Shpërblime për zjarrvënës

22 Shtator 2016 - 12:03 - Enver Robelli      

Serbia po nxit tensione në Bosnjë-Hercegovinë, po saboton projektin perëndimor për shtetndërtim në Kosovë dhe po eksporton armë në shumë vende problematike. Nëse Bashkimi Evropian vazhdon të mbyllë sytë përballë kësaj politike, konfliktet në Ballkan mund të përshkallëzohen.

Në fund të tetorit Komisioni i Bashkimit Evropian do të prezantojë raportin e ri vjetor për përparimin dhe ngecjet në vendet e Ballkanit, të cilat duan të bëhen pjesë e BE-së. Si çdo vit, edhe sivjet me gjasë do të dominojë gjuha diplomatike mbi problemet në Ballkan. Do të përmenden mangësitë në ndërtimin e institucioneve të pavarura, në funksionalizimin e administratës publike, lufta e paqenë kundër korrupsionit, privatizimi i dyshimtë i ndërmarrjeve shoqërore, liria e rrezikuar e shprehjes dhe e medieve. Do të thuhet se këto mbesin “sfida” për të gjitha qeveritë në rajon. Pastaj të gjitha qeveritë do t’i kthehen rendit të ditës, do të vazhdojnë me të vjetrën, në pritje të raportit të ardhshëm, përfshirë edhe Serbinë, shtetin me ambicien dhe potencialin më të madh për destabilizimin e Ballkanit.

Por, sidomos 12 muajt e fundit kanë treguar se kjo nuk është receta e duhur për qetësimin e rajonit. Ndërsa BE-ja vazhdon negociatat për anëtarësimin e Serbisë, ky shtet po shkakton tensione të mëdha në vendet fqinje. Politika e gjuajtjes së gurit dhe fshehjes së dorës mbetet një konstantë në politikën serbe. Ngjashëm si në vitet ’90, kur regjimi i Slobodan Milosheviqit gënjente se Serbia assesi nuk është e involvuar në luftën e Bosnjës, edhe tani kryeministri Aleksandar Vuçiq po deklaron se vendi i tij mbështet sovranitetin e Bosnjë-Hercegovinës, por njëkohësisht Beogradi po e ndihmon Republikën Serbe të Bosnjës në përpjekjet për të shkatërruar këtë shtet.

Të dielën e ardhshme në Republikën Serbe do të organizohet një referendum bizar. Qytetarët janë të thirrur të votojnë nëse 9 janari do të shënohet si ditë e themelimit të entitetit të serbëve të Bosnjës. Republika Srpska u shpall më 9 janar 1992 nga kriminelët e mëvonshëm më të mëdhenj të luftërave ballkanike – Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mladiq. I pari është dënuar me disa dekada burg për krimet e tij, të dytin, nëse nuk vdes si Milosheviqi në Hagë, e pret nafaka e njëjtë. Gjykata Kushtetuese e Bosnjë-Hercegovinës thekson në një vendim se 9 janari nuk mund të festohet si ditë e themelimit të Republikës Serbe.

Arsyet janë të qarta: në themelet e kësaj ngrehine pseudoshtetërore është gjaku i mijëra boshnjakëve myslimanë, të vrarë vetëm pse i takonin një kombi dhe një feje tjetër. Kjo datë diskriminon të gjitha grupet e tjera etnike. Jo vetëm Gjykata Kushtetuese e Bosnjës është shprehur kundër referendumit, por edhe Këshilli për Implementimin e Paqes (PIC), me përjashtim të Rusisë. Në këshillin ekzekutiv të PIC janë Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Italia, BE-ja, Rusia, Turqia dhe SHBA-ja. “Harta e Bosnjë-Hercegovinës nuk do të vizatohet rishtas”, thekson PIC, por ky organ ngaherë nuk merret seriozisht nga Qeveria e serbëve të Bosnjës dhe nga Beogradi.

Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, së fundi kërcënoi se partia e tij, por edhe shumë njerëz në Serbi do të bëjnë gjithçka që referendumi të mbahet, madje edhe duke dërguar Ushtrinë e Serbisë në Bosnjë. “Ne kemi miqtë tanë në Bosnjë-Hercegovinë, më saktë vetëm në njërën pjesë dhe ajo është Republika Serbe dhe është normale që të ndihmojmë në realizimin e qëllimeve politike”, tha Daçiq. “Do të bëjmë gjithçka që ky referendum të organizohet, sepse është hapi përfundimtar për shkëputjen e Republikës Serbe dhe vetëm mendimi për këtë për ne është motivim më i madh në realizimin e qëllimeve tona”, citohet të ketë thënë Daçiq nga mediet e Bosnjës. Për këtë deklaratë luftënxitëse Daçiq nuk është kritikuar as nga Brukseli, as nga Washingtoni. Ai ka vazhduar aktivitetet e tij si ministër i Jashtëm, ka folur në Forumin Strategjik të Bledit, ka qëndruar në Venezuelë në Samitin e të Painkuadruarve.

Përveç se matanë Drinës Serbia po e vazhdon lojën me zjarr edhe në Kosovë – përmes strukturave paramilitare në veri të vendit, policëve që bartin uniforma të Kosovës dhe i raportojnë shtabeve të tyre në Serbi, kontrollit të tregut energjetik dhe të telekomunikacionit në disa pjesë të Kosovës, po ashtu Serbia po saboton projektin perëndimor për shtetndërtim në Kosovë. Kjo është bërë e mundshme për shkak të diplomatëve të BE-së që duan ta ruajnë paqen jo duke zgjidhur problemet, por duke i shtyrë ato apo duke i komplikuar edhe më shumë. Dhe kjo është bërë e mundshme edhe për shkak të një klase politike të Kosovës që interesin personal të pushtetmbajtjes e ka vënë mbi interesat e qytetarëve të Kosovës.

Koncesioni më i ri: shoferët kosovarë duhet të mbulojnë me një letër ngjitëse simbolet e Republikës së Kosovës (RKS) në targat e automjeteve nëse duan të kalojnë nëpër Serbi. Njëkohësisht edhe për 5 vjet shtyhet vlefshmëria e targave neutrale (KS). Cili është hapi i ardhshëm? Etiketimi i qytetarëve të Kosovës si hebrenjtë në Gjermani me “Judenstern” (yllin e verdhë të imponuar nga nazistët) gjatë Luftës së Dytë Botërore? Kur politikanët e Kosovës lejojnë një poshtërim të tillë të qytetarëve të Kosovës, përse të mos duartrokasin edhe diplomatët injorantë në Bruksel të ngarkuar me paragjykime të llojllojshme ndaj “fiseve të egra ballkanike”?

Janë po këta diplomatë që e quajnë Serbinë “faktor stabiliteti” në rajon dhe botë, ndërkohë që nga aeroporti i Nishit shpesh po nisen avionë të ngarkuar me armë apo pajisje ushtarake në drejtim të Arabisë Saudite. Më 8 shtator një avion i markës “Iljushin” aterroi në Sharurah në Arabinë Saudite, shumë afër kufirit me Jemenin. Arabia Saudite është e involvuar në konfliktin ushtarak në këtë vend dhe ekziston mundësia reale që armët nga Serbia të përfundojnë në vatra krize në Jemen apo edhe në Siri dhe Irak. Asnjë zë kritik nga Brukseli nuk është dëgjuar në lidhje me këto biznese të dyshimta të Qeverisë serbe.

“Më pëlqen pamasë kur eksportojmë armë, sepse ky është fitim i pastër devizor, industria ushtarake është fushë prej së cilës fitojmë shumë”, ka deklaruar kryeministri Aleksandar Vuçiq. Ndonëse në Arabinë Saudite eksportojnë armë edhe vende të BE-së, megjithatë transparenca është më e madhe, shpesh bëhet fjalë vetëm për armë mbrojtëse, jo ofensive. Në rastin e Serbisë ekziston një paqartësi e madhe se çfarë eksporton në vendet afër konflikteve të përgjakshme. Shpërblimi i zjarrvënësve – të tillë janë politikanët sundues në Beograd – do t’i kushtojë shumë Bashkimit Evropian, i cili po toleron politikën agresive të Vuçiqit dhe Daçiqit.

[email protected]

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Enver Robelli
Enver Robelli

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...