12 Korrik 2016 - 08:03 - Flaka Surroi
Edhe Pacolli, edhe Jahjaga e edhe Thaçi pasi kishin dhënë betimin si kryetar/e i/e Kosovës, fjalimin inaugurues e kishin përfunduar me “Zoti e bekoftë Kosovën”. Ishte vazhdimësi e praktikës së nisur nga Rugova, në imitim klasik të kryetarëve amerikanë, e më pas e vazhduar nga Sejdiu, ish-funksionar rinor socialist e më vonë edhe partiak komunist. Dhe përderisa asnjërit nuk i mohohet e drejta për të pasur besim në Zot, a për t’u deklaruar fetar, megjithatë tre të fundit e kanë anashkaluar Kushtetutën e Kosovës, e cila qartazi e përkufizon republikën si shtet shekullar.
Duke u nisur nga kjo; nga falja publike e Bajrameve bri krerëve fetarë e mbase edhe ndonjë shefi të huaj shteti; nga shtimi i numrit të xhamive në formë raketash; nga organizimi i një referendumi lokal nëse duhet ose jo ndërtuar një xhami (më parë se një shkollë, ta zëmë); nga numri i kosovarëve pjesëmarrës në ushtrinë e ISIS-it -- nuk është edhe çudi që një kolumne e botuar në The New York Times të nisë me “Kosova, një shtet islamik në Evropë...”.
Prej adhuruesve më të mëdhenj të Amerikës tash kemi kaluar në fazën e identifikimit me “shtet islamik”, që me automatizëm asocion, ndër të tjera, në tirani, në ngufatje të të drejtave të grave, në dhunë, në trushpëlarje dhe në Lindjen e vlerave hiç të pranueshme për Perëndimin. Për një shtet me ambicie euroatlantike, kjo është shuplakë e madhe fytyrës. Është dëshmi se diplomacia e shtetit tonë ka dështuar tërësisht dhe se prej themelimit tonë si shtet nuk e patëm as idenë më të vogël si t’i bëjmë vetes propagandë afirmative. Tash bëhemi objekt shqyrtimi i ndikimit të vehabinjve në terrenin e pëlleshëm për përhapje të fundamentalizmit: Kosovën e varfër dhe të paperspektivë të fundosur nga krimi e korrupsioni.
Po, do të thoni, si t’i bëjmë vetes reklamë të mirë, kur krejt çka patëm për t’i ofruar botës ishin dyshimet për nxjerrje organesh; kryerjen e krimeve aq të rënda saqë u detyruan të na themelonin një gjykatë speciale vetëm për shqiptarë; politikanë që nuk kanë as parim e as dinjitet – se për shkathtësi politike ndërkombëtare hiç se hiç – që për të gjitha vendimet politike presin të dëgjojnë se çfarë ka thënë ambasadori ose çfarë ka thënë BE-ja. Por që nuk ia varin veshin asaj që e kërkon qytetari.
Kuvend pa dinjitet
E qytetari kërkon përgjegjësi nga ata të cilët i ka votuar (apo ia kanë “votuar” me vjedhje votash) bile në Kuvend. Dhe as atë nuk e ka.
Dje u shqyrtua Ligji për investimet strategjike dhe nuk e kaloi votimin, dhe jo pse nuk pati kuorum, por për shkak se deputetët e PDK-së nuk e votuan atë. Pra, përplasja e qartë e koalicionit për kontrollin e investimeve të huaja pa procedura me shumë ofertues dhe të ngjashme, tregoi esencën e këtij koalicioni: rehatimin e personave të caktuar nëpër poste dhe vazhdimi i zhvatjes së pasurisë së mbetur.
Arsyetimi i kryeparlamentarit tek e përsëriste votimin për të katërtën herë “se nuk mund t’i obligojë deputetët të votojnë” qe blamazha e radhës. Për shkak se jo pak herë deputetët janë detyruar të votojnë sipas direktivës së liderit partiak, atëherë kur çështja e votuar është cilësuar si prioritet. E prioritet për këta njerëz ka qenë më parë zgjedhja e një kryetari me një bagazh tepër të madh gabimesh e marrjesh qafë, sesa kalimi i një ligji që do t’ua mundësonte të huajve së paku të konkurrojnë për investime. E se a realizohen ato investime, dhe se a do të ketë fuqi ligjore që do t’i mbrojë, ajo është tjetër mesele që mbetet për t’u treguar, nëse ndonjëherë i vjen radha.
E tash shtrohet pyetja, nëse vetë anëtarët e koalicionit qeverisës nuk i besojnë njëri-tjetrit, si ua merr mendja se populli mund t’u besojë se e kanë sinqerisht dhe vërtet duan ta kthejnë vendin në binarë. Në ato shina prej nga herë njëra parti e herë tjetra (e ndonjëherë edhe së bashku) e kanë rrëzuar kompozicionin e vagonëve të quajtur Kosovë aq moti, saqë ato shina më as që shihen: se ose i ka mbuluar bari, ose i kanë vjedhur.
Shantazhi me demarkacionin
Dhe “vjedhje”, por kjo me vetëpëlqim, do të mund të karakterizohej çështja e demarkacionit. Ia qëlluat, demarkacioni, i cili tashmë nëntë muaj riciklohet, por kurrë nuk vihet në rend dite. E nuk vihet në rend dite, edhe për shkak të deklaratave sikur kjo e shefit të shefave: “Ne në vazhdimësi kem kërku, kërkojmë edhe sot, që kjo çështje të vijë në Parlament, të shtrohet debati, të ofrohen argumentet, të dëgjohen ato argumente nga të gjithë deputetët, dhe së fundi të marrim një vendim të përbashkët, i cili do të jetë në përputhje me interesin e shtetit dhe interesat e qytetarëve të Republikës së Kosovës”.
Shefi i shefave nuk ka çka kërkon dhe vazhdon të kërkojë kur në duar e ka pasur fuqinë për ta thirrur një mbledhje ku ishte shqyrtuar çështja e demarkacionit para se Thaçi t’ia vinte nënshkrimin Marrëveshjes me Malin e Zi. Nuk ka pasur çfarë të kërkonte dhe tash të vazhdojë të kërkojë, kur ka mundur ta thërriste plenaren në çdo çast (sepse koalicioni i tij i ka 89 deputetë) e të debatonte për temën, posaçërisht pasi njëri nga deputetët e koalicionit kishte dalë publikisht për të thënë se diçka nuk është në rregull me demarkacionin dhe se Kosova po humbte territor me të.
Me gjasë është menduar, si shumë herë më parë, se kjo punë do të kontrabandohet lehtë, me shumë debat, por më pas me një epërsi të madhe votash të shumicës në Kuvend. Po ja që duket se shumica nuk e ka shumicën, dhe tash përnjëherë po bëhen parlamentarë.
Dhe meqë po e shohin se nuk e kanë fuqinë për ta miratuar atë, po iu qasen “presioneve” që na vijnë nga jashtë: së pari kinse kërcënimi që ia bën amerikanët Hoxhajt në New York (“mbasi nuk na besoni neve, mos kërkoni përkrahje nga ne”) e më pas Fajon, e cila njoftoi opinionin se e kishte shtyrë seancën në Parlamentin Evropian për ta votuar liberalizimin për Kosovën, ngase demarkacioni nuk ishte ratifikuar ende nga Kuvendi.
Te rasti i amerikanëve, të cilët po e dërgojnë Nulandin për më shumë presion, mbase do të duhej kujtuar një rast demarkacioni me Meksikën, El Chamizal, që përbën territor prej 240 hektarësh, e që mbetet i pazgjidhur që nga 1884-a. E te deputetja e Sllovenisë, mbase duhet kujtuar se shteti i saj nuk e ka të zgjidhur demarkacionin me Kroacinë, e kjo nuk e ndali këtë të fundit të bëhet anëtare e BE-së. Dhe duke qenë anëtare e BE-së, Kroacia nuk e ka të zgjidhur çështjen e demarkacionit me Serbinë, por kjo e fundit u bë edhe me liberalizim e edhe me status të shtetit kandidat me gjithë këtë problem. E edhe Mali i Zi u bë me liberalizim e status kandidati duke e pasur problemin e demarkacionit të pazgjidhur me Kosovën. Po e dimë se Mali i Zi për të qenë anëtar fuqiplotë i NATO-s duhet ta ketë kufirin e përcaktuar, por kjo nuk do të thotë se ne për hir të NATO-s tash duhet të heqim dorë nga territori ynë. Kuvendi mund të mos e ratifikojë Marrëveshjen, dhe ajo nuk do të hyjë në fuqi. E le të jenë fuqitë e mëdha ato që na çojnë në arbitrazh me Malin e Zi, se ne nuk e kemi as madhësinë e as fuqinë që të shtyhemi me veten, e lëre më me NATO-n.
Po kushti tjetër?
Demarkacioni është njëri kusht për liberalizimin. Bën vaki edhe e plotësojmë nëse na bëjnë shumë presion, se qasi jemi. Nuk e kemi “unin” tonë edhe atëherë kur kemi të drejtë. Tregohemi servilë dhe injorantë, “sepse ai tjetri e di më mirë dhe na e do të mirën”. Ndërkohë, askush nuk mund të na e dojë të mirën më shumë se ne vetvetes. Puna është veç me ditë çka është mirë.
Tjetri është luftimi i korrupsionit. Me këtë çfarë jemi duke parë, zor se e plotësojmë kushtin. Dhe kësaj përshtypjeje nuk mund t’i ndihmojë as rasti Stenta, që solli akuzën ndaj 65 politikanëve, profesionistëve e tyxharëve.
Lënda, të cilën në vazhdime kemi mundur ta përcillnim në gazetë, zbulon një rrjet rrëqethës të krimit të organizuar që luan me jetët e njerëzve, në shkëmbim për para. Krijimi i dosjes nga prokurori Besim Kelmendi (ndër studentët më të mirë të brezit të cilit rastisëm t’i takonim bashkë), i cili është dëshmuar i jashtëzakonshëm ngase ia ka dalë t’i lidhë fijet e shpërndara gjithandej, meriton përkrahje absolute nga të gjithë që besojnë në drejtësi. Mbi të gjitha, meriton një mbrojtje jo vetëm të integritetit të tij fizik, por edhe të punës që ia ka nisur e që duhet ta çojë deri në fund – në gjykatore, aty ku duhet ballafaquar të akuzuarit me faktet e mbledhura. Çfarëdo përzierje në punë të tijën, si rezultat i presioneve nga jashtë dhe bile edhe vetë ideja se ai do të mundë të zëvendësohej, sepse është lodhur me lëndën, do të mund të jenë indikatorë të një procesi që nuk ka për qëllim t’i zërë fajtorët, por vetëm të shërbejë për statistika që do të regjistrohen nëpër raporte për liberalizimin.
Se sa është i madh presioni do të mund ta dëshmoja vetë, tek dëgjoj se sa thirrje telefonike e sa porosi në FB e Messenger i vijnë gazetares Saranda Ramaj, autores së serisë së shkrimeve. Bisedat nisin prej ofendimeve e deri te shantazhimi, të cilit për fat të keq i qasen edhe kolegët e saj të profesionit – e besoj me diktat të shefave që janë të përfshirë në këtë aferë. Nëse kështu i qasen gazetares, vetëm po mund të imagjinoj se çfarë metodash mund të përdorin ndaj prokurorit.
Po të mos kishte pasur gjëra të vërteta në tekstet të cilat i kemi botuar në vazhdime, nuk do të ishin aq të shqetësuar. Po të ishin të bindur se tekstet nuk janë të sakta, do të çonin reagime, gjë të cilën nuk e kanë bërë. Për shkak se ajo që ka dalë në këtë dosje janë faktet e dokumentuara që tregojnë për vjedhjen sistematike të parasë publike dhe për dhënie të hapur ryshfeti, të toleruar nga shteti me vite të tëra. Nuk e di nëse gjykimi do të zbulojë nëse aty ka pasur edhe ndonjë tjetër veprimtari ilegale, porse mbase nuk do të ishte keq që të hulumtohej origjina e shumave marramendëse të parave që kanë qarkulluar nëpër spitalet private, ku njerëzit janë dërguar nga mjekët që janë shpërblyer me para; ku njerëzit janë mashtruar për intervenime që nuk u janë bërë dhe ku më në fund disa sish edhe e kanë gjetur vdekjen, sepse janë trajtuar nga njerëz të palicencuar për atë punë.
Për fat të keq, rasti Stenta është vetëm një prej rasteve që ka arritur të dokumentohet mirë dhe mund të përfundojë me drejtësi. Por problemi në Kosovë vazhdon të jetë i njëjti: krime të çfarëdo lloji ndodhin për çdo ditë, por krimi megjithatë mbetet i pandëshkuar. Pasuritë marramendëse të atyre që deri para luftës nuk kanë pasur asgjë, nuk ka kush t’i hetojë, sepse këta janë ata të cilët do të pranojnë me çdo kusht se “ata të jashtmit e dinë më mirë se ne se çka është më mirë për ne”. Por natyrisht, si tyxharë të mirë që janë, po-në nuk do ta shqiptojnë pa pasur diçka në këmbim: rehatinë dhe paprekshmërinë e tyre.
Punë e madhe nëse Kosova është shtet i ngecur. Me rëndësi që “proceset po lëvizin”, ashtu siç na thonë politikanët që na i shkruajnë librat e historisë.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...