7 Qershor 2015 - 11:48 - Flaka Surroi
Nëse në vëllimin e parë kishim konstatuar se Kosova, sado e vogël, mbetej tokë e panjohur për shumëkënd, ky vëllim, pos që na e vërtetoi thënien, na e dëshmoi edhe parashikimin se me kalimin e viteve Kosova do të mund të na befasonte me ndonjë zbulim të ri nga ndonjëra prej epokave të historisë.
Shtegtimi ynë nëpër të kaluarën e lashtë të Kosovës vazhdoi nëpër tri rajonet e tjera të saj, që qëllimshëm i kishim planifikuar t’i paraqisnim në vëllim të veçantë. Sepse e dinim se hulumtimi më i thukët i bazës së bollshme të shënimeve të monumenteve historike, por edhe i literaturës së specializuar, sërish do të na bënte të vështirë përmbledhjen e shembujve më reprezentativë në këto treva. Por, befasia të cilën na e përgatiti terreni ishte edhe dalja në sipërfaqe e pasurisë së artit në gurë, të cilin mbase as që e kishim ditur se ekzistonte.
Tashmë i regjur me përvojën e ethshme të përgatitjes së vëllimit të parë, autori i librit dëshmoi të kishte edhe më shumë entuziazëm seç do të mund të parafytyrohej kur kishim nisur projektin. Me ide shumë të qartë se çfarë dhe si duhet paraqitur, studiuar dhe, në fund, përshkruar – tashmë në stilin që e veçon, Artan Krasniqi ia doli të na i ofronte madje 24 vlera monumentale vërtet mbresëlënëse.
Po me dorën e njëjtë të lehtë nga vëllimi i parë, e kompletoi mozaikun e Kosovës së shekujve të parahistorisë, antikës, si dhe mesjetës së hershme. Me përshkrim të bukur, të gërshetuar me anekdota bashkëkohore, ia del t’ia ngjallë imagjinatën lexuesit, ashtu që shumë çiltër ta parafytyrojë luftën për jetë a vdekje; për luks e mbijetesë; për gjuhë e kulturë; për robërim e çlirim -- në kohët kur ka pasur fise shumë e etni pak; kur ka pasur më shumë besim e më pak fe, apo edhe atëherë kur ka pasur më shumë mite sesa të vërteta.
Thesari i të gjitha kohëve - Prizreni
Pikënisja e vëllimit të dytë ka qenë Prizreni, dhe jo vetëm për shkak se gjeografikisht ishte vazhdimësi e rrethit që kishim nisur në librin e parë. U përputh të ishte pikënisje edhe për shkak se me gjashtë komunat që e përbëjnë rajonin, jo bash krejtësisht të definuar ende (Prizreni, Rahoveci, Dragashi, Suhareka (Theranda, emërtimi jozyrtar), Malisheva e Mamusha), Prizreni paraqet thesarin më të veçantë kulturor të Kosovës nëpër kohë.
Rrëfimin këtu e nisi me versionin kosovar të Altamirës, në Vlashnjën që na e zbuloi artin polikromatik mbi gurë dhe spiralet fantastike që sot, nëse asgjë tjetër, të bëjnë të mendojnë se jeta si atëherë, ashtu është sot, është vorbull që e ka një fillim, por edhe ka fund. E vazhdoi me diellin e gdhendur mbi gur në majën e lartë të Zatriqit, për të zbritur rrëzë Drinit e për ta zbuluar mbase pushimoren ekskluzive të asaj që dikur do të ketë qenë banjë në Çifllak, e ndërtuar mbi themelet e një vendbanimi të para epokës sonë. Shtegut të kodrave u zhdirgj në Kasterc për ta zbuluar Romeon dhe Gjylietën e para mesjetës të rrethuar me bollëk e madje edhe me para. Banja gati fqinje, rrëfeu për ekzistimin e pamohueshëm të dy kulturave – asaj më “primitive” të enëve të argjilës dhe asaj të mermerit të gdhendur romak. Lëvizi nga drejtimi i Prizrenit për t’u ndalur në Suharekë: aty ku gjatë shumë viteve gërmimet, fillimisht të rastësishme, do të zbulonin ekzistimin e një thesari të jashtëzakonshëm skulptural. Nuk do të ecte gjatë për t’u përpjekur me Shirokën e nekropoleve më të moçme ilire prej nga do të nisej vizitës më intensive: “gjetjes” dhe përshkrimit të vetëm një pjese të numrit të pafund monumentesh në qytetin më të bukur të Kosovës dhe nga më të bukurit gjithëshqiptar: Prizren.
Te Kalaja e Prizrenit do të na e zbulonte se pse puthja është më e shijshme dhe do të na tregonte për Vrapuesen, dardanen e parë që mbërriti në Londër. Do të na i përfliste rrëfimet për Shën Prenen/Levishkën/Xhuma Xhaminë, që i ndërroi tri konfesione, për të dalë aty ku shoqet, për ta mbrojtur miken që nuk e deshi fejesën e imponuar, ia ndërtuan Kalanë e Cucave qysh në antikë. Rrëfimin në këtë stad të përshkrimeve historike e përmbylli me Qytetin e Dushanit, të ndërtuar mbi varrin e arbërorit Balshaj.
Fortifikata, sarkofagë e mozaik - Ferizaj
Shtegtimin nëpër të kaluarën e lashtë autori vendosi ta vazhdonte nga juglindja, nëpër trevën e Ferizajt (Ferizaj, Kaçanik, Hani i Elezit, Shtërpcë). Kodrat, malet dhe gjelbërimi që e karakterizojnë njërën anë të trevës s’kishin ndryshe pos t’i fshihnin nëpër vite gjurmët e kështjellave dhe fortifikatave që kishin shërbyer për mbrojtje. Rrafshi i anës tjetër fshehu dhe ruajti ndër shekuj pasuri të jashtëzakonshme nëntokësore, jo rrallë të një bukurie mbresëlënëse.
Se vetëm Prishtina nuk do të krenohej me figurinën që i është bërë simbol, na e bëri me dije Varoshi, hyjnesha e të cilit mbase do të bëhet simbol i Ferizajt dikur në të ardhmen. Dhe njësoj sikurse edhe në rastin e kryeqytetit, koha e zbuloi një vendbanim nga koha e romakëve, me siguri jo të përmasave të Justiniana Secundas, por po me të njëjtin zell punëdoreje të formësuar në sarkofagët e Nikadinit. Mbase po i njëjti talent që krijoi mozaikun shumëngjyrësh të Nerodimes, i cili pos që është fizikisht i ndarë në dysh, me një copë në Beograd dhe një tjetër në Prishtinë, për herë të parë pasqyron një mjekrosh. Rrethi në këtë trevë u përmbyll me vizitën njërës nga 69 kalatë e Justinianit të parë në Brezovicë.
Ilirja, paleokristiania dhe bizantinia - Gjilan
Qarkun autori e përmbylli në këtë cikël me trevën e Gjilanit (Gjilan, Viti, Kamenicë [apo Dardanë, jozyrtarisht] Partesh/Parteš, Ranillug/Ranilug). Dhe sërish konfiguracioni i përzier i terrenit zbuloi shenja të lashtësisë që dëshmonin vazhdimësinë e një kulture të unifikuar, si dhe objekte mbrojtëse të luftërave shekullore.
Llashtica ishte e para në listën e atyre monumenteve që dëshmonin për llojin e varrimit tumular që, pos arkitekturës specifike, fshihnin punëdore të jashtëzakonshme nga bronzi, aq sa këto të sotmes do t’ua kishin lakminë. Porse arti i asaj kohe, mbase në mungesë të zbulimit të materialit tjetër, ishte zhvilluar edhe mbi atë që gjendet kudo: mbi shkëmbinj e gurë, sikurse në Poneshin ende të paafirmuar mjaft.
Nga kjo fazë e historisë u kalua në tjetrën, atë të fortifikatave, mbetjet e të cilave impresionojnë për nga madhësia, por edhe lartësia mbidetare ku janë ndërtuar, sikurse e dëshmon donzhoni i Kalasë së Pogragjës në 518 metra lartësi mbidetare.
Lumi Moravë dhe degëzimi i saj, Përlepnica, do ta çonin nga ana veriore deri te Kmetoci, për t’u ndeshur edhe me një në vargun e objekteve fetare nga mesjeta e hershme. Shën Barbara, që besohet të ketë qenë sase, u shndërrua në ortodokse e më pas edhe u shkatërrua në kohën e osmanlinjve, duke ia lënë fatit të kohës një rrënojë që ende qëndron. Prej aty autori do t’i afrohej qendrës komunale, për të cilën thuhet se ka qenë tokë dardane, dhe e cila për atë shkak jozyrtarisht njihet si Dardanë. Në Kamenicën zyrtare besohet se ilirët kishin ndërtuar Kulinën për t’i bërë rojë Novobërdës, e prej nga ka mundur të shihej edhe kisha e lashtë iliro-romake e Hajnovcit, mbi themelet e së cilës në shekullin XIV u ndërtua ortodoksja që duket sot.
Përmbylljen e vizitave në terren do ta shënonte Vitia me dy monumente nga epoka e ilirëve: mbase do të ketë qenë Dea Dardanicae e Kllokotit ajo që i inspiroi artistët e kohës në Smirë që t’ia dedikonin gurin me katër anë të gravuara, prej të cilave njëra e përmban atë që njihet si labirinti që përshkruan ciklin e përhershëm të lindjes, vdekjes dhe të ringjalljes.
Për fund
Pa asnjë qëllim pretencioziteti, nuk mund t’i shmangem bindjes se edhe ky vëllim është një labirint i llojit të vet: përderisa përshkruan lindjen e diku edhe vdekjen e monumenteve kosovare të kulturës, ai në një formë i ringjall ato – duke ia afruar ato lexuesit, qoftë me narrativën e bukur, qoftë me fotografitë që rrëfejnë më shumë se fjalët.
Ky libër u dedikohet atyre që nuk kanë ditur se Kosova ka shumëçka të tregojë; atyre që do të duan të njihen me këtë pasuri të pamatshme me para, dhe, atyre që e dashurojnë Kosovën me të gjitha të mirat e të këqijat që i ka.
Dhe, natyrisht, nuk mund ta përfundoj pa edhe një notë personale.
Realizimi i këtij vëllimi nuk ka qenë i lehtë, porse ka dëshmuar se një ekip i konsoliduar, kompakt dhe i koordinuar mirë mund të funksionojë mirë edhe atëherë kur të kaplon lodhja. Artan Krasniqi, me përshkrimet tashmë të veçanta; Granit Kurti, me redaktimin përherë të kujdesshëm; Lura Limani dhe Kreshnik Hoxha, me përkthime të jashtëzakonshme të një materieje të rëndë; Nehat Spahiu, Hatixhe Pireva, Drita Nimani dhe Rexhep Ukelli, me lekturën e të gjitha teksteve në shqip; Luan Tashi me përgatitjen brilante grafike; Driton Paçarada, me numrin më të madh të fotografive dhe Jeton Mikullovci me ilustrimet e tij tashmë trademark i shtëpisë – e bënë ekipin që e realizoi këtë vëllim.
Ju ftoj që ta nisni shtegtimin e ri nëpër shekujt e moçëm. Besomëni, është mbresëlënës.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...