29 Dhjetor 2015 - 08:37 - Flaka Surroi
Pra, s’ka dyshim se ngjarja që shënoi javën qe vendimi solomonik i Kushtetueses për Marrëveshjen e dytë “historike” për Zajednicën – që supozohet se do të duhet t’i kënaqë që të gjithë: edhe ata që thoshin se Zajednica nuk kalon e edhe ata që ajo nuk i shkel parimet kushtetuese. Dhe, sipas zakonit të vet të vjetër, Kushtetuesja u fut në interpretimin e diçkaje që askush s’e kishte pyetur dhe tregoi se ani që ishin shkelur madje të shtatë kapitujt e Marrëveshjes, Zajednica do të duhej të themelohej me Dekret e me Statut – porse do të duhej të merreshin për bazë vërejtjet që tashmë i përmban vendimi i Kushtetueses.
Heroi i gjithë kësaj ngjarjeje doli të ishte gjyqtari Bekim Sejdiu – ish-ambasadori i parë i Kosovës në Turqi, njëri nga dy shqiptarët që vendosën për çështjen e kushtetutshmërisë së Zajednicës. Vetëm sa për të kujtuar: Kushtetuesja momentalisht i ka dy anëtarë shqiptarë, një turk, një serb dhe tre të huaj. Dy shqiptaret tjera u votuan nga Kuvendi, por nuk janë dekretuar nga kryetarja, për pasojë nuk morën pjesë në vendimmarrjen për këtë çështje. A do të thotë kjo se ka bazë të mjaftueshme të vihet në pyetje objektiviteti i vendimit, meqë numri i përfaqësuesve të popullit shumicë nuk ishte i kompletuar?
Sidoqoftë, Sejdiu, me një anglishte të përkryer, arsyetoi mospajtimin me vendimin e kolegëve gjerë e gjatë, porse i përmblodhi të gjitha në një paragraf.
Vendim i pakryer
“...e vlerësoj se Parimet e Asociacionit, si akte juridike, prodhojnë efekt substancial në rendin kushtetues të Republikës së Kosovës. Ky efekt manifestohet nëpërmjet mospërputhshmërisë kushtetuese që rrjedh nga shumë dispozita të Parimeve të Asociacionit me Parimet Themelore të Kushtetutës. Zbatimi i plotë i Parimeve të Asociacionit brenda rendit aktual kushtetues të Republikës së Kosovës do të ishte një anomali kushtetuese. Kështu, për ta shmangur këtë, ose Kushtetuta duhet të ndryshojë, ashtu që të krijohet korniza kushtetuese që do ta lejonte zbatimin e Parimeve të Asociacionit, ose Parimet e Asociacionit (së bashku me legjislacionin zbatues) duhet të amendamentohen substancialisht dhe t’u krijohet një kornizë e re, ashtu që të jenë në përputhje me Kushtetutën. Në përpjekje për të gjetur një zgjidhje të ndërmjetme, shumica e Gjykatës ka marrë vendimin që, sipas mendimit tim, nuk e parandalon përjetësimin e shpërputhjes ndërmjet Parimeve të Asociacionit dhe të Kushtetutës...”, thotë Sejdiu në letrën e tij.
Kjo që po e paralajmëron Sejdiu është se Kushtetuta mund të pësojë ndryshime – gjë e cila fare nuk është larg mendsh, duke e marrë parasysh atë që e tha kryeministri nominal në mbledhjen e parë të Qeverisë pas publikimit të aktgjykimit. Është e pabesueshme që komplet një Qeveri vazhdon të qëndrojë e verbër ndaj faktit se kjo Marrëveshje është e keqe dhe diskriminuese, përderisa vazhdon të insistojë se ajo duhet të zbatohet, asisoj që një OJQ, çfarë e kanë proklamuar të jetë Zajednica, të themelohet me dekret të Qeverisë.
Deklarata se “vendimi është pozitiv dhe se Parimet nuk janë akt konkret juridik dhe Asociacioni nuk themelohet mbi bazën e këtyre parimeve”, është ashiqare “këshilla” që u është dhënë nga miqtë ndërkombëtarë se si duhet menaxhuar këtë krizë tash e mbas. Pra, të shkohet tutje me themelimin e Asociacionit, që është konstatuar se nuk i ka Parimet në pajtim me Kushtetutën, edhe nëse kjo nënkupton ndërrimin e Kushtetutës për t’iu përshtatur nevojave të Serbisë. Për shkak se reagimi i parë nga Serbia ishte: pse të ndërrojë Marrëveshja, le të ndërrojë Kushtetuta e Kosovës.
Vendim i rrezikshëm
Pra, sipas Kushtetueses, në të gjithë kapitujt e Marrëveshjes së dytë “historike” janë gjetur shkelje, pra, logjikisht, kjo marrëveshje do të duhej anuluar menjëherë dhe rinegociuar po qe nevoja. E nuk e di se përse ka nevojë të kemi marrëveshje ndërkombëtare (ashtu e quajnë) për ta themeluar një OJQ. Por Qeveria kokëfortë sa prej mosdijes, aq sa edhe prej inatit dhe refuzimit të pranojë se ka gabuar me komplet procesin negociator me Serbinë, e posaçërisht me Marrëveshjen e gushtit, vendos të ecën tutje me hartimin e Dekretit dhe të Statutit.
E se vendimi që të shkohet përpara me të është i rrezikshëm, më së bukuri e shpjegon një njeri me njohuri të thuktë dhe të mprehtë të së drejtës, Fisnik Korenica: “Ta adresosh vendimin e Kushtetueses vetëm ndaj Statutit dhe Dekretit, jo vetëm që lë në fuqi një Marrëveshje, parimet fondamentale të së cilës janë konkluduar si kundërkushtetuese, ama edhe i lë hapësirë Asociacionit që nesër ta shfrytëzojë Marrëveshjen kundërkushtetuese si bazament të autoritetit të tij në vend të Statutit dhe Dekretit. Ky hendek pastaj shndërrohet në hapësirë për shkelje të Kushtetutës, që më nuk mund të kontrollohet nga Gjykata Kushtetuese”.
Dhe në këtë tollovitje juridike, janë disa momente që lidhen me deklaratat e Mustafës, e që duhen veçuar për hipokrizinë që ngërthejnë në vete.
E para ka të bëjë me faktin se ai insiston që të shkohet tutje me Dekretin, të cilin thotë se do ta dërgojë në Kushtetuese për miratim – gjë të cilën nuk e ka bërë para se ta nënshkruajë Marrëveshjen e famshme të gushtit. E që nuk e ka bërë as pasi e ka nënshkruar atë. Përkundrazi, ka insistuar të deklarojë sesi krejt dokumenti është ndërtuar mbi Parimet e Kushtetutës dhe ka refuzuar çfarëdo debati për temën. Kushtetuesja i tregoi se Marrëveshja i shkel krejt parimet kushtetuese;
E dyta ka të bëjë me faktin se insiston në formimin e Asociacionit, që partneri i tij në qeverisje me ngulm e ka mbrojtur si OJQ, me dekret qeveritar. E krejt po e thonë, përfshirë edhe vetë Mustafën, se Zajednica nuk është OJQ. Me këtë do ta vendosë një precedent shumë të rrezikshëm, aq sa prej atij momenti e tutje, Qeveria do të mund të formojë çfarëdo OJQ-je, shoqate qytetarësh e besa edhe dyqane po deshi – sepse këtë bazë ia siguron ky veprim, i cili ende mund të parandalohet. Për më keq, do të jetë precedent që do të prekë në esencën e Kushtetutës, që, si është nisur Qeveria, do të duhet të pësojë ndryshime për kot;
E treta, insiston që të përpilohet Statuti për të cilin shpreh interesimin që të ketë ekspertë ndërkombëtarë, por edhe ekspertë të brendshëm dhe ekspertë nga opozita – “sepse kjo është çështje që nuk i takon vetëm një spektri politik, por të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës”. Negociatat me Serbinë nuk i kanë takuar vetëm spektrit politik, por kanë qenë të interesit jetik për qytetarët e Kosovës, e ata nuk i ka pyetur kush asnjëherë se çka mendojnë dhe si duhet qasur kësaj pune. Kur kanë nisur negociatat, Thaçi as që e ka kërkuar pëlqimin e Kuvendit bile, e kur është ratifikuar Marrëveshja e prillit, ka qenë spektri politik (minus Vetëvendosja dhe Vjosa Osmani) ai që e ka ratifikuar atë, pa e pyetur popullin a ka gjë për të thënë. Kur është nënshkruar Marrëveshja e gushtit, Mustafa i ka qitur gisht pa e sjellë tekstin në Kuvend për të dëgjuar çfarë ka për të thënë spektri politik, se për popull as të mos flasim. Na ka qitë të gjithëve para aktit të kryer, e tash kinse kërkon bashkëpunimin edhe të opozitës.
E katërta thotë se “nuk ka hapësirë të thuhet se Asociacioni s’do të bëhet, sepse a do të bëhet apo jo, është përcaktuar me ligj në vitin 2013”. Por nuk e thotë se s’ka ligj në botë që s’mund të ndryshojë. Në të njëjtën mënyrë si është fuqizuar, mund të shfuqizohet. Për të mirën e vendit.
E pesta e thotë edhe këtë: “Pas kësaj nuk ka asnjë arsye të mëtutjeshme për bllokim të punës së Kuvendit. Nuk ka asnjë arsye të mëtutjeshme për protesta në rrugë, sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese është shumë i qartë. Ky vendim siguron që procedurat e mëtutjeshme të zhvillohen në kornizat e Kushtetueses dhe duke respektuar të gjitha Parimet kushtetuese”. Do të thotë se paska pasur arsye për bllokimin e Kuvendit, ani që me kokëfortësi ka insistuar që gjithçka është në rregull me Marrëveshjen, të cilën vetë ai e as partneri i tij që e zjeu gjithë këtë lëmsh, Thaçi, kurrë nuk e dërguan në Kushtetuese.
E se sa është i qartë aktgjykimi i Kushtetueses, mbase do të duhej ta lexonte Korenicën. Për më tepër, do të duhej ta dëgjonte, sepse ky merr vesh më shumë për ligje e vendime sesa krejt Qeveria e tij bashkë: “Statusi i Marrëveshjes si ‘akt i ndërmjetëm’, i cilësuar kështu nga Gjykata, është krejtësisht jorelevant përballë detyrimit që akti i tillë jokushtetues të përjashtohet nga rendi juridik në të cilin prodhon efekt direkt juridik. Prandaj, pavarësisht që Gjykata nuk e merr guximin për ta anuluar Marrëveshjen në mënyrë eksplicite, është në maturinë e Qeverisë që të mos bartë një detyrim që tashmë është konstatuar të jetë në kundërshtim me Kushtetutën. Topi tash është në anën e Qeverisë. Qeveria, prandaj, duhet të tërhiqet dhe pastaj të rinegociojë Marrëveshjen, duke iu nënshtruar parimeve të vendosura në vendimin e Gjykatës. E kundërta nuk është e mundur, sepse pretendimi që kundërkushtetutshmëria mënjanohet vetëm përmes Statutit dhe Dekretit, është i pavërtetë, meqë akti që prodhon gjerësinë e autorizimit dhe obligimit për Asociacionin, është Marrëveshja e jo anasjelltas (Statuti dhe Dekreti)”.
Është plotësisht jorelevante se çfarë thonë miqtë ndërkombëtarë për këtë Marrëveshje dhe për vendimin e Kushtetueses, sepse kryeneçësia për të vazhduar me një eksperiment që do ta sjellë replikën e Bosnjës është pasqyrim i të moskuptuarit të realitetit. Punë e madhe nëse nuk na japin liberalizimin e vizave – se edhe ashtu gjithë jetën e kaluam me viza, ne që kishim mundësi të udhëtonim. Punë e madhe nëse ju quajnë joseriozë karshi “miqve”, sepse jeni joseriozë ndaj popullit të cilit i keni borxh. Punë e madhe nëse e humbni pushtetin, sepse asnjë hair nuk patëm prej sundimit tuaj shumëvjeçar në kombinim me partnerin tuaj, PDK.
Për Kosovën është shumë më mirë të anulohet Marrëveshja dhe që me Serbinë të negociohet për të pagjeturit; për pensionet e kursimet e vjedhura; për dëmet e luftës. Serbia ia ka arritur qëllimit falë miopisë së politikanëve kosovarë – është shtet kandidat. Është shansi i fundit për ne që të çlirohemi nga argatia që po ia bëjmë Serbisë në dëm të vet qenies së shtetit tonë.
Është shansi i fundit për t’u këndellur. Në të kundërtën, fillimi i vitit të ri do të na sjellë veç më shumë dhunë. E dhuna do të sjellë hidhërim. E hidhërimi mund të sjellë shpërthim. Dhe për çka? Veç për inat.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...