Mentaliteti i servilit

4 Nëntor 2014 - 08:12 - Flaka Surroi      

Ashtu siç me vite jemi mësuar me të keqen, sikur të ishte pjesë e jona e pandashme, po ashtu jemi mësuar që punët tona të na i zgjidhin të huajt... besa tash edhe për të na e lehtësuar vjedhjen dhe mashtrimin

Kam besuar se, pasi e kishim mbijetuar luftën, kapaciteti ynë për t’u befasuar me të keqen dhe për t’u ngopur me të, e kishte mbërritur kufirin përtej të cilit nuk ka më. Se sa gabim e kisha pasur ma ka dëshmuar secila javë që erdhi dhe, në veçanti, ndonjë që mbeti pas që prej më shumë se një dekade e gjysmë.

As kjo javë nuk u tregua më ndryshe. Dëshpërimit tashmë kronik, të cilin na e thellojnë politikanët kosovarë me (mos)veprimet e tyre, kësaj radhe i kontribuoi më shumë se kurrë EULEX-i: misioni dy miliardë eurosh që Evropa na e ka nisur për ta luftuar krimin dhe për të na mësuar se çfarë është sundimi i ligjit.

Kontributi nuk qe vetëm zbulimi nga brenda se aty ka korrupsion, bile i thellë i gjyqtarëve dhe prokurorëve, por qe edhe skandali i lehtësisë së padurueshme me të cilën nga selia e shefit është kërcënuar gazetari se do të ballafaqohej me ndjekje penale po qe se i boton informatat për punët e fëlliqura në EULEX. Pas kësaj, nuk do të ishte fare çudi edhe po të kërcënohej edhe me vdekje, për shkak se dikujt ia ka prishur tripat.

Porse më dëshpëruesja mbetet megjithatë ndjenja e mjerimit e të qenit të vegjël, të pafuqishëm, për shkak se neve na sundon mentaliteti i servilit. I atij që nuk e ka egon boll të fuqishme për t’i kryer punët e veta vetë. Dhe për ta marrë përgjegjësinë për veprimet e veta.

Labirinti i Jemit

Javën që shkoi megjithatë ndodhi një diçka e mirë – buxheti i Kosovës shpëtoi një shumë të konsiderueshme të hollash, që u dedikoheshin një numri goxha të madh të mëditjeve. Kryetarja kishte vendosur t’i anulonte udhëtimet zyrtare të planifikuara, pasi që zyrtarisht, pas gati pesë muajsh, dhe pas një sërë takimesh shterpe që i mban kohë pas kohe, na tha se Kosova kishte hyrë në krizë të thellë politike.

Se Kosova prej kohësh gjendet në krizë të thellë të cilitdo lloj duash, atë e kemi ditur. Porse tash kjo po na vërtetohej me vulë nga zyra e institucionit të vetëm, i cili ka legjitimitet të plotë për të funksionuar. Ani që ajo nuk e ka kapacitetin për ta nxjerrë macen prej përsheshit, për shkak se me vullnet të vetin u bë peng i qejfit dhe interpretimit sui generis të Gjykatës së Babës për atë se çfarë e paraqet “shumicën”.

Blofi me zgjedhjet e reja, të jashtëzakonshme, nuk i funksionoi. Thjesht për shkak se kështu do ta shkelte Kushtetutën edhe një herë, dhe kësaj radhe në formë edhe më eklatante, sepse nuk ka as marrëveshje e as ligj që do t’i jepnin mbulesë. Prandaj edhe duket se zgjidhjen mbase do të përpiqet ta gjejë me ndihmën e miqve ndërkombëtarë. Sepse, sa më shumë që kalon koha, aq më evidente po bëhet që blloqet nuk do të lëshojnë pe, dhe se jemi futur të gjithë në një labirint, të cilin më së bukuri na e paraqiti Jemi të enjten e shkuar.

E çelësin e daljes nga labirinti duket se me një çast jo fort të largët do të “detyrohet” të na e japë Dragodani, me “ftesë” të Jahjagës. Nëse për asgjë tjetër, atëherë për të dëshmuar dominimin e të fuqishmit, e njëkohësisht edhe nënshtrimin e kokëfortit.

Lëmshi 1

Ideja e bashkimit të partive që legjislacionin e kaluar e bënin opozitën në një bllok që do ta rrëzonte PDK-në nga pushteti, ka qenë vërtet potez i mençur politik. Atë që në kushte normale do të duhej të ishte procedurë e thjeshtë, që do të duhej kaluar nëpër votimin parlamentar, e komplikoi Gjykata Kushtetuese me diktat politik. Porse pështjellimi, të cilin e krijoi GJK-ja, megjithatë ka pasur zgjidhje, po të kishte qenë blloku që i ka numrat më i vendosur dhe më i mençur në veprimet e veta.

Për të shkuar me njëfarë rendi kronologjik, mbase do të duhej thënë se gabimin më të madh që ka bërë LAN-i që në start ishte ndarja e posteve dhe madje edhe veçimi i emrave që do të bëheshin me to. Pos që me këtë veprim linin përshtypje se çështja e pushtetit ishte më parë çështje e rehatimit të egove, sesa të sjelljes së ndryshimit, janë edhe disa arsye të tjera që anojnë nga përkufizimi i kësaj si gabim: një, për shkak se partia e dytë e lëshonte postin e kryeministrit, dhe e hidhëronte bile gjysmën e elektoratit të vet; dhe dy, për shkak se posti i kryeministrit po i premtohej dhe sigurohej një politikani, i cili dy herë kaloi nëpër procedurë të gjatë gjyqësore në Hagë, porse i cili mund të ketë ende punë me ndjekje penale. Kjo, po qe se del të jetë e vërtetë ajo që me të madhe përflitet (dhe kjo mbetet krejt në nivel të spekulimit) për Gjykatën Speciale të Martyt dhe Williamsonit.

Po qe se kjo e fundit është kështu, duket se do të ketë shumë presion nga “miqtë ndërkombëtarë” që dikush tjetër, e jo Haradinaj, të zgjidhet kryeministër i Kosovës. Dhe shtrohet pyetja: përse do të duhej dikush nga jashtë të na tregojë nëse ky apo ai kandidat është i denjë për postin më të fuqishëm ekzekutiv në shtet. A nuk do të duhej ta dinim vetë?

Lëmshi 2

Tashmë është elaboruar edhe përpara – vonesa e themelimit të institucioneve po çon ujë në mullirin e PDK-së. Zvarritja e gjithë procesit është duke e zgjeruar plasaritjen ndërmjet partnerëve të një koalicioni më të gjerë ekzekutiv – se përderisa LAN-i po tregohet inert, i pavendosur dhe i paide (njësoj siç kishin vepruar LDK-ja dhe AAK-ja në legjislaturën e kaluar), nga ana tjetër VV-ja ka nisur të ekspozojë mungesën e durimit dhe atë elementin e “virulencës”, e cila e kishte karakterizuar liderin e saj që nga koha e protestave të studentëve të vitit 1997.

Sa më shumë që po kalon koha, aq më pak i kuptueshëm po bëhet qëndrimi inert i liderëve të tri partive që e bëjnë LAN-in, dhe nevoja për të mbajtur mbledhje sabah-aksham. Deklaratat e përsëritura sa herë që po përfundojnë takimet, nuk e kalojnë thumbimin me fjalë që i bëhet Thaçit, pa pasur asnjë efekt të vetëm në ndryshimin e situatës për të mirë. Takimet e tilla ma çojnë mallin e organizatave ndërkombëtare në Prishtinë në ditët e para të luftës, që, duke mos ditur çka të bënin me veten, mbanin mbledhje për çdo ditë të lume, duke u koordinuar, për t’i koordinuar koordinimet.

Nga ana tjetër, te VV-ja po kthehet nevoja për ta shprehur mllefin dhe pakënaqësinë me protesta..., e cila ide tash del të mos jetë koordinuar me anëtarët e tjerë të koalicionit anti-Thaçi, e që në vete e ngërthen një rrezik shumë të madh për VV-në: që në mungesë harmonizimi veprimesh me të tjerët të organizojë një protestë “gjithëpopullore” që nuk do t’i mblidhte më shumë se dy-tre mijë veta. Ashtu siç i kishte ndodhur njëherë, nuk po e mbaj mend as kur e as për cilën arsye, para disa vjetësh.

Tashmë është e qartë se një pjesë e “miqve ndërkombëtarë” nuk e do VV-në. Bile ka të tillë që kanë “hasmëri” personale me këtë subjekt politik, që me automatizëm e vendosin VV-në në aut. Ani që është fuqia e tretë parlamentare. Dhe ky disponim, i cili megjithatë nuk është i momentit, mund të jetë vendimtar në prerjen e vendimit me gërshërët e ndërkombëtarëve, që mund të jetë prishja e VLAN-it dhe bashkimi i PDK-së qoftë me LDK-në apo me AAK-në..., ashtu siç po e përsërisin jo pak personalitete, qoftë edhe të harxhuara politike.

Lëmshi 3

Derisa Kosova është busy duke u marrë me vetveten dhe me problemet në të cilat futet, e prej të cilave nuk del dot vetëm, ndërkohë njerëzit që në emër të civilizimit të vjetër kanë marrë për detyrë të na mësojnë rend e ligj, bëhen pjesëtarë të krimit në një formë të sofistikuar: duke i fryrë xhepat e vet dhe duke i çuar në shtëpi ata që do të duhej të paguanin për krimet e tyre në burg.

Guximi i një prokuroreje për të kërkuar hetim të veçantë ndaj kolegëve për të cilët kishte gjetur indice se i kishin ndyrë duart me pare të pista dhe zbulimi i kësaj çështjeje nga “KOHA Ditore”, e plasën skandalin më të madh të EULEX-it. Për shkak se pos mossuksesit të përgjithshëm të Misionit në luftimin e krimit dhe vendosjen e sundimit të ligjit, që është skandal më vete, zbulimi se disa gjyqtarë e prokurorë nuk janë mjaftuar me paratë e majme evropiane, porse është dashur t’i merrnin edhe të fëlliqurat prej këtu – është shuplakë shumë e madhe ndaj përpjekjeve jo vetëm ndërkombëtare për ta bërë këtë vend normal.

Mënyra se si është ndërtuar e gjithë afera, në fakt flet për dyshime të bazuara për krim të organizuar përbrenda strukturës që do të duhej ta luftonte atë. Dhe se vetë fakti se vetëm pas zhurmës që bëmë Evropa e pranoi se kishte nisur hetimet, tregon se kjo punë s’është hajgare. Ani që fillimisht iu kërcënuan gazetarit, e më pas u barrikaduan, e përfundimisht deklaruan se nuk komentojnë hetime. Duke dëshmuar se aplikojnë standarde të dyfishta, gjënë më të keqe që mësohet e para.

E megjithëkëtë, do të vazhdojmë të themi se kemi nevojë për një mision si EULEX-i për shkak se vetë jemi dëshmuar, qëllimisht apo rastësisht, se jemi plotësisht të paaftë për ta ndërtuar një sistem gjyqësor, në rend të parë, të pastër, rigoroz dhe të drejtë. Do të vazhdojmë të kërkojmë alibinë te të tjerët, duke mos dashur të pranojmë që jo vetëm se jemi servilë, porse tregohemi superkrenarë vetëm kur fluturon ndonjë dron.

Dhe përderisa ky duket të jetë realiteti, të cilit nuk po duam t’i shmangemi, më tragjik del të jetë fakti se tashmë e keqja është bërë pjesë e pandashme jona dhe se kemi nisur të mësohemi me të. Si të ishte diçka e natyrshme; si të ishte një diçka që nuk mund të luftohet. Thuajse jemi dorëzuar plotësisht.

Nëse është kështu, është se kemi dështuar.

[email protected]
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Flaka Surroi
Flaka Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...