15 Nëntor 2016 - 07:56 - Flaka Surroi
Kam menduar se koha e vdekjes së të burgosurve në burg kishte kaluar me luftën. Gabim e paskam pasur.
Ky qe reagimi im i parë me të dëgjuar lajmin për vdekjen në rrethana të dyshimta të 26-vjeçarit Astrit Dehari, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. I riu, i cili po mbahej prej 68-ditësh në paraburgim, nën dyshimin se së bashku me pesë të rinj të tjerë kishin kryer veprën penale të terrorizmit me të sulmuar ndërtesën e Kuvendit të Kosovës me minahedhës, u shua të shtunën pasdite.
Deklaratat kundërthënëse
Nuk vonoi shumë dhe së pari u dëgjua VV-ja, që e konfirmonte vdekjen e tij, pa detaje të tjera. Pas pak kohe doli deklarata e Shërbimit Korrektues të Kosovës, me të cilën bëhej me dije të shtunën, “në rrethana ende të pasqaruara, i paraburgosuri A.D. ndërroi jetë në Spitalin Rajonal të Prizrenit”. Nja dy orë më vonë, u dëgjua edhe deklarata e shefit të Policisë Rajonale në Prizren, dhënë KTV-së, se: “Bazuar në informatat e para që kemi marrë nga drejtori i Qendrës së Paraburgimit në Prizren, viktima ka përdorur disa medikamente dhe ka rënë në gjendje kome. Rrugës për në emergjencë ka ndërruar jetë, ndërsa në emergjencë ka shkuar pa shenja jete”.
Dhe pavarësisht deklaratave kundërthënëse që u bënë publike, vetë fakti se një njeri, i cili vuan paraburgimin në pritje të përfundimit të hetimeve, vdes në objektin i cili është i mbrojtur maksimalisht nga Policia dhe Shërbimi Korrektues, ku ka kamera sigurie dhe ku nuk do të duhej të kishte kërcënime për sigurinë personale, ishte tronditëse. Ishte krejt e pakuptimtë se si mund të ndodhë që dikush të lëndohet apo vetëlëndohet aq shumë, pa e marrë vesh askush në një vend ku shteti do të duhej të ofronte siguri maksimale. Ishte edhe më e pakuptimtë sesi dikush që është i dyshuar për terrorizëm të mos jetë izoluar në rrethana të veçanta, duke e marrë parasysh rrezikshmërinë latente që bart në vete vetë dyshimi me të cilin është ngarkuar.
Përgjegjësia
Nëse merret për bazë deklarata e Shërbimit Korrektues – për keqardhjen se ka ndodhur që një i paraburgosur të vdiste në Spitalin Rajonal të Prizrenit, shtrohet pyetja se pse askujt nga përgjegjësit e këtij institucioni në nivel qendror dhe lokal nuk i ra ndërmend të jepte dorëheqje, për shkaqe morale së paku. Siguria e jetëve të njerëzve që janë prapa grilave, pavarësisht arsyes, është në duar të tyre. Prandaj vdekja e kujtdo qoftë brenda në burg me automatizëm është përgjegjësi e shtetit. E meqë shteti nuk mund të dorëhiqet, këtë mund ta bëjnë edhe ministrja e Drejtësisë e edhe përgjegjësit e Shërbimit Korrektues dhe të Qendrës së Paraburgimit. Individualisht, apo edhe kolektivisht.
Por, nga ana tjetër, është më e rëndë deklarata e shefit të Policisë, i cili pardje doli për të thënë se nuk është e vërtetë se kishte deklaruar atë që citohet lart. Nëse nuk qenka e vërtetë, pse iu desh të priste madje gjashtë ditë për të folur rreth kësaj deklarate? Pse nuk iu kujtua ta kundërshtonte atë menjëherë pasi u akuzua për deklaratë të rreme? Pse kryeprokurori i Prizrenit doli për të deklaruar se nuk ka pasur barna as në qeli e as në trupin e të ndjerit pa e pyetur askush nëse ka pasur ose jo barna? Lista e pseve mund të jetë edhe më e gjatë, posaçërisht kur ndërlidhet me veprimet e mëtejme që janë ndërmarrë rreth rastit. Fakti mbetet: në deklaratën e vet shefi i Policisë së Prizrenit nuk e fliste të vërtetën. Të vërtetën e zbuluan patologët që thanë se Dehari kishte vdekur nga asfiksia me shishe. E megjithatë, nuk pati asnjë veprim nga ai për të dhënë dorëheqjen dhe asnjë veprim i Ministrisë së Brendshme për ta shkarkuar atë. Për më tepër, asnjë fjalë nga MPB-ja. As bile shprehje ngushëllimesh.
Konspiracioni
Nuk është larg mendsh që shefi i Policisë të jetë ngutur me këso deklarate, për ta diskualifikuar madje edhe mundësinë që vdekja të ketë mundur të ishte vrasje. Por, edhe po të ishte i vërtetë konstruksioni i kryepolicit, si bëhet që të burgosurit të kenë në dispozicion aq barna sa për ta vrarë veten? Kush i administron këto barna, dhe a nuk ka mjek ambulator që do të duhej t’i kontrollonte pacientët e mundshëm në paraburgim? Edhe, a nuk shërbejnë kamerat për të përcjellë se çfarë bëjnë të burgosurit nëpër qelitë e tyre?
Mbase kryepolici ka menduar se me këtë deklaratë do të mbyllej rasti. Ose ka menduar se askush nuk do të kërkonte që të bëhej obduksioni. Apo ka menduar se do të kishte kohë të mjaftueshme për t’i mbledhur gjurmët e tjera të rastit nga qelia, pa i parë kush. Nuk dihet se çfarë do të ketë menduar – porse veprimi i kryeprokurorit, e më pas edhe i familjes, këtë plan eventual ia prishën plotësisht.
Familja e tronditur kërkoi që obduksioni të bëhej në prezencën e dy ekspertëve të pavarur nga jashtë. Kërkesa u miratua nga kryeprokurori me leje të MD-së, që supozohet se nuk duhet dhënë leje për asgjë, sepse kjo nuk është punë e Ministrisë. Sidoqoftë, për shkak se lajmi mori dhenë, dhe për shkak se reagimet nëpër rrjete sociale (shtëpi e shoqërisë civile të Kosovës) ishin shumë të ashpra me shumë akuza e dyshime, autopsia u krye në prezencën e shumë vetave, prej të cilëve madje katër ishin përfaqësues të familjes. Familja donte të sigurohej që rasti i të birit të tyre nuk do të përfundonte sikurse rasti Asanaj dhe konstatimin final se ai e kishte vrarë veten me 11 goditje të thikës.
Detajet që patëm rastin t’i dëgjonim nga avokati i familjes në “Rubikon”, e që nuk u kundërshtuan nga prokurori, në lidhje me mënyrën e vdekjes së Astritit, ishin rrëqethëse. Po qe se dikujt i shkon më mendje se ky rast ka mundur të ishte vetëlëndim për shkak të precedentit familjar, mbase do ta zgjidhte formën më të lehtë për ta ‘zgjidhur’ rastin. Porse nuk duhet harruar, se për rastin e vëllait të të ndjerit nuk ka ende raport zyrtar, as pas dy vjetësh, që do ta konstatonte shkakun e vdekjes së tij – nëse vërtet ka qenë vetëvrasje apo vrasje.
Po qe se ata që mendojnë se të shtunën ka ndodhur një vetëvrasje, atëherë do të duhej dëgjuar me shumë vëmendje avokatin teksa flet për mjetet e gjetura në qeli. Për gjakun, me të cilin ishin mbuluar: shishja, lapsi, peshqiri, patroni i rrojës, mobilet në qeli e dyshemeja, ndër të tjera. Të mos flasim për gërvishtjet dhe shenjat në duar dhe në fyt.
Logjikisht, nëse e parafytyrojmë se Astriti paska dashur ta vriste veten, pse është dashur ta mundonte veten aq shumë – sa për ta mbushur një peshqir me gjak, kur ka mundur, ta zëmë, t’ia ndalte vetes frymëmarrjen me po atë peshqir. Ose, me një qese najloni. Ose me barnat e kryepolicit. Ose t’ia presë vetes arterien karotide (që ai si mjek i ardhshëm e ka njohur mirë). Përse dikush që ishte në prag të përfundimit të studimeve; që ishte i porsamartuar; që ishte i dashur nga miqtë e kolegët dhe që së shpejti do të bëhej babë – do ta vriste veten? Çka do të fitonte? Asgjë, pos vdekjes.
Vrasje?
E besoj se të gjithë ne kemi shikuar me duzinë filmash dhune nëpër burgje. Dhe jam e sigurt se shumë sish do të mundë të na e ndiznin imagjinatën që ta ndërtonim secili nga një skenar për ta kuptuar këtë rast. Pra, skenarë mund të jenë shumë, ku do të përfshiheshin shumë më tepër njerëz sesa vetëm Astriti.
Përderisa çdokush do të mund ta gërvishtte qafën e vet, shumë pakkush do të mund t’i lëndonte të dyja duart simultanisht. Përderisa dikush do të mund të përpiqej ta përpinte një shishe plastike, shumëkush do të reagonte duke e tërhequr atë prej gojës, sepse do t’i shkaktonte edhe dhimbje, e edhe ngufatje. Përderisa çdokush do të mund të përpiqej ta përpinte mjaltin, vështirë të mënjanueshëm nga kanalet e frymëmarrjes, pse do të duhej shtyrë me forcë, kur mjalti rrjedh vet pa ndonjë telash. Në fund, pse do të duhej dikush ta shqyente gojën për ta futur aty një shishe goxha të trashë, nëse tashmë ka provuar me anën më pak të trashë?
Në çastin kur kanë dalë të gjithë në shëtitje, Dehari, në teori ka qenë vetëm. Për një orë të tërë askush nuk e ka dëgjuar asnjë zhurmë që vinte nga qelia e tij. Pse? Ku kanë qenë gardianët dhe a është mundur që edhe tentimvetëvrasja e supozuar të kalonte pa e dëgjuar asnjë gjëmë nga ai që po vetëlëndohej, për të mos folur për rastin ku ky ka mundur të ishte i sulmuar nga një apo më shumë persona? Nëse një apo më shumë persona kanë hyrë në dhomë tek ai, si është e mundur që askush të mos i ketë parë, edhe a thua kamerat e sigurisë i kanë kapur këto lëvizje?
Nga krejt që kemi dëgjuar, ende pa e parë rezultatin e autopsisë, është shumë vështirë e besueshme që Astrit Dehari ta ketë vrarë veten. Është më parë një vdekje e dhunshme që ka mundur të jetë shkaktuar nga dikush që ka probleme mendore e që gjendet në burg në vend të spitalit. Ose nga dikush që e ka kryer punën me porosi. Si në filma. Dhe kur e shkruaj këtë të fundit, nuk ka sesi të mos më kujtohet Nazim Bllaca dhe fakti se mbahej në burg shtëpiak, sepse ishte më i sigurt aty sesa në burg.
Marshi
E nuk janë pak ata që mendojnë se vdekja e Astritit nuk ka qenë vetëvrasje. Të martën, me mijëra njerëz, nëpër mot të keq, dolën për të marshuar me kërkesën për drejtësi për Deharin. Prishtina kurrë nuk kishte qenë më e qetë. Marshimi kurrë nuk kishte qenë më dinjitoz. Ishte shprehje revolte me qetësi varri për fatin e zi që e kishte përjetuar një student brilant 26-vjeçar, që ishte akuzuar për një vepër penale të rëndë. Akuzë e cila megjithatë është mbështetur mbi këmbët e qelqit.
Ishte shprehje e tmerrit ndaj faktit se në Kosovën e pasluftës është shfaqur madje urrejtja ndër shqiptarë, për shkak të pikëvështrimeve politike. Ishte shprehje e frikës se edhe Kosova do të mundë të shndërrohej në një Kili evropian, ku kundërshtarët politikë do të mundë të eliminoheshin me lehtësinë më të madhe, për shkak se ky shtet e ka vlerë mosndëshkimin. E ka vlerë mbajtjen në pushtet të njerëzve me tipare diktatoriale.
Sepse, për fatin tonë të keq, ky shtet nuk diti të rritej mbarë.
Drejtësia për Astritin do të sillte bile pak prehje dhe një grimë shprese se tashmë nuk i kemi kaluar krejt kufijtë e tolerancës.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...