6 Maj 2014 - 09:16 - Flaka Surroi
Një nga gjërat më të shëmtuara që i mbaj mend nga fëmijëria e hershme kishte qenë dekapitimi i pashpirt i pulave të gjalla që bliheshin të martave të tregut në Prishtinë. Atë që përjetë nuk do ta harroj është gjakftohtësia e atyre grave që bëheshin rend përpara hyrjeve dytësore të ndërtesave kolektive ku banonim, teksa ua këpusnin kokat të shkretave, me thikat më të mprehta të mëhallës. Pa dyshim, si një nga kujtimet më traumatike do ta regjistroja kërcimin impulsiv, të çorientuar e të pakontrolluar të shpezëve të pakokë, që jepnin shpirt duke ngarendur e fluturuar nëpër oborr. Njësoj do ta mbaja mend edhe ritualin që pasonte teksa ndodhte ky “vallëzim ekzorcist”: gratë, duke iu kthyer muhabetit, mundësisht me nga një cigare, pa u mërzitur fare, ngase e dinin se qeniet të njohura për tru modest nuk mund të shkonin më shumë se disa metra larg, sepse tash dhunshëm i kishin liruar nga obligimi i të menduarit...
Me të drejtë do të thoni se kjo do të jetë njëra nga hyrjet më bizare dhe morbide që ia kam bërë ndonjëherë ndonjë shkrimi tim. Por, doli të ishte e pashmangshme që në çastin kur nisa ta analizoja formën gjeografike të Kosovës: disi më duket si një pulë, paksa e shtrembër, por pulë megjithatë, së cilës kur ia vizaton kthetrat, del si të ishte e pakokë. E gjithë kjo analizë rrodhi si pasojë e përpjekjes që t’i absorboja të gjitha ato gjëra që ia imponuan trurit: Tribunali për ndjekjen e vrasësve e torturuesve; punëtorët dhe të papunësuarit në pushim të zgjatur përderisa protesta e 1 Majit quhet relikt i komunizmit; arrestime deputetësh e biznesmenësh për abuzim me pronat publike/shoqërore/shtetërore; propozime për t’i vjedhur paratë e kursimeve pensionale e të privatizimit, “në emër të zhvillimit ekonomik”; ligji për përgjimin e Viberit; perspektiva e shtyrë dhe e stërshtyrë evropiane me MSA-në, që gati kurrfarë kandari nuk çon; gara se kush po i shpall zgjedhjet i pari...
Pra, kjo është Kosova si pula pa kokë: shteti ku ka njëqind sende që ndodhin njëkohësisht, e ku nuk dihet se çfarë do të sjellë e nesërmja, sepse e gjitha improvizohet, e gjitha inskenohet, e gjitha vidhet, e gjitha gënjehet, nga ata që e kanë vjedhur votën. E që janë ende në pozitë për të marrë edhe atë pak që ka mbetur, me kusht që të mbesin ende në pushtet, pavarësisht çmimit që duhet paguar.
Zgate Zot kësi moti
E se pushteti që merret nuk lëshohet lehtë, e dëshmuan kryetarja dhe kryeministri, të cilët kishin zgjedhur që ditën e të pagjeturve ta kalonin në Vatikan, duke iu gëzuar shenjtërimit të dy papëve. Mëkat që papa i ri nuk i kishte konsultuar për datën se kur duhej mbajtur këtë ceremoni: ua kishte kursyer turpin e mospjesëmarrjes në shënimin e kësaj dite kaq të dhimbshme për gjithë ato familje që as pas pesëmbëdhjetë vjetësh nuk e dinë se ku i kanë më shumë se 1700 anëtarët e tyre, që ende nuk janë gjetur.
Do t’ua kishte kursyer turpin e mospjesëmarrjes në një ceremoni që ndodh në kohën kur mu ky pushtet ka pranuar të themelojë tribunalin për krimet në Kosovë e që të mos jetë përpjekur kurrë që të ngrejë padi kundër Serbisë për të gjitha krimet e shkatërrimet që i kishte shkaktuar jo vetëm gjatë luftës; në kohën kur ky pushtet gjen modalitete për themelimin e fondeve të veçanta për t’i mbrojtur kriminelët potencialë që do të jenë marrë edhe me kontrabandë droge, e edhe me atë të qenieve njerëzore; në kohën kur madje edhe një selfie e kryeministrit te varrezat e parregulluara që i presin eshtrat e të varrosurve në Rudnicë, do të ishte më e pranueshme sesa fotografia me kryetaren, këshilltarin e tij, ministren e Integrimeve Evropiane dhe ambasadoren në Itali, të cilën e qarkulluan gjithë gaz e buzëqeshje.
Hajde që për nevojat e afirmimit të shtetit tonë paska pasur nevojë të shkonte njëri institucion (siç i kishte quajtur dikur kryeparlamentari postet udhëheqëse shtetërore në Kosovë) – ka mundur të shkonte kryetarja me ministrin e Jashtëm e që kryeministri, me gjithë kabinetin qeveritar, përfshirë edhe ministrat serbë, të shkonin e të përuleshin para familjeve të atyre që nuk janë.
Me këtë gjest vetëm sa e kanë dëshmuar që të dy se çështja e të pagjeturve kurrë nuk ka qenë prioritet në agjendën e tyre, dhe se të gjitha pallavrat që i flasin për nevojë të promovimit personal janë gjepura dhe trillime. Është turp, turp i madh, i cili do të duhej t’ua vriste ndërgjegjen. Po s’ka si, se asnjëri nuk e kanë. E kanë ambicien për të mbetur aty ku janë.
Kalkulimet
Ajo që po ndodh tashmë sa javë është e qartë. Fushatë para fushate e kryeministrit dhe përgatitjet në hije të opozitës, që nuk po merret fare me premtimet që është duke i bërë ky. As atëherë, kur madje edhe me fjalë rrezikon bankrotimin përfundimtar të këtij shteti për shkak të paaftësisë së tij dhe të kabinetit të tij për t’u ballafaquar me problemin kryesor që e ka shteti (pos hajnisë dhe krimit, kuptohet) e që është ekonomia.
Është tepër indikativ insistimi i kryeministrit për të qenë prezent në të gjitha mediumet elektronike, pavarësisht a televizion, a radio; për të qenë prezent në të gjitha komunat, duke vizituar fabrika, punëtorë, familje, etj., duke i keqpërdorur veturat dhe logjistikën zyrtare për shëtitje partiake, të kamufluara si punë shtetërore. Është gjithashtu tepër indikative fushata e premtimeve që as nuk mbërrijnë mirë të kuptohen dhe të zëvendësohen me një falje të re të parave publike. Është shumë indikative që partia në pushtet nuk ka nisur së manipuluari me sondazhe, për shkak që duket se krejt premtimet nuk janë duke ia dhënë rezultatet e pritura.
Insistimi vështirë i kuptueshëm për themelimin e FAK-ut dhe fizkulturat që është duke i bërë me votën pro vendeve të rezervuara, në fakt po tregojnë se po ka nevojë për një fajtor, të cilin do ta përdorte si atu në fushatën përnjëmend. Në fakt, do t’i bënte mirë që partitë opozitare të viheshin në siklet edhe më të madh – ashtu që edhe ndonjë zyrtar e deputet i LDK-së a i AAK-së të inkriminohej, e që kështu të dëshmonte se nuk është veç partia e tij e përfshirë në krim, dhe se e ka seriozisht luftimin e tij.
Duke ditur se nisma e opozitës për mocionin e votëbesimit të Qeverisë duhet të llogarisë me shumicën e deputetëve të Kuvendit (61 vota), dje shkoi te kryetarja për t’i treguar se zgjedhjet duhet të mbahen më datën 8 qershor. Opozita, më në fund e bashkuar, i ka 55 vota në dispozicion dhe do t’i mjaftonin edhe 6 të të papërcaktuarve që edhe pa minoritete ta rrëzojë këtë Qeveri. Dhe gjasat janë që PDK-ja nuk do të ndërmarrë gjë që kjo të mos ndodhë – kështu do të dalë publikisht për ta akuzuar opozitën se pos që e prishi stabilitetin politik me mocion kundër Qeverisë, votoi edhe kundër FAK-ut.
Nëse mocioni paraqitet qysh të hënën, zgjedhjet do të mbahen më 8 qershor. Dhe në to, nga njëra anë do të jetë supermiliarderi Thaçi, i cili do t’i “shpenzojë” edhe ato para që nuk i kemi me premtimet e veta dhe, ana tjetër, do ta kemi një opozitë që është treguar kurrfarë opozite gjatë legjislaturës së shkuar (LDK/AAK), pa ndonjë vizion se çfarë duan, pos t’i shohin liderët e tyre kryeministra të vendit. Nga ana e tretë do të jetë e vetmja parti që ka frymuar si opozitë (VV), e cila ende ballafaqohet me një problem serioz ideologjie, jo shumë të pranueshëm për shumëkënd, përderisa ka dëshmuar konsistencë dhe parimësi të jashtëzakonshme në qasjen e vet ndaj problemeve me të cilat është ballafaquar institucionalisht. Për AKR-në thuhet se do të mbijetonte vetëm nëse lidhet me ndonjërën nga partitë e mëdha, kurse për partitë e vogla, dihet se zgjidhja e vetme do të jenë marrëveshjet e koalicionit parazgjedhor. Për minoritarët dimër s’ka, ata gjithqysh hyjnë në Kuvend, me apo pa vota – dhe i kanë 20 vende që i presin.
Sondazhe serioze nuk po shohim. Porse po dëgjojmë se PDK-ja mund të shënojë rënie substanciale në këto zgjedhje. Gjithashtu dëgjojmë se mund të mos ketë parti fituese në to – aq sa për të siguruar votimin e Qeverisë pa ndonjë trysni e negociata akomodimi. Shumë lajm i mirë do të ishte po qe se ky pushtet nuk përsëritet. Lajm edhe më i mirë do të ishte po qe se ai do të zëvendësohej me njerëz të pastër e që ia duan të mirën këtij vendi. Porse gjasat janë se lajmet që do të dëshiroja të ndodhnin janë më shumë ëndërr sesa realitet.
Kjo, për shkak se ekziston edhe një mundësi e cila përflitet – ku asnjëra nga partitë e vjetra (LDK/PDK/AAK) nuk do t’i fitonte zgjedhjet me shumicë. Kështu, këto tria do ta kombinonin një triumvirat, i cili do të mund të dukej kështu: Mustafa kryeministër, Haradinaj kryetar i Kuvendit, Thaçi kryetar (pasi ta kenë pensionuar Jahjagën, e cila do të tërhiqej për “motive personale”, pa i përfunduar mandati). Kuvendi do të mbetej me një parti opozitare, kurse populli do t’u ngjasonte shpendëve të sakrifikuar nga fillimi i këtij rrëfimi. Tamam për ta pasqyruar Kosovën çfarë është tash – si pula pa krye, pa orientim, pa drejtim, pa cak.
© KOHA Ditore
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...