5 Gusht 2014 - 08:42 - Flaka Surroi
Nuk mbaj mend verë më të lagësht se kjo që po e kalojmë sivjet. Tash, krahasuar me vitin e shkuar, kur sa nuk mbesnim pa frymë nën diellin përcëllues dhe temperaturat te 40-shi i Celsiusit, po them se më lehtë e “bajmë” edhe shiun, me kusht që nuk na fundos me ka krejt.
E qysh ia nisën vërshimet në të gjitha qendrat komunale, diqysh u ndala me mendu në mos natyra është duke e imituar skenën politike kosovare: uji që merr gjithçka me vete, të sjellë e futë në vorbull, e dikur të përpin... ose nëse je me fat, të qet diku anash bashkë me krejt shishet e plastikës që mund t’i mbledhë rrugës...
Kështu është si, pak a shumë, po më parafytyrohet situata pas zgjedhjeve të 8 qershorit, nisjes së pritur të punës së Kuvendit dhe zhvillimeve të mëtutjeshme rreth Gjykatës Kushtetuese. PDK-ja, si notuese më shumë mendjemadhe sesa e shkathët, është futur në ujë, e bindur se do t’i gjinden partitë e vockla për ta mbajtur në sipërfaqe. Me të kuptuar se tashmë kurrkush nuk po e do për ortake, është kapur për fijen e kashtës, që është Gjykata Kushtetuese, në kërkim të zgjidhjes akrobatike që do t’ia gjejë Baba po qe se ia bën presionin e duhur. Mirëpo, ndërkohë, duke ditur se tashmë të gjitha opsionet janë të hapura, e luan kartën e fundit: kërkon publikisht koalicionin më të gjerë të mundshëm të cilin mund ta prishë vetë kurdo që ia ka ënda - se për këtë punë i ka numrat. Dhe kështu e dëshmon fytyrën e vet të vërtetë: nëse fundosem (e po më merr uji drejt vorbullës), atëherë bile po i marr edhe të tjerët me vete. Me siguri jo për t’i shpëtuar.
Pse u prit 15 vjet?
Teknikisht Kosova është pa Qeveri prej 17 korrikut – sepse më se gjysma e kabinetit qeveritar e dha betimin e deputetit, me ç’rast e aktivizoi një nen Kushtetute që thotë që nuk bën hem ministër, hem deputet. Por, meqë nenet e Kushtetutës bëhen relevante vetëm për ruajtjen e pushtetit, ky detaj bëhet i parëndësishëm për njerëzit që marrin vendime me implikime të thella politike dhe financiare. Për më keq, për shkak të masës së përkohshme të Gjykatës Kushtetuese, është edhe pa Kuvend; e për pasojë Kosova me siguri e ka mbërritur fazën e bankrotit teknik, për shkak të pamundësisë së rishikimit të buxhetit, dhe për shkak të pamundësisë së lëshimit në qarkullim në formë eurosh të të gjitha atyre premtimeve që i ka bërë Thaçi gjatë fushatës parazgjedhore. Mungesën e parasë do të na e mbulojnë deri diku dhe edhe për nja dy javë mërgimtarët, pa na e dhënë edhe përgjigjen se çka më tutje.
Figurativisht, kjo i bie se ka rënë shumë shi, aq sa na ka mbërritur deri te fyti. Porse diaspora na ka ardhur me një duzinë cisternash për ta mbledhur aq sa, për të mos lejuar që të fundosemi, ani që nuk ia kanë dalë ta shuajnë probabilitetin e pëlcitjes së cisternave, nga sikleti, natyrisht...
Dhe në këto rrethana, Kosova mbërriti me u bâ kryetitull, jo për krizë politike, por për krime kundër njerëzimit. Dhe jo për shkak të masakrave që i kanë kryer sistematikisht ushtarët, policët dhe paramilitarët serbë nën udhëheqjen e Milosheviqit dhe të ngjashmëve në luftën e Kosovës, por për shkak të “disa oficerëve të lartë të ish-UÇK-së” ndaj të cilëve do të ngrihet aktakuzë për fushatë ndjekjeje ndaj minoriteteve dhe ndaj shqiptarëve, të cilët i patën etiketuar ose bashkëpunëtorë të serbëve, ose që, zakonisht, kanë qenë kundërshtarë politikë të udhëheqjes së UÇK-së.
Pra, bëhet fjalë për vepra të dyshuara penale që janë kryer gjatë luftës dhe menjëherë pas luftës, e për të cilat është folur shumë në atë kohë. Madje, me hetimin e tyre janë marrë sa inteligjenca ushtarake të forcave të NATO-s të stacionuara në Kosovë; sa prokurorë të UNMIK-ut; sa hetues të Tribunalit të Hagës për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, e sa hetues të EULEX-it tash...
Bëhet fjalë për vepra penale që nuk parashkruhen edhe për të cilat nuk dimë detaje. Por atë që e dimë është se janë vepra penale që janë ditur, janë hetuar, që atëbotë kanë pasur më shumë fakte e dëshmitarë, e që nuk janë sjellë para drejtësisë. Edhe pse atë hetim e kanë bërë të huajt. Edhe pse është folur për oficerë të lartë të ish-UÇK-së, e ata kanë qenë botërisht të njohur, sepse si të tillë na janë prezantuar gjithmonë: ja në trajtë të heronjve shpëtimtarë, ja në trajtën e çlirimtarëve. Edhe pse mund të bëhet fjalë për njerëz që në 15 vjetët e fundit kanë zënë pozita të larta në hierarkinë partiako-politike të institucioneve që e kanë udhëhequr Kosovën.
Nëse del se aktakuzat do të ngrihen kundër njerëzve që aktualisht bartin funksione të larta partiake apo politike në Kosovë, atëherë shtrohet pyetja se përse është dashur të priten 15 vjet që kjo të ndodhë. Hetimi i fundit trevjeçar me gjasë do të ketë qenë mbështetur në hetimet paraprake dhe sinqerisht është vështirë të besohet se janë gjetur prova të reja që nuk kanë qenë aty para 15 vjetësh, posaçërisht pasi në raportin e Williamsonit thuhet se dëshmitarët frikësohen nga njerëzit e lidhur me ish-UÇK-në. Përse e gjithë ajo prezencë ndërkombëtare këtu ka vendosur që të mos merret me këto raste në Kosovë para një dekade; pse ka lejuar që një numër i këtyre të dyshuarve (po qe se janë aktivë politikisht) të inkuadrohet në politikë, e për më tepër të ketë ndikim të madh vendimmarrës. A është përnjëmend për shkak të asaj që gjithmonë e kemi thënë: se në këtë formë ata bëhen të shantazhueshëm, të dëgjueshëm dhe kryejnë veprime operative të caktuara për interesa të caktuara.
Nuk e di se çfarë e ka shtyrë këtë punë deri në këtë pikë. Atë që e di është se krimi duhet të ndëshkohet, dhe nuk është hiç me rëndësi se sa heroik ka mundur të jetë kryerësi. Por, janë dy të këqija që rezultojnë nga ky hetim. E para: që sado që thuhet se bëhet fjalë për krimet që dyshohet se i kanë kryer oficerët e lartë të UÇK-së, në fund del se krimet i kanë kryer shqiptarët dhe se ata janë të njëllojtë me kriminelët e shtetit serb që na kanë vrarë e dëbuar nga Kosova. Në fund do të dalë se shqiptarët janë të tillë kriminelë lufte, që është dashur të themelohet një tribunal i veçantë për t’u marrë vetëm me ta. E dyta: po qe se në mesin e atyre që do të akuzohen ka zyrtarë të lartë politikë që e kanë udhëhequr Kosovën në 15 vjetët e fundit, atëherë populli i Kosovës mund të nisë e të vajtojë për një dekadë e gjysmë të shkuar poshtë. Nuk ka dyshim se jeta jonë do të kishte qenë shumë më ndryshe..., dhe situata jonë sot do të ishte shumë më ndryshe.
Ec e dije se kujt i konvenoi kjo vonesë 15-vjeçare. Hairin, përfundimisht, ia pa Serbia.
Hajgarja e PDK-së
Serbia është shteti fqinj, i cili e ka diktuar jetën e serbëve të Kosovës, ashtu siç i ka konvenuar. I ka përdorur mençur; i ka pozicionuar në vende që çojnë kandar dhe në fund e ka imponuar ndarjen, edhe fizike, të Mitrovicës. E për këtë, për gjithë hapësirën e manovrimit që ia ka ofruar, pjesën më të madhe të fajit e ka PDK-ja që e ka udhëhequr Kosovën qe gati shtatë vjet.
Tashmë e kemi tjerrë e tjerrë keqqeverisjen e Hashim Thaçit dhe ekipit të vet; mungesën e zhvillimit ekonomik; gjyqësinë jofunksionale dhe të paefektshme; krimin e korrupsionin; privatizimin e dështuar; sistemin arsimor të shkatërruar; lëshimin pe në një proces negociatash ku është futur si pula pa kokë..., dhe disa herë e kemi përsëritur se zgjidhja optimale për Kosovën tash është që PDK-ja të shkojë në opozitë.
Por kjo çështje është e paimagjinueshme dhe e papranueshme për udhëheqësin e kësaj partie që ia ka ndier lezetin pushtetit. Madje edhe pasi u dëshmua se në asnjë variant nuk mund t’i bënte numrat për ta zgjedhur kryeparlamentarin, më parë zgjodhi të krijojë një krizë të panevojshme politike sesa të pranonte se askush nuk po e do për “mik”, partner apo bashkëqeverisës. Por ende duke luajtur me kartën e “hajt se ka dikush që shitet”, përpiqet që kohë ta shfrytëzojë maksimalisht për ta blerë dikë – mundësisht të gjithë, me qëllim që me e lënë VV-në dhe Lista Srpskan në opozitë.
Argumentimi se Kosova ka nevojë që një qeveri stabile me 84 vota (PDK 37+ 30 LDK+ 11 AAK + Nisma 6) ku Srpska do të ishte në opozitë, përderisa e kundërta e kësaj do ta sillte shtetin në situatën e zgjedhjeve të parakohshme, është një hipokrizi tepër e madhe që kufizohet me pafytyrësi. Mbase duhet kujtuar si partisë, si urdhëruesit të letrës e më pas edhe nënshkruesit se pas zgjedhjeve të shkuara PDK-ja formoi koalicionin paszgjedhor me AKR-në dhe me 23 deputetët minoritarë që ia siguronin votat për të mbetur në pushtet. Pra, atëbotë, nuk e kishin parë të arsyeshme të kishin koalicion të gjerë me serbët në opozitë, por u mjaftuan me ato 66 a 67 vota që mbetën më pak se 60 në fund – për ta mbajtur pushtetin madje tre vjet, pa vesvese.
Barazimi implicit i “Vetëvendosjes” me “Srpskën” është i pahijshëm sa s’dihet (ata janë të këqijtë, e ne të mirët; nuk keni nevojë që ata t’ju kushtëzojnë, qe ku jemi ne): përderisa VV-ja ka qenë opozita e vetme në legjislaturën e shkuar dhe ka shtuar numra deputetësh pa vjedhur vota, Srpska përfaqëson minoritetin që i ka dhënë përkrahje qeverisjes së keqe në legjislaturën e shkuar dhe për më tepër është bashkëpërgjegjës për kaosin aktual dhe, çka është më e keqja, në përbërjen e vet i ka nja pesë a gjashtë veta që kush në Kosovë s’i njeh... Kjo në fakt tregon se sa u frikësohen këtyre dy grupeve – sepse angazhimi i cilitdo, sagllam e çon PDK-në në opozitë.
Partitë e bllokut duhet të jenë shumë naive po qe se e besojnë se kjo ofertë është e sinqertë. Kjo ofertë në të vërtetë e nënkupton krizën latente dhe jostabilitetin më të madh që mund ta përjetonte një qeveri e ardhshme – do të varej ekskluzivisht nga vetë PDK-ja, që me t’u tërhequr nga koalicioni do ta rrëzonte Qeverinë kurdo që do të donte. Dhe do të shkohej në zgjedhje të parakohshme me shumë gjasa që të fitojë ai subjekt politik që ka më së shumti para dhe pushtet. E cili është ky subjekt? Shefi i tij do të përgjigjej me “dihet”...
Në vend të veprimit si të të pashpresëve, mbase udhëheqja e kësaj partie do të duhej nisur të mendonte se sa e dobishme do të ishte në opozitë. Të pranonte se nuk e meriton edhe një shans për “Milionin e ri”, sepse e bart fajin kryesor edhe për copëtimin e mundshëm të Kosovës e edhe për mjerimin e saj ekonomik. Madje, po qe se del e vërtetë, edhe për humbjen e atij pak imazhi që e kanë shqiptarët në botë, me aktakuzat kundër ndonjërit zyrtar të lartë, dikur hero e çlirimtar.
Boll vërshime na ndodhën. Është më mirë të lënë që uji të qetësohet e t’i kthehet shtratit të vet.
© KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...