Desanti

24 Qershor 2014 - 08:43 - Flaka Surroi      

Pavarësisht interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, Kosovës i nevojitet ndryshim në qeverisje madje me veprime alla lazaratçe..., që sinqerisht është ireale të pritet të bëhen nga ata që e ndërtuan Lazaratët kosovarë ndërkohë që janë vështirë të realizueshëm, por jo e pamundur, nga ata pak njerëz me duar të pastra që ka gjasa të mbeten në opozitë, madje edhe me vetëdëshirë

Se është ditur që nga fillimi se KQZ-ja do të vonohet shumë për t’i nxjerrë rezultatet përfundimtare – nuk ka pasur asnjë dyshim, se nuk e ka sefte. Se ende nuk e kemi të qartë se përse ka shtete që ia dalin t’i numërojnë me qindra miliona vota brenda një a dy dite përderisa kosovarëve iu nevojiten dy a tri javë për t’i numëruar rreth 700 mijë – as këtu nuk ka dyshim, se nuk ka kush të na e shpjegojë këtë fenomen.

Dhe për shkak se është ditur se KQZ-ja nuk do të dalë me rezultate, çështja e zgjedhjeve tashmë u shndërrua në një det supozimesh, kalkulimesh, paragjykimesh, interpretimesh, komentimesh... duke mbetur gjithsesi në hijen e Kampionatit Botëror në futboll (për hesap timin, mbase më të mirin që nga 1982); kërkesës drejtuar Gjykatës Kushtetuese për interpretimin e neneve më të famshme të Kushtetutës nga ana e kryetares; parkut të barrikadave, si dhe aksionit në Lazaratin e Shqipërisë.

Kushtetuta me një mijë vrima

Rasti i këtyre zgjedhjeve na zbuloi se Kushtetuta jonë i ka një mijë vrima dhe pesëqind interpretime – ashtu siç kujt i konvenon në kohën e caktuar. Shtizat u thyen rreth interpretimit se kush duhet të mandatohet për kryeministër; kush i plotëson kushtet e nenit 95, e kush të nenit 84, që flasin pak a shumë për të njëjtën gjë, por me dallime të vockla që, sa më përket mua, nuk kanë dallim, e megjithatë, kontestohen nga palët e interesuara.

Fatmirësisht, dy nga autorët e kësaj Kushtetute, Kuçi e Bajrami, nuk po na japin më arsyetime e as argumentime, për shkak se javën e parë u bënë horë që të dy: vetë na tregonin se problemi që kanë shqiptarët me gjuhën e vet amtare nuk i referohet vetëm mosdijes se ku të vendoset “ë”-ja apo kur duhet përdorur “ç”-në e kur “gj”-në, por edhe sintaksës, dhe, çka është më me rëndësi, edhe vokabularit.

Kjo të lë të besosh se hartimit të edhe këtij teksti i është hyrë sikurse atëherë kur shkruhej Korniza Kushtetuese – dokumenti karikatural që supozohej se kishte fuqinë supreme juridike, e të cilin e rrëzonte sa herë që donte një njeri i vetëm që fliste në emër të Zyrës Ligjore të UNMIK-ut. I cili në fakt, ishte vetë zyra ligjore. Mbase do të mbajmë në mend me shumë hidhësi, se Korniza Kushtetuese e bënte kategori kushtetuese shërbimin e zjarrfikësve, kurse parashihte që njëra nga detyrat kryesore të kryetarit figurë që kishte Kosova ishte të ndante mirënjohje dhe medalje.

Atëherë të gjithë shqiptarët patën dalë me thanë se si zgjidhjet në tekst ua kishin imponuar të huajt. Po kësaj radhe? Pos pjesës së Planit Ahtisaari që nuk mund të riformulohej, çka tjetër e imponuan të huajt? Edhe formulimet e gabuara e të paqarta në gjuhën shqipe?

Shoshë. Kështu do të duket tash Kushtetuta. E kush e di edhe sa vrima e paqartësi do të dalin kur t’u vijë radha emërimeve dhe zgjedhjeve brenda në Kuvend.

Parku i poqurkave, specave, kastravecëve, arpaxhikëve... = paqe

Nëse një parku i shtohen edhe “vazot” e betonit prej nja dhjetë metrash gjatësi me dy metra lartësi, atëherë kjo na e vërteton njëmend paqen sipas kuptimit të serbëve. Sa ironike: pjesëtarët e popullit që i shkaktuan katër luftëra për më pak se shtatë vjet, që i vranë gjithë ata njerëz dhe i shkatërruan gjithë ato shtëpi, e okupojnë sipërfaqen e përbashkët të një ure për të na ofruar gjethen e dafinës të stilit të tyre – parkun e ndasisë. Dhe të gjithë këtë e bëjnë në prezencën e MUPovcave që u bënë pjesëtarë të Policisë së Kosovës duke iu falënderuar marrëveshjes që nuk është marrëveshje. Pra, ashtu siç u tha atëherë, po përsëritet edhe këtë herë: pasojat e këtij budallallëku fusnotesk i bartim ne qytetarët e Kosovës, që askush nuk na pyeti gjë kur vendosi në emrin tonë.

Heqja disaorëshe e barrikadës në veri dhe kthimi i saj i sërishëm thuhet të jetë çështje e koordinuar dhe marrëveshje ndërmjet të huajve, serbëve dhe Thaçit. Por, duke parë se shumëçka që flitet këto ditë thuhet të jetë marrëveshje e dikujt me dikë, refuzoj të besoj se një version i tillë mund të jetë i vërtetë – si zgjidhja me e thjeshtë për veriun, me shkëputjen e tij nga Kosova.

Porse episodi i së mërkurës ishte shembulli më i prekshëm i talljes së serbëve me pushtetin e edhe i pushtetit me popullin. Përderisa ato dy-tri orë që mund të qarkullonin veturat për në veri nga Ura e Ibrit u shfrytëzuan nga Agim Bahtiri, HashimThaçi e Edita Tahiri për t’i marrë meritat për “bashkimin e Mitrovicës”, të nesërmen kryeministri në detyrë doli me një komunikatë për të na treguar se ajo që po ndodhte në Mitrovicë ishte “e turpshme, e rrezikshme dhe antiligjore”. Dhe e kreu me kaq.

Mbase do të duhej kujtuar kryeministrit në detyrë që ai ende ka kontrollin mbi ekzekutivin dhe se i ka në duar instrumentet me të cilat do të duhej ruajtur integritetin territorial dhe të parandalohej shkelja e ligjit. Brengën për atë që po ndodh në veri mund ta shprehim ne qytetarët. Ashtu siç mund ta shprehim edhe për faktin se qeverisja e këtij kryeministri na ka marrë në qafë, posaçërisht pasi që me nënshkrimin e tij në një copë letër ka hapur shteg për mbase edhe shkëputjen e një pjese të territorit të Kosovës, shtet të pakryer.

McMafia made in Albania

Për dallim prej Kosovës shtet i papërfunduar, deri para një jave, në Shqipëri ka ekzistuar një shtet brenda shtetit, anëtar i OKB-së.

Në Lazarat s’kam qenë kurrë dhe krejt rastësisht e di, prej hartave gjeografike, që gjendet shumë afër Gjirokastrës. Atë që kisha dëgjuar për të ishte se njihej si vendi i udhëhequr nga një apo më shumë klane mafioze dhe ku sundon ligji i dhunës dhe i të fortit. Prej pamjeve që na janë ofruar në televizionet e Shqipërisë, kemi mundur të nxirrnim përfundimin se flitet për replikën e laboratorëve dhe kultivatorëve të drogës, ashtu siç i përshkruan Misha Glenny në librin e tij të papërsëritshëm, “McMafia”.

Fakti se ky vend me vjet të tërë ka qenë zonë e lirë e prodhimit, përpunimit, eksportimit dhe kush e di çka tjetër të drogës, dhe se aparati i dhunës në duart e Qeverisë nuk u përdor kurrë për ta eliminuar atë të keqe, ka qenë realiteti më tronditës në Shqipëri. Ka qenë fenomen që e ka sjellë atë situatë paradoksale që mundëson paraqitjen e krijesave, siç janë ELN apo FARC në Kolumbi: ushtri e parregullt, me shumë fuqi armatimi, por, mbi të gjitha, me shumë fuqi përkrahjeje nga popullsia lokale, tradicionalisht e varfër, por që ka gjetur shpëtim te paratë e fëlliqura të drogës. Për shkak se nuk ka pasur shtet që do të merrej me përkujdesjen e saj.

Veprimi njëjavor i Policisë e mori nën kontroll fshatin, i cili qe toleruar nga Qeveria e shkuar. Qeveria e tashme, sa për hakmarrje kundër Qeverisë së vjetër, sa për të treguar se është ndryshe dhe serioze në premtimet e veta, nisi t’i plotësonte kushtet për anëtarësimin në BE, duke e luftuar krimin me gjithë fuqinë që ka në dispozicion. Të shpresojmë se ky është fillim i mbarë i aksionit për pastrimin e Shqipërisë nga e keqja dhe krimi, dhe se veprimet e shtetit shqiptar do të jenë të ngjashme me ato të Kroacisë. Sepse ky do t’i shërbente edhe Kosovës si shembull se si duhet qeverisur: duke i ndjekur dhe duke i zënë kriminelët e rrezikshëm dhe duke i çuar prapa grilave.

Si tutje?

Pavarësisht interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, Kosovës i nevojitet ndryshim në qeverisje. I nevojitet një mandatar dhe një qeveri tjetër nga kjo që e kemi pasur deri tani, për shkak të shtatë vjetëve mjerim që ka prodhuar. Për shkak se koalicioni parazgjedhor i kryeministrit në ikje është lidhur me një rrymim fetar që e bën të shantazhueshëm laicitetin e shtetit dhe për shkak se edhe po t’i bënte numrat do të varej shumë, bile tepër, nga votat e minoriteteve. Për shkak se Thaçi III do ta bankrotonte përfundimisht Kosovën.

Po ajo që ka shumë gjasa të formohet si qeveri e një koalicioni të gjerë njerëzish që tashmë e kanë shijuar qeverisjen dhe nuk është se mund të lavdërohen shumë me punën e tyre, megjithatë e fiton shansin për t’i bërë gjërat më mirë. E njëra prej gjërave të para që do të duhej bërë, do të duhej dëshmuar më pak grykësi dhe t’i reduktojë ministritë në një numër normal, prej nja 12-13 ministrish (p.sh. ministritë e Jashtme, e Integrimeve dhe e Diasporës do të shkriheshin në një; Zhvillimi Ekonomik dhe Tregtia e Industria në një; Drejtësia do të transformohej në Ministri të Legjislacionit, sepse është gjynah të kesh ministri përgjegjëse vetëm për shërbimin korrektues dhe autopsi; e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe i Administratës Publike do të shkriheshin në një, e të ngjashme); e dyta, do të duhej t’i auditonte të gjitha ministritë dhe të spastronte gjendjen për të parë se kush sa i ka qepuar buxhetit në sa vjetët e fundit; dhe, mbase më e rëndësishmja, do të duhej ta aktivizonte ATK-në asisoj që të bëjë hetime rrënjësore të të gjithë atyre që i janë shmangur pagimit të tatimit dhe e kanë mundësuar ekonominë gri. Dhe natyrisht, do të duhej ndëshkuar dhe inkasuar atë që ia kanë borxh shtetit.

Sado që do të dukej utopike, Kosovës i nevojiten veprime alla lazaratçe, të cilat është normale që nuk do t’i bëjnë ata që e ndërtuan Lazaratët kosovarë. Do të duhej t’i bënin ata pak njerëz me duar të pastra, edhe nëse ka gjasa të mbeten në opozitë, madje edhe me vetëdëshirë – sepse, megjithatë, do ta kenë fuqinë e ndikimit, nëse për asgjë tjetër, atëherë për shkak se e kanë iniciuar bashkimin gati të pamundur të opozitës.

Por, për të mbërritur tek ajo pikë, fillimisht na mbetet të presim KQZ-në me rezultatet përfundimtare; Kushtetuesen me vendimin e vet; kryetaren me nominimin e mandatarit dhe luftën në Kuvend, të cilën nuk e kemi parë kurrë më parë – me opozitë të bashkuar dhe minoritete pa fuqi bllokuese. I ngjet një desanti. Ani. Është koha për t’u zgjuar.

[email protected]

©KOHA.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...