Kumanova e konspiracionit

19 Maj 2015 - 08:36 - Flaka Surroi      

Është tepër indikative se kaosin shoqëror dhe humbjen e shpresës njerëzve ua shkakton qeverisja apo bashkëqeverisja e udhëhequr nga ish-komandantë të luftërave në Kosovë dhe në Maqedoni. Në të kundërtën nga ajo që e patën proklamuar – se luftonin për popullin, veprimet e tyre kanë dëshmuar se në fakt kanë luftuar për pozicionimin e tyre, aty ku është pushteti dhe paraja

Në katër javët e fundit po më bëhet përherë e më i vështirë shkrimi i kolumneve, si pasojë e torturës e së cilës më nënshtron “muzika” e Panagjyrit. Pavarësisht për çfarë kohe të ditës bëhet fjalë – ai do të përcillet me melodi turli-turli, sipas këtij programi: nga ora 9 e mëngjesit, me ju do të jetë trioja romësh nga Shqipëria e Mesme, përbërë nga fizarmonicisti, klarinetisti dhe darabukisti, i cili është edhe solisti. Zërin e ka kumbues, s’ka dyshim, dhe përherë i mbisundon edhe mysafirët e të gjitha tarracave të kafiterive të qytetit. Këtë ritëm do ta mbajnë gjallë deri nga ora 13, kur do të tërhiqen për të shkuar nuk e di ku. Porse, me shpejtësi të dritës do të zëvendësohen nga një djalosh me darabuk që gjithë ditën e këndon një këngë, ku në çdo të tretin rresht thotë: “...sa e mirë, sa e mirë...”.

Nga ora 15, qaty para “ÇIK”-ut do të vendoset një burrë i verbër, i përcjellë nga një grua me një fëmijë të vogël dhe do t’ia nisë maratonës fizarmoniciste që nuk ka natë që mund të përfundojë para orës 23. Mirëpo, ndërkohë, diku nga ora 17, do të plasë sherri ndërmjet fizarmonicistit dhe një çifti tjetër fëmijësh, me një fizarmonikë të vogël dhe me një darabuk gjithashtu të vogël – sepse do të vendosen përballë njëri-tjetrit dhe do të bëjnë konkurrencë të ndërsjellë. Do të këmbejnë “komplimente të ndërsjella” dhe, si rregull, fëmijët do të detyrohen të largohen pak më poshtë, aty para Ministrisë së Kulturës.

Dhe përderisa është krejt e kuptueshme nevoja e këtyre njerëzve për t’ia gjetur vetes çarenë, nuk është e kuptueshme neglizhenca e autoriteteve karshi keqpërdorimit të fëmijëve të shndërruar në lypsarë qoftë nga prindërit e tyre, qoftë nga ndonjë bos që ua mbledh paratë e ua lë bakshishet e vogla. Nuk është e arsyeshme neglizhenca e tyre as karshi nevojës së banorëve dhe të punësuarve të objekteve përreth për të jetuar e punuar në qetësi. E për të ditur se sa irrituese mund të jetë e gjithë kjo zhurmë, mbase do të duhej zhvendosur të gjithë këta muzikantë para ndërtesës së Komunës dhe të institucioneve qendrore – e atëherë mbase do të kuptonin se shumëçka, përfshirë edhe kjo, nuk është në rregull në këtë shtet.

Kumanova hallakatej, muzika s’ndalej

Dhe mu në këtë stil dhe po me të njëjtin ritëm u “prit” në Panagjyr edhe ngjarja e Kumanovës, prej nga fillimisht vinin lajme për vrasje civilësh, ndër ta edhe një fëmijë tetëvjeçar. Përderisa portalet vlonin me informata e gjysminformata dhe agjencitë e lajmeve nuk dinin të shpjegonin se çfarë po ndodhte atje, muzika në rrugë as që kishte ndërmend të ndalej – sepse këtu s’kishte as krisma, as aeroplanë e as frikë që dikush do të mund të ta shkatërronte shtëpinë me një potez.

Pa dyshim, imazh shumë dëshpërues. Thuajse po jetojmë në një flluskë të izoluar prej pjesës tjetër të botës dhe thuajse e tëra do të zgjidhet me pesë akorde të një kënge që as mund ta njohësh sa keq është e kënduar apo edhe ekzekutuar.

E se punët nuk ishin për muzikë më së miri në lëkurën e tyre e ndien banorët e një lagjeje të Kumanovës, të cilët pas 48 orë “luftimesh”, sulmesh e shkatërrimesh panë se si tekstualisht mbetën pa shtëpi – të bëra të pabanueshme nga gjithë ato predha artilerike.

Tash, një javë pas ngjarjeve që çuan në dorëheqjen e një pjese të kabinetit ministror në Maqedoni, dhe pas hapjes së shtegut drejt formimit të një qeverie teknike, apo qeverie të gjerë konsensusi, apo si do të quhet njëherë kur të formohet, ende nuk është e qartë se çfarë ka ndodhur përnjëmend.

Ajo që po dihet zyrtarisht është se Inteligjenca kosovare kishte paralajmëruar prej kohësh se një grup të armatosurish po përgatitej të hynte në Maqedoni për veprime të dhunshme të paspecifikuara; zyrtarisht po dihet se në mesin e të arrestuarve janë madje 23 shtetas të Kosovës dhe se me siguri ka dy shtetas të Kosovës që janë vrarë. Pse? Nuk e di a gjendet kush që do të dinte ta shpjegonte. Ndërkohë që teori të konspiracionit shfaqen me bollëk.

Lidhjet “ushtarake” të bile këtyre dy komandantëve të vrarë me formacionet e moçme ushtarake shqiptare në Maqedoni, duket se nuk po i mohon kush. Se këta komandantë ishin shquar si figura që kishin imponuar autoritet edhe me dhunë, po të duhej, dhe se, siç thuhej, kanë qenë të përfshirë edhe në ujëra të zhvatjes – edhe kjo duket të jetë shndërruar në sekret publik. Se cili paskësh qenë pra interesi i tyre për t’iu futur një aksioni të dhunshëm që nuk ka kurrfarë logjike – do të mund të argumentohej edhe si punë mercenare e porositur nga ata që e shohin se si po iu sallanitet pushteti për shkak të ankesave përherë më të shpeshta që kanë shtyrë popullsinë e Maqedonisë, pavarësisht etnisë, të dalë e të protestojë.

Inskenim?

E se të gjithë kësaj pune po i vjen era inskenim, duket se nuk nevojitet shumë imagjinatë për ta zbërthyer. Fillimisht, futen ilegalisht (nëse kanë hyrë me armë) në territor të një shteti tjetër madje 30 a 50 veta, pa ndonjë telashe. Nga ana tjetër, po të kenë hyrë legalisht, do të duhej të ishte paksa indikative për policët kufitarë që për një kohë të shkurtër të kalonin burra fizikisht të trajnuar në dukje. Posaçërisht ngase duhet të regjistrohen në databazën e kufirit – bazë e shënimeve që do të duhej të kishte edhe informata të tjera për ta, po qe se janë njerëz me të kaluar “ushtarake”.

Më pas, këta burra shpërndahen nëpër disa dhjetëra shtëpi të një lagjeje në Kumanovë, që nuk do të mund të thuhet se shquhet për ndonjë pozitë të rëndësishme gjeostrategjike. Pushteti reagon me gjithë armatimin që ka në dispozicion, dhe i vriten madje 8 policë. Publikisht, Qeveria e Maqedonisë del e thotë se janë vrarë 14 “terroristë”, porse as një javë më vonë nuk del për të treguar as trupa, as emra. Pa paragjykuar dhe duke mos ditur vërtet se çfarë ka ndodhur atje, megjithatë, disi kjo ngjare të kthen në trazirat e marsit të 2004-s: opinioni kurrë nuk e diti kush i organizoi ato, e as psenë e ngjarjeve kaq të dhunshme. Gjatë gjithë kohës së trazirave dhe pak pas kalimit të tyre u tha se ishin vrarë 32 veta. Më vonë u tha se ishin 19 të vdekur. Por në asnjë çast nuk doli asnjë autoritet për t’i kumtuar emrat e të vrarëve; nuk u dëgjua për ndonjë ceremoni mortore, pos në nja dy raste nëse nuk gaboj. Kurrë nuk u pa asnjë afishe e vetme, e as një përkujtim në gazetë. Njëlloj po ndodh duket edhe tash në Kumanovë.

Tjetri ishte xhirimi i arrestimit të “terroristëve”. Nga xhirimet e ofruara prej policisë maqedonase shihen plot burra, disa të veshur me uniforma e disa jo. Që të gjithë të gjunjëzuar dhe të kthyer me koka nga muri. Asnjëri nga ta me ndonjë “ngjyrë luftarake” në fytyrë, që do të duhej pritur nga dikush që kamuflohet sa më shumë që të mos zbulohet. Asnjëri nga ta me ndonjë gërvishtje a ndonjë lëndim, pos njërit prej tyre me fashë të njollosur në ballë. Duket shumë pre e lehtë për një forcë që ka futur në përdorim tërë atë arsenal për ta luftuar “një grup terrorist”. E cila forcë nuk dukej të ishte ajo specialja antiterroriste – më parë dukej forcë shëtitëse që kishte kohë të mjaftueshme për të marrë telefonat mobilë në aksion dhe për t’i përdorur ata për të xhiruar turpërimin e “terroristëve”.

Pasojat e paperspektivës

Se çka e tek ndodhi, mbase nuk do ta marrim vesh kurrë. Porse, janë disa gjëra që dalin në pah e që ta vërtetojnë atë që tashmë krejt e dimë, se shoqëritë e shteteve ku jetojnë shqiptarët nuk janë të shëndosha. Duke u nisur nga shoqëria kosovare. Nëse vërtet shumica e pjesëmarrësve të këtij mishmashi janë kosovarë, shtrohet pyetja se me çka janë marrë ata në jetën e përditshme në Kosovë. Dhe nëse është e vërtetë që paskan qenë luftëtarë në Kosovë, atëherë do të konkludojmë se nuk paskan qenë komandantë të suksesshëm si kolegët e tyre që janë pasuruar falë luftës. Apo se paskëshin qenë këta njerëzit që i kanë kryer punët e pista për komandantët që janë pasuruar. Po të kishte qenë Kosova vend i shëndoshë, që i integron luftëtarët në jetën normale pas luftës dhe që krijon hapësira për punë të ndershme, asnjëri nga ta nuk do të kishte pasur nevojë t’i futej një aksioni të këtillë, pavarësisht sa patriot do ta ndiente veten.

Nga ana tjetër, Maqedonia nuk shquhet për të qenët shtet progresiv, posaçërisht në dhjetë vjetët e fundit. Por, megjithatë, shqiptarët aty e bëjnë më shumë se çerekun e popullsisë dhe pas Marrëveshjes së Ohrit (sado jo e zbatuar plotësisht) gjithmonë kanë qenë partnerë të koalicionit qeverisës; kanë përfaqësim të ndjeshëm në polici e ushtri; kanë ministra në dikastere jo bash me pak rëndësi; kanë pasur gati përherë pozitën e drejtorit të postë-telekomunikacionit, pra kanë marrë përgjegjësinë për udhëheqjen e shtetit. Për më tepër, i kanë dhënë fuqi vendimmarrëse e njëkohësisht edhe alibi, atij që sot akuzohet për putinizëm. Pra, edhe nëse ka pasur të pakënaqur që e shohin armën si mënyrën e vetme për ta zgjidhur problemin që e kanë me shtetin, para kësaj është dashur të kenë kërkuar përgjegjësi prej atyre që, në emër të tyre, vendosin për ta mbajtur në pushtet një qeveri ngulfatëse dhe shtypëse.

Është tepër indikative se kaosin shoqëror dhe humbjen e shpresës popullatave në të dyja shtetet i shkakton qeverisja apo bashkëqeverisja e udhëhequr nga ish-komandantë të luftërave në Kosovë dhe në Maqedoni. Në të kundërtën, nga ajo që e patën proklamuar – se luftonin për popullin, veprimet e tyre kanë dëshmuar se në fakt kanë luftuar për pozicionimin e tyre, aty ku është pushteti dhe paraja. Fakti se kanë luftuar nuk i ka bërë politikisht të mençur. I ka bërë të mençur për t’ia nxjerrë yndyrën krejt asaj që të munden, përderisa marrin vendime politike nga kolltukët e rehatshëm qeveritarë – edhe atëherë kur ato nuk kanë lidhje me logjikën e shëndoshë, apo edhe kur janë rezultat i drejtpërdrejtë i këshillave të paqëlluara të “miqve ndërkombëtarë”.

* * *

Mbase Kumanova do të duhej të ishte pikë kthese për shqiptarët gjithandej. Do të duhej të ishte sinjali i fundit se komandantët do të duhej të largoheshin nga politika dhe t’iu hapnin rrugë gjithë një brezi të ri njerëzish, që së paku e dinë se çfarë po flasin. Një brezi që mund t’i spastrojë poret e shoqërisë nga militantët partiakë që kanë për detyrë t’i zbatojnë urdhrat për të “ndrydhur ligje” sa herë që duhet akomoduar ndonjë qejf a qëllim. Një brezi që do të na e bëjë të mundur të jetojmë një jetë normale në një shtet normal – aty ku të luftosh në një shtet që s’është yti dhe për një qëllim të paqartë nuk është normale. As për dogmë e as për patriotizëm.

[email protected]

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...