3 Maj 2016 - 07:52 - Flaka Surroi
Kishte qenë ndër projektet e para kapitale që kishte nisur të realizonte CDF-ja me donacion të Qeverisë zvicerane: ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit në fshatin Kishnarekë të Gllogovcit. Them kapitale, sepse kapte vlerën prej rreth 150 mijë markave gjermane – shumë të mëdha në kohën kur s’kishte kaluar as viti që nga çlirimi.
Për mua paraqiste një satisfaksion të veçantë se mu ky fshat ishte kualifikuar për ta marrë donacionin. Kishte hequr shumë gjatë luftës; kishte mbaruar me shumë shtëpi të djegura e të dëmtuara; e kishte pasur shkollën të bërë shoshë nga mitralozat dhe popullata e tij e kishte mbrojtur fshatin e vet me atë çfarë kishte, madje edhe me pushkë të shekullit të parakaluar, aso që duhej mbushur barut nga tyta për të shtënë veç njëherë.
Kishte qenë “qendra” e grumbullimit të ndihmave që vinin për ata 40 mijë a sa njerëz që ishin strehuar në Lugun e Kishnarekës e që kishin qëndruar aty deri në 9 muaj. Aty ku ishte hapur shkolla e parë nën tendë të najlonit, ku ordinonin ekipet e përbashkëta të UNICEF-it dhe të Nënës Tereze çdo të dytën javë dhe aty ku u ngjizën jo pak fëmijë që do lindnin në kohën më të keqe të mundshme – atë të bombardimit.
* * *
Orari i punës pothuajse kishte përfunduar, dhe po bëheshim gati të shkonim nëpër shtëpitë tona. Kisha mbetur t’i mblidhja dokumentet e nevojshme, ngase të nesërmen do të hapej tenderi për ndërtimin e ujësjellësit në shkollën e Kishnarekës. Përnjëherë u dëgjua zilja e derës. Dikush i ekipit shkoi dhe e hapi derën. Kishte qenë një djalë i ri, me flokët e prera shkurt, ashtu siç i presin ushtarët, me një mjekër të shkurtër e të mbajtur mirë dhe i veshur krejt në të zeza.
- Flakë, një njeri po thotë që të dalësh në oborr se po të pret daja.
- Daja im, a? (me vete mendova çka kërkon njeri me ardhë prej Prizrenit në këtë kohë, e që s’ka mundur të priste. Dhe pse i duhej të më dërgonte mesenxher për t’më ftuar në oborr).
- S’e di. Tha daja.
- Vallahi, daja im nuk ka nevojë për përcjellës, kush do që të jetë, le të hyjë brenda.
Vazhdova me punën time, kur ra zilja sërish.
- Flakë, ky njeri prapë te dera. Po thotë që nuk largohet pa bisedu me ty.
- Thuaji të hyjë brenda, nuk e kam ndër mend me dalë me ba muhabet te shkallët, si kur del me përcjellë mysafirë.
Hyri brenda, por jo më larg se pragu i zyrës sime.
- Daja po thotë hajde poshtë te kerri se ka me folë diçka me ty për një punë.
- Cili dajë?
- Daja!
- O djalë, nuk kam vakt me e tjerrë këtë punë. Kush është daja dhe çka po lyp prej meje. Edhe nëse ka diçka me më thënë, thuaji le të hyjë brenda, e flasim si njerëz.
M’i zgurdulloi sytë.
- Dajën duhesh me e njohtë, se ai të njeh.
- Të vetmin dajë që e njoh është ai një që më ka mbetë gjallë. E ai me sa di nuk të njeh ty, pra, qeto që po ma përmend s’e di kush është.
- Azem Syla!
- Kush është Azem Syla? (dhe sinqerisht, nuk e dija kush ishte daja me këtë emër. As nuk e kisha parë në terren, e as hiç nuk m’u kishte regjistruar që paskësh qenë epror në UÇK, se gjatë rrugëtimit tim nëpër terren, më shumë kisha parë komandantë se ushtarë bërë bashkë. Këtë do ta merrja vesh të nesërmen).
- Ti po bon hajgare?
- Hajgare je tue bo ti. Thuaj dajës n’ta marrtë mendja me hy brenda, hajde. Në jo, të lutem shko, e lem rahat se kam shumë punë.
The man in black shkoi. Vetura e zezë që kishte motorin e ndezur gjithë kohën, u nis për t’u larguar nga oborri prapa Furrës Qerimi I.
Të nesërmen më erdhi një ish-koleg nga studimet pasdiplomike, më vonë mësimdhënës në Universitetin e Tetovës, për t’ma treguar arsyen e ardhjes së Dajës: tenderi duhej t’i jepej një firme të përzgjedhur nga ai. Kolegut i thashë që as që doja të bisedoja për punën e tenderit, dhe po qe se do t’ma e përmendte emrin e cilësdo firmë, do ta diskualifikoja nga gara publikisht para të gjithë pjesëmarrësve në tender.
Meqë nuk e lija të fliste, e largova nga zyra. Kur morëm të niseshim për në Kishnarekë, e pashë se një veturë na përcillte gjithë kohës. Me të mbërritur para shkollës, nga vetura që na përcillte doli ish-kolegu im dhe më tha:
- S’kam qare pa e çu amanetin te vendi. Firma quhet...
Me fytyrë të mërdhezur dhe pa frymë, ma ktheu shpinën, i hipi veturës dhe u largua. Natyrisht, firma u diskualifikua.
* * *
E kisha kuptuar se njeriu që kishte ardhur të më “këshillonte” se kush duhej fituar tenderin kishte qenë njëri prej Kryekomandantëve të UÇK-së. Të vetmin që e njihja nga terreni kishte qenë Sulltani dhe të vetmin epror të Shtabit të përgjithshëm që kisha arritur ta takoja në Shtabin në Divjakë, kishte qenë Sali Veseli. Për Dajën do të kuptoja pak më vonë, kur do t’i rishikoja gazetat e arkivit, në të cilat do të paraqitej edhe emri i tij si njëri nga pjesëmarrësit në Konferencës e Rambouilletsë.
Por atë që nuk mund ta kuptoja assesi ishte se çfarë i hynte në punë Dajës se kush do ta fitonte tenderin, që ishte donacion, për ta ndërtuar ujësjellësin në fshatin e tij. Për më tepër nuk e kuptoja se si një njeri, që kishte qenë epror i UÇK-së, gjente kohë për të ardhur personalisht e për t’i bërë presion një OJQ-je që të përzgjidhej dikush i caktuar për ta realizuar projektin.
Po a nuk ishte bërë lufta edhe për çlirimin nga intervenimet, kanosjet, trysnitë dhe kryerjen e punëve me të njohshëm – që na kishin sjellë buzë greminës para se të bëhej edhe më zi kur na okupuan? Me shumë naivitet, doja ta bindja veten se ky do të jetë një rast i izoluar, sepse ja, kumandanti, ishte i interesuar që ta siguronte ujin për mëhallën e tij ashtu që ta mbante në dorë edhe punëkryesin, të cilit po të donte, do të mund t’ia “shnukte” edhe përqindjen e fitimit të kalkuluar në projekt.
* * *
Prandaj edhe nuk e befasova fare me aksionin e bastisjeve masive që i ekzekutuan EULEX-i së bashku me Policinë e Kosovës të martën. Sipas tyre, si shef i bandës së krimit të organizuar, identifikohej Daja, me dyshimin se së bashku kishin tjetërsuar tokë në vlerë prej disa dhjetëra milionë eurosh. E mendova me vete: ashtu siç ka pasur kohë të ma gjente zyrën mua, ashtu do të ketë pasur kohë të shëtiste nëpër pronat e KBI-së së dikurshme dhe t’u çonte selame njësoj nëpërmjet djaloshit në të zeza, që për nga dukja, do të ketë mundur të ishte pjesëtar i policisë ushtarake të UÇK-së.
Procedurat do të mund të zgjasin. Madje do të mund të ketë gjykime maratonike që do të përfundojnë me nxjerrjen e dikujt fajtor dhe me një dënim simbolik me kusht dhe pa konfiskim pasurie. Dhe muhabeti do të përfundojë këtu, për shkak se nëse dëshmohet se tjetërsimi ka ndodhur, do të ketë listë të gjatë njerëzish që ia kanë parë hairin punës jashtë orarit të, ish-komandantit dhe ish-deputetit, Azem Syla.
Nuk do të më befasonte fare që ky vërtet të ishte shef i bandës së organizuar për pasurimin e shpejtë, po qe se vlerësimin e mbështesim në biografinë e tij. Në të nuk thuhet se ky ka kryer shkollën fillore apo të mesmen, por thuhet se ka doktoruar në shkenca politike në “Leibniz University”, Santa Fe, New Mexico para dhjetë vjetësh. Natyrisht nuk e thotë se kjo shkollë është fiktive, ani që thotë se nuk di anglisht. Në biografinë e tij nuk thotë se kishte kërkuar azil më 1995, e as nuk e shkruan se në Zvicër nuk kishte punuar kurrë, por kishte jetuar nga ndihmat shtetërore. Nuk e thotë as atë se ishte shpallur invalid i qindpërqindtë për shkaqe psikike dhe për këtë arsye kishte marrë ende mjete shtesë, përderisa kishte ushtruar funksionin e komandantit të Shtabit të UÇK-së, të ministrit të Mbrojtjes në Qeverinë e Përkohshme dhe të deputetit të PDK-së deri pardje. Dhe në biografinë e tij, nuk thotë se derisa ka qenë deputet për kush e di sa mandate, hu një herë i është dëgjuar zëri.
Nuk do të më befasonte fare, për shkak se profili i mashtruesit të cilin ia pati zbuluar KOHA Ditore para pesë vjetësh, është prototipi i “çlirimtarëve”, i kumandantave, që skajin pasurisë nuk ia dinë, dhe që janë fajtorët kryesorë se përse Kosova me aq lehtësi barazohet madje edhe me ISIS-in nga një event që do të duhej ta injoronim dhe ta bojkotonim plotësisht, siç është Eurovisioni i politizuar.
Nuk do të ishte kurrfarë befasie po qe se vërtet do të ishte fajtor, me apo pa aktgjykim. Ashtu siç nuk është kurrfarë befasie që EULEX-it i janë dashtë më shumë se pesë vjet nga paraqitja e Nazim Bllacës, për t’i “zbuluar” makinacionet me toka dhe t’ia niste operacionit të luftimit të krimit atëherë kur duhet vazhduar mandatin vetes; kur duhet dhënë shtytje kryetarit të ri, për ta realizuar premtimin e para gjashtë vjetësh për liberalizimin e vizave dhe kur duhet plotësuar formën, se ja, e kemi zënë një peshk të madh, të cilit as dhjamin nuk do të mund t’i nxjerrin.
Trishtues është ky vend ku jetojmë. Dhe i tillë do të vazhdojë të jetë përderisa atë e udhëheq klika e Dajës dhe të ngjashmëve si Daja: mashtrues, rrenacakë, demagogë e hajna të pacipë.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...