Fija e kashtës

10 Shkurt 2015 - 08:14 - Flaka Surroi      

Këta të sotmit nuk po shkojnë pse dikush po i ndjek për t’i vrarë. Po largohen prej vendit, për shkak se politikanët po i mbysin urie dhe dëshpërim dita më ditë. Për shkak se ua kanë hëngër edhe dinjitetin, sepse tash i lusin xhelatët e para 15 vjetësh që t’i çojnë përtej kufijve, larg, sa më larg vendit që deri dje e kanë pasur atdhe

Shkoi. A vetë, apo e bënë të shkojë nuk e morëm vesh, sepse kryeministri nominal e mbajti një konferencë për shtyp telegrafike, në të cilën nuk e lejoi asnjë pyetje të vetme dhe në të cilën thjesht na tha se Jabllanoviqi më nuk ishte pjesë e kabinetit qeveritar. E bëri gati një muaj pasi që ky i fundit kishte treguar gjithë fashizmin e tij verbal në Gjakovë. E bëri pasi u mbajtën dy protesta të mëdha në Prishtinë, ku u ushtrua një dhunë e paparë dhe e kotë, për një njeri që nuk ia ka vlejtur gjithë atë siklet. Përfundimisht e bëri, pasi e kuptoi se mobilizimi i qytetarisë kishte një potencial të cilin të gjithë të ulurit nëpër kolltukë e kishin besuar se kishte vdekur më 1998. E udhëzoi frika.

Mu kjo frikë dhe blerja e paqes sociale, e bënë Qeverinë që të dalë me një vendim populist për faljen e borxheve që qytetarët dhe bizneset i kanë ndaj ndërmarrjeve dhe institucioneve publike. Thjesht, populist për shkak se vendimi u mor pa e ditur as shumën për të cilën po flitet; pa e ditur as kush do të lirohej nga obligimi i pagesave; pa e ditur as prej nga do të mbulohej minusi te ndërmarrjet, e edhe te vetë buxheti i Kosovës.

Amnistia 2

Para dy vjetësh, Kuvendi i Kosovës kishte miratuar Ligjin e amnistisë, që qe kundërshtuar zëshëm nga qytetarët. Kundërshtimi kishte hasur në veshë të shurdhër të institucioneve, përfshirë edhe Jahjagën, që e kishte vënë nënshkrimin për ta futur në fuqi. Në njërin nga vendimet e rralla që u argumentuan mirë, Gjykata Kushtetuese i kishte marrë parasysh vërejtjet e peticionit të nënshkruar nga 12.764 qytetarë, dhe ua kishte pamundësuar hajnave dhe të favorizuarve të regjimit që t’i iknin ndëshkimit.

Pas vendimit të fundit të Qeverisë, duket se do të ballafaqohemi me të njëjtin problem: sipas fjalëve të ministrit të Financave, rreth 90% të njerëzve që do të lirohen nga borxhet do të jenë qytetarët dhe bizneset që nuk kanë mundur t’i paguajnë obligimet. Nuk dihet vlera që i referohet kësaj pjese të të përzgjedhurve. Nga ana tjetër, ministri i Financave nuk tregoi se kush e bën atë 10% e mbetur, e as nuk tregoi se për sa para bëhet fjalë për këtë pjesë të popullatës. Të vetmin send që e dimë gati me siguri, është se në këtë amnisti do të përfshihen ata 100 milionë që serbët ia kanë borxh KEK-ut, e që nuk kanë paguar kurrë. Pse s’kanë dashur, e jo pse s’kanë mundur.

E tash, këtu janë disa momente që duhet pasur parasysh para se të kuptohet përfundimisht se për çka po flasim.

I pari është se Thaçi, qysh më 2013, kishte marrë vendimin për t’ua falur borxhet e rrymës të gjitha rasteve sociale për periudhën 2000-2013. Pra, nëse tashmë këto borxhe janë shlyer, cilat janë borxhet e KEK-ut që nuk janë shlyer deri më 31 dhjetor 2008? Tenderët e sigurimit fizik, të mazutit apo çka?

I dyti është detaji interesant se deri më 31 dhjetor 2008, Qeverinë e kanë kontrolluar PDK-ja me LDK-në (pa harruar se AAK-ja ishte pjesë e pushtetit deri më 2007). Pra, dy partitë e koalicionit aktual kishin kontrollin absolut mbi tenderët. Për pasojë, i kanë pasur nën kontroll edhe bizneset që kanë mundur t’ua shohin hairin e që për qejf të mos paguajnë tatim.

I treti është se ministri i Financave ka thënë se borxhet do t’iu shlyhen firmave që kanë falimentuar. Logjika thotë se ai që ka falimentuar ka mbaruar ekonomikisht, s’ka më asgjë, pra edhe nuk mund t’ia nisë aktivitetit ekonomik në firmën që shuhet me fuqi të ligjit. Apo është se mundet, falë amnistisë?

Elementi i fundit është edhe fjala e fundit, magjike, e ministrit, sipas të cilit: “nuk do të ketë subvencione për paguesit e rregullt”. Pra, të gjithë ata që nuk kanë borxhe ndaj institucioneve publike dhe atyre shtetërore do të diskriminohen, për shkak se kanë qenë pagues të rregullt dhe të ndershëm. Kjo pak a shumë i bie se nëse në të ardhmen u shmangen tatimeve dhe obligimeve, dhe ia dalin që të mos falimentojnë, do të duhej të prisnin që brenda ca vjetësh Qeveria e ardhshme t’ua falte mospagesën. Për shkak se bën edhe kështu.

Kori i vonuar gazmor

Kurrë nuk ma ka marrë mendja se Kori gazmor i mbesave të mia do të bëhej hit pas dy dekadash e fiu. Tek i dëgjoja zyrtarët institucionalë duke folur për eksodin masiv që nuk po ndalet qe sa muaj, m’u kujtua kori i patave që bëjnë ga-ga, i pulave të kuqe që bëjnë kua- kua, i gjelit që bën ki-ki dhe i zogut të vogël që bën ciu-ciu. Kakofoni i thonë.

Pas heshtjes disavjeçare, cytur nga rritja e qarkullimit të autobusëve për në Beograd, (që paradoksalisht u quajt fitore për lirinë e lëvizjes e arritur me marrëveshjen e parafuar të Brukselit), tash përnjëherë të gjithë zyrtarët çohen e flasin për emigrimin ilegal dhe për nevojën që ai të ndalet. Ministri i Financave thotë se gjesti i shlyerjes së borxheve ka për qëllim ndaljen e emigrimit; Jahjaga, e cila më në fund ka vendosur të shkelë mbi tokë e të dalë për t’i vizituar Ferizajn dhe Vushtrrinë, thotë se s’kemi njerëz për të humbur. Deputeti i PDK-së dhe ish-ministër i Zhvillimit Ekonomik, e më pas edhe i Financave, Beqaj, del e thotë se njerëzit ikin për shkak të kushteve të këqija ekonomike – as pa u zverdh e as pa u skuq.

Hoti e di se me faljen e borxheve nuk do ta ndalë ikjen, për shkak se rastet sociale janë aq të varfra sa as bileta autobusi deri në Prishtinë s’mund t’i blejnë, po qe se janë nga brendia e Kosovës; e di shumë mirë se emigrimi nuk do të ndalet, sepse pos që politikanët me “politikat” e tyre i kanë dërrmuar ekonomikisht, masës ia kanë dëshmuar se ky nuk është shtet i mirëfilltë. Madje nuk është shtet funksional. Është shtet i ngufatur me krimin dhe korrupsionin. Është shtet i udhëhequr nga njerëz që nuk ua duan të mirën njerëzve të vet, se po të ishte e kundërta, nuk do të na ndodhte që brenda një jave të vetme të regjistroheshin gjashtë lajme që ta humbin vullnetin për të jetuar në Kosovë:

  1. Kosova i ka 3000 vetura zyrtare. Me shkronja: tre mijë. Po të ishin modestë dhe po qe se secila veturë t’i harxhonte nga 50 litra benzinë në muaj, këto do të bënin diku rreth 150 mijë euro. Apo 2,500 asistenca të mjerueshme sociale në muaj, për shëtitjen e bythëtrashëve;
  2. Në KEK dyshohet se janë keqpërdorur veç nja 6,3 milionë euro për blerjen e mazutit për nevojat e termocentralit. Një javë më herët u fol për keqpërdorimin e 13 milionëve në një tender për sigurimin fizik të Korporatës në favor të më të fortit;
  3. Onkologjia në QKUK prej muajsh nuk ka citostatikë – thuhet se s’ka buxhet. Klinikat e tjera nuk kanë as barna esencialë – mbase edhe aty s’ka buxhet, ani që paguhen shumë të holla për asgjësimin e atyre që u ka kaluar afati;
  4. Me muaj presim që Kosova të bëhet me kryeprokuror. Konkurset shpallen, njerëzit konkurrojnë, vendimet anulohen nga Gjykata Kushtetuese dhe konkurset prishen me marrëveshje – përderisa ushtrues detyre i shefit të kryeprokurorëve vazhdon të jetë një njeri që ka qenë zëvendësministër nga radhët e LDK-së. Zogjtë e Halit K. cicërojnë dhe thonë se mbase mandati do t’i vazhdojë deri kah qershori, sepse atëherë Baba e kryen detyrën, e duhet me ia gjet një vend të ri pune që i pëlqen;
  5. “Kosova e Re” mund t’i jepet me koncesion një firme amerikane, në një garë ku ka vetëm një garues. E kjo firmë ka ndërmend me i nxjerrë investimet për katër vjet, e mandej 16 të tjera me na e nxjerr shpirtin. Kjo, sepse krejt fitimin do që ta fusë në xhep të vetin, përderisa ia sheh hairin rezervave të thëngjillit, që në fund po dalin të jenë vlera më e madhe nëntokësore që e kemi.
  6. Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 15 muaj burgim dhe konfiskim të 200 mijë eurove kushëririn dhe truprojën e kryeministrit të Jashtëm, për mitmarrje. E gjithë kjo në lidhje me shitjen e paligjshme të 91 hektarëve tokë në fshatin Muzakaj, e që është pronë e njeriut të afërm të Sami Lushtakut. Dhe ky është vetëm vendimi i shkallës së parë, që mund të kontestohet dhe që mund edhe të prishet. Ndërkohë toka shkoi. Në duart e të fortëve.

Për Mbretëreshën e Nepalit, dalja nëpër qytete për të folur me njerëz nënkuptoi edhe një gafë të madhe, në ngarendjen për të folur sa më shumë e për të thënë sa më pak. Parafrazuar, e tha se para 15 vjetësh kishim ikur prej Kosovës dhe e dimë se kjo nuk është mirë, për shkak se Kosova nuk ka njerëz për të humbur.

Moj kryetare: ne nuk kemi ikur, por na kanë dëbuar fizikisht dhe me dhunë. Na u kanë kërcënuar me vrasje, e me çka mos. E i kemi pasur tytat e tyre te tëmthi. Atëherë na kanë qitur në tokë të huaj, ku kemi shkuar pa vullnetin tonë.

Këta të sotmit nuk po shkojnë pse dikush po i ndjek për t’i vrarë. Po largohen prej vendit për shkak se politikanët si ju jeni duke i mbytur urie dhe dëshpërimi dita më ditë. Për shkak se ua keni hëngër edhe dinjitetin, sepse tash i lusin xhelatët e para 15 vjetësh që t’i çojnë përtej kufijve, larg, sa ma larg vendit që deri dje e kanë pasur atdhe. Për shkak se janë gërditur prej rrenave tuaja; prej hajnisë; prej pasurisë tuaj; prej mashtrimeve; prej territ; prej mungesës tuaj të kurrizit.

Nuk po e kuptoni se ikjen e kanë fijen e kashtës për të cilën mbahen, sepse ju dhe të ngjashmit si ju nuk e keni kuptuar se bota nuk sillet rreth jush, dhe se çdo ngritje e ka nga një rënie që mundet me qenë e ashpër dhe e pakthyeshme. Ajo mund të vonojë, por shpëtim s’ka.

Sepse ua keni bërë të pamundur të jetojnë në një vend ku do të ndiheshin të lumtur edhe me pak, por me mjaft për të jetuar mirë dhe pa i pasur borxh askujt. Sepse i keni bërë t’i bien pishman që ishin kthyer pas luftës. Sepse, të kishin ditur se do të vinin në këtë derexhe, i kishin kursyer 15 vjet. Pesëmbëdhjetë vjet që ju dhe të ngjashmit me ju na i keni hëngër të gjithëve.

E këto, dikur do t’ju mbesin në fyt.

[email protected]

© KOHA.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...