Çka na gjet...

15 Shtator 2015 - 07:56 - Flaka Surroi      

Disi, sa më shumë kohë po kalon, po më parafytyrohet Kosova si një kofshë e mishit që është varur për terje. Sa më shumë që po thahet e tymoset, aq më shumë po rrudhet e zvogëlohet

Mbase nuk do të lodhem së përsërituri se dikush na ka nëmur për ndonjë arsye që nuk i është i njohur publikut, sepse përndryshe nuk na kishte rënë hisja të kishim kësi liderësh politikë, e t’i kishim punët kështu çfarë i kemi.

As gati tri javë pas nënshkrimit historik të nënmarrëveshjes historike të marrëveshjes historike, nuk po ndalet diskutimi dhe ankimi në lidhje me Zajednicën – dhe me plot të drejtë. Nuk po ndalet, sepse argumentet që po dalin në pah po tregojnë se zyrtarët politikë të përfshirë në këto negociata kanë gënjyer prej fillimit e deri në fund dhe se argumentet që po na i japin për të na e qetësuar hidhërimin nuk pinë ujë, sepse gjithashtu po dalin të rreme.

Kapak i Zajednicës, demarkacioni me Malin e Zi

E fundit nga marrëveshjet e Brukselit është themelimi i Elektroseverit, si kompani edhe e transitit të rrymës e edhe të distribuimit – pra kompani e cila ka fushëveprim në gjithë Kosovën, dhe mund të shesë rrymë. Sipas “Fjolla” Tahirit, nëse ofrojnë çmim më të ulët, munden me lidhë kontratë me këdo në Kosovë dhe t’i sheshin rrymë. Pra, paramendojeni situatën absurde ky shteti, i cili prodhon rrymë, nuk ia shet atë banorëve të vet, por këto e bëjnë dy firma të huaja, një turke, dhe një serbe. Pse? Për shkak se kështu kanë vendosur kryeministri i Jashtëm dhe ekipi i tij negociator atëherë e edhe këtë herë. Kaq sa për ruajtjen e resurseve shtetërore, pra me këtë, edhe të shtetësisë. Për pjesën tjetër, se kush ia ka parë hairin financiarisht kësaj meseleje, posa t’i kemi ca informata e prova, nëse nuk i zhdukin si plot të tjera deri më tash.

Të shohim sihariqin e ardhshëm që do të dalë nga marrëveshjet e procesit më jotransparent negociues që kemi pasur deri tash. Ajo që kemi parë që ka dalë nga një proces tjetër jotransparent ka qenë marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, që sikurse edhe Zajednica u përcoll me rrena dhe rezultoi në fund me humbje substanciale të territorit të Kosovës në favor të Malit të Zi.

“Çdo deklaratë se ka shmangie nga kufiri i vitit 1974, është paqëndrueshme, është e paargumentueshme me dokumentet gjegjëse legale, politike dhe historike” - Hashim Thaçi, në Kuvendin e Kosovës, më 25 qershor 2015. Hartat dhe dokumentet të cilat i ka bërë publike Qeveria e Malit të Zi dhe krahasimet që u janë bërë nga Florim Isufi dhe Shpejtim Bulliqi, si ekspertë të lëmenjve përkatës, dëshmojnë se Kosova me këtë marrëveshje i ka humbur mbi 8 mijë hektarë tokë, apo 80 kilometra katrorë.

Pra, te deklarata e Thaçit asgjë e re – së pari fjalia nuk ka kuptim, sepse është përzierje fjalësh sipas zakonit të tij. Së dyti, mbase ekzistuakan dokumente ilegale që e rregullojnë çështjen e demarkacionit. Së treti, kryeministri i Jashtëm ka gënjyer kur ka thënë se zgjidhja e demarkacionit do të gjendet brenda kufijve administrativë të Kushtetutës së 1974-s dhe se Kosova nuk do ta humbë asnjë copë tokë – dhe këtë e ka thënë në Kuvend, para atyre që e kanë fuqinë (teknike ç’është e vërteta), për ta shkarkuar, sepse e ka mashtruar, edhe njëherë, përfaqësuesin e sovranit.

Çështja e demarkacionit me Malin e Zi, për dallim nga Zajednica, të cilën do ta kontrabandojnë me dekret qeveritar, megjithatë do të duhej të kalonte nëpër procedurë parlamentare, ose të dekretohej nga kryetarja e shtetit. Nëse vendosin ta anashkalojnë Kuvendin dhe ta obligojnë këtë të dytën të nënshkruajë, kjo do ta shkelte Kushtetutën. Dhe jo që nuk e ka bërë këtë disa herë deri më tani, por kësaj radhe do t’ia jepte atunë shumë të fortë Thaçit që t’ia zërë vendin me procedurë të shkurtuar.

Është e tmerrshme të shihet se me sa lehtësi hiqet dorë nga territori dhe nga fuqizimi i shtetit në të gjithë territorin. Disi, sa më shumë kohë po kalon, po më parafytyrohet Kosova si një kofshë e mishit që është varur për terje. Sa më shumë që po thahet e tymoset, aq më shumë po rrudhet e zvogëlohet. Edhe neve, sa më shumë që na thajnë rrena dhe na tymosin sytë me pallavra e iluzione, aq më qartë po na bëhet se na shkoi shteti poshtë. Për më keq, na shkuan copat e shtetit te kojshitë.

Se çka na gjeti kështu, duhet një analizë shumë e thellë e të gjitha llojeve për të përcaktuar nëse ne si popull jemi tamam, apo se nuk kemi merituar më mirë se kaq, meqë kemi toleruar prej vitesh që të na udhëheqin këta që na udhëheqin, të ndihmuar nga të huajt, të cilëve tashmë ua kemi dedikuar fjalinë famshme të hallës nga Reçaku...

Justitia krejtësisht e verbëruar

Pas gjithë këtyre vjetëve, përfundimisht tash konkludojmë se kaosin në sistemin gjyqësor të Kosovës e kanë krijuar të huajt për interesa të veta, të kombinuara me interesat e vendorëve që kanë shumë përfitim nga sistemi disfunksional i drejtësisë në Kosovë.

Duke iu falënderuar atyre, është se kemi raste të dënimeve qesharake dhe madje të pazbatuara, për shkak se të dënuarit kanë ikur. Te të pazbatuarat, tashmë i njohuri Xhabir Zharku, i cili do të kthehet posa t’i kalojë afati, ashtu siç ia bëri Leme Xhema – e cila u zu duke i keqpërdorur “vetëm” 300 mijë euro. Atë që pamë në televizor qe se ishte plotësuar (për të mos thënë ishte trashur, se me gjasë iri e ka kur t’ia thonë) dhe i kishte rregulluar porcellanat në gojë. Atë që e dëgjuam ishte një zbulim i asaj se si e kupton ajo menaxhimin e aseteve publike. Tha diçka si, “kjo i ndodh secilit menaxher, kjo punë është kryer, ka mbetur në të kaluarën dhe kaq”. Sa mirë. Pra, sipas kësaj logjike, secili menaxher i aseteve publike mundet me vjedhë, mundësisht mos me u zanë nga hetuesit, dhe të vazhdojë tutje. Po qe se e zënë pahiri, atëherë duhet ikur dhe strehuar në Serbi, për të ardhur më vonë e për të treguar se askush asgjë nuk mund t’i bëjë, sepse komplet një sistem e mbron.

Do ta kujtoni vjet në këtë kohë, ish-kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës ishte dënuar me dy vjet e gjysmë me kusht, për keqpërdorim. Ai është i lirë, vendimi i shkallës së dytë nuk ka dalë ende, dhe bën vaki as që do të dalë deri në shuarjen e misionit të EULEX-it. Dje u bë publike se vonesa njëmujore e një prokurori të EULEX-it i lë pa aktakuzë madje 11 veta të dyshuar për krim të organizuar. Do të kujtojmë se hiç më larg se para një jave, u hoq dorë nga ndjekja e mëtejme penale të rastin e tenderit të KEK-ut për sigurim, ku ishte përfshirë emri i Sami Lushtakut dhe një tjetër rast, ai i furnizimit të Policisë së Kosovës me armë që ishte bërë temë diskutimi dhe skandali në kohën kur u shfaq.

Duke e përcjellë këtë trend, del shumë simptomatik i gjithë ky ngatërrim, të gjitha këto vonesa, të gjitha këto humbje rastesh për spastrimin si të ambientit politik, ashtu edhe të atij gjyqësor. Po del se atë gruan me shami në sy, e që e mban kandarin në dorë, e paskan qorruar me ka krejt. Zor që do të gjendet dikush që dëmtuesit e gjithë kësaj që e kemi t’i çojë aty ku e kanë vendin...

Mohikani i fundit

E se shkatërrimi i gjithçkaje këtu është sistematik dhe se mbështetet mbi antivlerat që pushtetit i konsideron gjëra për t’u çmuar, dhe mbi të cilat mbështetet ndërtimi i gjithë sistemeve, mbase më së miri e ilustron rasti i Universitetit të Prishtinës.

Që nga fundi i luftës, deri vonë institucioni i vetëm i arsimit të lartë publik, u politizua aq shumë, saqë ose shumë profesorë u bënë politikanë, ose shumë politikanë u bënë profesorë. Për zgjedhje të rektorëve të mos flasim: veç shikojeni listën prej kohës kur Arsim Bajrami ka qenë rektor, dhe të gjithë deri te rektori Zejnullahu, kanë qenë eksponentë të PDK-së. Përfshirë edhe Ibrahim Gashin, i cili mund të ketë qenë drenicaku i vetëm në AKR..., me siguri për ndonjë arsye madhore.

Sido që të jetë, nuk e di se si bëri vakia që të zgjidhej Zejnullahu rektor – pa qenë i PDK-së. Porse zgjedhja e tij duket se është ndër gjërat më të mira që i ka ndodhur UP-së në shumë vjetët e shkuar. Lufta të cilën është duke e bërë me Senatin e UP-së për të mos lejuar avancimin e kuadrove pa i plotësuar kushtet profesionale dhe akademike është ajo e mohikanit të fundit.

Vlen të veçohet se të interesuarit për t’u avancuar janë anëtarë të të gjitha subjekteve politike, e ka edhe të tillë që i takojnë asaj pak shoqërie civile që na ka mbetur. Sido që të jetë, insistimi i Zejnullahut që botimet e punimeve shkencore të ndodhin nëpër revista me peshë, e jo në publikimet që Filan Fisteku i ka për qejfi, është për çdo lëvdatë. Edhe për më shumë lëvdatë do të ishte publikimi i listave të punimeve shkencore të të gjithë stafit universitar, për të kuptuar se kush në të vërtetë janë mësimdhënësit, e cilët janë “mësimdhënësit”. Këta të fundit janë prodhuesit e analfabetëve funksionalë (për të cilët thuhet se janë mbi 800 mijë, e do të duhej të na kaplonte paniku për këtë).

Ky rektor po përpiqet ta sanojë një gjendje kaotike të shkaktuar nga politika sa për vota aq edhe për nevoja nepotizmi. Po qe se Zejnullahu ia del të fitojë, do ta dëshmojë se gjithçka është e mundur, madje edhe e mira, po qe se ka vendosmëri, dhe po qe se e drejta është në anën e trimit.

Po qe se ia del të fitojë, do të shërbejë si shembull për trimat e tjerë që e kanë të drejtën në anën e tyre, sesi pa dhunë por me vendosmëri mund të bëhet edhe mbrojtja e integritetit territorial, edhe e sovranitetit të nëpërkëmbur e edhe ruajtja e mendve të kresë që jemi kah i humbim ditë më ditë, sa herë që na servohet nga një dozë rrene...

[email protected]

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...