1 Dhjetor 2015 - 07:50 - Flaka Surroi
Plani Osmani-Deda i heshti gjithë udhëheqësit politikë të Kosovës. Duke dëshmuar më së miri se politikanët tanë assesi nuk e pranojnë se Kosova po e jeton një realitet të hidhur, me bllokimin e përfaqësuesit të sovranit dhe të jetës në përgjithësi, përfshirë atë politike. Fakti se nuk pati asnjë deklaratë të vetme nga krerët e partive politike e shtetërore në lidhje me të, tregon mosinteresimin që problemit t’i jepet shansi për t’u zgjidhur në formë institucionale.
Se sa janë të shkyçur nga realiteti, e dëshmon vetë fakti se në javën që do t’i paraprijë manifestimit të opozitës më 28 nëntor dhe seancës së radhës së Kuvendit më 30 nëntor, shefja e shtetit shkon në Zagreb, kryeministri nominal shkon në Gjermani, kurse kryeministri i Jashtëm dhe përgjegjësi kryesor për të dyja dokumentet që kontestohen nuk u duk askund – as për ta dhënë ndonjërën nga deklaratat e tij cinike.
Edhe më e theksuar kjo shkyçje kur e dëgjon deklaratën e Mustafës lidhur me ardhjen e të akuzuarit për krime lufte në Kosovë, Dikoviq, për takim me komandantin e KFOR-it (“askush në Qeveri nuk e ka pasur këtë informatë”). Me gjasë Dikoviqi paska ardhur nga ajri, hapësirë që sikurse edhe veriun, nuk e kontrollon Kosova. Po edhe nëse paska ardhur, si bëhet që shërbimi i inteligjencës i Kosovës mos ta ketë pasur këtë informatë, apo është se ai nuk i ndan informatat me krerët e shtetit (por vetëm me ata që e mbajnë pushtetin real). A ka kuptim që kryeministri i vendit të dalë e të thotë “nuk e kam ditur” e që shefja e shtetit të mos prononcohet fare për këtë, thuajse kjo punë paska ndodhur te komshiu.
Zgjedhja për të injoruar apo minimizuar çfarëdo që ngjan në Kosovë (pos hallakamës në Parlament, kuptohet) duket të jetë shndërruar në sistem pune të kryeministrit, i cili as pas një jave “nuk i ka kërkuar ministrit Hoti informata shtesë për atë që kishte ndodhur në veri”, thuajse Hoti ishte nisur në piknik dhe në vizitë private.
Loja me nerva
Për fat të keq qasja të cilën e ka zgjedhur Qeveria është ajo e frikësimit dhe e konfrontimit. Dhe kjo qasje nuk është e re, por rrjedh që nga koha kur kryeministri i Jashtëm kishte zgjedhur ta injoronte plotësisht Kuvendin, kur kishte nisur negociatat në Bruksel. Pra, injorimi i institucionit më të lartë që do të duhej të vendoste në emër të votuesve që i sollën ata 120 aty, u anashkalua, ashtu që erdhëm në pikën kur nëpërmjet veprimeve jokonvencionale, opozita ia bën me dije se marrëveshjet e arritura në emër të Kosovës i bëjnë më shumë dëm sesa mirë Kosovës.
U desh të kalojnë dy muaj që kryetarja, e painteresuar për t’u bërë vërtet fuqia unifikuese e të gjithëve, t’i drejtohej Kushtetueses me letër duke kërkuar sqarimin për marrëveshjen e dytë “historike”. Pse, kur këtë ka mundur ta bënte vetë Qeveria që në çastin që u shfaqën kundërshtimet e forta ndaj dokumentit që mund ta bosnjizojë Kosovën. Ndoshta është menduar se me inercinë e injorimit nga e kaluara, do të kalonte edhe kjo punë pa ndonjë problem të madh.
Tash, tre muaj pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, dhe sërish nëpërmjet mediave, Mustafa e bën një lëvizje të marrshme dhe jep një shenjë të parë me të cilën e pranon se marrëveshja për demarkacionin ndoshta do të ketë mangësi, aq sa për t’i ftuar ekspertët nga SHBA-ja dhe BE-ja për t’i përcaktuar kufijtë. Për më tepër, deklaron se nëse Kushtetuesja vendos se marrëveshja e Brukselit s’është kushtetuese, atëherë do të ketë dialog të ri. Porse në asnjë moment nuk e përmend Komisionin e Venecias, thuajse ai nuk ekziston, thuajse mjaftohemi me institucionet e vendit, edhe kur e kemi situatën në zgrip të shpërthimit.
Të frikësuar nga reagimi eventual masiv i popullatës ndaj thirrjes së opozitës për të marrë pjesë në manifestimin e 28 nëntorit, Qeveria ndërmerr një hap frikësues dhe dy masa populiste: del nëpërmjet Policisë për të kumtuar se shkalla e rrezikshmërisë nga sulmet terroriste në Kosovë është rritur dhe se u preferohet qytetarëve që t’u shmangen mbledhjeve masive, koncerteve, klubeve të natës e të ngjashme. Porse nuk e kishte llogaritur se një epror ushtarak amerikan do t’ia demantonte alarmin menjëherë të nesërmen. Pas kësaj, Qeveria vendosi që shkollat të mos punonin më datën 27 për ta kremtuar festën e flamurit, ani që kjo fillimisht, sipas ligjit, është festë ceremoniale (pra jo shtetërore) dhe pasi që ishte paralajmëruar që në fillim të javës se dita e pushimit në fakt do të ishte e hëna. E për ta arsyetuar këtë ndryshim, koalicioni koordinohet asisoj që ta thërrasë mbledhjen e Kuvendit bash të hënën. E fundit, sigurimi i të ardhurave personale për shërbyesit civilë e publikë katër ditë më herët – për të treguar se si kjo Qeveri është më ndryshe, dhe natyrisht më e mirë se opozita, sepse ua jep rrogat para kohe... Thuajse ka nisur fushata zgjedhore.
Edhe ajri në rrezik
Porse më skandalozja ishte heshtja ama bash e të gjithë politikanëve kosovarë në raport me informatën që e zbuloi gazeta për përpjekjen që po e bën Serbia për marrjen nën kontroll të hapësirës ajrore të Kosovës. Përderisa serbët nuk e mohojnë se ia kanë parashtruar Brukselit një kërkesë të këtij soji, politikanët kosovarë bëhen thuajse po bëhet fjalë për hapësirën ajrore të Burundit, e cila meqë është larg, nuk u intereson. Mbase edhe qëllimisht po e heshtin këtë punë, ngase me dorë të veten e kanë pranuar “fjollën editiane”, që Kosovën e identifikon edhe me Rezolutën 1244 e edhe me vendimin e GJND-së, porse nuk e paragjykon statusin. Pra, Kosova vetvetes nuk ia njeh pavarësinë me këtë fusnotë, dhe natyrshëm, shkyçet krejt nga bisedat që i bëjnë KFOR-i, BE-ja, e një zot e di kush tjetër me Serbinë, për të na i sjellë prapa edhe aeroplanët ushtarakë serbë që do të realizojnë manovra sa herë që dikujt i bie ndërmend atje në Beograd. Dhe, absolutisht i heshtur, mbetet Thaçi përgjegjësi kryesor për këtë katrahurë.
Do të jetë interesante të shihet se cilat janë hapat e ardhshëm që do t’i ndërmarrë pushteti. Me një reflektim absolutisht selektiv të drejtësisë në Kosovë, po dëshmohet se ndërhyrja a presioni politik në raste të caktuara gjyqësore është realitet. Hiç më larg, te rasti i deputetëve, siç e zbuloi gazeta: Ukë Rugova ishte deputet, porse u lirua në shtëpi me detyrë lajmërimi në polici. Gjykata atëherë vlerësoi se Rugova gëzonte imunitet. Donika Kadaj-Bujupi merr vendim tjetër nga gjykata, e cila thotë unë nuk e vlerësoj imunitetin, por vetëm veprën penale të pretenduar. Për pasojë nuk e lë në arrest shtëpiak, sepse “mund ta përsërisë veprën penale”, me çka paragjykon se ajo e paska kryer një vepër penale ende pa u gjykuar. Në të njëjtën kohë, një prokurore e akuzuar për marrje ryshfeti për kontrabandë veturash lirohet nga paraburgimi me kaucion prej 10 mijë eurosh. Shtrohet pyetja: nga i mori prokurorja, e cila paguhej nja 1200 a sa euro në muaj ato 10 mijë për t’u liruar nga burgu? Me gjasë nga frigoriferi, aty ku ishte ruajtur para se të nisej rrugës për në Austri.
Pra, nëse strategjia e pushtetit është “të fusë rend” nëpërmjet arrestimeve të deputetëve, protestuesve, apo kujtdo tjetër që do të vazhdojë t’ia kundërshtojë vendimet, atëherë për rezultat do të kemi dhunë, mbase edhe më të shprehur seç ka qenë në ditët e shkuara. Do ta kemi rastin e humbur që dokumenti racional i dy deputetëve të merret për bazë për t’u përpjekur për ta gjetur një zgjidhje me konsensus. Do të mund të kemi konfrontim aq të madh, saqë kur të zgjohen krejt për të kuptuar se çfarë realiteti është krijuar, do të jetë vonë. Sepse është shumë, shumë vështirë të kuptohet se si mund të bëhet dialogu me Serbinë, e mos të ketë dialog ndërmjet shqiptarëve. A do të thotë kjo se dikush i treti do të duhej të ndërhynte (e këtu nënkuptohet se bëhet fjalë për të huajt) për t’i bërë bashkë dhe për ta gjetur një zgjidhje? Në këto kushte, edhe nëse do të ketë pasur një fije indice nga opozita se do të mund të uleshin për të gjetur zgjidhje, konfrontimi vetëm sa do ta varrosë atë plotësisht. Ndërkohë që Kosova do të mbetet peng e njerëzve iracionalë që nuk janë duke parë përtej hundëve të tyre. E besa edhe i Gjykatës Kushtetuese dhe vendimit të saj për marrëveshjen e dytë “historike”.
Opsioni tjetër do të jetë konfrontimi “light” – vazhdimi i “ndjekjes” por jo edhe arrestimit të tre deputetëve të “Vetëvendosjes” që më nuk mund të kthehen në Kuvend, sepse menjëherë do t’i arrestonin; tensionimi i situatës deri në atë pikë sa vendoset se jemi të paaftë të ecim tutje me këtë që kemi; një vendim i Gjykatës Kushtetuese që mund ta shpallë jokushtetuese marrëveshjen për Zajednicën; dhe shkuarjen në zgjedhje të parakohshme, për shkak se askush nuk do ta marrë përgjegjësinë e dialogimit të mëtejmë. Gjykata mund ta respektojë afatin e caktuar për në janar, ashtu që zgjedhjet të na mbahen në mars. Deri atëherë, mbase çështja e Speciales do të jetë zgjidhur dhe aty mbase do ta kuptojmë se Jahjagës do t’i sigurohet mandati i dytë, sepse s’do të ketë konsensus për shefin e ri të shtetit.
Është e pakuptimtë kjo ikje nga realiteti, me pretendimin se nuk kemi problem, thuajse ai do të zhduket nëse i mbyll sytë apo e injoron. E pakuptimtë sjellja e këtyre politikanëve që thuajse po jetojnë brenda në një balonë. Balonë që në çdo çast mund të shpërthejë. E mandej?
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...