Pushtet që po na fundos

14 Tetor 2014 - 08:43 - Flaka Surroi      

Sa më i madh hendeku në të cilin po sharron Kosova, aq më të mëdha gjasat që shteti të dështojë. E kush do t’i gëzohej më së shumti shkatërrimit të Kosovës? Serbia natyrisht. Do të kishte argumente që do t’ia jepnim ne me bollëk se jemi të paaftë për shtet dhe se “NATO dërzhava”, siç na kanë quajtur që nga 2008-ta, është një vend i shpikur e i shpifur që e nuk meriton kujdesin e askujt...

Fundi i kësaj jave më solli te pika në të cilën më nuk mund ta duroja neverinë që ma shkakton spektri politik e shoqëror i Kosovës së Gjarpnit – pas arrestimit të nëntë zyrtarëve shëndetësorë për dyshimin e bazuar se kanë bërë biznes me shëndetin e pacientëve, të cilët i kanë trajtuar si kafshë që dalin në shitje të dielave në pazar të gjâve, në mbrëmje në “Interaktiv” u paraqit personifikimi i demagogjisë dhe i cinizmit që e karakterizon PDK-në: Shefi i shefave.

Që në çastin kur me buzëqeshjen superiore prej një ciniku e arsyetoi bllokadën, të cilën e shkaktoi dhe vazhdon ta mbajë PDK-ja, ka mbi tre muaj, u dit që prej tij nuk do të kishte përgjigje të logjikshme në “astenjânën” pyetje.

Të dëgjosh nga shefi i grupit parlamentar të PDK-së se Kosova ka Kushtetutë dhe ligje që “apsolut” duhet respektuar – duke ditur se kjo parti ka qenë përgjegjëse për zbatimin e ligjeve dhe të Kushtetutës në shtatë vjetët e shkuar, e të cilat kryesisht i ka shkelur apo neglizhuar, është të kuptosh se njerëzve sikur ai dhe partisë së tij më së paku u intereson krijimi i institucioneve.

Atyre u intereson mjegulla; u intereson që kjo situatë të zgjasë sa më shumë, sepse vetes i japin më shumë kohë për t’iu shmangur drejtësisë. Sa më shumë të zgjasë, aq më e thellë do të bëhet kriza e përgjithshme në Kosovë, që po e sjell shtetin para dështimit total.

Mashat

Tashmë është bërë e qartë se ajo, e cila e nisi ortekun pas zgjedhjeve të 8 qershorit, ishte kryetarja Jahjaga, kur iu drejtua Gjykatës Kushtetuese për interpretim të dispozitave të Kushtetutës. Kështu, u hapi rrugë krejt elementëve përkrahës të PDK-së përbrenda GJK-së që t’u përshtaten kërkesave të kryeministrit në detyrë.

Arsyetimi i kabinetit të saj ishte: më mirë të sqarohej sesa të akuzohej se e ka shkelur Kushtetutën. Lëre që nuk u sqarua, porse u ngatërrua edhe më. Për më tepër, edhe e shkeli Kushtetutën. Së paku kështu mendon Avokati i Popullit, i cili do t’ia sfidojë autoritetin para Gjykatës Kushtetuese. Ani që kjo e fundit mund të mos ketë kuorum për ta vendosur këtë çështje, sepse të tre gjykatësit ndërkombëtarë, të cilëve kjo ua ka zgjatur mandatet, kanë konflikt interesi. Dhe ani që ky institucion e ka humbur edhe atë grimë kredibiliteti që e ka pasur deri më tani me performansën e treguar, posaçërisht në vitin e fundit.

Edhe sivjet sikurse njëri Raport paraprak i Progresit që e ka përgatitur Evropa për Kosovën, Gjykata Kushtetuese përmendet në kontekst negativ – kësaj radhe për mënyrën sesi e ka anuluar vendimin për zgjedhjen e kryeprokurorit të përgjithshëm të Kosovës. Mbase shkruesit e Raportit nuk kanë pasur kohë të mjaftueshme për t’ia shtuar edhe një mendim dhe një aktgjykim të këtij institucioni, që e kanë sjellë shtetin në bllokadë të kotë, për shkak të një interpretimi të ngurtë të një interpretimi qëllimisht të papërfunduar.

Dhe në vend se të brengosej dhe të hamendej nëse duhet shkuar në Beograd në një forum që e organizon një OJQ ndërkombëtare, Jahjaga do të duhej të shikonte si do t’ia lidhte kokën kësaj pune. Kërcënimi se “nëse liderët nuk gjejnë zgjidhje, do të kemi zgjedhje të reja” – nuk do të pijë ujë, për shkak se nuk ka bazë juridike për këtë. Një, sepse afatet ende nuk kanë nisur të rrjedhin për formimin e Qeverisë; dy, për shkak se vendimi i Kushtetueses e thotë shprehimisht se s’ka bazë kushtetuese për to; dhe tre – KQZ-ja nuk është konsoliduar për të marrë vendime.

Pra, në vend se të organizojë defiletë e përfaqësuesve të partive politike në zyrën e saj, kjo, si njëra mashë që është, le t’i drejtohet Kushtetueses me kërkesë për sqarime të mëtejme në lidhje me pikën 127, e besa edhe me atë pikën që u thotë jo zgjedhjeve. E ndoshta ajo masha tjetër, Kushtetuesja, e ndërron mendjen. Nëse e lë PDK-ja.

Kasapët

Doli Raporti i Progresit edhe zyrtarisht. Dhe pos lëvdatave që i mori Thaçi për dialogun me Daçiqin (“gjynah” që s’e fituan “Nobelin”), për të gjitha të tjerat, Kosova ra prej provimit: për ndërhyrjet politike në gjyqësor dhe media, për mungesën e rezultateve në luftën kundër korrupsionit dhe për presionin që ka bërë ndaj Buxhetit të Kosovës për rritjen e pagave me qëllime politike të shërbyesve civilë në prag të zgjedhjeve, ndër të tjera.

Thaçi, si çdo vit doli për të thënë se Raporti është real. Pra, doli për të pranuar, si çdo vit, se e gjithë negativja në fakt rrjedh nga sundimi i tij. Dhe për të na treguar të gjithëve, edhe një vit, që aq ia bën atij dhe grupit të vet të organizuar në pushtet, nëse do të ketë ende raporte negative nga Evropa. Sepse ai e ka ndërmend të mbetet në pushtet, dhe nuk e ka ndërmend ta ndryshojë asnjë gjë të vetme në drejtim të interferencës në gjyqësor, në mediume; nuk e ka ndërmend ta luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar – sepse është gati e pamundur ta luftosh vetveten – dhe nuk e ka ndërmend të heqë dorë nga lidhja e koalicionit me këdo, vetëm të mbetet në pushtet. Posaçërisht nëse “këdoja” sjell para.

E se aq ia bën për krimin e organizuar që lulëzon në Kosovë, e dëshmon pjesa e dytë e rrëfimeve neveritëse për hipokritët që e kanë dhënë betimin e Hipokratit. Vjet rrëfimi na ishte për mjerimin e spitalit “Heart” në Gjakovë dhe biznesit të vendosjes së stentave në zemër pate e s’pate nevojë. Besa edhe mosvendosjes së tyre, në emër të vendosjes. Kishte edhe të vdekur. Kishte edhe mashtrim. Kishte edhe mbyllje spitali e rihapje. Rezultati: 25 aktakuza të ndara, aty ku ka krim të organizuar; nja gjashtë dënime me gjoba dhjetëfish më të vogla sesa paratë e marra në emër të “shërbimit” dhe gjykimet ende në zhvillim.

Sivjet dolën kasapët e rinj të nja dy-tri spitaleve me status jo fort të qartë juridik. Të spitaleve që janë pronë biznesmenësh e jo profesionistësh e që janë lidhur me kasapët e tjerë që nuk kanë nevojë për rroga në QKUK. Sepse ma mirë me i fitua nga 500 euro për secilën kokë gjâje që e referojnë te privati, sesa me u lodh me i vendos stentat vetë. Posaçërisht aty ku nuk duhet.

Sjellja mizore, e gërditshme, e këtyre qenieve që nuk mund t’i quash mjekë veç sa shkon e forcon edhe më shumë bindjen për atë se sa pak vlen njeriu në Kosovë. Se sa të pambrojtur janë ata që nuk i kanë lidhjet as me botën e krimit a pushtetit (pak a shumë po i bie njësoj, apo?) dhe të cilët nuk kanë shtet që duhet të përkujdeset për ta. Për shkak se këtu populli i shërben pushtetit e jo e kundërta.

Taktikë e bajatshme dhe e paefekt

E se edhe përfaqësuesit e popullit tregohen të pafuqishëm dhe, në kontekstin e veprimeve të ngathëta dhe të paefekt, po i shërbejnë pushtetit aktual, e dëshmoi edhe një seancë kot që u mbajt të enjten. Ajo, në fakt, qe një sfilatë monologësh të njerëzve që e kritikonin atë që nuk ishte në sallë.

Në një mbledhje që u shpall “kundërkushtetuese, antikushtetuese, jolegale dhe kundërligjore” nga kryeministri në largim (i cili kurrqysh s’po largohet) e thirrur nga 63 deputetë, nuk u arrit asgjë. As bile kërcënimi, që iu bë Flora Brovinës se nëse nuk do ta thërriste mbledhjen javën që vjen do të zëvendësohej, nuk çon kandar. Sepse ky veprim po e zgjat këtë situatë kaq absurde deri në pafund, sepse këta vetë nuk po dinë t’ia gjejnë fundin. Nuk po vendosin të ndërmarrin ndonjë veprim paj edhe nëse që do ta çonte lëndën në Kushtetuese sërish. Më mirë ashtu se kështu. Për shkak se sa më shumë që do të zgjasë kjo situatë, vetëm sa për ilustrim, Kosova do të vazhdojë ta paguajë Qeverinë harmonikë të Thaçit me 19 ministra e nja 40 zëvendësministra e 4 zëvendëskryeministra rreth 90 mijë euro për çdo muaj të ardhshëm maltretimi të cilit do të na nënshtrojë. Edhe s’ka lidhje pse asgjë tjetër nuk funksionon se nuk ka rishikim buxheti.

Sjellja në rreth, mbajtja e mbledhjeve të rregullta konsultative, dhënia e deklaratave të serta për oponentin nuk janë kah i ndihmojnë hiç zgjidhjes së nyjës – janë duke akumuluar më shumë frustrim te njerëzit, të cilët do të duhej të kishin një argument tepër, tepër të fortë për të dalë në zgjedhjet e reja. Dhe për ta votuar koalicionin e madh kundër Thaçit, që kurrsesi s’po bind se di të menaxhojë situata të ndërlikuara për kot, sikurse është kjo.

Teori jo bash larg së vërtetës

E arsyeja që mund ta shtyjë popullin të ndërmarrë veprime qoftë nëpërmjet protestave e qoftë nëpërmjet zgjedhjeve të reja, me idenë e qartë se vyen ndryshimi që sjell përparim kushtesh e jetese, mund të jetë një gjë shumë interesante që ma komentoi një profesor për të cilin kam respekt të veçantë. Në fakt mund të jenë dy.

E para: arsyeja kryesore pse po zvarritet komplet ndërtimi i institucioneve është fakti se Kushtetuta duhet të ndryshojë për shkak të themelimit të Gjykatës speciale, me të cilën janë pajtuar si Qeveria ashtu edhe Kuvendi. Ky Tribunal ka ndërmend të gjykojë ish-ushtarët dhe ish-eprorët e UÇK-së, që jo domosdo kanë luftuar në front. Ata që deri sot janë fryrë e lavdëruar me luftën janë pjesëtarët e PDK-së, përkatësisht bartësit e pushtetit në shtatë vjetët e fundit. Pra, ashiqare, nuk duan ta formojnë një gjykatë e cila mund t’ua hajë kokat politike – pavarësisht pafajësisë së presupozuar. Pra, sërish interesi i ngushtë mbizotëron mbi interesin e gjerë të popullit. Të shtetit.

E dyta: sa më i madh hendeku në të cilin po sharron Kosova, aq më të mëdha gjasat që shteti të dështojë. Dhe nuk duhet të jesh shumë ekspert i madh ekonomie për të kuptuar se po qe se shteti mbetet pa buxhet, pa mekanizma ligjorë për t’i realizuar të hyrat, pa mekanizma kurrfarë për ta siguruar mbijetesën bazike të njerëzve, shteti do të bankrotojë. Bankroti sjell dëshpërim; dëshpërimi sjell dorëzim ose dhunë; dorëzimi sjell vdekje kurse dhuna shkatërrim.

E kush do t’i gëzohej më së shumti shkatërrimit të Kosovës? Serbia natyrisht. Do të kishte argumente që do t’ia jepnim ne me bollëk se jemi të paaftë për shtet dhe se “NATO dërzhava”, siç na kanë quajtur që nga 2008-ta, është një vend i shpikur e i shpifur që e nuk meriton kujdesin e askujt..., pos vetë Serbisë që do të donte të na kthente sërish nën kontrollin e vet pushtetar e policor.

A bëhet që mosdalja nga kriza kronike që prej mëvetësisë paska qenë e porositur nga Serbia dhe se në Kosovë qenkan gjetur njerëz të ulur në pushtet për ta përmbushur një porosi të këtillë? Për sado që nuk do të doja të besoja se është e vërtetë, megjithatë duket se kjo teori nuk është bash larg të së vërtetës...

...sepse fort duhet të mos e duash Kosovën për t’u sjellë me të siç po bën PDK-ja në krye me shefat e vet. Duhet të jesh tepër lëkurëtrashë për të mos pranuar se Kosovës tash i nevojitet çlirimi i ri -- çlirim nga ky pushtet që na fundosi.

[email protected]
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...