7 Tetor 2014 - 08:30 - Flaka Surroi
Çfarë ndjenje është të jetosh në shtetin e nëntë më të mjerë në botë? Të mjerë jo vetëm ekonomikisht. Të mjerë gati po aq sa edhe tetë shtetet para tij, sepse me to e ndan edhe një karakteristikë: secili prej këtyre shteteve shquhet për nga autokracia, përkatësisht diktatura - dy elemente që e kanë karakterizuar udhëheqjen e tyre që nga pavarësimi. Të mjerë pse shteti po nga ngulfatet nga krimi i organizuar. Të mjerë, sepse jetojmë në epokën e Gjarpnit.
Është ndjenjë e të jetuarit në një vend në të cilin secila ditë që jetohet përfundon me një shpresë se e nesërmja nuk mund të jetë më e keqe se kjo e përjetuara dhe ku e nesërmja të befason edhe me një minus më të madh, e që të bën të mendosh që ajo e djeshmja kishte qenë lul’ e dritë...
Është të jetuarit nën udhëheqjen e mujsharëve dhe të syuriturve që besojnë se janë pronarë të jetëve tona dhe se me to mund të disponojnë ashtu siç ua merr mendja, për shkak se ne i lëmë të veprojnë kështu. Është të jetuarit nën udhëheqjen e demagogëve, të cilët thirren në ligjshmëri natë e ditë, duke e shkelur atë, dhe që bëjnë bé në Kushtetutën, të cilën, duke iu falënderuar pionëve të vet, e kanë shndërruar në paçavure me plot arna. Plot minusa.
Kështu, në mesin e një kerr minusash që u veçuan këtë javë, më i madhi padyshim është i kryesueses “konsideruese”, e cila me veprimet e veta nuk është duke lënë dyshime se është duke refuzuar ta mbajë seancën. E që për këtë do të duhej të sanksionohej.
Minusi 1 – huliganët
Intervenimi tejet i vonshëm i policisë ka parandaluar zhvillimin e derbit të javës së shkuar ndërmjet Trepçës dhe Prishtinës në Mitrovicë. Kjo, për shkak se në trajtën më të prekshme të mundshme, tifozeria e të dyja anëve e dëshmoi çfarë është burrnia në Kosovë: rrahje masive dhe hedhja e koktejeve molotovë.
Në kohën kur po bëhen përpjekje për anëtarësimin e FFK-së në FIFA, ndodhi, fillimisht, mosluajtja e ndeshjes; më pas regjistrimi i saj në favor të Prishtinës dhe përfundimisht kërcënimi i Trepçës se do ta braktisë ligën, po qe se Federata nuk e ndërron vendimin. Pra, shantazhimi si modus operandi. Nëse s’bëhet si themi ne, atëherë ne bëjmë ashtu siç themi ne. Njësoj si partia e Qeverisë në ikje.
Minusi 2 – Falim pare
Ende pretendojmë të kemi Qeveri. E nëse edhe kemi Qeveri, atëherë e kemi një kryeministër shkelës Kushtetute dhe ca ministra që janë shkelës ligji – për shkak se njëkohësisht mbajnë edhe poste deputetësh. Po meqë ligjshmëria dhe kushtetutshmëria janë pronë e PDK-së, s’ka dert pse shkelen edhe Kushtetuta, edhe ligji.
Nejse, kjo Qeveri mban mbledhje çdo javë, dhe çdo javë të lume e gjen nga një birucë dikund nëpër vijat buxhetore për të shterur ca para këtu, e ca atje, për t’i larë borxhet e grumbulluara e të premtuara me aq lehtësi. Ose për të siguruar mjete në formë ilegale për kush e di çfarë veprimtarie.
Që në fillim të javës na zbuluan sesi Qeveria kishte dëmtuar buxhetin për nja dy milionë euro për zgjerimin e ca rrugëve, meqë kishte vendosur t’u jepte kontrata ofertuesve më të shtrenjtë, edhe pse kriteri për dhënie të kontratës ka qenë çmimi më i ulët. Më pas, zbuluam se shpenzimet komunale nga linja mallra e shërbime, në vlerë prej 29 milionësh, ishin bartur në linjën paga e mëditje për t’i mbuluar pensionet, të cilat Thaçi i rriti përpara zgjedhjeve, kurse rrugës ia “shnukën” gjysmë milioni Ministrisë së Diasporës, për t’ia falur RTK-së, institucionit që i ha mbi 11 milionë euro të buxhetit në vit.
Fare në fund, ishte policia ajo e cila na tregoi se tegelat e rrobaqepësisë vlejnë ar. Për shkak se njëri ofertues i kishte bërë tegelat më të gjatë dhe xhepat më të shkurtër (apo do të ketë qenë e kundërta, s’e di...), u shpërblye me 13 milionë euro, për ta pajisur policinë me uniforma të reja. Dallimi midis tegelave është diku rreth 6 milionë euro. Kush s’është për veti, s’është as për n’gjeti..., e këta po e dinë se kush e ka fituar kontratën.
Minusi 3 – S’e shkatërrove boll
U shkarkua kryeshefi ekzekutiv i PTK-së. Thanë për shkak të performancës së keqe. E shkarkuan ata të cilët kanë për detyrë t’ia korrigjojnë gabimet, kur ky e ka performancën e keqe. Por ata mbetën qaty ku ishin. Me honorare të majme.
Flitej se gjatë kohës së tij, firmës më profitabile publike, i ishin shkaktuar humbje milionëshe për shkak të keqmenaxhimit. Por askush nuk e përmendi se dikujt nuk i pati konvenuar që PTK-ja të bënte investime të mëdha dhe të shpejta në 3G dhe LTE. Dikujt nuk i pati konvenuar që PTK-ja të niste me fushatë reklamimi të produkteve dhe ofertave të reja, e se dikujt i pati konvenuar që t’i zbritej vlera hala. Kështu, dikujt gjysmë në shaka e gjysmë përnjëmend, i ishte kujtuar të thoshte se e kishin shkarkuar për shkak se nuk e kishte shkatërruar PTK-në boll.
Pasojat i pësojnë klientët, kurse hairin ia sheh konkurrenca.
Minusi 4 – T’zura, veç po t’lëshoj
Nuk mund të mbajë përgjegjësi penale për të vëllanë, porse do të duhej të ndiente përgjegjësi së paku morale për veprimet e njeriut që, përderisa punon si zyrtar logjistike në Policinë e Kosovës, ka pësuar dy suspendime vetëm brenda këtij viti: një, për shkak se ka shkaktuar aksident komunikacioni dhe më pas ka ikur, dhe dy, për shkak të falsifikimit të nënshkrimit të sheficës së tij.
Kësaj radhe e zunë duke vjedhur benzinë, me dy bidona në duar. Duhet të jesh shuuuumë i mjerë për të vjedhur kaq ashiqare, në parking të policisë. Ose duhesh me e pasë shpinën shuuuumë të fortë që të vjedhësh me kaq pafytyrësi e mos me u lodhë se çfarë do të ndodhë, për shkak se e di se s’ka çfarë të të ndodhë.
Teksa zihet në flagrancë, arrestohet dhe dërgohet te prokurorja, e cila, mbas gjithë kësaj, deklaron se nuk do të ndërmerret ndonjë masë e rëndë, për shkak se bëhet fjalë për tentativë dhe për shkak se është sasi e vogël benzine. Tek e lexoja deklaratën e prokurores, nuk e di se pse m’u kujtua rasti i të riut që ishte dërguar në vuajtje dënimi të një gjobe trafiku në Dubravë, e të cilin e kishin dhunuar “shokët” e dhomës... I dhunuari, është e sigurt, nuk e ka vëlla shefin e AKI-së.
Minusi 5 – Babë, kah ke me shku mbas Kushtetueses?
Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, u desh të shkojë deri në Vjenë për t’i dërguar porosi bllokut anti-PDK se e drejta për kryetar Kuvendi i takon vetëm PDK-së. Me një deklaratë absolutisht politike, me këshilla se si dhe çka do të duhej bërë, Hasani qartazi, tash edhe më bindshëm, dëshmoi se anon për PDK-në. Me deklaratën e tij, se vetëm PDK-ja mund të propozojë kandidatin për kryetar Kuvendi, ia bën njësoj sikurse ia bënin në katunde të varfra dikur: në shkollë mund të shkonte vetëm djali, ani që në shtëpi kishte katër çika më të mençme e më të zellshme. Për shkak se ky ishte djali trashëgimtar. Dhe për shkak se qashtu kishte vendosë Aga/Baba/Plaku/Kryefamiljari. Padyshim, ekspozimi i tiparit më primitiv të mundshëm të mentalitetit provincial shqiptar.
Nuk e di se çfarë planesh ka bërë në kokë pasi t’i skadojë mandati, porse, nëse dikur do të funksionalizohet ky Kuvend, rrezikon që të shkarkohet, për shkak se po merret me politikë, atëherë kur do të duhej të merrej me interpretim kushtetute e jo rregullash procedurale. Për shkak të interpretimit të tij të procedurave, jemi ku jemi. Për shkak të atij interpretimi, uzurpuesen e Kuvendit e kemi yll fare.
Super minusi
Në një letër plot gabime gjuhësore, të dorëzuar pas orarit të punës, kryesuesja e seancës konstituive e shtyu atë për kohë të pacaktuar, duke thënë se këtë po e bënte për shkak të konsultimeve te kryetarja. Nga zyra e kësaj të fundit dolën për të sqaruar se ky vendim nuk ishte bërë me kërkesë të saj. Marrja e pushtetit në dorë për të vendosur për 119 të tjerë, duke u shprehur me termin: “...konsideroj të nevojshme dhe të domosdoshme shtyrjen e seancës...”, e përbën veprimin e fundit në zinxhirin e obstruksioneve, të cilat është duke i zbatuar sipas urdhrave të shefit të saj.
Sepse, fundja, kush është Flora Brovina të konsiderojë çfarëdo qoftë, përderisa e ngufat debatin dhe të drejtën e shprehjes së atyre që duhet të flasin në emër të popullit.
Ajo është vetëm një grua, e cila e udhëzuar nga shefi i saj dhe në kërkim të acarimit të mëtejmë të situatës, vendos t’i lërë gjërat pezull dhe nuk u përgjigjet gazetarëve, sepse s’ka çfarë t’u thotë. Është një grua që gjatë javës së shkuar i ka plotësuar kushtet për pension të moshës. Dhe e cila e ka merituar një ekstra dhuratë: mocionin për zëvendësimin e saj nga kryesimi, për shkak se po refuzon ta mbajë seancën.
Është një grua, e cila më detyron t’ia përcjell një porosi personale: Florë, politika s’kishte qenë për ty. E këtë është dashur ta kesh kuptuar që nga mandati i parë. Në vazhdofsh kështu, na merr në qafë të gjithëve. Sa nuk të ka shkuar krejt fytyra e dinjiteti, Florë, dil në penzi!
[email protected]
© KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...