Hijedritat

26 Janar 2015 - 14:33 - Flaka Surroi      

Ajo e së shtunës ka qenë protesta më madhështore që ka përjetuar Prishtina në shumë vjet. Prishja e saj në fund duket tepër e orkestruar për t’u parë si spontane, përderisa megjithatë nuk mund t’ia zbehë peshën dhe rëndësinë fjalës së masës që kërkon t’i dëgjohet zëri

Përfundimi ka qenë gjë së cilës i është frikësuar shumica e protestuesve të së shtunës. Njëra ka qenë frika se do të ishin vetë serbët ata që do të mund të inskenonin shkatërrimin e pronës nëpër lokalitetet e tyre, nga “turmat e egërsirave shqiptare”; tjetra se incidentet që do të mund të shpinin madje deri te viktimat mortore do të mund t’i shkaktonin kundërshtarët e protestës, për të dëshmuar se kush janë “armiqtë e popullit” e kush “shpëtimtarët e stabilitetit”. Përmbyllja la shije të keqe dhe shkatërrim të kotë te pronës publike e private, të cilën në fund ne, qytetarët, do të detyrohemi ta kompensojmë.

Ajo që u pa të shtunën, hiç gjysmorëshin e fundit, ishte protesta më e madhe dhe më madhështore që është parë në Prishtinë prej shumë, shumë kohësh. Në protestë ka pasur të reja e të rinj, gra e burra të moshave të mesme e besa edhe të shtyra, ka pasur profesionistë e amvise e pensionistë; të punësuar e të papunësuar; të prekur nga ofendimi i Jabllanoviqit si pjesëtarë familjeje apo kolektiviteti – dhe shumë njerëz të tjerë që e kujtonin grevën e minatorëve të para 26 vjetësh kur u përpoqën ta shpëtonin me atë që kishin mëvetësinë e Kosovës.

Drita

Dikush do të thoshte lehtë e kanë pasur organizatorët se i kanë sjellë njerëzit me autobusë prej vendeve të tjera të Kosovës. Dhe, nuk ka dyshim se edhe ardhja e tyre rrëke nga drejtimi i stacionit të autobusëve bëri që numri i njerëzve të mbledhur të dukej impresiv, shikuar nga lartësia e Katedrales. Porse, fakti është se Prishtina moti nuk ka parë aq shumë qytetarë të saj në rrugë, saqë tingëllon shumë qesharak vlerësimi për pjesëmarrje që e ka bërë zyrtarisht policia, sipas së cilës ishin mbledhur 7 mijë veta.

Kanë qenë së paku dy dronë dhe një helikopter ushtarak që kanë fluturuar gjatë gjithë kohës – AKI-ja e edhe policia do të mund t’ua kërkonin fotot nga ajri dhe më pas me kalkulime të thjeshta matematikore të përcaktonin nëse atë ditë rrugët e Prishtinës u vërshuan nga ndoshta 30 apo 40 mijë veta. Pa dyshim shumë veta – që përkthyer në numra zgjedhorë, i bie gati tamam apo edhe më shumë sesa që i ka marrë krejt Lista Srpska në zgjedhje

Disiplina e protestuesve dhe mospërkrahja e secilit send që dikujt i binte në mend ta brohoriste tregonte se shumica e njerëzve kishin dalë për ta shprehur mospajtimin me mosveprimin e shefit të Qeverisë karshi Jabllanoviqit. Kishin dalë edhe për t’i treguar se nuk do të pajtoheshin me humbjen e pjesshme apo të plotë të “Trepçës” në ndonjë proces eventual negociatash, të cilit i druhen, posaçërisht pasi Edita Tahiri ka dalë për të thënë se “Trepça” nuk do të jetë objekt dialogu. Sa herë ajo dhe shefi i saj Thaçi kanë thënë se diçka nuk do të diskutohej apo nuk do të lejohej, ndodhte mu e kundërta.

Ishte shumica e protestueseve që nisi t’i qortonte dhe t’u fishkëllente vandalëve që thyenin xhamat e Qeverisë. Dhe dikush do të thotë se përse atëherë nuk i parandaluan dhe pse nuk ua morën gurët. Mbase përse kjo punë është dashur të zgjidhej nga Policia, e cila është e ngarkuar për ta bërë këtë punë.

Hijet

Protesta megjithatë pati mangësi, të cilat edhe do të mund të ndikojnë (pos faktit se është ditë pune) në zvogëlimin e numrit të pjesëmarrësve në atë tjetrën që thuhet se do të mbahet të martën në Prishtinë. Do të ishte mirë të dihet se kush do ta bartë barrën e organizimit dhe cili do të jetë qëllimi i kësaj proteste. Për më tepër a ka kush garanton se nuk do të ketë dhunë.

Simbolet shtetërore të Kosovës
Në protestë nuk u vërejt asnjë simbol i vetëm i Republikës së Kosovës. Shumë prej protestuesve dolën në mbrojtje të republikës dhe Kushtetutës që e rregullon këtë shtet kështu çfarë është. Dhe nëse është e vërtetë se organizatorët nuk lejuan që njerëzit të bartin simbolet e shtetit në të cilin jetojnë e që është i tyre, atëherë kanë bërë keq sepse kështu e kanë përvetësuar komplet një ngjarje që megjithatë ka qenë popullore e jo ideologjike.

Gjuha e urrejtjes e Kumnovës
Fjalimet e folësve nuk u dëgjuan përtej njëzet rreshtave të parë. E megjithatë, fjalimi i Nesrete Kumnovës kumboi më shumë se të tjerët për shkak të britmës së saj, por edhe për shkak të përmbajtjes së asaj që e thoshte. Përderisa absolutisht e kuptoj dhimbjen e saj dhe mllefin që e ka të akumuluar prej vitesh që nuk di për fatin e të birit, megjithatë revanshizmi nuk është forma në të cilën do ta luftojë fashizmin e Jabllanioviqit. Porositë e saj u dëgjuan më vonë në të gjitha edicionet e lajmeve – dhe përfundimisht kanë dalë jashtë kornizës së asaj që e kërkonin protestuesit: thjesht shkarkimin e Jabllanoviqit.

Vala
Nuk e di se çfarë e kolapsoi telefoninë publike mobile – a ngarkesa tepër e madhe e përdoruesve apo urdhri politik që të ndërpriteshin si lidhjet telefonike ashtu edhe ato të internetit. Cilado që të ketë qenë, i ka bërë një shërbim tepër të keq vetes, e tepër të madh konkurrencës. Porse njëkohësisht ka dëshmuar se deputetët kanë bërë shumë mirë që e kanë kthyer në ripunim “Ligjin për përgjimin e komunikimeve elektronike”. Ajo e së shtunës dukej thuajse bëhej fjalë për përgjim masiv dhe kontroll të rrezikshëm të lirisë së shprehjes, qoftë edhe nëpërmjet telefonit celular.

Huliganët
Një pjesë e atyre që hidhnin gurë bartnin maska, e këta u panë duke ardhur që në fillim, prapa minatorëve të “Trepçës”. Se a janë të njëjtët njerëz apo jo, nuk e di, porse pyetja është përse duhet të bartësh maskë në një protestë të padhunshme? Përshtypja megjithatë mbetet se këta vandalët i solli dikush me qëllim që ta prishin protestën dhe ta shmangin vëmendjen nga ta, në kushtet kur 30 mijë njerëz kërkonin që Qeveria t’ua dëgjojë zërin – sepse duhet pasur veshë për atë që e thotë populli. Ishte tepër e sinkronizuar ajo punë, për t’u parë si spontane.

Heshtja e folësve ndaj vandalizmit
Thyerja e xhamave nisi që me fjalimet e para që në fund dolën të ishin pak a shumë të kota dhe të gjata. Nuk u dëgjua që folësit t’u kenë bërë thirrje hedhësve që të ndaleshin, porse u pa se disa aktivistë të VV-së përpiqeshin t’i ndalnin gurëhedhësit.

Mosintervenimi i policisë
Ngase pika më e dalluar, për të keq, e protestës. Policia qëndronte pa lëvizur, derisa intensiteti i thyerjes mbërriti aq lart sa kati i katërt, apo cili qe, i ndërtesës së Qeverisë. Nuk e di se cila do të ketë qenë arsyeja e mosintervenimit të policisë në ato çaste, porse e besoj se po të kishin dalë ata me helmeta e mburoja, dëmi ndaj ndërtesës do të ishte shumë më i vogël, kurse ai lokali privat mbase as nuk do të prekej fare.

Çka tutje

Protestuesit ia dhanë ultimatumin Qeverisë që do të skadojë sot në orën 16. Jabllanoviqi duhet të shkojë, thonë ata. Qeveria thotë se ky ka ofruar kërkimfaljen dhe se nuk e ka ndër mend të merret me kërkesat partive politike të shqiptuara në rrugë dhe se ajo i jep llogari Kuvendit. Porse duhet rikujtuar se kur deputetët i thanë kryeministrit se duhej ta shkarkonte Jabllanoviqin, ai iu përgjigj me një “kush je ti me thënë këtë apo atë...”, e që është diskurs i papranueshëm që u është regjistruar protestuesve tashmë.

E se diskursin nuk po e ndryshon, e dëshmoi edhe komunikimi i djeshëm në FB: “Për hire të së vërtetës! Listën Serbe dhe ministrin Jabllanoviq, nuk ua solli Isa. Ata i gjeta në mesin tonë. I solli veriu i ndarë, i sollën votat e qytetarëve serbë, i solli dialogu. Realiteti është se ata udhëheqin gati të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë dhe se kanë 10 deputetë në Kuvend”. Përpjekja për t’u larë nga përgjegjësia këtu është e paqëndrueshme, sa edhe akuza që e gjithë opozita e ka votuar Ligjin për “Trepçën”.

Sërish duhet kujtuar z. Mustafa se dialogun me Serbinë e përkrahu ai bashkë me partinë e tij, pa vënë asnjë kusht të vetëm; se ishte partia e tij, e cila, pos Vjosa Osmanit, e votoi marrëveshjen me Serbinë që e njeh Zajednicën me fuqi ekzekutive; se ishte ai, i cili lidhi marrëveshje koalicioni me PDK-në dhe Lista Srpskan pa fije nevoje, për shkak se numrat tashmë i kishin dy partitë e mëdha bashkë; se përfundimisht është ai, i cili e futi në listën e ministrave të tij, me apo pa dashje, dhe se është i vetmi që si shef i tij nominal, mund t’i thotë “shko n’shpi”. Pra, Jabllanoviqin në Kosovë e sollën prindërit e tij, e në Qeveri marrëveshja e Mustafës me PDK-në.

Pra, Mustafa, jo që ka gëzuar ndonjëherë përkrahje shumë të gjerë, por ka humbur shumë nga simpatia për të në çastin kur vendosi të lidhë marrëveshje me PDK-në për t’u bërë kryeministër i një Qeverie që nuk duket se do të funksionojë gjatë dhe mirë. Mbase ende nuk është i vetëdijshëm, porse atë që ka arritur të bëjë në muajin e fundit, është ta rehatojë Thaçin dhe t’ia japë atij mundësinë që pos shëtitjes lart e poshtë (dhe për pasojë mbledhjen e mëditjeve), t’ia lërë Mustafës kilen për krejt të këqijat që i ka krijuar vetë Thaçi, e që Mustafa s’po di t’i menaxhojë. Thaçi, duke u mbështetur në maksimën “Heshtja është ar” po përfiton shumë nga situata në të cilën Mustafa zgjedh t’i fusë “veshtë në lesh”.

Ajo masë që ka dalë të shtunën, nuk ka dalë për badihava. E ka një hall të madh dhe kërkon që t’i dëgjohet zëri. Jabllanoviqi është vetëm një copë e atij halli – dhe i madh apo i vogël, duhet të zgjidhet si problem. Të zgjidhet nga ai mbi të cilin bie përgjegjësia, si për këtë, ashtu edhe për problemet e tjera tepër të mëdha që politika e papërgjegjshme ia ka falë Kosovës.

[email protected]

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...