante dorën e pajtimit të zgjatur për boshnjakët.

Dhe këtë e thoshte dy ditë pasi që me aleatët e vet rusë ia kishte dalë ta ndalonte miratimin e rezolutës së OKB-së, me të cilën krimi në Srebrenicë më në fund do ta merrte epitetin që e meriton: gjenocid. I pabesueshëm reagimi i perëndimorëve, që iu vunë në mbrojtje, duke u munduar kështu ta mohojnë edhe pjesën e tyre të fajit për atë vrasjen masive të madje 8 mijë e më shumë njerëzve, vetëm pse nuk ishin serbë.

Por, në fund, të mësuar tashmë me të bëmat e establishmentit serb, kush mund të garantojë se sulmin ndaj tij nuk e nisi dikush nga Shërbimi sekret serb. Masën e prekur dhe të ofenduar është lehtë ta ndezësh. Pra, mund të ketë qenë konspiracion.

Helmim a syfyr?

Konspiracion duket edhe ngjarja e arrestimit të pesë personave te Liqeni i Badovcit. Se uji nuk u helmua, zyrtarisht e thanë analizat e Institutit Kombëtar për Shëndetësinë Publike.

Se ishte çudi se pse u gjendën në pikë të natës/mëngjesit pesë veta bash te Liqeni i Badovcit, ani që nuk ishin as të asaj ane bile, edhe kjo qëndron. Se ky arrestim ndodh në kohën kur krejt policia urdhërohet të mbajë jelekë antiplumb dhe pikërisht para vizitës së zyrtares së lartë amerikane Nuland, tregon se mund të ketë diçka të fshehtë në gjithë këtë operacion.

Pa e përjashtuar mundësinë që vërtet të jetë përgatitur një sulm i këtillë ndaj popullatës civile, krejtësisht i pakuptimtë dhe të cilit nuk mund t’i gjendet rezon as dogmatik bile, megjithatë, veprimi i policisë mund të marrë edhe dy kuptime të tjera: një, që me kësi veprimi Kosova tregon gatishmërinë për ta luftuar kërcënimin që vjen nga shteti islamik, dhe dy, se situata politike në Kosovë është aq e komplikuar dhe e pashteg, saqë ka nevojë që vëmendja të shmanget. Dhe s’ka gjë më të fuqishme që mund të bëjë këtë sesa kërcënimi i drejtpërdrejtë i jetës.

Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë me të arrestuarit, ngase tash janë në duart e gjyqësisë. Porse pa dyshim se për këtë punë do të vazhdohet të flitet edhe në javët në vijim, përderisa vazhdohet me vendosjen e kamerave të vëzhgimit nëpër liqene artificiale, dhe përderisa policët do të vazhdojnë të mbajnë jelekët e rëndë, në gjithë këtë të nxehtë që frymën ta zë.

Në dorë të Thaçit

E mbase vizitat e politikanëve të huaj kishin për qëllim t’ua zinin frymën politikanëve të Kosovës për punën e Gjykatës Speciale, që ka gati një vit e fiu që diskutohet si çështje që do zgjidhje. Ardhja e Nulandit, Ischingerit dhe më në fund, pa paralajmërim, e Ramës, kanë pasur për qëllim që t’i bindin partitë politike të koalicionit, dhe eventualisht AAK-në, se amendamenti kushtetues duhet të kalojë, dhe se Specialja duhet të themelohet.

E se Specialja mund të votohet nuk ekziston asnjë pikë dyshimi, ngase votat vendimtare janë në dorën e Thaçit. Në të njëjtën mënyrë siç i kontrollon deputetët e vet për nisma të ndryshme ligjore që i shkojnë për shtat atij, derisa i shantazhon ata të LDK-së (se po qe se nuk i votojnë, koalicioni bie), në të njëjtën formë do t’i bindë “të pabindshmit” që ta kalojnë edhe këtë punë.

Se cilat do të jenë arsyet që e shtyjnë të veprojë kështu, ai i di më së miri. Opsione janë disa. Një, që kërkon që grupit të votuesve pro t’i bashkohet AAK-ja, e që t’i shpëtojë “faqebardhë” disa nga deputetët e tij që “do t’i mbrojnë vlerat e UÇK-së”. Dy, nuk është e sigurt se ka garanci të mjaftueshme se në prill do të votohet për kryetar shteti. Pra, me moskalimin e amendamentit, bie argumenti kryesor i formimit të këtij koalicioni, për pasojë mund të bjerë Qeveria dhe të shkohet në zgjedhje të parakohshme, për shembull nga mesi ose fundi i shtatorit.

Kjo, ngase Kushtetuta e parasheh se në rast të shpërndarjes së Kuvendit, zgjedhjet mbahen më së voni brenda 45 ditësh. Tre, nuk është e sigurt se ka garanci se ai nuk do të jetë subjekt ndjekjeje nga Gjykata Speciale, meqë emri i tij është ai i cili më së shpeshti del në pah në Raportin Marty.

Mbase është duke negociuar që, edhe nëse themelohet Specialja, ai vetë dhe peshqit e mëdhenj të partisë së tij të shpëtojnë dhe në vend të tyre do të merren një duzinë pjesëtarësh të rangjeve më të ulëta të UÇK-së, “për ta vënë drejtësinë në vend”. E kjo, sipas asaj që kemi parë në 16 vjetët e fundit, nuk do të ishte hera e parë që do të ndodhte.

Nulandi do të ketë ardhur edhe për bisedimet me serbët. Tashmë është e qartë se shtetit të pakryer të Kosovës, që nuk ia doli ta shtrinte sovranitetin në veri, duhet t’i gjendet një zgjidhje, me “perspektivën evropiane” si karrem. Thaçi është nënshkrues i Marrëveshjes së famshme të Brukselit, kurse Kuvendi të cilin ai e kontrollonte si atëherë ashtu edhe këtë herë, e votoi atë dokument duke i dhënë të drejtë Serbisë që ta bashkëqeverisë një pjesë të territorit tonë. Prandaj, logjikisht, hapi i ardhshëm do të jetë themelimi i Zajednicës me fuqi ekzekutive – sepse sa më shumë që të na thonë se nuk do t’i ketë, kështu do të ndodhë në fund.

Pas premtimit që dikush ia ka bërë Thaçit për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, nuk është larg mendsh që Serbia të lëshojë pe, e heshtazi të pajtohet me anëtarësimin e Kosovës në OKB, përderisa i mban dizginat fort në veri dhe bashkësundon me Kosovën. Ndërkohë, Kosova, për shkak të kësaj marrëveshjeje, shndërrohet në federatë dhe mbetet e tillë derisa Serbia të anëtarësohet në BE.

Dhe, mbase kusht për anëtarësim do të jetë që të heqë dorë nga bashkëqeverisja dhe ta lërë Kosovën nja dhjetë vjet pas në procesin e anëtarësimit në BE dhe, çka është më me rëndësi, ta ruajë të drejtën e vetos dhe t’ia bllokojë hyrjen Kosovës në të, derisa të mos ia marrë me “Trepçë”, e me Gazivodë e me çkado tjetër që i bie ndërmend.

Ku i kemi mendtë?

Për të arritur deri në këtë pikë, Thaçi do t’i prezantohet palës ndërkombëtare si i vetmi garant i sigurisë në Kosovë, e besa edhe në rajon. Do të paraqitet si njeriu pa të cilin asnjë proces politik nuk mund të ecë përpara (siç edhe po ndodh), dhe njeriu i cili ka evoluuar nga luftëbërës në paqebërës.

Por, që për këtë ka nevojë të mbetet në pushtet edhe nja dhjetë vjet – bën edhe si kryetar shteti, e bën edhe si kryeministër. Po ma mirë si kryetar, sepse atëherë do t’i ketë në dorë edhe zyrtarisht e edhe legalisht emërimet e të gjithë personave kyç të agjencive, të institucioneve “të pavarura”, të gjyqësorit e çkamos tjetër.

Prandaj, ndërkohë na ngarkon me një milion sende të vogla vetëm sa për të krijuar konfuzion edhe më të madh. Themelon universitete, ndërkohë që nëpërmjet eksponentëve të vet tregon se si Kosova, nën udhëheqjen e Mustafës, po stagnon ekonomikisht, ani që të gjitha problemet ekonomike dhe zhvillimore që i ka Kosova ia ka borxh shumë qeverisjes së tij shtatëvjeçare.

Themelon lidhje të ngushta me udhëheqës shtetesh që pos që kanë përfitim financiar nga ky vend, kanë edhe terren të bujshëm ku mund ta shtrijnë ndikimin e tyre edhe fetar, në kohën kur ky vend ka nevojë më shumë se kurrë të tregojë unitet dhe të veprojë si shtet shekullar.

E në këtë kontekst mbase duhet shikuar edhe lajmin më absurd që dëgjova gjatë javës së shkuar – ftesën publike për syneti pothuajse kolektive në Podujevë, nën patronazhin e qeverisë komunale, në bashkëpunim me BIK-un dhe me mjekët nga Turqia. Po të ishte ftesë për vaksinim kundër ndonjë epidemie e kisha kuptuar si veprim për mbrojtjen e shëndetit publik.

Por në këtë formë, dhe e bërë pikërisht gjatë Ramazanit, i jep një konotacion fetar, të cilin vetë akti i synetisë nuk duhej ta kishte. Ai do të duhej të ishte një akt intim, për të cilin nuk ka nevojë ta dijë krejt mëhalla, e as të organizoheshin dasma, e as të shenjoheshin fëmijët duke u shëtitur me veshje argjendi me kapela të pashije në karroca me kuaj. Fundja, siç e thonë mjekët, është veprim parandalimi i disa sëmundjeve dhe gjendjeve shëndetësore, dhe ushtrohet në shumë shtete të botës, posaçërisht në Amerikë te të porsalindurit.

* * *

Dhe kështu po sillemi në rreth qe sa e sa vjet. I dëgjojmë fjalët e njëjta, premtimet e njëjta, kërcënimet e njëjta. Përherë vijmë në situatën kur duhet lëshuar më shumë, e më shumë pe për të arritur në një diçka që kemi mundur ta bënim më herët sikur të kishim pasur më shumë mend, e të mos kishin lejuar që të na zaptoheshin edhe jetët së bashku me shtetin.

Përherë na del një temë e kotë apo ndonjë që i jepet peshë më serioze dhe na bën t’iu shmangemi gjërave përnjëmend jetike, sikurse është mirëqenia jonë. I kemi aq keq punët, sa së shpejti do të na thonë edhe neve se “jemi trokë si Greqia”. Po Greqinë ka kush e nxjerr në sipërfaqe. Po neve kush na nxjerr?

[email protected]

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...