Rrena

7 Prill 2015 - 08:10 - Flaka Surroi      

Përderisa të vijojë mungesa e ndëshkimit si elektoral ashtu edhe penal e atyre që duke rrejtur e marrin në qafë krejt një masë që e ka humbur udhën në oborr, ne do të vazhdojmë ta festojmë secilën ditë si ditën ndërkombëtare të rrenës. Sepse secila ditë do të jetë e njëjtë

Do të mund të quhej një javë e rëndomtë, në të cilën u festua dita ndërkombëtare e politikanëve kosovarë: 1 prilli.

Nëse java nisi të dielën, atëherë filloi me një gëzim për infarkt, të cilin na e dhanë lojtarët e Kombëtares së Shqipërisë, pasi e mundën Armeninë me dy gola të kosovarëve. Nëse ia nisi të hënën, atëherë u shënua me një futje të dhunshme të ish-ushtarëve të ish-UÇK-së në oborrin e Qeverisë, në kërkim të miratimit të ligjit që do t’ua siguronte beneficionet – aq shpesh të premtuara nga politikanët, posaçërisht sa herë që ishin në fushatë zgjedhore.

Java vazhdoi me aprilililin e gazetës, që sivjet e ngrëni EULEX-i, e bashkë me të gjitha portalet që i vjedhin lajmet e shtëpisë KOHA pa fije turpi dhe pa fije përgjegjësie. Për shkak se munden, dhe për shkak se, pavarësisht se çfarë thotë ligji, s’ka kush çfarë ju bën. Kështu, legalizojnë në heshtje hajninë – sepse mjafton një hajn për ta vjedhur punën e 100 vetave dhe për ta plasuar si të veten. Ose për ta marrë për vete. Pa ndëshkim.

Mesi i javës na zbuloi plasaritjen e parë serioze, së paku publike, brenda VV-së. Me përjashtimin partiak të Ajnishahe Halimit nga Skënderaj dhe Arben Gecajt nga Deçani, u hap debati nëse VV-ja funksionon me sistem diktatorial ku nuk durohet mendimi ndryshe, apo edhe nëse kjo parti ka pësuar infiltrime në strukturën e saj të brendshme, që kanë për qëllim marrjen e kështjellës përbrenda.

Fundin e javës e karakterizuan tri gjëra. E para ishte një lajm që nuk është lajm: mbi shfrytëzimin e pacipë të buxhetit të shtetit nga ana e përfaqësuesve të Listës Srpska, si në Kuvend ashtu edhe në Qeveri. Ka dy muaj që nuk duken andej pari për të punuar, ama për këtë, asgjë nuk i ndal t’i (keq)përdorin të gjitha mjetet që u janë vënë në dispozicion në emër të posteve që i mbajnë.

E dyta ishte debati parlamentar për 100-ditëshin e Qeverisë Mustafa/Thaçi, ku nuk dëgjuam asgjë që nuk kishim dëgjuar deri më tani. Thuajse po e jetonim jetën si Bill Murray në Groundhog Day (Dita e marmotës) – çdo ditë të njëjtën gjë, prej fillimit deri në fund.

E treta lidhej për diskursin absolutisht të papranueshëm të intolerancës fetare që e kishte shqiptuar në një fjalim një hoxhë që tashmë kishte treguar edhe diskurs antigjinor, duke i shpallur femrat shqiptare për lavire.

Rrena i ka këmbët e shkurtra, por çfarë lidhje ka kjo me ne?

Pra, në sa vjetët e fundit prejse Kosovën e udhëheqin politikanët kosovarë nuk kalon ditë në të cilën dikush prej tyre nuk e shqipton bile një rrenë. Dhe nëse zihet duke gënjyer, me automatizëm do të dalë të thotë se është keqkuptuar. E këtë keqkuptim zakonisht, sipas tyre, e bëjnë gazetarët.

E rrenat e tyre i kishin këmbët shumë të shkurtra, dhe u zbuluan të tilla pas një kohe shumë të shkurtër. Dhe? Asgjë.

Për fat të keq, kosovarët janë mësuar të jetojnë me rrenat që ua thonë njëri-tjetrit gjithë ditën e lume, sepse inspirohen nga ata që supozohet se dinë diçka, dhe që kanë marrë përgjegjësinë për të vendosur për qytetarët. Për shkak se vetë qytetarët janë të gatshëm të kapërcejnë nëpër rrenat që u thuhen me faktin se ua japin votën po atyre që i kanë kripur rrena me vite të tëra.

Dhe përderisa të vijojë mungesa e ndëshkimit si elektoral ashtu edhe penal të atyre që duke rrejtur e marrin në qafë krejt një masë që e ka humbur udhën në oborr, ne do të vazhdojmë ta festojmë secilën ditë si ditën ndërkombëtare të rrenës. Sepse secila ditë do të jetë e njëjtë.

E se rrenë mund të klasifikohet “normalizimi” i marrëdhënieve me Beogradin e dëshmojnë loja të cilën e luan partia serbe e dalë nga kjo marrëveshje dhe sasia javore e kushteve të cilat kjo i hedh mbi tavolinë në emër të kthimit në institucione. Është rrenë se politikanët serbë janë integruar në institucionet e Kosovës, sepse atë ende e quajnë Kosovo i Metohija. Është rrenë se duan të mbesin në këtë shtet, për shkak se kërkojnë fuqi ekzekutive dhe autonome për një, sipas ligjit, OJQ që duhet të merret me këmbime praktike ndërkomunale serbe. Është rrenë se janë integruar gjyqtarët dhe personeli tjetër gjyqësor serb në veri, për shkak se me marrëveshje ajo që është arritur është segregacioni i sistemit gjyqësor në atë serb dhe atë shqiptar. Në të vetmin segment ku janë integruar politikanët serbë është në sistemin e shtrydhjes së buxhetit të Kosovës për shëtitje dhe punë personale. Dhe kjo e fundit s’është rrenë.

Është rrenë se Kosova do të arrijë t’i punësojë 300 mijë veta për këtë mandat qeveritar; është rrenë se do ta rrisë investimin e huaj në Kosovë duke dhënë garanci juridike, për shkak se ligjet në Kosovë vazhdojnë të mos zbatohen. Ka qenë rrenë e Thaçit rritja e rrogave për 25% për shërbyesit publikë e civilë dhe vazhdon të jetë rrenë zbatimi i kontratës kolektive. Ka qenë rrenë liberalizimi i vizave pas 15 muajsh nga tetori i 2007-s, vazhdon të jetë rrenë liberalizimi i vizave sivjet. Është rrenë pranimi i shpejtë nga pesë shtetet e BE-së që nuk na kanë pranuar, dhe është rrenë pranimi nga Izraeli, të cilit hyxhym e ka vizituar e gjithë kupola e PDK-së. Është rrenë se Kosova ka shërbim publik të depolitizuar, dhe rrenë do të vazhdojë të jetë premtimi se problemet e shëndetësisë dhe të arsimit do të zgjidhen si me shkop magjik.

Rrenë është se Kosova do ta padisë Serbinë për gjenocid, sepse po të kishte dashur, këtë do ta kishte bërë menjëherë pas luftës, kur ende kemi pasur vullnet për t’i mbledhur provat..., tash nuk kemi kohë, se jemi të zënë duke negociuar me xhelatin, përderisa kënaqemi me kthimin e kohëpaskohshëm të mbetjeve mortore të njerëzve të mbytur, të varrosur e zhvarrosur, e të bartur në tokë të huaj. Në emër të “normalizimit” të raporteve me “fqinjin”.

Rrena ka plot, por duket se kupa nuk na është mbushur ende.

Rrena di të jetë edhe idiotësi

Rrena ka turli. Edhe idiote. Autor i një rrene të këtillë, që nuk është aspak naive, por theksueshëm me një tendencë të qartë, qe edhe dersi i një kleriku islamik, i shqiptuar në një xhami të qytetit të Prizrenit. Sipas tij, Kosova s’paskësh pasur shqiptarë deri në shekullin XVIII, dhe se ata i kishin sjellë otomanët në “truall të shkaut”.

Pra, sipas këtij njeriu që mbjell urrejtje ndërfetare, e gjithë popullata katolike që fliste shqip e që madje kishte lënë gjurmë të shkruara në shqipet dhe me alfabet latin qysh në shekullin XV, ishin “shkije”. Pra, fillimisht duke e përdorur pezhorativin me primesa urrejtjeje për t’i devalvuar serbët ortodoksë, ky i barazon katolikët me serbët e urryer, “nën të cilët jemi kan’ tan’ jeten” (nëse s’paskemi qenë shqiptarë atëherë, e s’po di çka paskemi qenë, qysh kemi qenë nën thundrën e serbit pra gjithë jetën, s’po e kuptoj). Mohimi i ekzistencës së popullit që në kohën para se me ardhë otomanët kishte kultivuar fe tjetër, dhe kishte pasur edhe emra shqip, nuk çon ujë vetëm në mullirin e Akademisë Serbe të Shkencave, pra të vetë establishmentit serb, por është tendencë e pastër për krijimin e përçarjes ndër vetë shqiptarët. Vetëm për shkak se ka të tillë që nuk janë myslimanë dhe si të tillë nuk do të duhej të ekzistonin.

Përfundimisht imponimi i fesë nga otomanët, konvertimi i një popullsie të tërë që megjithatë i ka ruajtur gjuhën dhe traditën e vet nacionale, për dikë sikur është ky far hoxhe, është fillimi i historisë (diçka ngjashëm si puna e historisë së këtyre politikanëve tanë tash, sipas të cilëve historia nis me ta). Po nuk do të mërzitesha për këtë punë fare po të ishte puna e vetëm një hoxhe. Një i tillë kishte ardhur i importuar nga Shqipëria në Marinë të Skënderajt – dhe falë Ajnishahe Halimit dhe zhurmës së prindërve ai u dëbua nga Kosova, ngase i indoktrinonte fëmijët me vehabizëm.

Po mërzitem për shkak se nuk e dimë sa kësi diletantësh të rrezikshëm i ka mbledhur në gji të vetin Bashkësia Islame e Kosovës, dhe nuk e di dhe sa të tillë mund të ketë anekënd Kosovës që predikojnë se je shqiptar i mirë vetëm nëse je mysliman. Të tjerët që nuk janë myslimanë, që i kanë emrat shqip e jo muhamedanë dhe që nuk besojnë te faljet e thëna arabisht të cilat s’i kupton kush nuk ka vijuar mejtep, sipas këtij diskursi shovinist, nuk janë madje as shqiptarë. Nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë kurrë.

Rrenë më të madhe se kjo vështirë që mund të gjendet. Është rrenë që sjell me vete një ortek rrenash që nuk e kanë qëllimin e mbushjes së trurit të besimtarëve me dituri. Përkundrazi. Kanë për qëllim fshirjen e trurit të atyre që në fe kërkojnë shpëtimin e shpirtit të tyre të katandisur për shkak të situatës në të cilën jetojnë. Për shkak se besojnë se këta klerikë, “të zgjedhur nga Zoti”, e që për më keq flasin në emër të Zotit, janë njerëz të mençur që do t’ua ofrojnë prehjen.

E fuqizimin e njerëzve si çifti i këtij imami e kanë bërë mu ata politikanë të cilëve në përshkrim të vendit të punës u shkruan se detyrë parësore e kanë rrenën. Ata, të cilët u janë qasur vijave ekstremiste fetare sa herë kanë dashur të dëshmohen faktorë stabiliteti, pa të cilët kjo shoqëri nuk mund të mbijetojë. Ata, të cilët kanë toleruar importimin e një dogme shumë më ndryshe nga ajo e kultivuar si autoktone në Kosovë, për shkak të kalkulimeve politike. Për shkak të blerjes së qetësisë sociale, edhe me çmimin e trushpëlarjes së një kolektiviteti përherë me më pak perspektivë.

Rrena mund t’i ketë këmbët e shkurtra. Porse pasojat mund t’i ketë shumë jetëgjata.

[email protected]

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...