7 Shkurt 2017 - 07:51 - Flaka Surroi
I gjithë mishmashi që u krijua pas një sërë deklaratash që vinin herë nga kjo anë e herë nga ajo anë e kufirit me Serbinë, ma kujtoi një superhit të para gati katërdhjetë vjetësh që e kishte kënduar Dionne Warwick. Për ata që nuk e njohin, pavarësisht sukseseve që i kishte arritur në vitet ’60 të shekullit të shkuar, ajo është vajza e tezes së Whitney Houstonit (e jo që kjo ka ndonjë rëndësi në këtë rrëfim, po thashë hajt’ ta shënoj për arkiv...).
Déjà vu quhej kënga e saj – natyrisht kishte të bënte me anën pozitive të një gjëje që i dukej se po i përsëritej nga e kaluara, pra me dashurinë. Teksa e eliminoja gjithë tekstin e këngës, më mbeste vetëm vargu i parë i refrenit: “tashmë e parë”, që do të ishte përkthimi tekstual i dezhavysë në frëngjisht.
Tashmë e parë për mua u bë e gjithë retorika, gjuha, toni, gjestet që vinin nga zyrtarët e lartë e Beogradit të cilët, në petkun e serbëve të ‘evropianizuar’ prorusë, tregohen si paqedashës dhe bashkëpunues në rrugëtimin drejt Evropës, të cilën po e mbërrijnë në krah të Kosovës. Në fakt, me ndihmën superzemërgjerë të negociatorëve kosovarë që idenë nuk e kanë se çfarë janë duke bërë.
Taktika e Millosheviqit
Për të gjithë ne që kemi qenë dëshmitarë të fushatës histerike mediatike që kishte nisur Millosheviqi, më 1987, kundër shqiptarëve dhe autonomisë së Kosovës, këtë që e dëgjojmë të përsëritur për çdo ditë që nga dita e trenit nuk është kurrfarë befasie. Sepse ne e dimë se ata po rrejnë. Por problemi është se nuk e dimë nëse Evropa është duke ua kuptuar taktikën.
Kthimi në histori do të na i kujtojë rastet e përsëritjes deri në pafund të akuzave që u bëheshin shqiptarëve se po u bënin trysni serbëve që ta braktisnin Kosovën. Derisa serbët i shisnin pronat e tyre për para të majme, e shkonin në Serbi për të blerë prona edhe më të mira, shqiptarët akuzoheshin se me dhunë po i përndiqnin nga “djepi i serbizimit”. Kur me një çast u bë pak si tepër përsëritja për trysninë, atëherë e shpikën një akuzë më të rëndë akoma: se shqiptarët po i dhunonin gratë serbe. Flitej për qindra raste, natyrisht me iniciale, që të “ruhej privatësia” e viktimës. Pra, siç mund të supozohej, 30 shkronjat e alfabetit serb mund të jepnin së paku 900 kombinime inicialesh, pra po aq edhe raste “dhunimesh”. Dhe të kota ishin demantet që rridhnin nga dokumentacioni zyrtar i policisë nën kontrollin e Serbisë, që tregonin se dhunime kishte pasur më pak se dhjetë, dhe se nuk kishin qenë të ndërlidhura me eksese ndëretnike. Me rëndësi ishte se opinioni në Serbi atëherë, pos që na shikonte si njerëz me bishta, tash na shikonte edhe si dhunues.
Neveritëse fjalia që përsëritet nga Vuçiqi dhe Nikoliqi sa herë ua qesin mikrofonat përpara: “Nëse i vrasin serbët, ne do të reagojmë, edhe me ushtri po qe nevoja”. Pra, në kushtet kur të gjithë vëmendjen e botës që ende na përcjell e kanë kthyer nga një mur absurd, i ndërtuar vetëm për të provokuar fesatë, ata e përgatisin opinionin e vet dhe “partnerët evropianë” për ndërhyrje edhe më të madhe në Kosovë, për ta “shpëtuar” serbizmin nga kthetrat e “separatistëve shqiptarë” (ende sipas retorikës së 1987-s).
Për ata që kanë veshë e sy, ky është paralajmërim, se ata vetë mund ta inskenojnë një vrasje të një apo më shumë serbësh, mundësisht diku në veri – sepse ndërhyrjen fizike do ta kishin shumë më të lehtë. Dhe jo domosdo me ushtrinë e tyre. Do të mjaftojnë rojat e urës që zyrtarët tanë na plasën duke na e përsëritur se janë integruar në institucionet kosovare. E me ta edhe kush e di sa të tjerë që mund të infiltrohen në veri pa kurrfarë problemi dhe me shumë armë. Logjika e tyre është e thjeshtë dhe mbështetet mbi të parën tashmë: kriza e madhe ekonomike e sociale në shtet bie në harresë, po qe se kërcet ndonjë kiamet, siç është lufta. Sepse për “shpëtimin e kombit”, krejt bëhen një – ani pse në fund ata që fitojnë nga lufta, janë vetëm ata që e nisin, sepse ata i lidhin kontratat për blerjen e armëve dhe të municionit. Dhe natyrisht, që mbajnë tregtinë me gjithçka gjallë.
Taktika e rrencave
E gjithë zhurma rreth murit dhe trenit e ka një qëllim më të madh pas – dhe kjo është Zajednica e famshme. Nënshkrimin fatal që e vendosi Thaçi në Marrëveshjen e prillit, e votimi edhe më tragjik i Kuvendit për ta fuqizuar atë copë letër që nuk i ngjason as një marrëveshjeje të barazimit për këmbim malli, i jep të “drejtë” Nikoliqit që të deklarojë se në Bruksel Serbia insiston që të hapet tema e AKS-së – sepse ata do ta “kërkojnë pavarësinë e Asociacionit me shumicë serbe”.
Po, natyrisht, duke e kthyer topin e diskutimit, një a dy ditë pas Nikoliqit u prononcua Thaçi dhe pak a shumë tha se “muri është punë e cila nuk do të diskutohet në Bruksel, sepse është çështje e brendshme e Kosovës”. Me gjasë edhe muri, sikurse edhe Zajednica janë diskutuar në Bruksel. Për më tepër thuhet, porse ka mbetur për t’u konfirmuar, se për murin është pajtuar Edita Tahiri. E për Zajednicën, dihet. Por pyetja që shtrohet për të njëmiliontën herë është pse çështja e brendshme, që është themelimi i një OJQ-je, është bërë temë diskutimi në Bruksel. Përgjigjet mund të jenë të shumëfishta: një, që OJQ-ja nuk është çështje e brendshme; dy, që nuk bëhet fjalë për mur, por për shkallë; tre, që për murin nuk është diskutuar, por ja që ai u bë temë vetëm kur me pahir e kanë parë gazetarët; katër, që Zajednica nuk është OJQ, por është diçka tjetër...
Dhe në vazhdën e krijimit të konfuzionit total, për të hequr përgjegjësi nga vetja, dhe për të ripërsëritur “se populli nuk kupton sepse armiqtë e suksesit të kësaj qeverisjeje po i helmojnë me dezinformata”, shkëlqen edhe zëvendësministri i pushtetit lokal, Bajram Gecaj, i cili gjatë javës deklaroi: “Pritet që ky Asociacion të ketë pak kompetenca shtesë në krahasim me Asociacionin ekzistues, sepse po të mos ishte ashtu nuk kishte pasë nevojë të shkojmë në Bruksel të negociojmë. Pra do të ketë diçka më shumë, po jo duke u përfshirë kompetencat ekzekutive. Ato që e ka thënë presidenti Nikoliq... do të përfshinte kompetenca ekzekutive, ajo nuk do të ndodhë”. Pyetja e njëjtë vlen edhe për zv.ministrin – a nuk është OJQ-ja, e në veçanti organizimi i pushtetit lokal, çështje e brendshme e Kosovës? Nëse është, pse është dashur të negociohet fare me Beogradin për një çështje që megjithatë ngërthen kompetenca ekzekutive. Veç ai që nuk do që ta kuptojë atë që shkruan në atë marrëveshje, mund të thotë se kjo është vetëm një OJQ, veç që i ka ca primesa ndërkombëtare.
Gjashtë vjet rrena e mostransparencë në lidhje me një proces të dështuar, i cili tash e mbërrin pikën e rikthimit të propagandës më të kulluar kërcënuese dhe demagogjike të cilën tashmë e kishim parë shumë vjet më parë, na kanë sjellë në situatën kur politikanët tanë nuk dinë se kah t’ia mbajnë dhe si t’ia bëjnë për të zhbërë një gjë që Evropa nuk do t’i lërë ta zhbëjnë. Ani që pasojat e gjithë kësaj do t’i pësojmë ne kosovarët apatikë, anemikë por me gojën plot patriotizëm odash.
Analfabetizmi, baza e nënshtrimit
Dhe mu ky mentalitet odash me shpejtësi të paparë është duke na kthyer në diçka tashmë të parë moti-moti, pas Luftës së Dytë Botërore. Kur kishte përfunduar ajo, popullatën e Kosovës e bënin rreth 80% analfabetë. Iu deshën tri dekada intensive që kosovarët të mbërrinin në pikën kur mund të krenoheshin me themelimin e një universiteti publik – “veç” nja 400 vjet më vonë sesa Universiteti i Zagrebit, e nja 170 vjet më vonë sesa ai i Beogradit. Dhe kur Kosova e mbërriti pikën më të ulët të analfabetizmit në historinë e vet, gjithçka u rrënua. Serbia na goditi në arsim dhe na mbajti të mbyllur në sistemin paralel të arsimit të cilin mezi e mbajtëm dhjetë vjet, duke e degraduar mjaft nivelin e arsimimit. Por jo aq sa jemi duke lejuar që të na degradohet tash nga “ekspertët” në liri.
Jo fort befasues rezultati, por tepër befasues reagimi i ca institucioneve të larta universitare me “suksesin” e arritur në rangimin e botuar para disa ditësh nga Webometrics, që, siç e shpjegoi një ekspert përnjëmend i arsimit, D. Pupovci, mbështetet në “...matjen e vegëzave që lidhen për shfrytëzimin e punës së institucionit si referencë; për nga operimi aktiv i faqeve të të gjitha fakulteteve, departamenteve, ku përfshihen programet dhe profesorët; numri i dokumenteve të publikuara të formatit pdf, ps, doc dhe ppt; si dhe publikimi i statuteve, orareve të mësimit, të vendimeve të rëndësishme të organeve të tyre, punimet e masterit dhe të doktoratës, ligjëratat, punimet kërkimore, etj; publikimet nga Google Scholar në periudhën 2006-2010 dhe Scimago SJR në periudhën 2004-2008, ku profesorët universitarë nuk publikojnë punime false në revista me vlera të dyshimta, sepse edhe ato numërohen nga Google Scholar...”
Sipas kësaj matjeje, Universiteti i Prishtinës, pra më i vjetri, qëndron më së miri i ranguar (3.790) kurse të gjitha universitetet e tjera publike janë të ranguara ulët, shumë ulët (në vendin 20 e kusur mijë nga 26 mijë e pak universitetet e shënuara). Në të janë shënuar 27 institucione kosovare të shkollimit të lartë – mu këto institucione që ka po aq sa ka byrektore në Prishtinë, e që i mbajnë jashtë listave të papunëve rreth 120 mijë studentë. Edhe një rrenë tashmë e parë që rregullohet me manipulimin e statistikave, që shumë mirë po u hyn në përdorim pushtetarëve që na flasin për prosperitetin në këtë vend.
* * *
Shkalla e lartë e analfabetizmit funksional (pra edhe një herë përkufizimi: “njerëz që kanë aftësi të papërshtatshme leximi e shkrimi për t’i realizuar detyrat e përditshme të jetës dhe të punës që kërkojnë aftësi leximi përtej një niveli bazik”) duket se po na pasqyrohet më së miri nëpërmjet përfaqësuesve të popullit dhe udhëheqësve politikë, të cilët, do të kujtoni, sa herë paraqiteshin në zgjedhje nuk harronin t’i ceknin titujt akademikë (s’është me rëndësi ku e si u pajisën me ta) për t’u lënë përshtypje votuesve. E mu këta janë ata që u japin mësim atyre, shumica e të cilëve kur dalin me diploma, mezi i lidhin tri fjali në shqipe pa gabime ortografike.
Në kushte të këtilla, vërtet bëhet edhe më i rëndë ballafaqimi me një kundërshtar të fuqishëm – më të madh në numra, më me përvojë dhe, për më tepër, më të ngritur intelektualisht. Kjo që po na ndodh tash me këtë muhabet negociatash në Bruksel, përfundimisht po na kthen në diçka që tashmë të parë: dorëzimin e injorancës para fuqisë së manipulimit që ka përkrahjen e të fortëve në emër të ruajtjes së paqes rajonale, ku prioritet i fundit është populli.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...