27 Tetor 2015 - 08:00 - Flaka Surroi
Rektori u shkarkua nga politika. Dhe ky është shembulli më i padiskutueshëm se përse Kosova nuk do të mund të ecë përpara me këso lloj garniturash udhëheqëse. Ashtu siç e pata shkruar në një postim në FB para disa ditësh, Kosova nuk mund të ecë përpara përderisa sistemin e arsimit e ka fundosur aq thellë në mjerim sa do të na nevojiten breza për të dalë mbi sipërfaqe. E nuk mund të shkojë përpara përderisa sistemi arsimor është vetë qarku vicioz: universiteti prodhon analfabetë, analfabetët u japin mësim fëmijëve në fillore, të cilët analfabetë hyjnë në të mesmen, prej nga dalin dyfish më analfabetë, për ta trefishuar analfabetizmin e tyre funksional, posa t'u bien në duar zaptuesve të universitetit. Sepse politikanët, pos që e kanë instaluar veten në UP dhe në të gjitha universitetet e tjera publike dhe private, në të gjitha anët i kanë instaluar edhe mashat e tyre: servilët, mashtruesit, mediokrët dhe falsifikatorët. Me këso kuadrosh, vetëm mund të prodhojmë më shumë kuadro të klonuara si këta, dhe do të vazhdojmë të udhëhiqemi nga kasta e zaptuesve që nuk i frikohet ligjit, për shkak se vetë e bën atë.
Po atë ditë, erdhi një lajm i mirë (më në fund) për kalimin e hapit të parafundit të pranimit të Kosovës në UNESCO. Pavarësisht se pranimi në këtë agjenci të OKB-së do të mund të ketë më shumë peshë simbolike sesa substanciale (ngase ajo nuk siguron edhe pranimin në OKB), megjithatë qe lajm i mirë, i cili edhe e dëshmoi se kriza politike në Kosovë nuk është pengesë për pranimin në organizma ndërkombëtarë – pra, se edhe gjërat e tjera që i janë premtuar Kosovës nga politikanët vendorë dhe ata ndërkombëtarë janë të realizueshme vetëm kur këta të fundit duan që ato të realizohen.
Të huajt
Atë që na e kanë treguar në javët e fundit, nëpërmjet përfaqësuesve të tyre diplomatikë, është se nuk duan që të ndodhë marrëveshja ndërpartiake për daljen nga kriza në të cilën është futur Kosova, për shkak të marrëveshjeve të Brukselit.
Insistimi me ngulm se Brukseli është storje suksesi e normalizimit të raporteve me Serbinë, duke i pasur të gjitha argumentet përpara se nuk është, si dhe përkrahja përherë më e shpeshtë që i bëhet kreut të Kuvendit, tregon se të huajve të akredituar në Kosovë aq u bën po qe se këtu kris ndonjë konfrontim i hapur fizik dhe me shumë dhunë.
Do të kujtojmë, i pari që erdhi për t’i dhënë përkrahje Mr. Kty’s ishte diplomati gjerman Reichel. Ai nuk deklaroi asgjë për gazetarët, porse nga zyra e kryekuvendarit doli konstatimi se fajin për bllokadën e Kuvendit e mbante opozita me veprimet e veta vezëgjuajtëse. Para dy ditësh, qe ambasadori amerikan ai, i cili doli me një deklaratë jodiplomatike, duke e akuzuar opozitën si bllokuese dhe si pengesë për zhvillimin ekonomik të Kosovës; për pengimin që ajo ia bën rrugës së saj demokratike dhe liberalizimit të vizave apo edhe njohjes nga shtetet që ende nuk e kanë bërë këtë punë.
Është interesante të vërehet një detaj i vogël: as Reichel e as Delawie nuk janë takuar me partitë opozitare, porse kanë folur për to apo i janë referuar opozitës. Nuk është demokratike nëse me dikë takohesh dhe e lavdëron e me dikë tjetër nuk takohesh por e akuzon, pa i dëgjuar argumentet që kanë për t’u dhënë. Dhuna, e tillë çfarë është shfaqur, është pasojë e dhunës tjetër, asaj të demokracisë. Asaj të cilën e kanë dhunuar si Thaçi ashtu edhe Mustafa kur kanë nënshkruar marrëveshje që e cenojnë substancën e rendit kushtetues të Kosovës pa e pyetur Kuvendin fare.
Nuk ka dyshim se kriza politike i shkakton shumë dëm Kosovës, për shkak se vetëm sa e thellon krizën ekonomike dhe sociale në të cilën Kosova është e zhytur që nga fundi i luftës. Krizën ekonomike dhe sociale të cilën e kanë krijuar e ushqyer të gjitha qeveritë e pasluftës, por në të cilën më së shumti ka ndikuar qeverisja shtatëvjeçare e Thaçit kryeministër. Nëse paskemi qenë aq demokratikë edhe me vota të vjedhura, pse atëherë munguan investitorët e huaj. Dhe nëse paskemi qenë kaq demokratikë në shtatë vjetët e fundit, pse nuk na njohën pra të gjitha shtetet që do të na siguronin anëtarësimin në OKB, por këto 100 e ca shtete që na njohën falë ndikimit të fuqive të mëdha. Dhe nëse paskemi qenë kaq demokratikë dhe të hapur ndaj zhvillimit dhe sundimit të ligjit, si u bë pra që liberalizimi i vizave do të na vijë neve të fundit në Ballkan, e nuk na erdhi kur para shtatë vjetësh na e premtoi sefte Thaçi.
Ta akuzosh opozitën tash për dështimet nga e kaluara nuk është fer dhe çon ujë në mullirin e atyre që në esencë janë shkaktarët e krizës politike, ekonomike, sociale e çfarëdo tjetër në Kosovë. Është ta përkrahësh po atë garniturë politikanësh që kanë bërë nga Kosova një shtet të pakryer, të cilit ia kanë gërryer themelet ende pa e ngritur katin e parë. Është t’i përkrahësh po ata të cilët i ke shpallur të dyshuar për krime lufte, e për të cilët e ke obliguar Kuvendin ta themelojë një gjykatë speciale.
Vendorët
E tash në këtë konstelacion i kemi katër subjekte që na kanë sjellë në situatë që ka shtegdalje, por që interesi, inati dhe injoranca nuk lejojnë që të gjendet.
Qeveria
Shkaktari kryesor i krizës është Qeveria, fillimisht Thaçi e mandej Mustafa me nënshkrimin e marrëveshjeve të Brukselit. Në asnjë moment të vetëm nuk ka dalë asnjëri nga ta që të shpjegojë pikë për pikë se çfarë kanë nënshkruar. Deputetët e vet i kanë bindur se Asociacioni është një OJQ dhe se Kosova nuk humb asgjë. Kanë gënjyer. Kanë thënë se ligjet e Kosovës do të zbatohen, por kanë harruar të thonë se Asociacioni themelohet me dekret qeveritar. Asnjë OJQ në Kosovë, me sa di unë, nuk është themeluar me dekret qeveritar. Dhe, asnjë OJQ në Kosovë nuk zhbëhet me dy të tretat e votave të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Pos kësaj “OJQ-je” serbe, nëse themelohet. Në asnjë moment nuk kishin tentuar t’i ulnin bashkë të gjithë përfaqësuesit e partive politike të koalicionit apo të opozitës për t’i diskutuar dokumentet e Brukselit. I miratuan kokë më vete, sepse e kanë pasur përkrahjen e ndërkombëtarëve. Porse kishin harruar se përkrahjen kryesore duhej ta merrnin nga vetë populli, qoftë nëpërmjet përfaqësuesve të tyre në Parlament, qoftë me deklarim të drejtpërdrejtë në referendum. E as që e kanë paraparë mundësinë e kësaj të fundit – për një arsye shumë thjeshtë: në këtë shtet, më së paku pyetet populli.
Opozita
Kjo me kokëfortësi insiston në zhbërjen e marrëveshjeve të Brukselit dhe nuk heq dorë nga ky pozicionim. Me insistimin se duhet të tërhiqen marrëveshjet, kanë vendosur të përdorin “krejt mjetet e mundshme” për t’i ndalur punimet e Kuvendit, për t’i bllokuar edhe institucionet (nëse nuk kalon ligji për buxhetin e të ngjashme) dhe për ta paralizuar jetën politike krejtësisht. Nuk tregojnë fije fleksibiliteti të shqyrtimit të një opsioni dalës, që do t’ia linte popullit mundësinë e deklarimit për ose kundër marrëveshjeve. Ideja e imponimit të qëndrimit të tyre është sikur t’ia mëshosh murit me kokë, për shkak se edhe po të vendosej për referendum, ky nuk mund të jetë vendim i vetëm i njërit krah politik, por duhet të jetë vendim konsensual. E vendim konsensual nuk mund të ketë përderisa nuk ulen krejt rreth një tavoline për të biseduar dhe për ta arritur një marrëveshje. Kryeneçësia e tyre mund të sjellë pasoja shumë të rënda për vetë deputetët e opozitës fillimisht e më pas edhe për masën e gjerë që do të mund të konfrontohej me përkrahësit e koalicionit qeveritar, por edhe me policinë.
Jahjaga
E paaftë për të imponuar çfarëdo autoriteti dhe duke u fshehur përherë pas kumtesave për shtyp që ia përgatit zyra e vet, kryetarja e shtetit, me sugjerimin e ndërkombëtarëve, natyrisht, i ftoi në takim politikanët në kontest. Dhe e bëri në formën më të keqe të mundshme: në takime të ndara ku dëgjoi çfarë patën me i thënë ose mos me i thënë. Nuk pati, së paku kjo nuk u bë publike, tentativë që t’i bënte bashkë krejt palët dhe të ushtronte rolin e ndërmjetëses dhe pajtueses, si simbol i unitetit që është. Kështu e plotësoi formën e kërkuar – pra “u përpoqa ta zgjidh kontestin me dy takime të ndara”, dhe i dha hapësirë koalicionit në pushtet dhe kryeparlamentarit që ta thërrasin seancën e radhës, në orën 16 të premten. Duke e ditur se ky veprim është provokim i pastër dhe ftesë për dhunë, nuk doli të thoshte që ishte veprim i gabuar dhe se ajo ende nuk kishte kryer punë sa i përket ndërmjetësimit në gjetjen e zgjidhjes për këtë situatë.
Veseli
Me gjasë nuk ka guxuar ta kundërshtojë kryeparlamentarin, njeriun i cili u shfaq në politikë nga terri i SHIK-ut, dhe tash i mban dizginat e Kuvendit. Se çka e shtyn një njeri që ta caktojë seancën e Kuvendit pasdite të premten, pos një interesi të madh personal: duke ditur se po e provokon qëllimshëm reagimin eventualisht të dhunshëm jo të deputetëve, por të përkrahësve të partive opozitare në rrugë, lë që të zvarritet e gjithë procedura e që qytetin ta kaplojë terri. Në terr është më lehtë të fshihen gjurmët, ashtu thonë.
Nga ana tjetër, shtyrja e pafund e seancës, që ajo të nisë në 10 a 11 a 12 të natës s’kishte ama bash kurrfarë kuptimi. Çka do të mund të debatonte kushdo, në kushte kur nuk mund ta përdorin sallën e Kuvendit si duhet, e kur pas pritjes së kotë gjashtë-shtatëtorëshe, truri më nuk punon. Me gjasë asnjë send, pos nëse qëllimi ishte që ta fuste në përdorim fuqinë policore dhe t’i shkallmonte deputetët e opozitës. Në 10 a 11 a 12 të natës është terr, e të premten për të shtunën, nuk punon absolutisht asnjë kancelari në botë – pos në shtetet arabe. E ato, ama bash hiç nuk çojnë kandar në zgjidhjen e krizës politike në Kosovë.
Nëse ky është qëllimi, atëherë thjesht, ky mund të kualifikohet grusht shtet, jo ushtarak, por SHIK-ian. Pse na duhet kjo? Kujt i konvenon kjo mjegull, ky kaos e hallakamë. Vetëm atij që përfundimisht nuk ia do të mirën kësaj Kosove.
Duhet të gjendet një njeri a një grup njerëzish që mund t’i bëjnë bashkë partitë politike që të ulen ta gjejnë një zgjidhje. E të huajt, në vend se të hedhin ende benzinë në zjarr, më mirë do të ishte të ndihmonin në daljen nga kriza. Përndryshe, vetë do të jenë krijuesit dhe shkatërruesit e një shteti që lindi shtatëmuajsh, e që në çdo çast rrezikon të shkyçet nga inkubatori.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...