22 Mars 2016 - 07:56 - Flaka Surroi
Se sa do t’i kushtojë Kosovës shpërfillja që ia bën pushteti aktual krejt spektrit politik dhe qytetarëve, mbase nuk do të kalojë shumë kohë që të shihet.
Nuk pati ditë të vetme gjatë javës së shkuar pa ndonjë arrestim të ndonjë aktivisti a zyrtari politik, kryesisht të Vetëvendosjes; tashmë ka nisur të shndërrohet në praktikë djegia e veturave zyrtare, dhe tek-tuk e veturave personale të zyrtarëve politikë në pushtet; ashtu siç ka nisur të shndërrohet në praktikë ikja e të dënuarve që do të duhej ta vuanin burgun për ato raste mjaft të rralla të ndëshkimeve për krim të organizuar.
Kjo përafërsisht është tabloja që e karakterizon Kosovën e së paku tetë muajve të fundit, prejse shteti ka hyrë në krizë të thellë politike, e të cilën me ngulm përpiqen ta shpërfillin e minimizojnë pjesëtarët e koalicionit qeverisës.
Demarkacioni, megjithatë, problem
Në mesin e lajmeve nga kronika policore e arrestimeve, u përvodh një lajm i vockël, thuajse i kontrabanduar, që doli nga zyra e kryetares. Nga ai morëm vesh se kryetarja në ikje kishte vendosur ta themelonte një Komision ad-hoc për çështjen e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi të përbërë nga tre ekspertë të huaj. Natyrisht se vendimi u prit me kritika nga opozita (pse s’kishte ekspertë vendorë në të) dhe u hesht fare nga Qeveria (thuajse është punë që po ndodh diku larg, e që s’ka të bëjë me Kosovën) – porse në fakt e vërtetoi se çështja megjithatë kërkonte një vëmendje të posaçme, ngase të zëshme ishin kritikat dhe shqetësimet se edhe në këtë rast, sikurse edhe në atë të demarkacionit me Maqedoninë, Kosova do të mund të humbte territor.
Dhe shtrohet pyetja: përse u desh të pritej tetë muaj që të formohej një Komision ad hoc, që ka mundur të kishte edhe pjesëmarrje ndërkombëtare, e që të sqarohej çështja që u bë njëri nga shkëmbinjtë që nuk lëviznin dot në procesin e bllokimit të funksionimit të Kuvendit. Përgjigjja është e thjeshtë: Thaçi nuk do të donte të pranonte se mbase edhe ka gabuar me demarkacionin, kur e kishte nënshkruar, përderisa nuk e kishte të sigurt zgjedhjen për kryetar; Qeveria nuk do të donte të pranonte se mbase edhe në këtë rast, sikurse kishte bërë me Marrëveshjen e gushtit, kishte gabuar rëndë, duke e shkelur edhe Kushtetutën e edhe duke mos e ruajtur integritetin territorial të shtetit; Logjika e qeverisjes me arrogancë nuk duron kritika dhe kërkon gjetjen e fajtorit kujdestar “te ata të tjerët” për gjithçka të keqe që ndodh në Kosovë, duke ditur se burimi i së keqes fshihet mu te arroganca.
Kuvend kot
E arroganca është mu ajo që i vë në funksion makinacionet politike të koalicionit qeveritar. Pas tërheqjes së opozitës nga punimet e Kuvendit (ende e paqartë për sa kohë dhe si – a me dorëheqje apo mbajtje mandatesh deri në gashtë muajt e ardhshëm), tash deputetët e koalicionit qeveritar, plus minoritetet joserbe, e kanë rrugën e hapur për të vendosur për çka t’ua ka ënda, mundësisht pa asnjë debat e kundërshtim. Sidoqoftë, sharra hasi në gozhdë në fillim të javës, kur nuk u votua lista e kandidatëve për t’i emëruar anëtarët e “gjykatës së tenderëve” – vendit kyç për kontrollimin e parasë publike, ngase LDK-ja nuk pajtohej me kandidatët e deleguar nga PDK-ja.
Pra, në një ndarje evidente të kulaçit ndërmjet njërës dhe partisë tjetër, Kuvendi e ekspozoi luksin e thënies jo ndaj emrave të përveçëm – që në fund nuk kanë kurrfarë domethënieje, ngase cilido që emërohet, shkon aty për t’u siguruar se do të shpërblehen ata që i kanë lidhjet me ata që duhet të fitojnë para. Natyrisht, paratë publike, se janë më të “shijshme” .
Ligjërisht, Kuvendi si i tillë, e ka përherë të siguruar shumicën e kualifikuar prej dy të tretave, për çfarëdo vendimi që do të mund të merrte – e kjo nënkupton edhe ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin e edhe miratimin e Statutit të Zajednicës, edhe pse 23 parimet e Marrëveshjes së gushtit janë kundërkushtetuese, dhe se pa ndryshuar marrëveshja, ajo do të vazhdojë të jetë kundërkushtetuese. Pra, kur t’i vijë dita të zgjidhet ndonjë kontest që rrjedh nga Statuti, do të mbisundojë po ajo marrëveshje kundërkushtetuese, sepse ka vlerë më të madhe sesa çfarëdo dokumenti që rrjedh nga ajo.
Në këtë kontekst, do t’u mbetet në ndërgjegje (nëse e kanë) pjesëtarëve të këtij koalicioni të përfaqësuar në Kuvend çfarëdo vendimi që do ta themelojë autonominë serbe në Kosovë. Për më tepër, mbase edhe do të mund të tërhiqte përgjegjësi penale për cenimin e interesave të shtetit, po qe se integriteti i tij do të cungohej aq shumë, saqë Kosova të bëhet përfundimisht shtet jofunksional edhe me letra.
Fakti se opozita e bojkoton punën e Kuvendit, vë në pyetje legjitimitetin e tij të plotë, dhe e përjashton përfaqësimin e tërthortë madje të 200 mijë votuesve, që nuk është numër që do të duhej neglizhuar. Porse, që në fund, megjithatë, nuk i delegjitimon vendimet e Kuvendit, për shkak se nga aspekti procedural vendimet e përmbushin anën formale.
Ashtu siç është thënë disa herë tashmë – veprimi i vetëm i opozitës që ka mbetur për të bërë trysni në opinion, është zbulimi i skandaleve korruptuese të koalicionit qeverisës dhe “ngufatja” e publikut me fakte të prekshme të vjedhjeve dhe keqpërdorimeve për të argumentuar se pos dëmit të rëndë politik me marrëveshje për demarkacion e asociacion, ky pushtet po e gërryen esencën e këtij shteti dhe ia rrezikon mbijetesën. Këtë punë, në të kaluarën, e kishte kryer me perfeksion PDK-ja derisa ishte në opozitë, dhe është e pamundur të besohet se nuk do të gjenden njerëz vullnetmirë nëpër institucione që do të donin t’i zbulonin keqbërësit dhe keqpërdorimet. Dhe do të ishte mirë që të mos pritej nga gazetarët që përherë të zbulonin skandale, sepse për fat të keq gazetarë ka pak, krahasuar me morinë e abuzimeve që ndodhin në Kosovë.
Ndezje animozitetesh
Në muajin e fundit është pasuruar vokabulari i atributeve që partitë ia falin njëra-tjetrës. Dhe duket të jenë identifikuar disa persona që flasin në emër të subjekteve të veta politike e që e kanë për detyrë të shpërndajnë etiketa. Në taborin e LDK-së këtë detyrë duket ta ketë marrë Bajram Gecaj, zëvendësministri i Pushtetit Lokal, i cili sillet-mbështillet e kthehet te “antiamerikanizmi i Vetëvendosjes”, duke e ruajtur atributin e proamerikanizmit për pushtetin. Nga ana tjetër, dje nga goja e Albin Kurtit doli cilësimi “fashist” për pushtetin, i cili kishte vendosur ta dëbonte shtetasin e Shqipërisë dhe zyrtarin e lartë të VV-së, Bojken Abazi. Tash, natyrisht, duhet pritur që dikush të dalë e të akuzojë se ky apo ai është tradhtar, dhe kjo me një gjuhë që nuk mund të quhet as politike, e që në fund bëjnë që shefi i shefave nga afera “Pronto” të tingëllojë e të duket sikur të ishte engjëll.
Ajo që po shihet është se situata në Kosovë po acarohet edhe më shumë, posaçërisht në aspektin e sigurisë. Përderisa paraqitja e grafiteve nëpër qytete të ndryshme të Kosovës u pa si një formë artistike e shprehjes së protestës, çështja e zjarrvënies së veturave dhe përpjekja për ta djegur zyrën e kryetares – po çon sinjal shumë të keq. Kushdo që është duke e bërë këtë, e ka mbërritur pikën e një çmendjeje që nuk e justifikon thënien: “Në luftë të gjitha mjetet janë të lejuara”. Për shkak se mjeti i ardhshëm mund të jetë arma e zjarrit dhe viktimat mund të jenë njerëzit.
Teori konspiracionesh për këtë që ndodh ka shumë – porse deduktimi logjik shpie nga dy vija idesh.
Një, që veturat po digjen nga “qytetarë të pakënaqur”, siç thonë disa emaile që na kanë arritur në redaksi dhe që në fakt janë sulm kundër pushtetit që ka bërë më shumë dëm sesa të mira për popullin. Shtrohet pyetja: pse pakënaqësinë e tyre e manifestojnë duke e shkatërruar pronën publike, të cilën e paguajmë të gjithë ne, dhe a do të thotë kjo se do t’i shkatërrojnë të gjitha veturat zyrtare; se nëse po, do të kenë shumë punë, sepse flasim për disa mijëra sosh. Dhe nëse kështu e shfaqin pakënaqësinë, çfarë arrijnë me këtë punë? Simpati, pak si zor. Futje frike në masë - ndoshta. Ndërrim pushteti, kurrsesi. Sepse me djegien e veturave vetëm janë duke u dhënë më shumë rast për keqpërdorime të mëtejme kur të blihen veturat e reja si zëvendësim.
E dyta, djegiet e veturave i bën dikush i afërt me pushtetin që ka për qëllim diskreditimin e opozitës “anarkiste” dhe dëshmimit para opinionit se rreziku për rrëzimin e Republikës vjen pikërisht nga ata që thonë se e mbrojnë. Duke i përdorur molotovët, tashmë të sprovuar në protestat e opozitës, me “armën e tyre” duan të kthejnë gishtin nga “fajtori”. Ndërkohë, me arrestimin e dy aktivistëve të VV-së nën dyshimin për zjarrvënie, policia futet në funksion të mbrojtjes së pushtetit gjatë procesit të dëshmimit se është në krye të detyrës dhe është këtu për të siguruar rend dhe ligj. Njëkohësisht, sipas kësaj teorie, pushteti i jep vetes lluftin që të mbështesë çfarëdo intervenimi kundër partive opozitare – gjithnjë “në mbrojtje të (pu)shtetit”.
Cilido që të jetë opsioni – ky është lajm i keq për Kosovën. Thuajse nuk na ka dalë për hundësh gjithë ajo dhunë të cilën e kemi jetuar e përjetuar me vite të tëra, që tash, në paqe, të mos mundemi me u marrë vesh si njerëz të civilizuar dhe të pjekur që dinë ta pranojnë gabimin, që dinë të kërkojnë falje dhe që e kuptojnë se shteti nuk ndërtohet me inate e pallavra, po me dashuri e punë.
Përderisa të vazhdojë futja edhe më e thellë në qorrsokak, ndërkohë krimi në Kosovë do të vazhdojë të lulëzojë. Nuk ka ditë që nuk flitet për ndonjë tender të majmë, për ndonjë zbulim për zaptim e keqpërdorim malli të huaj, e ndonjëherë edhe për ndonjë shkelje ligji. Por është evidente se policia është treguar jashtëzakonisht e shkathtë për arrestimin e shumë aktivistëve të opozitës, por kurrsesi të kriminelëve që na e morën substancën financiare të shtetit. Është skandaloze shmangia e të dënuarve nga vuajtja e dënimit në burg, posaçërisht kur dihet se për të dalë nga shteti duhet të kalojnë kontrolle policore (nëse natyrisht nuk ikin maleve). Po qe se është kështu, a po çalon qëllimisht sistemi i këmbimit të informatave ndërmjet gjyqësorit dhe policisë, ashtu që njerëzit që dënohen për trafikim njerëzish të ikin nga shteti pa e marrë vesh kush, pos gazetarëve natyrisht?
Pushteti bën gabim që e shpërfill opozitën, dhe bën keq që më lehtë takohet me Vuçiqin e Daçiqin sesa me cilindo prej shefave të partive opozitare. Bën gabim që ndaj secilit reagim të opozitës përgjigjet me arrogancë e fyerje. Bën gabim pse mendon se do të mbetet në qeverisje deri më 2018-n, dhe për këtë arsye i jep vetes edhe dy vjet kohë të veprojë ashtu siç ia do qejfi, pa kuptuar se shumë lehtë dhe shumë shpejt, shefi i Qeverisë bashkë me partinë e vet, do të kalojnë në opozitë. E mandej? E mandej do të detyrohen ta përpijnë arrogancën e të tjerëve dhe të vajtojnë për shansin e humbur.
Sepse, nëse ende nuk e kanë kuptuar, rrota është e rrumbullakët.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...