Versioni zyrtar

3 Janar 2017 - 07:53 - Flaka Surroi      

Argjentinë, 1983. Diktaturës po i afrohet fundi. Protesta e nënave dhe gjysheve në Sheshin e Majit (Plaza de Mayo) që po vazhdonte çdo të enjte që prej 1977-s, nuk po ndalet. Fushata e instaluar nga junta ushtarake tashmë ka prodhuar me mijëra të torturuar, të dëbuar dhe të akuzuar nga radha e majtistëve politikë. Të shpallur anarkistë dhe armiq të shtetit. Me dekret.

Thuhet të jenë zhdukur ndërmjet 9 dhe 30 mijë njerëz. U burgosën, u çuan nëpër kampe përqendrimi, u hodhën nga aeroplanë ushtarakë në det, u varrosën në varreza masive. Pati shumë gra në mesin e të burgosurve. Shumë i lindën fëmijët e tyre nëpër kazamate. Iu dhanë jetë, por nuk i panë më kurrë.

* * *

Buenos Aires, 1983. Një arsimtare e kamur e feston ditëlindjen e pestë të vajzës. Nuk e kishte lindur vetë. Ia kishte sjellë burri në shtëpi. “Me procedurë të rregullt”, i kishte thënë. Kishte vazhduar të jetonte duke besuar se versioni zyrtar për atë që po ndodhte në shtet ishte pasqyrim i së vërtetës. Nuk e kishte idenë se çfarë po ndodhte jashtë mureve të shtëpisë së saj. Nuk po donte të dinte.

Por, një ditë, i zgjohet ndërgjegjja. Teksa përpiqet të marrë vesh për prindërit e vajzës, rastësisht e takon njërën nga gjyshet që po protestonin. Kjo po e kërkonte mbesën e lindur në burg. Vajzën nuk e kishte parë më kurrë. Sipas versionit zyrtar, ajo kishte vdekur pasi e kishte lindur të bijën.

Arsimtarja zgjeron kontaktet. Fillon t’i takojë njerëzit që merren me kauzën e gjetjes së të zhdukurve. Me ndihmën e një shoqeje të kthyer nga ekzili i dhunshëm pesëvjeçar, kupton se pasuria e burrit të saj u ndërtua me punë shitblerjesh e biznesesh të tjera të turbullta, që sipas versionit zyrtar, ishin punë të ligjshme. Me ndihmën e një aktivisti, e kupton se shumë fëmijë të lindur në burg, kishin qenë produkt i dhunimeve të ushtruara ndaj grave aty. Sipas versionit zyrtar, pjesëtaret e grupeve majtiste pranonin të mbesnin shtatzëna vetëm që t’u iknin torturave apo ekzekutimeve.

Sipas versionit zyrtar, familjet që i kishin përvetësuar ilegalisht 400 fëmijë të lindur nëpër burgje e kampe përqendrimi, ua kishin shpëtuar jetën. U kishin ofruar ardhmëri të sigurt. U kishin dhënë kushte jetese që majtistët nuk do t’ua jepnin kurrë.

Sipas versionit të mësueses, rritja e fëmijës së huaj, të rrëmbyer nga njerëzit që paguheshin për këtë punë, në emër të pastrimit të shtetit nga elementet armiqësore, ishte krim.

Filmi përfundon. Mësuesja kthehet në shtëpi. Vetëm.

* * *

Kosova 2016.

Një i ri arrestohet nga policia. Së bashku me pesë të tjerë dyshohet ta ketë kryer veprën penale të terrorizimit. Sipas versionit zyrtar, shpjegohet sesi gjashtë veta e kanë planifikuar, kurse dy prej tyre, mbi një motor në lëvizje, kanë shtënë me minahedhës mbi ndërtesën e Kuvendit të Kosovës. Versionin zyrtar nuk përpiqet ta kontestojë asnjë profesionalist ushtarak nga koha e ish-Jugosllavisë. Nuk përpiqet të tregojë se “zolat” nuk mund t’i shpërthejë kushdo, e aq më pak në lëvizje. Pos nëse është i trajnuar për subversione e vrasje. Versioni zyrtar nuk e përmend këtë trajnim si mundësi.

I riu çohet në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, edhe pse është nga Prishtina. Mbahet 68 ditë në burg, por nuk merret asnjëherë në pyetje. Një shok i tij mbahet gjithashtu në paraburgim. Tre të tjerë në arrest shtëpiak. I gjashti obligohet të paraqitet në polici. Versioni zyrtar nuk e jep asnjë shpjegim se përse është vendosur kështu.

Një ditë, i riu vdes. Janë tri versione zyrtare: një, që ka vdekur në Qendrën e Paraburgimit; dy, që ka vdekur rrugës për në spital; tre, se ka vdekur në spital. Bëhet obduksioni. Versioni zyrtar thotë vetëvrasje. Tregon se shkaku i vdekjes është asfiksia. Versioni jo zyrtar thotë se është vdekje e dhunshme dhe e konfirmon shkakun.

Mbahen protesta në kërkim të drejtësisë për të. Nënshkruhet një peticion nga mijëra qytetarë që kërkojnë hetim të pavarur dhe dorëheqjen e dy ministrave. Kuvendi e shpërfill peticionin. Sipas versionit zyrtar, ka shkelje procedurale, por meqë “është bërë shumë zhurmë mediale”, rasti vihet në shqyrtim në Kuvend. Përfundimi: nëse familja do, mund të kërkojë hetim të jashtëm, kurse Qeveria obligohet t’i paguajë shpenzimet. Për Kuvendin mbyllet rasti.

* * *

Për deputetët e shumicës parlamentare (me përjashtime) dhe për komplet ekzekutivin, versioni zyrtar është i vetmi që vlen. Ashtu siç të vetmet të vlefshme janë ato që dalin për krejt vendimet politike që merren në emër të popullit.

Për një pjesë jo të vogël njerëzish, versionet zyrtare për gjithçka që flitet e bëhet në Kosovë janë ligj. Sepse këta njerëz vazhdojnë të jetojnë duke besuar se këto janë pasqyrim i së vërtetës. Për shkak se shumë syresh janë rehatuar mirë falë lidhjeve të afërta me pushtetin nuk e kanë idenë se çfarë po ndodh jashtë mureve të shtëpive të tyre. Sepse nuk duan të dinë.

Dhe nuk do të dinë derisa dikush nuk ua heq perden që i ka verbuar. Derisa nuk e kuptojnë se me apatinë e tyre, edhe ata janë thellësisht pjesë e versionit zyrtar. Derisa të vijë dita kur do t’iu zgjohet ndërgjegjja.

Filmi nuk përfundon. Politikanët kthehen në shtëpi. Protestat vazhdojnë.

[email protected]

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...