Farsë e zgjedhjeve fer

8 Nëntor 2016 - 08:02 - Flaka Surroi      

Ndryshimi i vetëm substancial të cilin shumëkush e dëshiron pa e thënë publikisht, është pastrimi i listave me ndihmën e Gjykatës Speciale, apo edhe të ndonjë prokurori special, sepse pa u thyer struktura e cila e ka sjellë Kosovën në këtë derexhe, vështirë se do të ketë ndryshim që do të na nxjerrë prej krizës

Javën e shkuar, Qeveria e miratoi propozimbuxhetin për vitin e ardhshëm, dhe paralajmërimi kryesor, i cili doli nga ky dokument i ri, ishte se pagat e veteranëve do t’u përshtaten kushteve të cilat i dikton FMN-ja. Pra, me fjalë të tjera, ose do të zvogëlohen, ose do të ndërmerret një diçka, që quhet riverifikim i listave të veteranëve, për t’i përcaktuar obligimet përfundimisht. Nuk u kuptua nëse Qeveria ka paraparë edhe linjën buxhetore për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, diku të fshehur në të ashtuquajturin fond rezervë.

Sido që të jetë, projektbuxheti për vitin e ardhshëm do të mund të jetë edhe shkaku për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme. Mosmiratimi eventual i buxhetit do të duhej ta rrëzonte Qeverinë, për shkak se ky në fakt e paraqet një mocion mosbesimi. Sepse nëse koalicioni qeveritar nuk është në gjendje ta votojë një ligj për t’ia zgjatur vetes jetën, është se këtë jetë nuk e do më kështu. E se gjasat janë që Kosova të detyrohet të shkojë në zgjedhje të parakohshme me buxhetin si shkas, e vërteton fakti se i pari, i cili e kundërshtoi projektbuxhetin e ri për vitin e ardhshëm, qe zëvendësministri i Financave nga radhët e PDK-së, Isni Kilaj. Mbase duhet kujtuar se ky njeri dikur ka qenë komandant, më pas kryetar komune, i cili pasi i humbi zgjedhjet komunale herën e shkuar, u shpërblye me post zëvendësministri në një resor për të cilin nuk është e qartë se sa është i përgatitur.

Po fryn era

E se era po fryn kah zgjedhjet e reja tashmë po bëhet përherë më evidente. I pari që e përmendi haptazi qe kryetari i PDK-së, i cili prej kohësh është duke e shmangur temën e riformatimit të Qeverisë. Për më tepër, aq joseriozisht po e merr punën e kësaj Qeverie sa që Ministrinë e Integrimeve e ka lënë nën udhëheqjen e sekretarit të përgjithshëm, meqë nuk ka as ministër e as zëvendësministër nga PDK-ja që do ta udhëhiqnin dikasterin. Veprim ky, i cili po kritikohet ashpër nga diplomatët e huaj në Kosovë, të cilët me të drejtë pyesin: “Si është e mundur të kërkoni liberalizim të vizave, kur nuk keni as zyrtar politik kryesor për dialog me BE-në”. Nuk e kemi, sepse edhe kërkesën për liberalizim e kemi më shumë atu për kërcënime e lojëra politike sesa kërkesë përnjëmend.

Partneri i tij i koalicionit, nga ana tjetër, për të satën herë e përsëriti se zgjedhjet do të mbahen me mbarimin e mandatit të kësaj Qeverie. Porse, në një deklaratë të mëvonshme ka thënë se duhet nisur me reformat zgjedhore. Pra, edhe pse me këmbëngulje insiston se zgjedhje nuk do të ketë, dhe se po të kishte zgjedhje asgjë nuk do të ndryshonte, ngase “fuqia e partive politike është kjo që është” – megjithatë duket se edhe Mustafa ka nisur të këndellet dhe se mund ta gjejë veten shumë shpejt jashtë Qeverisë.

Porse, Mustafa mbase edhe e bën një kalkulim të gabuar kur thotë se “asgjë nuk do të ndryshonte”. Atë që Mustafa refuzon ta shohë është se simpatia e votuesve për partinë të cilën ai e udhëheq ka rënë dhe se zgjedhjet e reja krijojnë mundësinë e kthimit të Pacollit në skenën politike, me ç’gjë PDK-ja do të siguronte një partner të ri të koalicionit (së bashku me serbët dhe me gjasë edhe AAK-në që kurrë nuk i thotë jo pushtetit).

LDK-ja dhe Mustafa i shërbyen PDK-së dhe Thaçit në perfeksion në zgjedhjet e shkuara: ia vazhduan jetën në pushtet dhe e bënë Thaçin kryetar, pra “dy të vrame me një të rame”. E fati i patericave dihet – ato hidhen posa të kalojë nevoja për to.

Demagogu në aksion

Në vazhdën e aktiviteteve që çojnë nga zgjedhjet e reja është edhe nisma e Thaçit në cilësinë e kryetarit, i cili i ftoi partitë politike në një tryezë bisedimesh për ta shqyrtuar reformën zgjedhore. Pra tash, pas rrafsh pesë vjetësh e gjysmë, merr nismën për të reformuar një ligj zgjedhor, të cilin ai së bashku me partinë e tij, fillimisht e kanë miratuar me shumicë votash dhe pa e lexuar asnjë nen kur i kanë votuar 100 ligjet e Pakos së Ahtisaarit. Pasi ishte njëri nga nënshkruesit e marrëveshjes jokushtetuese për zgjedhjen e Jahjagës kryetare (krahas Mustafës e Pacollit dhe në prezencën e Dellit), aty ishte zotuar se do të ishte pjesë e ekipit që do ta reformonte sistemin zgjedhor brenda 18 muajsh. U formua një komision për këtë qëllim, i drejtuar nga tash ministri i FSK-së Haki Demolli, në të cilën morën pjesë krejt partitë parlamentare dhe çka ndodhi: pos disa ndryshimeve kozmetike të ligjit, asgjë nuk ndryshoi.

Pra, fuqinë për ta bërë ndryshimin e pati ai në duar. Ka mundur ta hartonte Qeveria e tij një ligj të ri zgjedhor. Për më tepër, ka mundur ta kalonte sepse e ka pasur shumicën në Kuvend. Por, nuk e kishte bërë, për shkak se reforma e imponuar si kusht për zgjedhjen e Jahjagës kërkonte që të bëhej edhe ndryshim tjetër esencial: që kryetari të zgjidhej me votë popullore e jo në Kuvend, mundësisht me vota të kontrabanduara dhe me kërcënime dhe interpretime rregulloreje sipas qejfit. Mbase edhe ky ka qenë çelësi i dështimit të “përpjekjes” për reformën zgjedhore. Se siç do ta thoshte njëri nga anëtarët e atij komisioni, “Po të kishim dashur ta arrinim marrëveshjen, lehtë do ta bënim”.

Propozimi që rrodhi nga takimi i djeshëm, i bojkotuar nga opozita, qe që Kuvendi tash e mbas t’i numëronte 100 deputetë dhe të siguroheshin vendet e rezervuara për kroatët e malazezët; që kryetari ose të zgjidhej me votën e popullit, ose që të zgjidhej nga Kuvendi me 50% +1 të votave të deputetëve; që pragu zgjedhor të ndryshohej, që të pastroheshin votat dhe të shtoheshin zonat zgjedhore. Ajo që ishte më mbresëlënëse nga ky takim është se të gjithë flisnin për nevojën e reformës së pakos zgjedhore për t’i evituar parregullsitë dhe dallaveret e shënuara në zgjedhjet e mëparshme. “Mos e vet se të tregon vetë” i thonë kësaj pune – krejt e pranonin se kishin ardhur në pushtet e pozita falë zgjedhjeve të manipuluara. Pra, logjikisht shtrohet pyetja: si bëhet që manipulatorët e zgjedhjeve tash të jenë ata që do t’i eliminojnë këto parregullsi me reformë zgjedhore? Logjikisht vjen edhe përgjigjja: asnjë reformë zgjedhore nuk do t’i ndalë manipulimet. Manipulimet do të ndalen kur partitë më nuk do të vjedhin vota dhe kur hajnat e votave, së bashku me urdhërdhënësit e tyre, do të shkojnë në burg.

Opozita në aut

Pra, Thaçi tash ka nisur të blejë kohë. 100 vendet në Kuvend kërkojnë ndryshim të Kushtetutës, që duhet të shkojë nëpër një procedurë që kërkon kohë. Përcaktimi i detajeve të reja në ligjin zgjedhor kërkojnë konsensus, të cilin Thaçi nuk mund ta arrijë e as ta ofrojë, sepse ai nuk është faktor unifikues, por vazhdon të jetë faktor përçarës. Kjo, për shkak të gjithë së kaluarës së tij politike dhe për shkak të manifestimit të qartë të animeve politike.

Partitë politike opozitare, tashmë të mësuara me kafshimet e Gjarprit, nuk i zënë besë dhe refuzojnë të marrin pjesë në takimet që i organizon ai. Dhe sinqerisht nuk kanë faj, ngase ai e ka dëshmuar, hiç më larg me marrëveshjen për zgjedhjen e Jahjagës, se nuk e respekton as nënshkrimin e tij në një dokument, për të cilin sot mund të thotë se ka qenë kundërkushtetues, por i cili e ka mbajtur në pushtet, për fat të keq të Kosovës.

Porse ekziston rreziku edhe më i madh që ligji të kalojë pa pëlqimin e tyre dhe që në të të parashihen kushte që do të mundë t’i dëmtonin në procesin zgjedhor. Nga ana tjetër, reforma zgjedhore në Kosovë që moti është kërkesë që ka nevojë të realizohet, e në veçanti të rregullohet puna e zonave zgjedhore dhe e përfaqësimit adekuat të komunave nga kandidatët prej atje, e jo të përzgjedhur sipas dëshirës së kryetarit të partisë me lista të mbyllura. E megjithatë, kërkesa më urgjente që deri tash është dashur të realizohet edhe pa çfarëdo reforme, është pastrimi i listave të votuesve. E kjo në esencë nuk do të duhej të ishte aq e komplikuar, ngase tashmë ekziston një sistem elektronik në të cilin jemi regjistruar të gjithë qytetarët e Kosovës kur shkojmë për të nxjerrë ekstrakte apo letërnjoftime. Nuk e di se përse është kaq e komplikuar të regjistrohen 18-vjeçët e rinj dhe të fshihen të vdekurit nga listat, kur ato sistemi do të duhej prodhuar me automatizëm. Sepse ngado që ta sjellësh punën, Kosova kurrë nuk mund t’i ketë 1,7 milionë votues përderisa ka popullsi prej 1,7 milionë njerëzish siç na pati ndodhur herën e shkuar.

E këtë punë do të duhej ta bënte Ministria e Brendshme pa i thënë askush, sepse sistemi do të duhej të ishte në gjendje të prodhonte lista të këtilla në cilindo çast – madje edhe t’i dallonte shtetasit që jetojnë në diasporë, sepse supozohet se edhe ata i janë nënshtruar një regjistrimi.

* * *

Pra, si përfundim – reforma zgjedhore në Kosovë nuk ka ndodhur për shkak se nuk ka pasur vullnet politik për një gjë të tillë. Nuk ka ndodhur për shkak se shumica e partive politike është kënaqur me faktin se mund të kalojë më mirë në zgjedhje nëpër mjegullën e dendur që e kanë krijuar vetë me taktizimet e interesit të ngushtë. Dhe nuk ka ndodhur për shkak se ata të cilët sot e kanë gojën plot “reforma” janë të njëjtët që ato reforma i kanë zvarritur. E pa shkuar këta, reformë të mirëfilltë nuk mund të ketë.

Muhabeti për ndryshimin e kësaj apo asaj dispozite të ligjit do të vazhdojë deri në pikën kur do të shpallen zgjedhjet e jashtëzakonshme. Atëherë mbase do të bëhen edhe ca ndryshime kozmetike sa për t’i dhënë një ngjyrim demokratik zgjedhjeve, që në fund do të jenë farsë demokracie. Siç kanë qenë deri më tash dhe pa shumë gjasa për ndryshime, pos nëse: pastrohen listat e votuesve; caktohet afati 24 orësh për nxjerrjen e rezultateve preliminare zgjedhore me afat të shkurtër 48 orësh për ankesa dhe shtohet numri i vëzhguesve nëpër vendvotime e vendnumërime.

Ndryshimi i vetëm substancial të cilin shumëkush e dëshiron pa e thënë publikisht, është pastrimi i listave me ndihmën e Gjykatës Speciale, apo edhe të ndonjë prokurori special, sepse pa u thyer struktura e cila e ka sjellë Kosovën në këtë derexhe, vështirë se do të ketë ndryshim që do të na nxjerrë prej krizës. E megjithëkëtë, sërish e besoj se në votime duhet dalë – sepse është më mirë ta prishësh vetë fletëvotimin sesa të ta vjedhin votën.

[email protected] 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...