Të ramë prej Marsit

27 Dhjetor 2016 - 07:58 - Flaka Surroi      

S’duhet harruar se çdo cikël, sado i gjatë, e ka fundit e vet. E kurrë s’i dihet: ndoshta do të ketë diçka që shpejtë do ta sjellë ndryshimin aq të nevojshëm në këtë shtet. Që mbase do të na lirojë nga parashutistët që lëshohen nga Marsi, e t’i zëvendësojë me të tillë që ecin mbi tokë

Sa herë që po afrohet fundi i javës, e më bie hise t’i dëgjoj politikanët tanë tek flasin, pyetem a mos jam duke jetuar në një planet tjetër, apo bëhet se këta njerëz kurrë nuk kanë jetuar këtu, e që rastësisht sapo kanë rënë prej Marsit.

Të thuhen gjithë ato të pavërteta me buzëqeshje cinike, e të përsëriten dita më ditë, nuk kanë qëllim tjetër pos të ta ofendojnë inteligjencën dhe të të dëshmojnë se përderisa vetëm i dëgjon, nuk e ke as fuqinë minimale për të ndryshuar gjë në diskursin e tyre.

Iluzionisti 1

Iluzionisti i parë i “ramë” prej Marsit quhet Isa Mustafa.

Kur ia dëgjoni deklaratat ose kur i lexoni postimet e tij në Facebook do të ndesheni me Mbretërinë e Kafshëve. Do të ketë frymëzim të jashtëzakonshëm për t’i quajtur me emra shtazësh të gjithë ata që e kundërshtojnë politikisht, ose ia kundërshtojnë kokëfortësinë që e ka karakterizuar kryesimin e tij të ekzekutivit.

Prej tij do të dëgjoni se si Kosova kurrë më mirë nuk i ka pasur punët në ekonomi. Ai gjithashtu do të thotë se ambienti i të bërit biznes në Kosovë është shumë i mirë. Do të përpiqet t’ju bindë sesi papunësia për çdo vit zvogëlohet në Kosovë dhe, tema e tij favorite, se si demarkacioni do të votohet shumë shpejt, ashtu që ne ta fitojmë të drejtën e lirisë së lëvizjes.

Fakti vazhdon të qëndrojë se Kosova e mbush arkën shtetërore, ende edhe pas gjithë këtyre vjetëve, 80% prej importit nëpërmjet Doganës. Pra, nuk prodhon gati asgjë, ndërkohë që evazioni fiskal vazhdon të mbetet në nivelin e disa qindra milionave në vit. Ambienti i të bërit biznes në Kosovë nuk e ka regjistruar asnjë investitor të jashtëm në këtë vit. Përkundrazi, madje e ka humbur investitorin e Brezovicës, për shembull. Papunësia është zvogëluar mekanikisht me ndërrimin e shifrave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës – sipas së cilës del se madje 62.4% e popullsisë aktive të Kosovës refuzon të kërkojë punë, pra për pasojë s’është e papunë (për detaje, lexojeni ekspertin e lëmit, Lumirin). Për shllag, demarkacioni është tema bosht e politikës së kësaj Qeverie që ka refuzuar me ngulm çdo kundërshtim të Marrëveshjes me Malin e Zi.

Në mungesë të numrave në Kuvend, vetë e tërhoqi projektligjin për ratifikim nga procedura e Kuvendit. Dhe duke vazhduar të mos i ketë numrat, tash e shpik një komision të veçantë, për të cilin thotë se do të ketë edhe përfaqësues të opozitës që do të dalin në terren për ta matur tokën. Tekstualisht do të dalin me mjete gjeodezike për të bërë matje ashtu që të dëshmohet se Kosova nuk humbë asnjë metër territori. Porse, me këtë rast, nuk do as që të merret me metodën e përdorur gjatë përcaktimit të kufirit – të cilën metodë pikërisht ia kundërshtojnë madje edhe disa nga anëtarët e partisë së tij.

Komisioni në fund edhe mund të dalë me konstatimin se sipas metodës së aplikuar nuk ka humbje territori, porse shumë e dyshoj se do t’i bëjë numrat për ta votuar ligjin edhe pas kësaj. Aq më tepër, do ta ketë problem edhe më të shprehur t’i mbledhur votat e serbëve, të cilët kanë nisur të përçahen në përgatitje para zgjedhjeve komunale që do të mbahen vitin që vjen.

Të refuzosh ta pranosh dështimin në të gjitha sferat të cilat i mbulon ekzekutivi: që nga PISA e arsimit; nga vjedhja kronike në shëndetësi; nga ndotja masive e mjedisit; nga dështimi absolut i punëve të jashtme; nga vdekjet e dyshimta nën mbikëqyrjen e drejtësisë; nga luftimi qesharak i krimit nga punët e brendshme; nga shkatërrimi i substancës shtetërore nga dialogu; nga ngufatja e shërbimit civil nën mbikëqyrjen e administratës publike, etj., etj. – është sikur të mos jetosh në Kosovë. Është sikur të duash e ta bindësh veten se punët përnjëmend janë krejt pembe – krejt bukuri. E nuk janë. Janë vazhdim i një ankthi tepër të gjatë të cilin po e jetojmë falë qeverisjes katastrofale që ka përjetuar ky vend. Qeverisje që do të vazhdojë kështu derisa këta njerëz të jenë në krye të shtetit.

Iluzionisti 2

Po me shumë më shumë marifet, dhe me shumë më shumë demagogji na vijnë fjalët e shkatërruesit të këtij vendi të shndërruar në kryetar.

Dje i erdhi radha t’i drejtohet Kuvendit, siç e kërkon Kushtetuta. E deklamoi listën e gënjeshtrave të kulluara para vetëm 51 deputetëve – shenjë e mjaftueshme që flet për kredibilitetin që gëzon. Dhe i numëroi një sërë gjërash që kanë ndodhur dhe janë shkaktuar gjatë sundimit të tij me ekzekutivin, dhe të cilave u referohej si të ishte një diçka e re, që sefte po e zbulonte.

Të shkojmë me rend:

“Muri nuk do të qëndrojë aty, e askund tjetër. Muri nuk do të shkurtohet e as nuk do të zvogëlohet. As nuk do të dialogohet e as do të negociohet me askënd. Por do të hiqet nga baza. Nuk do të ekzistojë fare”.

Muri ekziston, dhe është shkurtuar për 60 centimetra, vetëm pasi që mediat e bënë të madhe ekzistimin e tij. Ai u dialogua dhe u negociua hiç më larg para dy javësh nga përfaqësuesit e veriut, nga “Fjolla” Tahiri dhe përfaqësuesit e BE-së. BE-ja ka thënë se do t’i shtohen shkallët, përderisa Tahirin ai vetë e ka emëruar ministre për dialog, jo në një, por në dy mandate.

“Gjykata speciale nuk është produkt i vendimeve politike të gabuara. Nuk dua që të shikohet si ndëshkim, por si avantazh për të vërtetën për Kosovën. Presioni ndërkombëtar për themelimin e saj ka ardhur si rezultat, kryekëput, i përvojës së keqe në mbrojtjen e dëshmitarëve, pra të kërcënimit apo vrasjes së tyre”.

Gjykata speciale është themeluar në bazë të Raportit Marty, ku ish-kryeministri e tash kryetari përmendet rrafsh 36 herë. Gjykata speciale është themeluar për shkak se Kosova nuk ka dashur të merret me të kaluarën e vet. Gjykata speciale është themeluar për shkak se ka pasur pak Nazim Bllaca të penduar që kanë dalë të flasin për vrasjet e organizuara nga grupet e lidhura me UÇK-në apo në emër të UÇK-së. Gjykata speciale është themeluar për shkak se dëshmitarët nuk i ka mbrojtur sistemi i drejtësisë nën mbikëqyrjen e institucioneve të udhëhequra nga ai si shef Qeverie dhe si shef partie të deputetëve të grupit më të madh parlamentar. Gjykata speciale ka ndodhur për shkak se ai, së bashku me partinë e tij dhe patericat e tjera politike që e kanë mbajtur në pushtet, e kanë instaluar mosndëshkimin, jo si standard, por si ligj në Kosovë.

“Reagimet kundër demarkacionit kanë dëmtuar qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët ende nuk mund të udhëtojnë të lirë në Bashkimin Evropian. Reagimi kundër ishte agjendë e interesit të ngushtë politik dhe injorancës profesionale, e në asnjë rrethanë kauzë kombëtare apo ngadhënjim i argumenteve”.

Si njëri që shquhet për shumë dituri dhe aftësi të mëdha diplomatike, si kryeministër e mandej si ministër i jashtëm, së pari e nënshkroi marrëveshjen për Zajednicën, përkatësisht instalimin dhe legalizimin e autonomisë për serbët, duke e shkelur Kushtetutën e Kosovës në shumë pika të marrëveshjes e më pas e nënshkroi Marrëveshjen e demarkacionit, pa e qitur fare në debat çështjen në nivel të Kuvendit së paku. Theu konsensusin politik, e mori krejt vendimmarrjen mbi vete, por kur erdh puna e shfaqjes së përgjegjësisë, atëherë kopilin ua la te dera të tjerëve, duke i larë duart. Ama nënshkrimin në ato dokumente nuk ka kush e fshinë.

“Organet tona të drejtësisë kanë hapur raste të korrupsionit. Hetimeve, akuzave, dënimeve nuk mund t’i shpëtojnë, apo nuk i kanë shpëtuar zyrtarët më të lartë shtetërorë. Kjo punë e bërë është për çdo vlerësim. Por, duhet bërë edhe më shumë. E përsëris, para ligjit të gjithë jemi të barabartë”.

Korrupsioni në Kosovë ka lulëzuar me ardhjen e tij në pushtet. Nuk ekziston listë emrash të zyrtarëve të lartë shtetërorë që do t’u jenë nënshtruar akuzave, hetimeve apo dënimeve, pos ish-ministrit Limaj (tash kundërshtar i tij); pos deputetëve Remi, Latif Gashi, Azem Syla e ndonjë tjetër – të cilët, edhe pse me kauza të hapura gjyqësore, megjithatë u zgjodhën deputetë nga dora e tij, sepse ai e përcaktonte listën e tyre; dhe pos kryetarëve të komunave Kaçanik (i ikur nga drejtësia), Ferizaj (i cili u shpëtua nga Gjykata Kushtetuese për nja tre vjet zvarritjeje), Drenas (i cili ende nuk e vuan dënimin); Prizren (i cili qe tre vjet e pret vendimin e shkallës së dytë) – edhe ndonjë që do ta kem harruar. Porse nuk dëgjova të jetë marrë asnjëri nga anëtarët e Qeverisë në shqyrtim për ndjekje penale, për shkak të prishjes së qëllimshme së Marrëveshjes me AXOS-in për telefoni; për marrjen e vendimit jashtë kornizës së kontratës për telefoninë virtuale që do t’i kushtojë 30 milionë euro PTK-së, në vend se ato para të shkojnë në buxhet; për shitjen e distribucionit të rrymës për 26 milionë apo për fshehjen e kontratës me “Bechtel Enkan” për autostradën e Prizrenit. Të gjitha këto kanë ndodhur gjatë kohës sa ky ka qenë kryeministër. Por po get se paska qenë kryeministër në Mars, e këto këtu paskan gufuar vetvetiu.

“Kam ndërmarrë veprime konkrete për të garantuar liritë dhe të drejtat e qytetarëve për të fuqizuar rendin e ligjin, prandaj edhe kam kërkuar plotësim ndryshimin e Kodit Penal”.

Punën në Kodin Penal e ka koordinuar bashkëpunëtori i tij më i afërt, i cili sa jepte dorëheqje, sa kthehej në post. Krejt përmbajtjen e Kodit e ka pasur ai vetë në duart e veta – si propozues fillimisht, e më pas edhe si votues, meqë e kishte shumicën parlamentare. Mbasi ky ligj paska pasur gabime, pse është dashur të pritej të vinte në krye të shtetit për të na e thënë këtë. Ah, po, harrova. Në Mars me siguri e ka pasur ligjin e përkryer.

“Reforma zgjedhore po bëhet për t’i siguruar qytetarët se ata do të votojnë në një proces të drejtë, transparent dhe fer”.

Mos e vet se të tregon vetë. Kjo do të thotë se deri tash kemi votuar në proces të zhdrejtë, hiç transparent dhe me hile. Pra, derisa i paska konvenuar ky set i ligjeve që ta fitonte e ta mbante pushtetin me hile dhe jotransparencë, atëherë gjithçka paska qenë mirë. Si u bë që ndërgjegjja nuk iu zgjua më herët, e t’i kishte bërë ndryshimet që më 2010-n? Apo edhe ta zbatonte marrëveshjen kundërkushtetuese që e kishte lidhur me Mustafën e Pacollin në prezencën e Dellit, ashtu që reforma të kryhej për 18 muaj që nga zgjedhja e Jahjagës? Për më tepër, si bëhet që reforma zgjedhore të iniciohet nga ai, e që askush, absolutisht askush, të mos ftohet në debat publik? Apo s’ka nevojë, se ashtu veprohet në Mars.

* * *

Gjëja më e keqe që ka mundur t’i ndodhte Kosovës është të udhëhiqet nga njerëz që realitetin e masin sipas kutit të tyre kur dhe si iu konvenon. Edhe më e keqe se kjo janë injoranca dhe arroganca që ua mbizotëron veprimet deri në çastin kur mbështeten për mur. Po aq e keqe është edhe qasja refuzuese për t’i dëgjuar zërat kundërshtues dhe përdorimi i gjithë makinerisë në dispozicion për t’i ngufatur ato mendime, përfshirë edhe dhunën.

Por s’duhet harruar se çdo cikël, sado i gjatë e ka fundit e vet. E kurrë s’i dihet: ndoshta ndonjëra nga pikat e përmendura më lart do ta sjellë ndryshimin aq të nevojshëm në këtë shtet. Që mbase do të na lirojë nga parashutistët që lëshohen nga Marsi, e t’i zëvendësojë me të tillë që ecin mbi tokë.

[email protected]

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...