Beni

10 Mars 2015 - 08:03 - Flaka Surroi      

Për një zinxhir instancash që nuk deshën të bënin drejtësi, për një gjyq special që duhet të merret me gjërat e shëmtuara të individëve që njollosën një ideal për përfitime personale dhe për një shpresë se ky trup i huaj do ta zgjojë ndërgjegjen e një gjyqësie komatoze

Sivjet do t’i mbushte 40.

E përshkruanin si djalë të mbarë, të pashëm, punëtor, pedant, inteligjent dhe, mbi të gjitha, të sinqertë dhe të drejtë.

Kishte pasur shumë shokë, fëmijërie, shkolle, pune e fakulteti. Kishte qenë pjesë aktive e rinisë protestuese dhe jetonte për idenë e luftës për çlirim – të asaj idealiste, ku askush nuk i hynte për të përfituar, por për ta shpëtuar vetë qenien e popullit nga ngufatja dhe kërcënimi me zhdukje.

Ia kishte nisur punës i ri, porse i kishte dhënë përparësi fakultetit, sepse e paramendonte ardhmërinë e tij në Kosovën e çliruar nga e keqja e madhe – duke punuar në informatikë, aty ku, ata që e njihnin, kishte treguar shkathtësi të rrallë.

Nuk do ta ketë imagjinuar kurrë se jeta do t’i ndërpritej një natë 8 marsi, teksa po kthehej këmbë në shtëpi. Nëpër terrin që e kishte imponuar KEK-u, i kontrolluar nga njerëz që do t’ia sillnin Kosovës një të keqe po aq të madhe sa ajo nga ishim çliruar. Askujt nga rrethi i tij i ngushtë e i gjerë, nuk do t’i kishte shkuar madje në mendje se Beni nuk do të ishte më, ngase dikush që e ka profesion vrasjen, do t’ia shuante jetën me dy plumba të kalibrit 7,65 në kokë.

Filizi i krimit

Viti 2000 ishte kohë e Kosovës kaotike, ku më nuk kishte as ushtri e as polici serbe. Ishte Kosova e hallakatur në të cilën krejt komandantët e zonave të ndryshme operative të UÇK-së po pozicionoheshin nëpër ndërmarrje e prona të “popullit” duke i vënë ato nën kontroll. Ajo Kosovë po administrohej nga misioni i OKB-së, përkrahur nga një sërë organizatash qeveritare, ndërqeveritare dhe joqeveritare. Njerëz të mirë, por edhe jo të mirë. Njerëz të dijshëm, e edhe të padijshëm. Njerëz të pastër e të sinqertë dhe njerëz të komprometuar me krimin dhe përfitimin personal.

Ishin kohë kur qarkullonin shumë para e mallra, sepse kufijtë thuajse nuk ishin. Ishin kohë kur frika nga serbët ishte zëvendësuar me frikën që e impononin ata që flisnin në emër të UÇK-së – ata të cilët edhe pa u bërë një vit nga përfundimi i luftës u bënë me prona (dhe jo vetëm me nga një) kryesisht në Prishtinë. Atyre që dalloheshin tek qarkullonin nëpër qytet me xhipat e tyre të shtrenjtë e të errët dhe me revolet të cilat as që përpiqeshin t’i fshihnin. Brenga e tyre e fundit ishte sundimi i ligjit dhe rendi: sa më shumë mjegull e frikë, aq më i madh përfitimi.

Tallja e UNMIK-ut

Benin e kishin dërguar në morg dhe nuk e kishin identifikuar, ani që kishte pasur me vete letërnjoftimin. UNMIK-u kishte dalë të nesërmen për të treguar se si ai kishte vdekur nga rrahja. Hetuesi i parë i rastit kishte deklaruar se ishte vështirë të bëhej dallimi ndërmjet vrasjes nga dajaku dhe nga plumbat. Sinqerisht, ose duhet të jesh i verbër ose tepër i padijshëm për ta thënë një gjë të këtillë. Pos nëse dikush të ka udhëzuar apo të ka urdhëruar që ta thuash. Dikush që e di se kush është vrasësi. Që e di se kush është porositësi. Që e di motivin.

Natyrshëm, krimbi i dyshimit çoi nga organizata ku kishte punuar, UNHCR – organizatë në të cilën kisha punuar edhe vetë para më shumë se 20 vjetësh – dhe e cila dallohej nga organizatat e tjera të OKB-së, me madhësi stafi, me buxhet, por edhe me mundësi jashtëzakonisht të madhe për “zhvendosje” të resurseve nën kontrollin e zyrtarëve ndërkombëtarë me fuqi vendimmarrjeje. E këto resurse përherë ose u shpërndaheshin partnerëve lokalë ose shpërndaheshin nëpërmjet tyre. E meqë bëhej fjalë për sasi shumë të mëdha mallrash e shërbimesh, ato duhej siguruar fizikisht. Mbase edhe me njerëz që raportet e KFOR-it i paraqisnin si “polici private, me shumë anëtarë dikur aktivë në UÇK dhe me lidhje të afërta me ish-kolegët në SHPK dhe TMK, e që merren edhe me aktivitete ilegale, siç janë zhvatja dhe kërcënimet”, e që në popull njiheshin si “security”.

Se përse, nuk dihet. Porse kompjuteri i punës i Benit ishte pastruar nga të gjitha dokumentet dhe informatat që i kishte pasur. Se çfarë ka pasur aty që me aq nguti u fshinë shënimet, nuk dihet. Dhe me gjasë nuk u fshinë ngase ky kishte dhënë dorëheqje disa ditë para se të vritej. Çfarë kishte pasur -- posaçërisht kur dihet se kur punohet me rrjete kompjuterësh, shënimet dublifikohen. Për çdo rast. E këtu duket se janë fshirë, për çdo rast.

Hetimet kinse vazhduan. U ndërruan me dhjetëra hetues. Sipas tyre, nuk u gjet asnjë pistë që shpinte te zgjidhja e krimit. Por më e keqja është se dëshmitarët eventualë nuk u bënë të gjallë. Vështirë e besueshme të mos ketë pasur dëshmitarë, meqë vrasja kishte ndodhur në Ulpianë, gati në qendër të Prishtinës dhe pa silenciator.

S’u bënë gjallë as ata tre djem a burra që kishin qenë pranë trupit të tij, e të cilin mandej e kishin braktisur. Njëri prej tyre do të mund të ketë qenë vrasësi. Këtij me gjasë nuk i ka punuar ndërgjegjja si Bllacës. Ndoshta ndonjë ditë do të ndërrojë mendje, me shpresë se ndjenja e fajësisë nuk do ta lërë të vdesë të qetë.

Mosinteresimi, joprofesionalizmi dhe kodi i heshtjes që, sikur Omertá-ja në Sicili, e ka kapluar krimin kosovar dhe ende e frikëson një popullatë të tërë, bënë që UNMIK-u ta mbyllte rastin, me këshillën përcjellëse që, po deshën, familjarët do të mund ta vazhdonin hetimin kokë më vete. Mjerim.

UNMIK-u shkoi duke e lënë dosjen e pluhurosur në ndonjë kuti në mesin e shumë të hedhurave tubë diku në një prokurori. Beni kishte zënë vend në mesin e 250 mijë rasteve të mbyllura, të papërfunduara të misionit të OKB-së, që në vend se ta luftonte krimin e organizuar, lejoi që ai të lulëzonte. Për më tepër, lejoi që njerëzit e krimit dhe përkrahësit e tyre të zinin vend nëpër të gjitha hallkat e zinxhirit që do të mund ta zgjidhnin rastin: nga polici a përkthyesi më i vogël deri te zyrtari më i madh gjyqësor e politik.

Pentito?

Të pafund do të kenë qenë dyert në të cilat kishin trokitur nëna dhe motra e Benit – dhe përgjigjja përherë kishte qenë e njëjta -- herë e shqiptuar me mirësjellje, e herë me arrogancë e mungesë konsiderate, thuajse vrasëset ishin këto: “Rasti është i mbyllur, dhe EULEX-i mund ta rihapë vetëm nëse ka elemente të reja”. Me gjasë për shkak se Beni as nuk kishte qenë anëtar i ndonjë partie politike e as “fytyrë publike”.

Dhe një ditë prej ditësh, pa pritur e pa kujtuar u shfaq një njeri – një ish-ushtar i UÇK-së; një ish-zyrtar i policisë ushtarake, a i kundërzbulimit, a i spiunimit a qysh do të duhej të quhej, nga Zona Operative e Llapit. Mbas luftës kishte qenë edhe pjesëtar i SHPK-së, përderisa pretendonte se kishte qenë i angazhuar në SHIK.

E dha një intervistë në gazetë për t’i denoncuar ish-komandantët për vrasjet politike, por edhe ato jopolitike, duke e përmendur shprehimisht emrin e Benit. Pas dymbëdhjetë vjetësh, për herë të parë po flitej për vrasjen e tij në kontekst të përgjegjësisë së urdhërdhënësve për të cilët fliste ky njeri. Për herë të parë, po hapej një pistë e re, që udhëzonte nga krimi i organizuar, i shqiptarëve me armë e me pushtet, sepse serbë më këtu gati që nuk kishte. Udhëzonte nga spiralja e krimit që kishte nisur me aktorë të vegjël të vendit që ose ishin bërë vegla ose bashkëveprimtarë të aktorëve të mëdhenj të huaj që kishin qenë zotë të këtij vendi për shtatë vjet e fiu. Udhëzonte nga ata që, në emër të luftës, besonin se kishin të drejtë të bënin çfarë të donin. Përfshirë edhe t’ua marrin jetët atyre që nuk donin të kishin lidhje me ta.

Ishte çasti kur thuajse Kosova ishte bërë me një pentito (i penduar) të dytë, të gatshëm për të treguar atë që me vite ka mbetur e mbyllur nëpër mendjet e atyre që e planifikuan dhe e kryen krimin. Për herë të parë pas sa vjetësh po paraqitej një indice që mund ta rihapte rastin...

...por, për kush e di të satën herë shpresa për familjen do të shuhej gati me shpejtësi të dritës, për shkak se EULEX-i, i cili supozohet të ketë ardhur në Kosovë për të na mësuar drejtësi, vendosi ta shpallte folësin dëshmitar të cilit s’i zihet besë. Dhe ta mbante të mbyllur dosjen e Benit.

Shpresa

EULEX-it aq ia bën për rastet sikur të Benit. Tash është këtu për t’u marrë me disa lloje të krimeve dhe për t’i monitoruar dhe mentoruar profesionistët vendas. Sepse për pesë vjet, i ka nxjerrë 556 aktgjykime, përderisa ka pasur akuza serioze për korrupsion brenda vetë strukturës së gjyqtarëve të EULEX-it. Me këso performance, zor të besohet në drejtësi.

Për familjarët e Benit dhe të viktimave të tjera të pasluftës që nuk kanë qenë as figura politike e as nuk u kanë takuar të akuzuarve për kolaboracionizëm, duket se ka mbetur një shpresë e vogël për drejtësi, të cilën në një formë apo tjetrën ua ka dhënë kryeprokurori Williamson.

Duke e bërë një përkufizim shumë të qartë se subjektë të këtij gjyqi do të jenë individë që kanë ushtruar dhunë për të fituar pushtet e pasuri, teksa fshiheshin pas UÇK-së, ai ka sqaruar se akuzat do t'i përfshijnë edhe rastet e vrasjeve. Mbase kështu ky ka dhënë indice se kush ka mundur t’i ketë kryer vrasjet dhe arsyet përse.

U ka dhënë njëfarë shprese edhe në kushtet kur ky gjyq special do ta marrë një copë shteti. Sepse, mbase ky do të jetë i vetmi gjyq që do të jetë në gjendje t’i zbulojë ata të vegjlit që kanë shumë informata për ata të mëdhenjtë, të cilët nuk kanë zgjedhur se kë e shkelin përpara, veç për t’u bërë të parët, më të fuqishmit, më të pasurit. Dhe që kjo të mos ketë fare të bëjë me UÇK-në, e as me ata që e njollosën idealin për përfitime personale, por me kriminelë ordinerë që ende sillen të lirë.

Por, shpresë edhe për shkak se mbase ky do të jetë mekanizmi i fundit që do të bëjē që gjyqësia kosovare të zgjohet nga gjendja e vet komatoze dhe i cili do t’u japë krahë edhe atyre, në dukje pak, profesionistëve kosovarë të ligjit që t’u japin fund mundimeve të familjarëve me gjetjen e përgjigjeve në pyetjet kush dhe pse.

***

Benet Rexhepi, Beni i këtij rrëfimi, ishte 25 vjeç kur e ekzekutuan në mes të Prishtinës. Nesër do të mbushen 15 vjet të plota nga ajo natë makthi që e ka mbërthyer në të zezë familjen e tij. Pesëmbëdhjetë vjet pa përgjigje. Pesëmbëdhjetë vjet pa drejtësi për djaloshin të cilit nuk i interesonte politika e që qe “fajtor” pse kishte qenë njeri i parimeve.

Kishte qenë plot shend.

E adhuronte basketbollin.

[email protected]

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...