12 Nëntor 2015 - 08:47 - Enver Robelli
Kur Sulltan Selimi I, para një gjysmëmijëvjeçari mori pushtetin në Stamboll, ai së pari i ekzekutoi vëllezërit dhe nipërit e vet. Pa konkurrencë mund të sundosh i papenguar. Ky tiran masakroi pakicat dhe trefishoi territorin e Perandorisë Osmane.
Më 1517 ai e solli selinë e Kalifatit prej Kajros në Stamboll. Selimi I u bë i njohur edhe me emrin “Yavuz” - “i ashpri”, “i tmerrshmi”. Ai thoshte: “Një qilim ka mjaft vend për dy myslimanë, por bota s’ka mjaft vend për dy sundimtarë”. Ose: “Lufta ime do të vazhdojë derisa ligji i Zotit, sheriati, të vlejë në mbarë botën ose unë të vdes”.
Megalomania, arroganca dhe ambicia për të sunduar gjithë botën binte në sy edhe me grumbullin e titujve që mbante Sulltan Selimi I në fund të jetës së tij. Ai ishte Sulltan Osman, Kalif i myslimanëve, sundimtar i dy kontinenteve, sundimtar i dy deteve, nënshtrues i dy armatave (të krishterë dhe shiite), shërbëtor i vendeve të shenjta (Mekë dhe Medinë), Cezar (perandor i Romës).
Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, duket se e ka idhull këtë Sulltan, andaj ka vendosur që ura e tretë mbi Bosfor të marrë emrin Selimi i I. Edhe mënyra se si e kupton Erdogan demokracinë ka veti mesjetare. Meqë rezultati i zgjedhjeve parlamentare në qershor nuk i pëlqeu, ai para dhjetë ditësh urdhëroi turket dhe turqit të dalin edhe njëherë në zgjedhje – demek, për të zgjedhur më mirë.
Më mirë domethënë ashtu siç dëshiron Erdogani. Në qershor partia e tij AKP kishte humbur shumicën absolute në parlament – për herë të parë prej se erdhi në pushtet në vitin 2003. Atëbotë Erdogani hëngri edhe një flakaresh tjetër nga zgjedhësit me orientim perëndimor: ata e bënë të mundshme që një parti kurde të hyjë në parlament.
Epilogu i zgjedhjeve të qershorit ia acaroi nervat Erdoganit. Që nga atëherë ai ka intensifikuar fushatën represive – kundër mediumeve opozitare, kundër kurdëve, kundër shoqërisë civile. Kritikëve të brendshëm partiakë si ish-presidenti Abdullah Gyl ua ka mbyllur gojën qëmoti, policinë edhe drejtësinë i ka shndërruar në instrumente për të forcuar pushtetin e tij.
Urdhrin për të konfiskuar shtëpinë mediale “Koza Ipek” e dha i njëjti gjykatës që para disa muajsh kishte vendosur të mbyllte shërbimin e lajmeve të shkurtra “Twitter”. Përmes këtij kanali ishin bërë publike shumë afera korruptuese dhe intriga që lidheshin me Erdoganin dhe familjen e tij.
Strategjia e përshkallëzimit të situatës, të cilën Erdogan e aplikoi që nga zgjedhjet e qershorit, u shpagua në zgjedhjet para dhjetë ditësh. Kësaj radhe AKP fitoi shumicën absolute në parlament dhe mund të qeverisë vetëm në katër vitet e ardhshme. Por, a do të jetë Turqia stabile në të ardhmen nuk është e sigurt, madje duhet dyshuar.
Erdogani e mori pushtetin si kryeministër më 2003 si pajtues dhe ndërkohë është shndërruar në polarizues të shoqërisë, në përçarës dhe ngatërrestar të rrezikshëm. Si president i zgjedhur vitin e kaluar ai në të vërtetë do të duhej të qëndronte mbi partitë politike dhe të shërbente si përfaqësues i të gjithë qytetarëve turq.
Erdogan bën të kundërtën. Drejton mbledhje të qeverisë, përzihet pothuaj në çdo temë dhe hapur lufton që Turqia të shndërrohet në shtet me sistem presidencial – domethënë që kryetari të ketë kompetenca shumë të mëdha dhe të jetë edhe kryeministër faktik. Shumica e turqve e shohin këtë ambicie të Erdoganit me dyshim.
Edhe në zgjedhjet e fundit AKP nuk fitoi shumicën e nevojshme (dy të tretat) për të ndryshuar Kushtetutën. Megjithatë, menjëherë pas zgjedhjeve Erdogan kërkoi që parlamenti të fillojë përgatitjet për reformat që do ta mundësonin sistemin presidencial. Nëse partitë nuk vallëzojnë sipas muzikës së tij ai është kërcënuar se do të angazhohet për referendum.
Fantazitë e Erdoganit për pushtet absolut do të vazhdojnë. Ato po e paralizojnë vendin dhe po e trembin Bashkimin Evropian. Shumica e refugjatëve nisen nga Turqia në drejtim të Evropës Perëndimore. Në këtë vend kanë gjetur strehë mbi dy milionë refugjatë, kryesisht nga Siria. Jo pak prej tyre jetojnë me vite të tëra në kampe dhe durimi i tyre po merr fund në mungesë të perspektivës.
Kush ka mundësi niset në kërkim të një jete më të mirë në vendet me mirëqenie më të madhe si Gjermania dhe Suedia. Bashkimi Evropian është i varur nga ndihma e Ankarasë për të zgjidhur dramën e refugjatëve në mënyrë humane. Për këtë arsye Erdogani po trajtohet me dorëza mëndafshi nga ana e Brukselit dhe Berlinit dhe opozita turke po injorohet. Kjo strategji në aspektin afatgjatë nuk do të ketë sukses. BE nuk duhet të shpërblejë autokratët, por demokratët.
Erdogan nuk është demokrat. Ai, sipas të gjitha gjasave, nuk i manipuloi zgjedhjet e fundit, por me fushatën e tij represive krijoi një atmosferë të frikës, duke u imponuar si faktori i vetëm që garanton shpëtim nga kaosi. Kësisoj zgjedhjet në Turqi ishin të lira, por të pandershme.
Në Bruksel nuk u dëgjuan zëra kritikë kundër stilit sundues të Erdoganit dhe mënyrës si i fitoi zgjedhjet sipas qejfit të tij. BE madje për të mos e nevrikosur Erdoganin nuk e publikoi para zgjedhjeve një raport kritik për Turqinë.
Me sa duket shumë vende të fuqishme evropiane përballë krizës së refugjatëve më shumë preferojnë të bashkëpunojnë me autokratë që garantojnë stabilitet se sa të mbështesin forcat demokratike.
Më 29 tetor Turqia shënoi 92-vjetorin e shpalljes së republikës. Në themelet e saj ishte ideja se ky shtet aq i rëndësishëm mes Lindjes dhe Perëndimit do të jetë modern, properëndimor, demokratik, shekullar. Nën Rexhep Taip Erdoganin Turqia po largohet gjithnjë e më shumë prej këtyre idealeve dhe vlerave. Që në viset shqiptare ka njerëz që i duartrokasin fitores së AKP-së dhe pëlqejnë mënyrën e sundimit nga Erdogani është – thënë më së buti - marre!
[email protected]
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...