Fusnotistat

18 Gusht 2015 - 08:19 - Flaka Surroi      

Detajet si fusnota dhe sigurimet e veturave janë shembuj tipikë kur ne vetes ia mohojmë shtetësinë – në emër të një diçkaje më të madhe që del të jetë rehatimi i personave të caktuar në karriget e pushtetit. Kur ia mohojmë vetes shtetësinë jashtë, bëjmë çmos për ta mohuar edhe brenda, sepse ku nuk ka gjyqësi e sundim të ligjit, ka mosndëshkim, për pasojë ka mjerim. Sepse krimi mbisundon

Diçka po lëviz. Se çka, një Zot e di. Veçse dje gjithë ditën qarkullonte lajmi për shkarkimin “masiv” që kishte ndodhur në Administratën Tatimore të Kosovës, në këtë mandat nën mbikëqyrjen e LDK-së, meqë kontrollohet nga Ministria e Financave. Akuzat nga partneri i koalicionit nuk u pritën gjatë: “janë shkarkuar profesionistë dhe janë zëvendësuar me militantë partiakë”.

Përafërsisht të njëjtën gjë e kishte thënë LDK-ja ndaj veprimeve të PDK-së, në kohën kur kjo e fundit ia kishte marrë kontrollin mbi dikasterin e parave. Dhe pikërisht paraja mund të jetë ajo që mund ta prishë këtë qeveri. Apo së paku të shërbejë si shkas.

Opozita shkoi në Kushtetuese për ta kundërshtuar Specialen, me shpresën që kjo do të vendoste ta anulonte votimin e 3 gushtit. Ndërkohë hyri në fuqi Marrëveshja diskriminuese për sigurimin e veturave me Serbinë, ku Kosova vullnetarisht heq dorë nga ajo për të cilën ka luftuar me dekada: nga Republika, duke pranuar që tabelat RKS të zëvendësohen me ca të tjera ku shkruan “probne tablice”, që mbajnë stemën e Serbisë dhe ku shkruan SRB, dhe jo vetëm kaq, por edhe që këtë e bën duke ua ngarkuar shqiptarëve edhe pagesën shtesë prej 40 eurosh.

Dhe nënshkruesja e kësaj Marrëveshjeje nga ana jonë është “Fjolla” Tahiri, së bashku me Rrahim Pacollin, i cili në Bruksel, me gjasë, ka folur po të njëjtën gjuhë që e foli në Interaktiv, se nuk merrej vesh ama bash asnjë grimë.

Lajmi i fundit që vlen të veçohet është zhdukja e databazës së barnave nga Barnatorja qendrore e QKUK-së. Dhe lëre që humbin shënimet kompjuterike, por mbetet fakti për gjynah, se nuk ka mbetur asnjë raport i shtypur në letër, që do të mund të vërtetonte se çfarë ka hyrë e çfarë ka dalë nga pika kryesore e furnizimit me barna të klinikave të Prishtinës. E për të qenë ironia edhe më e madhe, përgjegjësja e këtij reparti, vetëm është degraduar në pozitë dhe ende vazhdon të punojë.

Kumbara e fusnotës

Para se të fuqizohej Marrëveshja për sigurimet e veturave, gazeta bëri publike faktin se një peticionin të cilin vjet e kishin nënshkruar mbi 150 mijë qytetarë, për mbrojtjen e viktimave seksuale të luftës në Kosovë nuk ishte dërguar fare në OKB. Vjet, mbledhja e nënshkrimeve ishte paraqitur si fitore e madhe e zonjës “Fjollë” që kishte qenë koordinatore e aktivitetit. Në korrik vjet, kishte premtuar se peticioni do të dërgohej në OKB në shtator. Dhe më pas, siç e ka zakon t’i ndërrojë datat sa herë të flasë me gazetarët, tha se ai do të dorëzohej në tetor a nëntor.

Tash, një vit më pas, po e zbulojmë se e kishte harruar një detaj të vockël: nuk na kishte treguar në tetorin a nëntorin e cilit vit do të ndodhte kjo punë. Njëra nga koleget e saj në grupin që e kishte koordinuar çështjen e nënshkrimit, deklaroi sesi bordi organizativ kishte shumë muaj që nuk ishte takuar për shkak se shefja ishte e zënë me punë në Bruksel. Si për shembull me marrëveshjet epokale “për reciprocitet” të sigurimeve të veturave.

Një vit zvarritjeje të një aktiviteti qytetar që synonte ta mbronte bile pak dinjitetin e grave të dhunuara gjatë luftës në Kosovë u përdhos në këtë formë – duke u lënë në harresë dhe duke u bërë peng i shëtitjeve të Tahirit në Bruksel. Nuk është shfaqur askush i ndërgjegjshëm e besa as guximtar për të dalë e për të publikuar saktësisht se sa mëditje i ka marrë zonja Tahiri që nga viti 2011, që na ka bërë çirak me marrëveshjet e arritura.

Dhe problemi nuk është se vetëm ajo ka marrë mëditje – kanë marrë me duzina zyrtarësh që kanë shkuar atje në cilësinë e ekspertëve si pjesë e delegacioneve kineze që i kemi nisur në secilin raund apo ndërmjetraund – përderisa rezultatet janë këto që janë: skanime të librave amë, skanime të librave të kadastrave, polica të sigurimit jovalide, dhe për më keq, Zajednica në formë autonomie për serbët.

Veteranët

Se sa joseriozë jemi si shtet e dëshmon edhe procesi i verifikimit të veteranëve të luftës së UÇK-së. Gjatë javës u bë publike që i njëjti njëri, njëherë në cilësinë e Kryekomandantit të UÇK-së, e herën e dytë në cilësinë e kryetarit të Komisionit për verifikimin e listave të veteranëve të luftës i ka bërë publike dy lista me një diferencë prej 17 mijë ushtarësh. Kështu, kur u pati demilitarizuar UÇK-ja më 1999, Çeku ia pati dorëzuar KFOR-it një listë me 13 mijë emra ushtarësh. Dhe atëherë pati deklaruar se po të kishin qenë vërtet 35 mijë ushtarë sa thoshin që ishin, “nuk kishte pasur nevojë të intervenonte NATO-ja”.

Më 2015, e dorëzoi listën prej 30 mijë anëtarësh, porse këtë deklaratën e fundit nuk e përsëriti.
Për më keq, në listën e veteranëve u gjendën shumë emra që kurrë pushkë me dorë nuk kishin kapur. E të tillë që nuk kishin luftuar me pushkë, porse kishin luftuar me “armët” që i kishin në dispozicion janë të shumtë dhe nuk janë përfshirë në këto skema.
Një veterane të tillë e takova javën e shkuar në Prizren. Është mësuese, e cila i plotëson kushtet për t’u pensionuar brenda katër muajsh. Dhe sipas një dispozite ligjore, duhet të dëshmojë se ka pasur 15 vjet pune para vitit 1999, që ta gëzojë pensionin e madh prej njëqind e diçka eurosh.

Ajo me numra kushtin e arrin, për shkak se i ka kaluar 39 vjet në arsim – porse punën prej vitit 1990 deri më 1999 askush nuk po ia njeh si stazh pune. Për pasojë, pensionin që do ta marrë do të peshojë 65 euro. Llogariteni, as një të tretën e një mëditjeje që mund ta marrë zonja “Fjollë” për të shkuar në Bruksel.
Mbase do të duhej rifreskuar memorien kolektive dhe rikujtuar se në kohën kur u mbyllën shkollat shqipe dhe kur mësimdhënësve iu ndalën rrogat për shkak se nuk e nënshkruan betimin e besnikërisë ndaj Republikës së Serbisë, mbetën pa rroga madje 18 mijë arsimtarë. Këta me muaj të tërë kishin punuar pa pagesë, derisa nuk iu ndanë nga 40 marka gjermane në emër të kontributit nga Këshilli Qendror i Financimit.

Porse fakti mbeti se këta njerëz punuan gati një dekadë pa rroga, kurse stazhi i tyre nuk u njoh kurrë. Dhe për pasojë tash do të barazohen me ata që nuk kanë punuar kurrë, veç pse e kanë moshën e njëjtë. E po të mos kishin qenë këta arsimtarë, sot do të ishim edhe më analfabetë seç jemi. Do të ishim kthyer në rrënjët e fillimshekullit të kaluar kur 80% e popullsisë sonë s’ka ditur shkrim-lexim. E kjo luftë është shumë, shumë e madhe për ta injoruar kështu.

Dy të tjera i takova dje krejt rastësisht. Kanë qenë dy motrat kryesore të ambulancës “Nëna” në Kodër të Trimave gjatë shumë vjetësh. Kishin kryer shkollën e mesme të mjekësisë në kushte normale dhe me praktikë në institucionet shëndetësore, prej nga i kishin larguar me dhunë. Ato vazhduan të punonin vullnetarisht, sipas maksimës ma mirë me punu badihava se me ndejt badihava, dhe rrezikuan shumëçka nga rehatia dhe jeta e tyre për t’iu dalë në ndihmë njerëzve në ambulancë dhe në terren.

Me gjithë përvojën që e kanë pas vete, që të dyja janë të papunë, sepse i takonin “partisë” së gabuar: asaj të humanizmit. E megjithatë nuk janë dorëzuar: ende ofrojnë ndihmë profesionale, mbi baza vullnetare jo vetëm për pacientët e rëndomtë, por edhe për personat me nevoja të veçanta, që ky sistem i ka qitur krejt në aut.

Krim mbi krime

I paramendoja këto dy infermiere në krye të Barnatores së QKUK-së. E di që asnjë bar i vetëm nuk do të ishte zhdukur dhe nuk do të kishte mbaruar nëpër farmacitë private. Për shkak se ato kanë qenë të ngarkuara me të gjitha barnat me të cilat furnizohej SHHB “Nëna Tereze” me vite të tëra. Se po të kishin dashur t’i keqpërdornin, sot me gjasë do të ishin milionere, e jo të papuna.
Po njerëzit si këto gra fisnike, nuk i do ky sistem, për shkak se nuk dinë të vjedhin e të mashtrojnë.

Për shkak se nuk janë të infektuara me virusin e kurdisjes së tenderëve për të blerë ilaçe që nuk nevojiten, apo për t’i zëvendësuar citostatikët me barna për parandalimin e vjelljes pas kimioterapisë. Për shkak se nuk i takojnë asnjë partie politike dhe për shkak se nuk e shesin dinjitetin e vet për t’u bërë me punë e që më pas t’ia kenë atë borxh dikujt që do t’ia kujtojë sa herë që do të ketë nevojë për të bërë ndonjë dallavere.

Është mentaliteti i fusnotistit, ky i të pasurit të një shteti të papërfunduar dhe të ndërmjetëm që shpie drejt pasurimit përderisa ta kenë në dorë pushtetin apo të jetë shërbëtor i atij pushteti. Është mentaliteti i atyre që mendojnë se i dinë të gjitha, e në të vërtetë nuk dinë gjë, e që në emër të asaj vendosin për interesat e popullit që e “përfaqësojnë”. Është mentalitet i atyre që aq ua bën për njerëzit dhe që nuk zgjedhin mjete për të grabitur krejt çka kanë para vetes, edhe nëse me këtë i rrezikojnë jetët e njerëzve jo vetëm në rrugë e fshat, por edhe në spital.

Detajet si fusnota dhe sigurimet e veturave janë shembuj tipikë kur ne vetes ia mohojmë shtetësinë – në emër të një diçkaje më të madhe që del të jetë rehatimi i personave të caktuar në karriget e pushtetit. Kur ia mohojmë vetes shtetësinë jashtë, bëjmë çmos për ta mohuar edhe brenda, sepse ku nuk ka gjyqësi e sundim të ligjit, ka mosndëshkim, për pasojë ka mjerim. Sepse krimi mbisundon.

* * *

E vetmja që do të ketë punë këto ditë me gjasë do të jetë Kushtetuesja që do të merret me ankesën e opozitës. Shpresoj shumë që së shpejti Avokati i Popullit do ta ngrejë një procedurë po para kësaj gjykate për ta kundërshtuar ligjin të cilin deputetët e votuan në pako të Speciales për financimin e mbrojtjes së të akuzuarve eventualë nga Gjykata Speciale.

Është ligj shumë i padrejtë dhe diskriminues – për shkak se të gjithë të tjerët që u nënshtrohen procedurave gjyqësore kanë të drejtë në ndihmë nga avokatët sipas detyrës zyrtare, por këtyre nuk u paguhen nga një milion euro honorar, ngase një, nuk janë të huaj as me nam dhe dy, me gjasë nuk dinë anglisht, e nuk i dinë as trikat e komunikimit me gjykatës të huaj.

Ata të cilët do të akuzohen, nëse akuzohen, dhe nëse janë ata që përflitet se do të akuzohen, kanë para e prona mjaft. Kanë rrjet miqsh që u kanë borxh – e lehtë mund t’ia gjejnë çarenë vetes. Nëse bash e kanë bërë nijet me na i harxhue paratë, atëherë më mirë le t’i paguajnë prokurorët specialë të Kosovë si duhet, e mos po ia nisim të pastrohemi nga fusnotistat që punën e vetme që e kanë është të na fundosin thellë e më thellë.


[email protected]

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...