Këndellje e vonshme, por jo krejt e vonuar

13 Shtator 2016 - 08:12 - Flaka Surroi      

Nëse rishikimi i demarkacionit është pikërisht pranimi i gabimit, Mustafa me një harxh do të duhej ta bënte të njëjtën edhe me Marrëveshjen e Brukselit. Një, që ta tërhiqte nënshkrimin nga marrëveshja e dytë kundërkushtetuese dhe dy, ta tërhiqte Edita Tahirin nga posti i negociatores, për shkak se, mes tjerash, sa herë po mohon diçka të keqe për Kosovën, po na del e kundërta

Se jemi popull interesant nuk ka asnjë dyshim. Se jemi në gjendje të humbim gjithë atë energji, duke diskutuar për tema të rëndësisë së ndryshme me ditë të tëra, zor që na e kalon kush. E që jemi në gjendje që për një status fejsbuku të polarizohemi skajshmërisht – këtë veç teknologjia na e zbuloi si mundësi, e cila me gjasë do të na përcjellë në vitet që do të vijnë.

Shenjtërimi kinez

Javën e shënuan tri ngjarje, prej të cilave dy qenë unikale.

Ngjarja e parë kishte të bënte me shenjtërimin e Nënë Terezës. Për besimtarët katolikë, pa dyshim, kjo ishte ngjarje vështirë e përsëritshme. Për herë të parë një shqiptare po shpallej e shenjtë nga Kisha Katolike, jo vetëm për punën që kishte bërë gjatë gjithë jetës me popullatën e varfër dhe leproze në Indi, por edhe për shkak se iu njohën dy mrekulli nga Kisha: se me fuqinë e vet shpirtërore kishte arritur t’i shëronte dy të sëmurë terminalë.

Pa hyrë fare në debatin nëse shërimi mrekullor është i mundshëm, megjithatë qe ndjenjë e mirë që me rastin e shenjtërimit të saj, e gjithë bota foli për të, si për shqiptaren që gjithë çka kishte pasur ua kishte dhënë të varfërve.

Prandaj edhe s’kishte si të mos dukej ironike që koncertin e jashtëzakonshëm, ku shkëlqyen orkestra dhe kori i Filarmonisë së Kosovës së bashku me gjithë solistët e ftuar për këtë ngjarje, ta përcillnin nga rreshti i parë anëtarët dhe përkrahësit e Klanit Pronto – ata të cilët të gjithën që e kanë tash, e kanë pse ua kanë marrë të varfërve të Kosovës.

Dhe sikur të donin të mos linin asnjë dyshim për këtë që u tha më lart, në Vatikan zbarkuan në formën edhe të një delegacioni kinez – dhe me shkelje eklatante të ligjit, sipas të cilit supozohet se të tre bartësit e institucioneve kryesore të shtetit, nuk do të duhej të udhëtonin në të njëjtin vend, por do të duhej t’i koordinonin aktivitetet. Se a kanë udhëtuar së bashku krejt me një aeroplan apo jo – këtë nuk e dimë. Ashtu siç nuk do ta dimë se sa i ka kushtuar Kosovës shëtitja, marrja e pozave, fotografimi i pandërprerë i zyrtarëve politikë dhe këshilltarëve të tyre gjatë atyre dy-tri ditëve të kaluara në Selinë e Shenjtë. Me siguri shumë

Debutimi fantastik

Eh, po shumë gëzim na solli Përfaqësuesja e Kosovës në futboll. Një ekip i formuar disa orë para takimit në Finlandë, sepse varej nga lejet që do t’i jepte FIFA, debutoi në arenën e kualifikimeve për botëror me një lojë impresive, me shumë shpirt, guxim dhe bukuri. Kush do të ketë menduar se taktika e Kosovës do të ishte loja e bunkerit – e ka pasur shumë gabim. Futbollistët nuk u paraqitën asnjë grimë inferiorë dhe nuk iu qasën autobusit të Mourinhos për të nxjerrë diçka nga loja.

E fituan një pikë, që lehtë kanë mundur të ishin tri, sepse luajtën shumë mirë. Tash e rëndësishmja është konsolidimi i mëtejmë i ekipit, ruajtja e modestisë dhe të ecurit mbi tokë. Krejt pikat që do të mundë të mblidhen gjatë kualifikimeve do të jenë fitore për Kosovën, që deri sivjet nuk ka ekzistuar në hartat e futbollit botëror si shtet, si emër, si flamur - qasi çfarë është, megjithatë e paraqet këtë shtet, për krijimin e të cilit janë sakrifikuar shumë breza.

Po mirë, pati edhe të tillë që vendosën ta injorojnë Kosovën dhe të bëjnë tifozllëk vetëm për Shqipërinë, përfaqësuesja e së cilës njihet edhe si kombëtare. Ai i cili edhe e ndezi debatin, qe Visar Ymeri, me përkrahjen eksplicite për Shqipërinë dhe kritikën për ekzistimin e Përfaqësueses kosovare. Përderisa absolutisht secili ka të drejtë të zgjedhë për kë bën tifozllëk, e për kë jo; përderisa secili individ ka të drejtë ta shprehë mendimin e vet personal, janë disa njerëz që kur flasin, duhet ta kenë parasysh edhe peshën e postit politik që mbajnë.

Ymeri, si qytetar, e ka shprehur mendimin e tij pro Shqipërisë. Si kryetar i “Vetëvendosjes”, ka folur për bashkimin kombëtar si ideologji të partisë në krye të së cilës është. Si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës e ka mohuar ekzistencën e kësaj Republike. Apo, në fakt, në formë implicite na ka bërë me dije se ajo nuk do të duhej të ekzistonte. Këtij qëndrimi nuk i ndihmoi shumë as një postim i shefit të zyrës për informim në Komunën e Prishtinës, Erzen Vraniqi, sipas të cilit, po e parafrazoj “Kosova nuk mund të mbijetojë si shtet i pavarur, sepse nuk mund të prodhojë gjë e as të punësojë njerëz mjaftueshëm për t’u ngirë bukë...”.

Nëse këtë të fundit e mendon edhe udhëheqja e VV-së, atëherë del se krejt çka na kanë treguar, kur e kanë shpalosur programin e tyre qeverisës, gjatë zgjedhjeve të shkuara, paska qenë rrenë. Dhe se kështu, kjo parti nuk ofron asnjë alternativë politike e as ekonomike e sociale për të dalë nga kriza dhe hendeku – për shkak se vetë nuk beson në atë që e thotë.

Një deklaratë e këtillë tregon për një idealizëm të fryrë si balonë që mund t’u pëlcasë në fytyrë atyre që e ushqejnë. Për bashkim të Kosovës me Shqipërinë nevojitet vullnet i dyanshëm i shteteve në fjalë (nejse, Kosova duhet pak me e ndërru Kushtetutën, po ajo është dëshmuar se s’është problem për ne). Nuk kam dëgjuar askënd meritor (në kuptimin e vendimmarrjes në Shqipëri) që të jetë deklaruar për këtë opsion, kurse në Kosovë, pos VV-së dhe LB-së, nuk e di kush tjetër flet për këtë qëllim si projekt politik.

Pra, pa e përjashtuar mundësinë që kjo aspiratë e përsëritur pa fund të realizohet, në kontekstin aktual, po i ngjet një opsioni paksa bizar. Ta paramendojmë situatën hipotetike të bashkimit të dy shteteve ta zëmë muajin që vjen. Si do të quhej? Kjo do të varej nga rregullimi shtetëror. Republika Etnike e Shqipërisë, ndoshta, në trajtën e shtetit unitar, ku e besoj shumë se menjëherë do ta kishim nisjen e luftës për pushtet – kush, nga cila anë e kufirit, cilën pozitë e do për vete; kush dhe si do ta shtrinte ndikimin në territore të caktuara.

Apo ndoshta Shtetet e Bashkuara të Prontos, në trajtën e federatës, sepse nuk e imagjinoj sesi dy shtete në krizë të thellë politike, ekonomike, sociale, gjyqësore do të bënin një shtet të mbarë, ku me artin e magjisë do të zhdukeshin krejt problemet. Nuk e imagjinoj sesi bashkimi i dy minuseve në këto kushte dhe me këta njerëz në krye të tyre, do ta sillte plusin. Në fakt, atë që do të sillte është një minus edhe më i madh.

Ende me kohë?

E për t’u bërë Kosova plus, për fillim, duhet ta zgjidhë problemin që ia ka krijuar vetes me demarkacionin me Malin e Zi dhe me Zajednicën.

Nuk e di nëse kryeministri e ka seriozisht dhe sinqerisht me përpjekjen për t’i hequr dilemat rreth demarkacionit. Porse bllokada në Kuvend që ia shkaktuan deputetët e koalicionit qeverisës, duket ta ketë këndellur, ngase votat për kalimin e ligjit nuk janë.

Mustafa u aktivizua, e tash me të, edhe ca ministra që dëgjohen tek thonë se s’është mirë që Kosova me humbë territor për punë vizash. Ka dalë në terren, po takohet me kryetarët e komunave të prekura, e ndoshta dikush do të takohet edhe me vendasit që do t’ua shpjegojnë hallet e veta. E ndoshta do të bashkohen edhe kundërshtuesit me argumentet e veta dhe më në fund do të konstatohet një gjë që është dashur të bëhej para më shumë se një viti – të bëhet konsulta e gjerë që të shmangen gabime eventuale.

Do të gjenden shumë të tillë që do ta kritikojnë Kosovën po qe se nuk e kalon ligjin për demarkacionin dhe kërkon që të shkohet sërish në negociata me Malin e Zi. Është më mirë që të kalohet një ligj pa probleme dhe pa humbje sesa t’i bëhet vetes zarar me humbje eventuale territori, për shkak të arrogancës dhe injorancës, në fund të fundit. Askush nuk ka lindur i ditur, dhe askush nuk është i pagabueshëm. Porse kur gabon, duhet ditur të pranohet gabimi dhe të kërkohet zgjidhja për shërimin e dëmit.

Nëse kjo çfarë është duke e bërë tash Mustafa është pikërisht pranimi i gabimit, me një harxh do të duhej ta bënte të njëjtën edhe me Marrëveshjen e Brukselit. Një, që ta tërhiqte nënshkrimin nga marrëveshja e dytë kundërkushtetuese dhe dy, ta tërhiqte Edita Tahirin nga posti i negociatores, për shkak se, mes tjerash, sa herë po mohon diçka të keqe për Kosovën, po na del e kundërta.

Procesi i Brukselit rrezikshëm cenon sovranitetin dhe pushtetin e Kosovës mbi territorin dhe popullatën e vet. Është shumë e pakuptimtë që punët e brendshme të Kosovës të bëhen objekt negociatash me Serbinë, e të shkohet aq larg sa të përcaktohet kufiri i një komune të themeluar me Kushtetutë. Natyrisht, kjo është gjë tepër e vogël krahasuar me dëmin që e bën Zajednica, si rrafsh i tretë i pushtetit në Kosovë, e që sipas ligjit ka mundur të themelohej si OJQ në Kosovë, me plotësimin e jo më shumë se gjashtë dokumenteve. Në vend të kësaj, tash kemi trup të veçantë që do të merret me përpilimin e Statutit të Zajednicës – që çon mallin e një dokumenti që njësoj është quajtur Statut dhe e ka rregulluar juridikisht ish-Krahinën e Kosovës në ish-Jugosllavi. Pra, me kot mundohen të na bindin se Zajednica do të themelohet në bazë të ligjeve dhe të Kushtetutës së Kosovës, se këto veprime po e dëshmojnë të kundërtën.

Përderisa vazhdojmë të kemi probleme territoriale dhe të shtrirjes së sovranitetit, asnjë proces tjetër pos korrupsionit nuk do të mund të funksionojë si duhet në këtë shtet. E një arsye e madhe për t’i korrigjuar gabimet e rënda politike, që e kanë sjellë punën në qorrsokak, është edhe nevoja për të dëshmuar se problemet sikur këto nuk po kultivohen qëllimisht nga koalicioni në pushtet, për të vazhduar ta kenë terrenin e hapur për lulëzimin e krimit, të cilin s’ka fuqi që e ndalë.

Mbase këto janë shenjat e para të një këndelljeje të vonshme, por jo krejtësisht të vonuar, që do ta ndalnin degjenerimin e mëtejmë të një shteti, i cili megjithatë mund të mbijetojë i pavarur, përderisa ka shumë të tillë që besojnë në fuqinë e kësaj pavarësie.

[email protected]

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...