28 Qershor 2016 - 07:55 - Flaka Surroi
Pa dyshim, lajmi që shënoi javën ishte referendumi i Britanisë së Madhe me pyetjen nëse duhej qëndruar në BE apo dalë nga ajo. Mbase edhe befasisht, fitoi opsioni i daljes, dhe me të nisi një fazë e re në politikën botërore. Pasojat e vendimit nuk dihen dhe shumëçka në ditët në vijim do të shkojë në frymë të spekulimeve dhe supozimeve.
Sido që të jetë, efekti i ditës pas u ndie në Britani të Madhe menjëherë: humbje të mëdha financiare për kompanitë britanike që ranë në bursat botërore; rënia e vlerës së funtit britanik karshi dollarit amerikan; vendimi për zhvendosjen e kompanive jobritanike nga aty në shtete të tjera evropiane; hapja e kutisë së Pandorës, përkatësisht insistimi për pavarësimin e shteteve që e bëjnë Commonwealthin britanik (Skocisë e Irlandës, që votuan për qëndrim në BE), si dhe orteku i reagimeve të partive djathtiste nëpër Evropë, që kërkojnë referendumet e ngjashme nëpër shtetet anëtare të BE-së, në kërkim të një rezultati të ngjashëm.
Se a ka qenë ky vendim i mirë apo i keq për britanikët që kanë pasur status special brenda familjes evropiane, mbetet të shihet. Britania, megjithatë, kishte ruajtur valutën e vet dhe nuk kishte qenë pjesë e zonës Schengen, që në shumë aspekte bënin të ruante sovranitetin e vet. Se çka ka pasur aty më shumë që e ka penguar qëndrimin në BE, e që ne nuk e dimë, mbase do ta kuptojmë në periudhën dyvjeçare, sa merr procesi i largimit nga BE-ja.
Nuk kanë qenë të paktë ata që komentonin sesi Britania e nisi veten drejt vetëshkatërrimit, sepse hapi shumë probleme të brendshme që ishin amortizuar derisa ishte zyrtarisht pjesë e BE-së. Mbi të gjitha, kishte qenë pjesë e një organizmi supranacional që kishte sjellë paqe e stabilitet në shtetet që e përbëjnë atë. Mbase duke pasur shumë vetëbesim në fuqinë e vet, shteti i bashkuar me gjithë shtetasit e tij, nuk e kuptuan se sa lehtë është të humbësh një komoditet vështirë të arritshëm që të tjerët e ëndërrojnë. E kur ta kuptojnë, si në çdo rrëfim, atëherë do të jetë vonë.
Edhe një tragjedi
Por atyre që nuk u bëhet vonë për asgjë janë kosovarët, përkatësisht udhëheqësit dhe institucionet e tyre.
Të enjten ndodhi edhe një tragjedi, pasojë e pakujdesisë kolektive, institucionale e qytetare. Në Kolovicë gjetën vdekjen dy fëmijë të mitur, në një gropë të mbushur me ujë, që kishte mbetur e hapur prej kohësh kur aty kishte nxjerrë zhavorr një firmë lokale – thuhet, ende e paidentifikuar.
Prej më shumë se tre vjetësh ishte gërryer një kodër e tërë, aty buzë rrugës. Në bazë të vendimit të Inspektoratit të Komunës kishte qenë një hapësirë e eksploatuar ilegalisht, për përfitime personale të atij që kishte makinerinë për shkatërrimin e natyrës dhe të atij që e kishte në pronë atë copë toke. Inspektorati komunal ia kishte ndërprerë eksploatimin e mëtejmë. Dhe, më pas, asnjë masë nuk ishte ndërmarrë nga askush, që ajo pjesë ose të sanohej ose të izolohej.
Fëmijët e pafat do të kenë shkuar për të kërkuar freskim në atë pjesë, sado johigjienike të ketë qenë. Me gjasë do ta kenë bërë pa dijeninë e prindërve. Mbase edhe do të kenë shkuar për të luajtur aty, një dreq e di. Fakti është se nuk u kthyen më.
Reagimi i menjëhershëm qe i shefit të Inspektoratit komunal, Xhelal Sveçla, që dha dorëheqjen nga posti të cilin e kishte mbajtur dy vjet e gjysmë. Punë të cilën e kishte kryer me mjaft përkushtim dhe me jo shumë pompozitet. Dorëheqja e tij vinte natyrshëm: njeriu që ka pak ndërgjegje vepron kështu, qoftë edhe vetëm për shkaqe morale. Të tjerët u morën me cakërrime politike – duke mos treguar asnjë shenjë respekti për humbjen e dy jetëve.
Faji te ne gjithmonë është jetim, për shkak se në këtë tragjedi fajtorë ka shumë. Aq sa asnjëri nuk do ta marrë përgjegjësinë mbi vete, duke shpresuar se kilja do t’i mbetet atij tjetrit. Po të shkonim me rend, fajtorë do të mund të kualifikoheshin:
• Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor – përgjegjëse për dhënien e lejeve për eksploatim të zhavorrit, dhe ndalimin e eksploatimit të resurseve natyrore pa leje. Ministri, e cila nga koha kur ministër i saj i parë ka qenë Et’hem Çeku, e ka lejuar e bile edhe ndihmuar degradimin e kodrave dhe të lumenjve, që janë shkatërruar pa kurrfarë kontrolli, duke e çrregulluar plotësisht ekosistemin edhe ashtu mos vet në Kosovë;
• Komuna e Prishtinës, e cila nuk ka ndërmarrë asgjë më shumë për ta izoluar atë pjesë, pasi që e ka ndaluar eksploatimin, dhe pasi ka parë se MMPH-ja nuk po ndërmerr gjë për ta zgjidhur problemin;
• Punëkryesi, cilido që të ketë qenë, që egërsisht e kishte copëtuar një gjysmë kodre, mbase për ta shtruar ndonjë copë rruge diku, e për t’u bërë me para, me gjasë jo fort të mëdha;
• Pronari i tokës, që do ta ketë shitur a koncesionuar atë, për, prapë, ndonjë përfitim që kurrë nuk ia vlen jetën e dy fëmijëve, dhe
• Bashkëfshatarët e viktimave të radhës, që të dorëzuar para fatit dhe krejt inertë, nuk kanë ndërmarrë asgjë që ta izolojnë atë pjesë me forca të veta, meqë nuk ka pasur reagim nga institucionet përkatëse. Në pritje të reagimit të këtyre të fundit u bënë dëshmitarë të tragjedisë që e kaploi familjen.
Se a do të ketë veprim nga Prokuroria si për këtë ashtu edhe për rastin e Xhenetës në Prizren, mbetet të shihet. Porse një gjë dihet me siguri: po qe se as në këto raste nuk do të ketë përgjegjësi penale, aksidentet tragjike sikur këto do të vazhdojnë të ndodhin, në ortekun e vetëshkatërrimit të cilin jemi duke ia nxitur vetes si kolektivitet.
Heshtje e pafund
E si kolektivitet jemi ndarë në ata që sundojnë dhe në ata që heshtin. Mungesa e aktivizimit qytetar edhe kur bëhet fjalë për gjërat elementare do të duhej ta siguronin jetën minimalisht normale është thjesht dëshpëruese. Dhe, siç po shihet nga rasti i mësipërm, me pasoja tragjike.
Gati tragjike ishte edhe kallja e njërit nga 10 autobusëve të Trafikut Urban rrugës për në Gërmi. Mjeti nga viti 1990 për fat nuk mori jetë me vete, por në formën më të thjeshtë të mundshme e ilustroi absurdin e mosnënshkrimit të një letre garancie për kredi që të blihen 51 autobusë, që do të duhej ta zhbllokonin qytetin nga qindra mijëra veturat që qarkullojnë për çdo ditë të lume nëpër Prishtinë.
U desh të kalonin tetë a nëntë muaj që ministri i Financave ta nënshkruante këtë dokument – dhe kjo ndodhi dje. Një ditë pasi u kuptua se mu ky ministër e kishte detyruar Agjencinë Qendrore të Prokurimit që të nënshkruante kontratat, në formë të jashtëligjshme, për furnizimin me material për zyra, në vlerë 4,5 milionë euro; për blerjen e gomave për vetura zyrtare në vlerë prej 2,8 milionë eurosh dhe për bileta aeroplani në vlerë prej 4,8 milionë eurosh, pra gjithsej 12,1 milionë euro!
Meqë nuk ka sqarim nëse këto shërbime janë angazhuar për të gjitha institucionet në Kosovë, vetëm ideja se Qeveria e Kosovës mund t’i shpenzojë madje rreth 5 milionë euro në bileta udhëtimi (pa i llogaritur mëditjet) t’i merr mendtë. E mendtë t’i fshinë shënimi se me 2,8 milionë euro mund të blihen së paku 14 mijë goma për t’i furnizuar rreth 3500 vetura zyrtare, që i bie diku rreth 1 veturë zyrtare për çdo 500 banorë të Kosovës. Kurse trurin ta lë bardhë si letra edhe shënimi se, në epokën e avancimit të teknologjisë, institucionet tona i harxhojnë madje 4,5 milionë euro në material zyrash.
E gjithë kjo nuk do të ishte aq absurde, po të mos ishte edhe një detaj: kredia e shumëpërfolur e BERZH-it për blerjen e 51 autobusëve ka vlerën 10 milionë euro – pra 2 milionë më pak sesa kjo Qeveri shpenzon pa kurrfarë kontrolli, në gjëra që në fund më së paku efekt kanë në të mirën e qytetarit. Po qe se vetëm paratë e shëtitjeve në Bruksel e gjetiu të tre-katër vjetëve të fundit të ishin investuar në, ja ta themi, blerjen e autobusëve, Kosova i kishte pasur së paku 100 autobusë të rinj. Nëse asgjë tjetër, këta nuk do ta ndotnin vendin me tym të vajit të djegur të motorëve të shpenzuar.
Keqpërdorimi i detyrës zyrtare dhe shpërdorimi i parasë publike madje edhe në Kodin tonë Penal janë vepra penale, që në rastin e paraqitjes publike të informatës do të duhej t’ia ndiznin motorët Prokurorisë së Shtetit. E kur këtë gjë potencialisht e bën shefi nominal i parave të këtij shteti, do të duhej të kishte veprim urgjent nga organet e ndjekjes. Në të njëjtën kohë, do të duhej të kishte reagim shumë të zhurmshëm qytetar, që do të duhej ta artikulonte fundin e durimit me bërjen budallë të krejt një populli nga një grusht njerëzish që marrin vendime në emër tijin.
Por ja që Kosova nuk ka zë populli dhe vazhdon t’i përpijë krejt rrenat e makinacionet që i paraqiten, sepse është në krizë të thellë të të vepruarit. Thuajse i është dorëzuar fatit të shkatërrimit. Atij të cilin e ushqen vetë, për shkak se më as në vete nuk ka besim.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...