12 Gusht 2014 - 08:28 - Flaka Surroi
Ky do të mund të ishte një ditar imagjinar. Është dhe nuk është. Sipas formës mund të mos jetë. Me përmbajtje përshkruan ndjenjat e mia të përjetuara gjatë javës. E ato gjithmonë në një formë a tjetrën, lidhen disi edhe me kohën e shkuar. E edhe me atë që do të vijë.
E diel, 3 gusht 2014
Kur u pata bërë 14 vjeçe, ma kishin dhuruar për ditëlindje “Ditarin e Ana Frankut”. Ky kaherë ishte bërë shembulli më i përfolur i kronologjisë ditore të një jete që u shua si pasojë e internimit në kamp përqendrimi. I kronologjisë së të gjitha përpjekjeve inventive të njerëzve që bëhen skajshmërisht kreativë kur e kanë shumë zor, kur jetojnë për të mbijetuar.
Dhe si çdo fëmijë që u frymëzua nga humori dhe tragjedia e vajzës gjermane që për dy vjet me radhë përshkroi jetën e saj, e një të ngujuare në Amsterdam, edhe unë kisha nisur të mbaja ditarin tim, që kur e lexoj tash në distancë prej kaq shumë vjetësh, më tingëllon shumë naive, por në momente madje edhe mbresëlënëse dhe befasuese, për shkak të thellësisë së disa mendimeve që shfaqen aty.
Zanatin e të shënuarit të kujtimeve dhe emocioneve të çastit e kisha lënë mënjanë pas një kohe, posaçërisht pas angazhimit në studime e më pas edhe në punë. Tash, pas mbi një dekade e gjysmë, i bie pishman që nuk kam mbajtur shënime për kohën e luftës, sepse po më duhet të mbështetem shumë në kujtesën e cila ende më mban. Porse, atëbotë, kisha vlerësuar se do të ishte rrezik po qe se do të më humbte apo “humbte” ditari, e kështu të zbuloheshin lëvizjet nëpër terren dhe emrat e njerëzve me të cilët qemë takuar. Ashtu siç i kishte “humbur” shoqes sime, Lindës, pasi e kishte mbijetuar aksidentin me minë rrugës për në Abri të Poshtme, ku e kishte humbur jetën dr. Shpëtim Robaj. Atë që e kemi ditur është që çanta e saj, së bashku me fletoren e terrenit, ishte zhdukur para se të vinte helikopteri për t’i evakuuar të plagosurit.
E hënë, 4 gusht 2014
Nuk e di përse aq fuqishëm filloi të më sillej nëpër mendje puna e ditarëve që në çastin kur u bë publike “vrasja në afekt” e një ish-eprori/luftëtari të UÇK-së nga një tjetër ish-epror/luftëtar i UÇK-së. Nuk e di se përse, pavarësisht natyrës së rrëmbyeshme të vrasësit të dyshuar (së paku kështu e paraqiste ai veten publikisht), versioni i afektit është krejt pak i besueshëm. Nuk e di përse nisi të më sillej nëpër kokë teoria e një ditari apo të provave të tjera që do të mund të ishin arsyeja e vërtetë e vrasjes. S’di përse e mendoja se dikush e ka gjetur ditarin e dikujt, e që ai ditar përmbante shumë gjëra që nuk do të duhej ta shihnin dritën me sy. Ani që trajta e ditarit ka mundur të ishte tjetër: si për shembull një grumbull informatash të besueshme për aktivitetet e ndërsjella, e që nuk janë bash të lidhura me zanatin e deputetit a të biznesmenit. Dhe nuk e di se përse nuk m’u duk bash rastësi që kjo të ketë ndodhur as një javë pas konferencës së shtypit të Williamsonit, ku u vërtetua se do të kishte ndjekje penale të ish-eprorëve të ish-UÇK-së...
Sido që të jetë, po të mbaja ditar në këta 15 vjetët e fundit, me siguri se pyetjen që më së shpeshti do të përsërisja do të ishte “...po qysh ditën gjithë këto punë me i bâ?” Tjetra do të ishte, “a për këtë kanë luftuar? Për para e pushtet, e në emër të popullit, a?” Sepse për të gjitha dallaveret që pamë se si na zhvilloheshin para syve; për gjithë krimin e organizuar që na i zaptoi të gjitha; për gjithë humbjen e rastit që e patëm për t’u bërë shtet i mbarë, duhet fajësuar ata që në emër të luftës ia dhanë vetes të drejtën për ta përvetësuar si pushtetin, ashtu edhe pasurinë dhe pronën që dikur na takonte të gjithëve.
Sepse për të marrë nën kontroll të gjitha, me privatizim, me ndërmarrje publike, me gjyqësi, me administratë tatimore, me polici, me tenderë..., me një fjalë gjithçka që gjeneron para dhe sjell fuqi, duhet pasur mendje (dhe jo domosdoshmërisht të shëndoshë), kapadaillëk (qoftë personal, qoftë të huazuar në formë të “mbrojtjes së afërt”) lidhje të mira “sindikale” (me kolegët e “profesionit” në rajon) dhe një popull budallë, frikacak dhe oportunist që hesht para së keqes, përderisa një pjesë e tij (“dajat” e të ngjashëm) rehatohet me thërrmija.
Dhe kjo Kosovë nuk do të çlirohet nga ky ankth pa u hequr ky brez grabitësish, madje edhe të lirisë sonë. Shumë mirë do të ishte që një grumbull syresh të përfundonte aty ku e ka vendin, prapa grilave; porse gjasat janë që një pjesë e tyre do të mbarojë në konfrontime të ndërsjella, për shkak se ose dinë shumë sende jo për t’u lavdëruar për njëri-tjetrin, ose i hyjnë njëri-tjetrit në tall.
Nuk e kemi merituar një jetë të këtillë. Por më së paku e kanë merituar ata që përnjëmend kanë qenë UÇK: ata që kanë vdekur duke luftuar për ideal dhe ata që kanë luftuar për çlirim, e jo për kolltukë e pasurim.
E martë, 5 gusht 2014
Se sa i rëndësishëm është pushteti politik, tashmë na e kanë dëshmuar e ridëshmuar me javë pjesëtarët e PDK-së. Për mbajtjen e pushtetit janë të gatshëm ta bllokojnë komplet shtetin, duke i përdorur krejt mundësitë që i kanë në dispozicion. E këto nisin nga legjislacioni me plot mangësi, kalojnë nëpër kontrollimin e kryetares së shtetit për të përfunduar te Gjykata Kushtetuese. Kjo e fundit funksionon në bazë të legjislacionit me plot mangësi, të cilin kryesisht e ka punuar dhe miratuar “ajka” e ekspertëve juridikë të PDK-së, që njëkohësisht është e angazhuar në mësimdhënie nëpër të gjitha institucionet e shkollimit të lartë që kemi.
Një teori konspiracioni të bën të mendosh se krejt këto lëshime i kanë bërë qëllimisht, për shkak se këta kanë qenë aq largpamës, saqë kanë paraparë situata të këtilla ku ka rrugë qorre juridike, meqë përkufizimet e dispozitave janë të ngatërruara dhe të paqarta. Dhe ku natyrisht do të mund ta mbronin veten dhe ku do të mund të përfitonin. Logjika të bën të konstatosh se më mirë nuk kanë ditur dhe se si Kushtetutën ashtu edhe shumicën e ligjeve i kemi kështu çfarë i kemi, sepse më së paku e rëndësishme këtu është zbatimi i tyre.
Të ndihmuar nga një masë e përkohshme, bajagi si absurde, e Gjykatës Kushtetuese, që ka pezulluar aktivitetet e Kuvendit tashmë ligjërisht të konstituuar, vetëm për shkak se është kontestuar zgjedhja e kryetarit të Kuvendit – pjesëtarët e PDK-së ia kanë dalë ta bllokojnë institucionin që e përfaqëson sovranin. Me këtë, e kanë stopuar edhe zgjedhjen e Qeverisë së re, e madje-madje edhe zgjatjen e mandatit të gjykatësve të huaj të Kushtetueses, e cila mund të realizohet vetëm me ndryshimin e Kushtetutës. Për më tepër, e kanë sjellë vendin në situatë ku, në rast të paaftësisë eventuale (sipas përkufizimit ligjor) të kryetares së shtetit, kjo të mos mund të zëvendësohet, sepse Kosova nuk ka kryetar Kuvendi. Apo është se në atë rast Kushtetuesja do ta miratojë një vendim me të cilin këtë funksion do ta ushtrojë kryetari i Gjykatës Kushtetuese...
Ditari im këtë javë e regjistroi një paraqitje të shkëlqyer të ish-gjyqtares së Kushtetueses, Gjylieta Mushkolaj, e cila në Interaktiv shpjegoi me gjuhë të thjeshtë se pse Gjykata Kushtetuese nuk duhet t’u përzihet deputetëve në vendimmarrje, e as në procedura, e as në fushëveprimin e saj të brendshëm. Shpjegoi se si mentaliteti dhe kultura e inferioritetit bëjnë që pasiguria të mbisundojë. E që kjo pasiguri, e për pasojë edhe ikje nga përgjegjësia, mandej transponohet në shtrimin e turlifarë pyetjeve Gjykatës Kushtetuese. Me pak fjalë tregoi se nuk jemi të pjekur për shtet, sepse udhëhiqemi nga njerëz që nuk janë të interesuar për të krijuar shtet të fortë, të pavarur e që mund ta mbajë veten. Janë të interesuar të vazhdojnë ta tjerrin rrjetën e merimangës e të përpijnë sa më shumë që të munden, pa mbërritur të ngopen kurrë, sepse përjetë do ta kenë synin e untë.
E premte, 8 gusht 2014
Zgjidhja është thjesht e realizueshme. Gjykata Kushtetuese e ka fuqinë për ta ndërruar vendimin e vet paraprak, dhe ta zhbllokojë punën, kurse kryetarja e ka fuqinë për ta emëruar mandatarin për formimin e Qeverisë. Kjo, duke mos pritur më çfarëdo vendimi të Kushtetueses, ngase as GJK-ja nuk mund ta zhbëjë një fakt: konstituimin e legjislaturës së re të Kuvendit të Kosovës.
Dhe pavarësisht faktit se zgjedhja e Qeverisë së re të përbërë nga blloku që do ta sigurojë shumicën ja me “Vetëvendosjen”, ja me minoritarët, nuk është zgjidhja më e mirë, Kosova ka nevojë të lëvizë tutje dhe përtej interesave të atyre që duhet të dalin në opozitë – të atyre që na kanë katandisur në shtatë vjetët e fundit. Për më tepër, Kosova ka nevojë t’i ndëshkojë ata që pos tjerash janë përgjegjës për shtimin e numrit të atyre që kërkojnë të ikin prej këtu, e të strehohen diku jashtë, pa pyetur as si, as me se.
Kosova ka nevojë për çlirim nga e keqja, edhe nëse duhet kaluar nëpër një fazë transitore të duruarit të pjesës tjetër të krahut të luftës, që së bashku me pjesën e lartpërmendur të luftës duhet të pranojnë se misioni i tyre ka mbaruar.
© KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...