Gëzimi afatshkurtër

10 Maj 2016 - 07:50 - Flaka Surroi      

Do të ishte mirë po qe se Evropa, kur të na i liberalizojë vizat, të na liberalizojë edhe nga këta që na katandisën – le t’i marrë me vete, a le t’i çojë diku larg, ku nuk mund të na bëjnë zarar. Natyrisht, pa asnjë cent në xhep dhe pa asnjë qasje në llogaritë e shpërndara nëpër parajsat fiskale. Do të ishte mirë, por kjo nuk do të ndodhë

“Jena g’zu, jena g’zu-jena bo me fluturu” – lirisht ka mundur të shpallet himni i javës së shkuar në Kosovë. Se pranimi në organizmin kryesor të futbollit në Evropë përjetohet me lot gëzimi, zor se dikush do të mund ta kishte marrë me mend. Se do ta kalonim në ankth saorëshin e transmetimit televiziv në çastin kur duhej dëgjuar nëse ishin bërë ato 28 vota që na duheshin për anëtarësim në UEFA – as këtë nuk kemi mundur ta parashihnim. Porse 3 maji, shënoi mbase njërën nga datat më të rëndësishme që i kemi përjetuar në 17 vjetët e fundit, mbase edhe për shkak të faktit se futbolli njihet si “gjëja dytësore më e rëndësishme në botë”.

Për mbamendje gjithsesi do të jetë edhe argumentimi i zyrtarit ligjor të UEFA-s për ta mbrojtur kauzën e Kosovës: se fakti që Kosova nuk është anëtare e OKB-së, nuk do të mund ta mohonte faktin e pamohueshëm se Kosova është shtet, dhe si i tillë kualifikohej për anëtarësim.

Natyrisht, reagimi i parë që më shkoi ndër mend ishte çfarë do të ndodhte po qe se krejt kosovarët që luajnë nëpër përfaqësueset e ndryshme të Evropës do të mblidheshin në përfaqësuesen e Kosovës, nën udhëheqjen e ndonjë strategu me nam. Shumë më lehtë do të kishim të ëndërronim madje edhe me kualifikimin në botërorin që do të mbahet në Rusi brenda dy vjetësh. Dikush madje, me shumë humor, komentoi se si Kosova do të duhej të investonte në futbollin e femrave – sepse janë ato që deri më tani na kanë sjellë sukseset më të mëdha ndërkombëtare në sport e kulturë. Ndoshta më në fund u paska ardhur radha meshkujve për të dëshmuar se jemi popull që prodhon talente, porse që për shkak të politikës me vite të tëra nuk kanë mundur të dalin në pah.

Sido që të jetë, do të jetë sfidë e madhe për Kosovën për të dalë nga gëzhoja e izolimit në të cilën ka jetuar me dekada. Do të jetë sfidë të rregullohet infrastruktura e lënë krejtësisht pas dore me vite të tëra dhe mbi të gjitha, sfidë edhe më e madhe do të jetë ta tejkalojmë edhe bindjen se futbolli në Kosovë mund të luhet vetëm nëpër ara dhe lloç. Do të jetë sfidë të kthehet ambienti që krijohej në kohën kur Trepça e Prishtina luanin në Ligën e parë të ish-Jugosllavisë, kur stadiumi mbushej plot, kur e diela ishte ditë feste, të cilën as humbja nuk mund ta prishte.

Gëzimi do të mundë të na zgjasë edhe ndonjë ditë, apo javë, përkatësisht për aq sa të hidhërohet Serbia se përse na pranuan. Do të zgjasë për aq sa do të bëhemi të vetëdijshëm se pas pranimit duhet bërë shumë punë e përpjekje për ta avancuar sportin në këtë shtet që përherë prioritet e ka asfaltin.

Ende të kushtëzuar

Dhe pas treshit erdh katër maji – dita kur Evropa rekomandoi që Kosovës t’i liberalizoheshin vizat.

Nëse për asgjë tjetër, ky vendim provizor, i kushtëzuar me demarkacionin me Malin e Zi dhe me luftimin e krimit, do të na lirojë nga muhabeti i përhershëm i politikanëve tanë që na patën çarë kokën duke na e përsëritur gjashtë vjet me radhë se si jo sot, po nesër do të na vinte liberalizimi i vizave, sepse “Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret”. Përfshirë edhe atë të luftimit të krimit, që vazhdon të jetë perceptim në sytë e pushtetarëve të Kosovës.

Reagimi i popullatës qe i menjëhershëm – me krijimin e radhëve të gjata te sportelet e MPB-së për t’u pajisur me letërnjoftime e pasaporta biometrike. Të gjata për shkak të mosorganizimit të MPB-së, që është zënë gafil pas 70 e kusur muaj pritjeje të lajmit për liberalizim – sepse nuk ia ka dalë madje as ta vendosë një makinë me numra, dhe nja dy a tri kamera fotografimi, që do ta lehtësonin punën e zyrtarëve nëpër sportele. Po meqë jemi mësuar të durojmë gjithçka, e durojmë edhe shtyrjen, edhe piskamën se cili po del i pari për t’i dorëzuar dokumentet e nevojshme.

Por, edhe ky episod do të kryhet shpejt, sepse ose MPB-ja do të mbetet pa pasaporta, nga ato që është dashur të prodhohen me atë tenderin ku u vodhën shumë para dhe e gjitha mbeti në një gjykim maratonik jo me shumë efekte, ose do të na komplikohet çështja e miratimit të rekomandimit për shkak të demarkacionit me Malin e Zi.

Mënyra më e lehtë për ta tejkaluar këtë të dytën do të jetë qitja në votim e marrëveshjes, ku koalicioni qeverisës së bashku me minoritetet i ka numrat. Me dy të tretat e votave, demarkacioni kalon dhe formalisht çështja mbyllet. Ama, me këtë problemi nuk do të eliminohet. Ende ka zëra, dhe me shumë argumente, që thonë se do të humbim një pjesë të territorit, nëse nuk rishqyrtohet mënyra se si është përcaktuar kufiri. Pra, jo vetëm në bazë të librave kadastralë, por edhe të elementeve të tjera që e përcaktojnë një kufi, siç është rrjedha natyrale e lumenjve për shembull.

Nuk e besoj se opozita, e cila aq zëshëm e bllokoi këtë çështje për gjashtë muaj e kusur, tash do të heqë dorë nga njëri argument që akuzonte koalicionin qeverisës se po i cungonte sovranitetin shtetëror dhe integritetin territorial. Pos nëse tashmë kanë nisur allishverishet për ndonjë post, apo ndonjë plan për zgjedhje të parakohshme, apo ndonjë premtim tjetër që do t’i shkojë për shtat ndonjërit lider të opozitës së copëtuar. Por çmimi për ta paguar këtu do të jetë i lartë: sepse zor se dikush nga ata që do ta humbnin eventualisht tokën, apo ata që besojnë në këtë kauzë, do të mund t’ua falnin heqjen dorë nga një temë që vetë e kanë ngritur në Kuvend dhe për të cilën luftuan edhe me bllokada, e edhe me gaz lotsjellës.

Nëse ky do të jetë elementi që do ta bashkonte opozitën sërish, atëherë lehtë mund të ndodhë që Kuvendi të gjejë sërish në obstruksionin nga ana e opozitës, arsyetimin që të mos punojë fare. Tash, pa bllokada dhe pa gaz lotsjellës, Kuvendi nuk mund të funksionojë normalisht në plenare, për shkak se deputetët mashtrues shkojnë vetëm për ta qitur nënshkrimin sa për ta marrë mëditjen, e jo edhe për ta kryer punën e vet – që është ta kontrollojnë Qeverinë dhe të miratojnë ligje.

Natyrisht, gjëja më e mirë do të ishte po qe se do të uleshin e të merreshin vesh. T’i gjejnë njerëzit eminentë, e jo ata të porositur nga Jahjaga sa për të plotësuar formën, e ta zgjidhin çështjen në të mirën e Kosovës. Hiç nuk do të ishte marre po qe se kryeministri do të dilte e të pranonte se ministri i tij i Jashtëm, e tash kryetari që po sillet e po flet sikur të ishte kryeministër, ka gabuar rëndë kur e ka nënshkruar marrëveshjen. Kjo është shumë më lehtë dhe më mirë, sesa të bëhemi copa, veç pse na vjen inati ta pranojmë gabimin.

Ky është proces që i ka dy a tre muaj në dispozicion, porse që me vullnet të mirë mund të përfundojë edhe më shpejt, dhe kjo me konsensus. Sepse bëhet fjalë për interesin shtetëror. E ky, këtë do të duhej ta kuptonin pushtetarët, ka vlerë më shumë sesa sedra individuale që ndërtohen mbi injorancën.

Hiri syve?

Injorantë do të kenë qenë hetuesit dhe prokurorët para ardhjes së Lumezit në krye të Prokurorisë së Shtetit. Ky i fundit, dua të besoj, ka vendosur ta luftojë krimin dhe nuk do të pyesë nëse je pjesë e elitës apo kush je për të vepruar kundër nëse je duke e shkelur ligjin. Nuk dua të besoj se veprimet për “çlirimin” e pronave të uzurpuara që ndodhën dje, janë veprim i orkestruar për marketing politik dhe për nevojë të dëshmimit se ja, jemi duke i luftuar “perceptimet”: krimin e organizuar dhe korrupsionin. Por fakti se kontrolluesit e gjithçkaje në Kosovë dhe fajtorët kryesorë të shkatërrimit të Kosovës janë ata që e mbajnë pushtetin – tregon se këta janë të paprekshëm. Për pasojë edhe gëzimi që do të mund të na krijonte veprimi ndaj hajnave të tokave dhe uzurpatorëve të lokaleve do të jetë afatshkurtër.

Fakti se Policia ka vendosur të veprojë tash, pas 17 vjetësh që kur këto lokale janë të uzurpuara, mund të japë një fije shprese se gjërat mund të ndryshojnë për të mirë. Porse do të kujtojmë se policët dhe prokurorët janë përafërsisht të njëjtët qe sa e sa vjet – e të gjithë e kanë ditur se lokalet janë të uzurpuara nga personat e caktuar, për shkak se AKM-ja e dikurshme, tashmë e kishte krijuar regjistrin e pronave shoqërore (me a pa uzurpim) qysh moti. Pra, as Prokuroria e as Policia nuk kanë mundur të thonë se nuk e kanë ditur.

Kjo që ka nisur dje, mund të jetë vetëm një veprim që do të zgjasë nja dy tre muaj deri sa të merret vendimi për liberalizimin e vizave, dhe mandej të pushojë, ashtu siç ka ndodhur sa herë është bërë një paralajmërim i një veprimi më masiv të luftimit të krimit. Mund të jetë rast klasik i hedhjes së hirit syve, sa për të na e shmangur vëmendjen nga problemi kryesor i kësaj shoqërie që është kasta e politikanëve të korruptuar që luajnë me jetët tona ashtu siç ua do qejfi, sepse s’ka kush i ndalë.

Do të ishte mirë po qe se Evropa, kur të na i liberalizojë vizat, të na liberalizojë edhe nga këta që na katandisën – le t’i marrë me vete, a le t’i çojë diku larg, ku nuk mund të na bëjnë zarar. Natyrisht, pa asnjë cent në xhep dhe pa asnjë qasje në llogaritë e shpërndara nëpër parajsat fiskale. Do të ishte mirë, por kjo nuk do të ndodhë. E vetmja mundësi që na mbetet është që gëzimin të na e mbajë gjallë ndonjë prokuror, polic e gjykatës i ndershëm – që do t’u binte në rrënjë krimit dhe kriminelëve. Po sa është kjo mundësi reale, e dëshmon fakti se në Kosovën e pasluftës, gëzimet janë afatshkurtra dhe të ngufatura nga gjitha këto probleme, të cilat vështirë e kam të kuptoj se si zënë vend të gjitha tubë në këtë Kosovë të vogël.

[email protected] 

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...